top of page

Si rashë në gjurmët e analizës së Dr. Inozemcevit.


Si rashë në internet në gjurmët e analizës së Dr. Inozemcevit.



Eshref Ymeri


Letërkëmbim me Prof.dr. Fatmir Terziu,

Mjeshtër i Madh


I dashur Profesor Fatmiri,

Analizës së doktorit të shkencave ekonomike Vladislav Inozemcev, me titull “Pesë arsye se pse në Rusi nuk do të ketë demokraci”, që e keni botuar në Portalin tuaj të ditës së sotme (22 tetor 2023), në Rubrikwn “Komente” Ju i keni bërë një “qilizmë” mjeshtërore. Është fat i madh për mbarë kombin shqiptar që, në Perëndimin evropian, ne kemi një intelektual të shquar erudit, të cilit fjala i peshon në një mënyrë elegante në shumë fusha të dijes.

Me këtë rast, dëshiroj të theksoj se si rashë në internet në gjurmët e analizës së dr. Inozemcevit.

Pas sulmit fashist të Rusisë shoviniste kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022, zhvillimin e ngjarjeve në atë vend e kam ndjekur dhe vazhdoj ta ndjekë rregullisht në youtube. Nuk mund ta përfytyroja dot që ushtarët rusë të kryenin krime aq të përbindshme në Ukrainë, si ato në Buça, ku vranë dhe masakruan 410 qytetarë ukrainas, midis tyre pleq, plaka dhe fëmijë, duke i groposur në një varr masiv. Se kush është ushtari rus, u vërtetua më së miri para mbarë botës atëherë kur ushtria e kuqe sovjetike, në vitin 1945, hyri në rrethinat dhe në qytetin e Berlinit, ku përdhunoi 2 milionë vajza dhe gra gjermane, që nga mosha 8 deri në moshën 80 vjeçe. Krimin e përdhunimeve të femrave, ushtarët fashistë rus e kryen edhe në Ukrainë. Por ushtari gjerman ishte i pajisur me një tjetër kod moral në qëndrimin ndaj femrave sovjetike kur Hitleri sulmoi Bashkimin Sovjetik më 22 qershor 1941: në komandat gjermane qarkullonte një urdhër i prerë: nëse një ushtar gjerman fyen një femër sovjetike, ai pushkatohej pa gjyq.

Ky qëndrim shtazëror i ushtrisë fashiste ruse ndaj qytetarëve ukrainas, i shoqëruar me krime të përbindshme dhe me përdhunime, më nxiti të gërmoj gjatë në internet me pyetjet: cila është Rusia dhe cilët janë rusët, tradicionalisht? Pas gërmimeve të shumta, arrita të gjej materiale prej qindra faqesh, në të cilat, personalitete ruse dhe të huaja, kanë zbuluar lakuriq formimin psikologjik të rusëve, si një popull mëkatar, i cili, nga gjiri i vet, ka më shumë qejf të nxjerrë në krye të politikës vetëm diktatorë kriminelë.

Ju, Profesor i dashur, e dini shumë mirë që Aleksandër Litvinjenko (1961-2006), ka qenë oficer i sigurimit rus, i specializuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai pati kritikuar haptas politikën e autoriteteve ruse dhe personalisht Putinin, të cilin e pati akuzuar për shumë krime dhe për luftën agresive kundër Çeçenisë. Pas kërcënimeve që iu bënë për jetën nga autoritetet shtetërore, u detyrua të arratisej familjarisht në Britaninë e Madhe, ku iu dha strehim politik. Por agjentët e Putinit edhe këtu e ndoqën pas, derisa më 23 nëntor 2006 e helmuan me polonium 210, një lëndë radioaktive kjo jashtëzakonisht e rrallë dhe e vështirë për t’u zbuluar. Ja çfarë ka shkruar ai për krimet e bishës fashiste ruse në Çeçeni:

