top of page

Si për kujtesë nga arkivat…


Prof Dr Fatmir Terziu

Sa lart jeni ngritur. Sa lart është shkruar emri juaj i Madh!


Si për kujtesë nga arkivat…


Më parë se të ju shkruaj Pesë Pika, për Emrin tuaj të Madh, mendova të gërmoj pak në arkiva. Dhe Ju e dini, se arkiva të tilla, kanë edhe dritë, edhe errësirë…, fundja të dyja ju bëjnë mirë. Aty gjendet edhe ai Ylli me pesë cepa, që Ju frymëzoi, ndërsa fëmijët që në djepa, fëmijët e lindur e të rritur me buzën e përhumbur të fjalës nxitonin të bënin kafetë e gjyshërve të lodhur duke u fryrë nga rrudhat e gjyshet që numëronin gurët që hidhnim për të parë dritë në fund të tunelit.



Dhe ne lamë gurët...

Por, gurët tanë kishin qenë pambuk në kurrizin tuaj. Madje ato gurrë filluan të bënin arkitekturën e kolltukëve tuaj. Dhe ju ulët, ndërsa përballë kishin pamjet e specave të tharra varg për dimrat, ndërsa gjyshet, nënat e gjyshërit numëronin kokrrat e fasuleve, sikurse Ju zbardhnit dhëmbët tuaj salloneve të modës së re.

Dhe ne lamë gurët. Lamë … dhe mbetëm përsëri të huaj, duke bëlbëzuar vetëm emrin tuaj. E të gjithë tashmë jemi krenarë, nuk jemi më në hall, fundja… Sa lart jeni ngritur. Sa lart është shkruar emri juaj i Madh!

1.

Emri juaj?! Emri… Tashmë është bërë vetëm një grumbull kockash, dhe si eshtra të rënda varet e shkalavitet nën buzë. Se… e shkuara është ajo që na vari këtë emër në buzë të mbyllura, të sinqerta, të urta, dashamirëse për të të lakuar e latuar. E shkuara kur na u duk një fjalë. E shkuara kur kishe arsyen të na thërrisje për të tashmen që të ndihej emri juaj i pafjalë… Eh, emri juaj.


Aty gjendet edhe ai Ylli me pesë cepa...

Unë gjithmonë e mbaja emrin tuaj nën gjuhën time. Në atë vend të vogël midis mishit dhe kockës. Dhe nuk mendoja se isha gati të liroja buzët e mia. Isha gati ti ulërija Botës. Nuk isha gati të lejoja të dilni dhe të mërmërisni përgjithmonë e përgjithmonë. E ndjeja dhe e dija. E dija, sepse kjo është një mendim i frikshëm.

Mendim i trishtshëm. Po, po mjaft i frikshëm.

Se me emra të tillë jargavitës ne shkatërruam një epokë. Ne shkurtuam mijëra jetëra. Ne shkuam pas qindra vite larg të Tjerëve. Me emra që lakuam dhe u sakatuam.

2.

Do të isha më i ri duke zgjatur krahun tim, ose duke u verbuar nga servilizmi yt, ose duke u ngashëruar në mes të “miletit” për xhepin tënd të majmë, sepse kjo është thjesht (meta)fizike. Që do të thotë asgjë! Kam një krah tjetër dhe i kam kujtimet e mia. Dhe ndoshta mund të mendoj mjaftueshëm të arrijë në një lloj ishulli ku nuk ka ekran të Madh e të vogël për të na parë.


...nxitonin të bënin kafetë e gjyshërve të lodhur

Ndoshta shiriti i ngushtë i kësaj toke do të lejojë që natyra të marrë kontrollin dhe të na tërheqë në krahët e saj të buta, jashtë baltës së madhe, kuturu të ngritur nga jargat e servilizmit tënd.

3.

Dhe emri yt do të pështillet. Do të pështillet si mbytësi më i madh i jargërimit. Dhe jeta do të vazhdojë, do të na kërkojë, do të na dashurojë me emra që meritojnë të jenë të tillë. E aty do të jetë dhe Ajo.

Ajo, jeta ime e mirë. Vetëm Ajo do të më dashurojë… dhe ajo do të më puthë, do të më tregojë rrjedhat e saj me shkëlqim. Aty do të ndjejë edhe kockat e vdekura të peshkut të grumbulluar në sallatëra pjatash të jargavitura …

Emri yt do të jetë shtrojë në dysheme.

4.

Ai, pra emri yt do të jetojë atje përgjithmonë dhe do të zvarritet nga pesha e urrejtjes. Do ta lë atë në një grumbull të grumbulluar në dysheme, që të notoj nëpër ajër të marr frymë thellë plot ujë baltërimi…

E pra, nëse do të ishte llucë dhe jeta do të ishte baltërim do të ishim të gjithë në atë dyshemenë tënde dhe nuk do të kishte rëndësi nëse ju kemi vlerësuar, ndihmuar që të ngriheni në këtë pikë kaq të lartë, ku nuk arritët dot të shihni as veten tuaj

5.


...gjyshet, nënat e gjyshërit numëronin kokrrat e fasuleve

Apo kjo vërtet, vetëm nëse nuk keni ekzistuar dhe ende nuk ekzistoni?

Ju mbetët në llucë, se mbetët kocka nën gjuhë. Jargët e juaja tashmë janë vetëm bojëra. Vetëm bojëra të fryra nga lojëraqë ende nuk i keni kuptuar.

Sa lart jeni ngritur. Sa lart është shkruar emri juaj i Madh!

…dhe si për ta përfunduar.

E shkuara duket se na ndjek me tërë fuqinë e saj. Dhe ne na duket se punët, punërat na shkojnë “vaj”. E çfarë pastaj? Fundja ne jemi krenarë: kemi lartësuar emrin tuaj të Madh! Eh, sa lart jeni ngritur. Sa lart është shkruar emri juaj i Madh! Aq lart sa nuk shikoni më jashtë zyrave…

76 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page