
Tashmë akrepat e orës kalojnë nxitimthi dhe data 24, që përkon me ditëlindjen time, ka ardhur, miq të shumtë, kolegë, të afërm, dashamirës, kanë filluar të më dërgojnë mesazhet e tyre të urimit, nga kënde të ndryshme të Botës. Në një farë mënyre e ndjej më shumë këtë 'stad' vërshimi urimesh në boksin tim dhe ndaj dua më shumë se kurrë të falenderoj familjarisht të gjithë ata që ma nisën me zemër urimin Gëzuar! Sinqerisht ndjehem mirë, kur ditëaritmetikat e jetës i bëjmë miqësisht urime dhe buqeta, puthje dhe gëzime prej miqsh të nderuar .... Respekte miqtë e mi të shtrenjtë kudo që të ndodheni .... Ne si dashamirës njerëzorë, natyrisht duam edhe kohëgëzimin tonë, aq më shumë në një ditë të shënuar atë të ditëlindjes. Mirrënjohje dhe respekt për të gjithë ju miq të largët, që më gjendeni virtualisht fare afër, me kohën dhe përkushtimin tuaj të sinqertë e të pastër!
E RRËFYER NË TË GDHIRË
(Si një udhëqasje për emrin tim)
Nga Fatmir Terziu
Diku në një kënd të mëngjesit të bardhë
lutjet e nëntë viteve martesë u bënë bashkë.
E majaja që prekte lotin e bardhë
pikoi në një fjalë,
gjyshi la tespijat. Mori udhën e forcës së zakonit
të takonte zgjimin
për të gjetur një emër të veçantë për nipin.
Xixa-xixa shtruan qilimin e artë yjet. Hëna shtroi mëndafshin
diku në Librin e Parajsës,
engjëjt bënë paktin,
kërkonin bekimin e Fjalës.
E Gjithësia nxitoi të zbardhej
të shkruante sa më parë
ndërsa gjyshi falej
e zgjohej me gëzimin e paparë.
Fshiu sytë dhe tha: Qenka gdhirë:
kjo ditë më solli fatin e mirë.
Kaq u desh dhe gjyshi doli nga ëndrra
i rrumbullakosi të gjitha brënda.
Fshiu sytë dhe nga dritarja bota
iu duk si një parcelë me trëndafila të mbirë,
u afrua ngadalë tek foshnja,
e puthi në duar e në fytyrë,
ndërsa pinjolli i terzinjve ishte ende në gjumë,
gjyshi buzëqeshi dhe foli i shlirë:
Njerëzit nuk marrin vetëm emra, emrat tregojnë shumë
Djalin do ta quajmë Fatmir!
Të tjerët, nëna, babai,
gjithë pjesëtarët që kishte shtëpia,
shtangën i përshkroi habia,
gjyshi ktheu sytë menjëherë nga fëmija,
pastaj foli përtej habisë me forcën e bindjes:
Emri i një fëmije mund të ndikohet nga filozofia,
pritjet dhe besimet,
dhe rrethanat e lindjes.
AUTOPORTRET
Fatmir Terziu
E ndjej ritmin tim brenda një zemre
të zgjedhur në traditat e një emetimi
deri në një transformim pas çdo germe
emri dhe mesazhi i këtij emërtimi.
Po nguc imagjinatën e strukur
thelbin e djersës si pikat e shiut,
brenda një libri jete të mbushur
për fatin e mirë të njeriut.
Për të njohur emrin tim në fjalor
depërtoj sytë e mi mbi çdo fjalë
ndjej një ritëm dyfish në kraharor
kur nis me kujdes gjetjen e parë.
Rreth zgjedhjes sillen sinonime
emërtohen ngjashëm si në korr
emra, mbiemra, plotë ngjasime,
sytë e mi i prekin si me dorë.
E kur sytë ngecin në një pikë
një ritëm tjetër zë e bën pakt
është emri im e them pa frikë,
“fat” edhe “i mirë” bëhen bashkë.
Kështu them se gjej veten time
në këtë libër të madh të jetës,
ai mbeti në Gjendjen Civile,
i zgjedhur për hir të së vërtetës.
E di këtë fakt nga gjyshi im,
kishte dashur një emër të mbarë
nipit ia vura emrin “Fatmir”
të gjithë i kishte lënë pa fjalë.