“Si mysafir te miqtë e mi çeçenë, ndoqa një film dokumentar dhe pashë se si makina ushtarake ruse i fshinte nga faqja e dheut qytete dhe fshatra, duke vrarë me egërsi dhe pa mëshirë gra, pleq dhe fëmijë. Për një orë e gjysmë isha dëshmitar i krimeve të përbindshme dhe i vuajtjeve të pabesueshme të atyre që patën fatin të lindin dhe të jetojnë në këtë botë si njerëz të lirë dhe krenarë. U duhet dhënë haku prodhuesve të filmit, në të cilin nuk ka vend kurrfarë propagande, ka vetëm të vërteta. Të vërteta dhe asgjë tjetër, veç të vërtetave. Dhe kur herën tjetër, nga ekrani i televizorit po më shikonte një plak i thinjur që kishte mbetur pa strehë mbi kokë, ose një vogëlush rreth pesë vjeç, me pamjen e një të rrituri, më erdhi tmerrësisht turp që jam rus. Madje, duke e ndier veten si të ndotur me pisllëk kokë e këmbë, doja që, me një leckë larëse, t’ia rrjepja lëkurën vetes, së bashku me përkatësinë kombëtare, si pjesë e popullit “të madh dhe të fuqishëm” rus. Duke ndjekur pamje të tmerrshme nga ajo luftë dhe vuajtjet e njerëzve të pambrojtur, shikoja se si burrat çeçenë shtrëngonin grushtet në heshtje, gratë çeçene qanin pa zë, kurse unë doja vetëm një gjë - një dush të nxehtë dhe të rrjepja, të rrjepja dhe vetëm të rrjepja gjithçka që e thërrasim me fjalën “rus” dhe që nga qenia ime të mos vijë më kurrë era e ndotur rusizëm. Vladimir Bukovski [(1942-2019), njëri nga themeluesit dhe pjesëmarrës aktiv i lëvizjes disidente në Bashkimin Sovjetik - E.Y.], në gjykimin e vet për Rusinë dhe rusët, pati deklaruar:

“Putini!? Nuk është rus. Vrasës dhe fundërrina të tilla nuk kanë kombësi. Rusë janë të tillë, si puna ime, Saharovi dhe Sollzhenjicini”.

Nuk ka dyshim se Vladimir Bukovski edhe këtë herë ka të drejtë, se njerëz të tillë, si Putini, vërtet nuk kanë kombësi. Po atëherë si t’ia bëjmë hallit me 145 milionët e tjerë, pa pëlqimin e heshtur të të cilëve nuk do të kishte mbi tokë putinë dhe shëmtira e maskarenj si puna e tij. Dhe cilës kombësi i përkasin këto miliona krijesash të heshtura dhe të nënshtruara, të cilat, ende për forcë zakoni, e quajnë veten rusë? Atëherë cila është lumturia? Lumturi i thonë atëherë kur nuk e fsheh kombësinë tënde! Lumturi i thonë atëherë kur nuk të vjen turp për Atdheun tend! Lumturi i thonë atëherë kur nuk të pështyjnë nga pas vetëm e vetëm se ti je rus!”.

Këta diktatorë kriminelë popullin rus e zhysin në varfëri dhe në mjerim. Por popullit rus nuk i krijojnë kurrfarë shqetësimi vujtja dhe mjerimi. Prandaj Dostojevski shkruan:

“Mendoj se kërkesa më kryesore, më rrënjësore e shpirtit të popullit rus, është kërkesa për vuajtje, për një vuajtje të përhershme dhe të pashuar, kudo dhe në çdo gjë. Me këtë etje për vuajtje, ai, me sa duket, është infektuar që kur bota është zënë. Rrjedha e vuajtjeve përshkon gjithë historinë e tij, jo vetëm nga fatkeqësitë dhe gjëmat e jashtme, por ngaqë ajo zien përbrenda vetë zemrës së popullit. Në vetëdijen e popullit rus, madje në çaste lumturie, gjendet patjetër një grimë vuajtjeje, ndryshe lumturia e tij për të nuk është e plotë. Asnjëherë, madje edhe në minutat më solemne të historisë së tij, ai nuk merr një pamje plot krenari dhe ngazëllim, por vetëm një pamje mallëngjyese deri në përvuajtje. Ai trishtohet dhe falënderimin e vet ia përcjell mëshirës së Hyjnisë. Në vuajtje populli rus sikur gjen kënaqësi”.

