SI TË ISHTE FUNDI I BOTËS


Resmi Osmani

Romancë



Fshati malor, dikur plot jetë e gjallëri, tashmë thuajse ishte braktisur. Tym nga oxhaqet dilte vetëm nga katër shtëpi. Në dy prej tyre banonin katër të moshuar, që kishin vendosur ta sosnin jetën në vatrat ku kishin lindur dhe dy të rinj , nip e mbesë, që kujdeseshin për ta: Lena, shtatëmbëdhjetë vjeçe,që kishte ndërprerë gjimnazin në qytet, pwr tu gjendur e shërbyer gjyshit e gjyshes, dhe Dritani i diplomuar agronom, qw s’kishte gjetur punë dhe u kthye edhe ai për tu shërbyer pleqve dhe për të mirëmbajtur vreshtin dhe pemishten e mollëve. Bora e fund shkurtit që ra dy dit paprerë , vuri shtresë dhe mbylli e bëri të pakalueshme rrugën e vetme që e lidhte me fshatrat e tjerë dhe qytetin, që edhe ashtu, ishte larg. Desh e mira, rryma elektrike nuk u ndërpre dhe për celularin kishte valë.

Lena u zgjua heret. Doli nga shtresat. Dhoma ishte e ftohtë e i shkaktoi të dredhura. U vesh me ngut. Hodhi sytë nga dritarja. Bora kishte rreshtur, por kishte vënë shtresë. Asaj iu duk si shkretëtirë e bardhë, por e bukur, një bukuri e virgjër. Çarçafi i saj i ftohtë mbulonte gjithëçka: pullazet, oborret, udhët dhe kishte veshur me stolinë e argjendtë gjithë pemët dhe drurët e pyllit. Ishte një botë si në ëndërr. Një ishull i bardhë vetmie dhe heshtje, si në zanafillë, në një botë tjetër, të largët e të panjohur. Vetëm fjollat e tymit që delnin nga tymtarët, rrëfente se atje gjallonte jeta.

Nga dhoma ngjitur u dëgjuan të kollitura. Gjyshja me gjyshin ishin zgjuar. Huqi i pleqve, flenë pak. Lena u uroj mëngjesin dhe ndezi zjarrin. Bëri kafetë dhe vuri tenxheren me ujë për të zier trahananë. Pastaj doli përjashta, me kujdes që të mos rrëshkiste se bora kishte ngrirë. Pulat po kakarisnin në qymez.U hapi deriçkën dhe u hodhi ushqimin në koritë. Mblodhi vezët në përparse dhe nxitoi për të përgatitur mëngjesin. Aroma e gjalpit të shkrirë që përvëloi trahananë ermiroi gjithë shtëpinë.E ndau në pjata, thërrmoi mbi të djathin dhe u ulën të tre në tryezë.

Televizori jepte lajmet: kohë kovidi, pandemi drithëruse, gjithandej të sëmurë, pamje të frikshme: të shtruar spitaleve, me maska oksigjeni dhe tuba, që ishin në hjekën e fundit, pamje morgu me të vdekur, më së shumti të moshuar. Dëgjonin e vështronin në hehtje. Një natë më parë, një mjekrosh opinionist, tha se botës po i vinte fundi, e se dikush, që e kishte shpërndarë këtë flamë,( se me siguri e kishin shpërndarë) donte të fironte njerëzinë që ishte shtuar shumë ! Thanë e ç’nuk thanë. Njeri që ishte më optimist, tha se çdo ditë që jemi gjall, le ta jetojmë si të ishte fundi i botës, se të nesërmes nuk i dihej, gdhiheshim por nuk ngryseshim!

Gjyshit që si ndahej kolla, një kollë e keqe që ai thoshte se e kishte nga duhani i sertë që e tymoste me llullë,tundi kokën me dyshim dhe tha se kjo ishte flamë, që vinte nga se prisje, tek je tek jam dhe se Zoti na ruajtë të rinjtë, se ne e kullotëm çairin! Gjyshja nisi të grindej dhe ankohej kotnasikoti. Por ajo mbahej më mirë se gjyshi. Lena ishte mësuar me të tilla ankesa.