Kur emri im tingëllon bukur
me kuptim në Gjuhën Shqipe
unë ndjehem ende më i lumtur,
që i përket edhe rrjedhës sime.
Mirë ndjehet sigurisht familja ime
ndoshta edhe thjesht si emër i mbarë
ndaj me këtë poezi për ditëlindje
Fatmir s’është vetëm në vetën e parë.
ANA TJETËR
... ose “Gëzuar!” në ditëlindjen time.
Fatmir Terziu
Ky muaj është një hapësirë e madhe,
një hartë mitike mbi një harpë të tendosur,
që ngulitet ngadalë e në kokë.
Është një meteor,
një planet,
mendja e pagjumë e ardhjes së një foshnje.
Pa aritmetikën e ditëve, ky muaj
për mua do të ishte krejt i huaj.
Një fletë e zbrazët me pudër talku. Ora
retinore e ngulitur prej së largu,
kurdiset mbi mirazhe e tundime,
përkëdhelje të një fëmije,
me shifra ndryshe numerike.
Ndaj unë e dua këtë muaj dhe dua që të vij
si eremitë të ulemi,
në gji të datës që më dha frymë,
qumësht Nëne,
të jem vetë vala jote,
pafundësia e një kënge,
një prind i kalitur në rrymë,
dehur nga mushti i një gote,
kur pihet me një frymë.
Nesër do të jetë një ditë e këtij muaji,
asgjë tjetër s’ngjan më shumë si kjo,
një gotë kristali me bulëza malli,
nuk do të ndodh më shumë dhe unë,
do të fluturoj si shqiponjë mali,
ta çukisë në gotë me ju. Gëzuar,
do të ndjehem mes avujve,
që ky 24 Korrik vrullshëm ka shtuar.
Nga lindja udhëtoi mes meje,
si në kalendat e lashta greke,
një sy që hapet,
brenda kapakëve të këtij muaji,
një qiell vere,
një ditë që krihet paq, pastër,
si hyjni që zbret nga mendimi i bekuar,
kinde e një shtrëngate të largët,
për një ditëlindje të Gëzuar!
Shumë të nderuarit e mi Zoti Fatmir dhe zonja Luçiana,
Ju urojmë nga zemra, unë dhe ime shoqe Valentina:
Gëzuar ditëlindjen! Shëndet e gëzime. Suksese në krijimtarinë tuaj origjinale, t’ju rrojnë fëmijët. Perherë i magjishem dhe i freskët tek “FJALA E LIRE”me reflekse në Glob…
Me shumë respekt: Myslimi dhe Valentina Maska.
P. S. E dërgova këtë mesazh pasi nuk bëj dot koment.
Athinë, 24 korrik – 2023.
Ndihem bukur dhe i nderuar t'i uroj përzemërsisht Ditëlindjen Mikut tonë shumë të çmuar e respektuar Profesor Doktor Fatmir Terziut. Përveç dashurive të Tij tepër të shtrenjta, Bashkëshortes, Vajzës, Djalit, Mbesës e të afërmve, në këtë Festë të Shënuar marrim pjesë së largu edhe ne, miq e bashkëpuntor të "Fjala e lirë" dhe të gjithë personazhet e korpusit madhështor të prozës romaneske e tregimtare, të poezisë e publicistikës së Profesorit, dhe me gotën plotë e urojmë: Edhe një qind vjet të mbushur kurdoherë me suksese e gëzimet më të ndritura në familje, veprimtarinë krijuese letrare e studimore dhe kudo.
Me konsideratë të lartë, Kozma Gjergji.
I dashur Profesor Fatmiri, mik i shtrenjtë, figurë e shquar e kulturës mbarëkombëtare,
Unë dhe Havaja ju urojmë nga zemra gëzuar Ditëlindjen, shëndet, mbarësi, gëzime dhe hare në Familjen tuaj shembullore, me Hyjneshën Luçiana, me tre fëmijët - oksigjenin e jetës suaj, dhe mbesën bukuroshe që jua ëmbëlson jetën si mjalti në sahan.
Eshref, Hava Ymeri
Kaliforni, 24 korrik 2023
Edhe 100 vite me te bukura, me shendet te mire, me krijimtari te suksesshme, rrethuar nga miq te sinqerte, bekuar nga dashuria e vajzes dhe djalit, i perkedhelur nga perkujdesja e bashkeshortes! Gezuar!
Me respekt per ju,
Sefulla Kata, Tirane