Por, në përputhje me mësimet e psikologëve, në figurën e njeriut që pajtohet me vuajtjet dhe mjerimin, vjen e kristalizohet një njeri i dyzuar: së pari, ai ka qejf të tërhiqet zvarrë para agait të vet diktator; së dyti, në qenien e tij, me kalimin e kohës, vjen e regjet (argaset) një qenie inatçore, kriminale, e cila, kur t’i krijohet rasti, do të kryejë krime të përbindshme, sipas urdhrit të diktatorit të vet. Një dukuri të tillë në formimin psikologjik të popullit rus, e nxjerr ne pah psikologu dhe psikiatri zviceran, themeluesi i psikologjisë analitike Karl Gustav Jung (1875-1961), i cili thotë:

“Në shpirtin e çdo rusi, në dallim nga një evropian, prehet një kafshë dinake inatçore”.

Maksi edhe Engelsi qenë shprehur për një luftë revolucionare kundër Rusisë perandorake, e cila, në këndvështrimin e tyre, përfaqësonte kështjellën e forcave reaksionare në mbarë Evropën. Me këtë rast, ata patën theksuar vazhdimisht “mongolizmin” e politikës ruse dhe pikësynimin e shovinizmit rusomadh për sundimin e botës në frymën e Çingiskhanit. Në kreun IV të veprës së papërfunduar, me titull “Demaskimi i historisë diplomatikke të shek. XVIII”, Marksi shkruan:

“Moskovia qe edukuar dhe mëkëmbur në shkollën e tmerrshme dhe të fëlliqur të skllavërisë mongole. Ajo erdhi e u forcua vetëm për arsye se qe bërë virtuoze në artin e skllavërisë”.

Rusia, nën sundimin e Putinit, një njeri ky me testin e intelektit poshtë mesatares, siç e ka karakterizuar Juri Shvec, shoku i klasës në shkollën e kundërzbulimit, në të vërtetë, është një vend me diktaturë komuniste, në të cilin opozitarët përndiqen, burgosen, vriten barbarisht dhe ushqehet urrejtje ndaj vendeve të tjera, përgjithësisht ndaj Perëndimit dhe sidomos ndaj Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo për arsye se komunistët kanë si bazë sociale bërrllokun e shoqërisë, çka Çurçilli e ka vënë në dukje shumë bukur:

“Komunistët zhvillojnë një luftë të pandërprerë kundër qytetërimit, me qëllim që të zhdukin të gjitha institucionet e pushtetit, të gjitha qeveritë, të gjitha shtetet në botë. Ata kanë si synim të krijojnë një aleancë ndërkombëtare të varfanjakëve, të kriminelëve, të injorantëve, të rebelëve, të të sëmurëve, të debilëve dhe të budallenjve, aleancë kjo që duhet të përfshijë mbarë botën”.

Profesor i dashur Fatmiri,

E përktheva dhe e përgatita për botim analizën e dr. Vladislav Inozemcevit me të vetmin qëllim që t’u them mbarë bashkëkombasve tanë, në trojet etnike dhe në Mërgatë, se praktika e ushtrimit të pushtetit nga ana e Putinit në Rusi, është huazuar në Shqipëri, çka është reflektuar në një mënyrë të dukshme në varfërimin e pandalshëm të njerëzve, të cilët shpëtimin e kërkojnë në largimin nga vendi, i cili po shpopullohet në një mënyrë të frikshme. Këtë analizë ia dërgova edhe një gazete në Tiranë, e cila nuk pranoi ta botonte. Me sa duket, Redaksia e asaj gazete, me të drejtë, është rezervuar ta botojë, se rusomanët, për turpin e tyre, në Shqipëri janë me tonelata.

Siç e theksova më lart, materialin prej disa qindra faqesh, që kam gjetur në internet për Rusinë dhe për rusët, nga pena personalitetesh ruse dhe botërore, jam duke e sistemuar për ta përkthyer. Kur ta përfundoj, do të ishte interesante që ai material të përkthehej dhe të botohej si libër edhe në anglisht.

Ju uroj shëndet dhe të gjitha mbarësitë Juve dhe Familjes Suaj të Nderuar.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 22 tetor 2023

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page