Nga punët e mëngjesit kishte mbetur mjelja dhe ushqimi i lopës dhe Çapit, qënit roje të shtëpisë. Lena ia lau sisët Larës me ujë të ngrohtë pastaj nisi ta milte, por lara s’donte ta jepte qumshtin pa e parë viçin qe po bërlykej. Kova u mbush plot, sipër vuri një shtresë shkumë dhe ndjehej amza e qumshtit të sapomjelë. I hodhi në grazhd një vandak me jonxhë të thatë dhe pastaj mori karrocën e dorës dhe pastroj sheshin e plevicës. Plehu të shponte hundët me erën e amonjakut. E hodhi në pirgun e plehrishtes. Nga plehu i freskët u ngrit një shtresë avulli. Ajo ngutej ti vinte përpara punët e mëngjesit se e kishte lënë me të dashurin, Dritanin, të shkonin një shëtitje në mal, përmes pyllit me borë. Së pari një banjë, rrobat e leshta kishin thithur erën e stallës. Shiu i ujit të ngrohtë i shkrifi trupin e gjallëroi dhe e prehu. Veshi ndrresa të pastra.Ujë e sapun, por edhe ca pufka parfum aromëlehtë në sqetulla dhe në gushë .

Tashti, po. Gati për shëtitjen me Dritanin, për ta jetuar këtë ditë si të ishte fundi i botës!.

Dëgjoi një vërshëllimë. Zgjati kokën në dritare. Ishte ai, po e priste jashtë gardhit duke kërcyer pupthi që të ngrohej. U vesh. Vuri rripat e çantës së shpinës në supe, u tha mirupafshim gjyshes e gjyshit dhe doli, e përcjellë nga porositë që të ruhej mos ftohej e e të mos vonohej.

U zunë për dore dhe morën udhën për në shtegun e pyllit plot me drurë të moçëm ahu, që do t’i nxirte lart në majë. Të ecurit ishte i vështirë, këmbët fundoseshin deri afër gjurit në dëborë. Dritani ecte përpara, Lena shkelte në gjurmët e hapura prej tij.

- Ke ftohtë nga këmbët?-tha ai._

- Jo, kam veshur çizme me push nga brenda, tha ajo- Po ti?

-Jo, çorapet e leshit mi mbajnë ngrohtë, por nga qafat e këpucëve hyn ndonjë grimcë bore.

Dukeshin si pyetje të zakonshme, por ata e dinin se ato s’ishin të tilla, në to fshiheshin të tjera fjalë, të përzemërta e të dashura, me atë kod që vetëm ata dinin ta kuptonin. Kishin bërë gjysmën e rrugës, kur arritën në shtegun e përpjetë të pyllit, kur qëndruan për tu çlodhur. Frymonin shpejt, fjollat e frymës kondensoheshin menjëherë sa dukej sikur frymëmerrnin mjegull.

-U lodhe?

-Jo, por e përpjeta dhe dëbora ma vështirësojnë ecjen.

-Qëndrojmë ca e çlodhemi-tha ai dhe , mbështeti shpatullat pas trungut të një ahu të moçëm.

Dritanit i pëlqeu zëri i saj melodioz, me timbër gati fëmijëror. Nga sytë ngjyrë laithie, i buronte drita e paqtë, e dashur dhe e qetë, teksa në çipat e buzëve të plota, ajo buzëqeshja, ia zbukuronte pamjen gati fëminore të fytyrës. E tërhoqi nga vetja, e mbështeti në parzëm dhe e puthi gjatë ëmbël, sa ju mor fryma. Ajo u tulat në gjoksin e tij.

-Më do? Pyeti me zë të dridhur.

- Ç’është kjo fjalë? Shumë, oh sa Shumë. Tha ai.

- Nuk u shpreha mirë. Desha të them: a më dashuron vërtet, ashtu siç të dashuroj unë?

- Ti e di edhe pa më pyetur. Ti je dashuria dhe gëzimi im.