Çfarë mund të mësojë Shqipëria nga Irlanda?
Shqipëria, ashtu dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohen në elementet e mëposhtëm përfituar nga eksperienca e Irlandës: fillimisht, duhet nisur dialogu mbi emigracionin; së dyti, duhet të fillohet të krijohen rrjete; dhe së fundi, të mbështeten investimet, nivelet e aftësive si edhe mundësitë e punësimit që sjellin këto lidhje të mirëzhvilluara.
Aktualisht, është tronditëse teksa konstatohet se qasja e qeverive të Ballkanit Perëndimor për diasporën, e cila prek të gjithë, është një-dimensionale. Nëse ka një fokus, ai shkon tek remitancat. Edhe pse ato kontribuojnë në stabilitetin financiar në rajon, remitancat janë vetëm njëra lidhje me diasporën. Qeveritë vazhdojnë të anashkalojnë potencialin e migrimit qarkor dhe të investimeve të drejtpërdrejta të diasporës (IDD). Këto masa shkojnë përtej përfitimeve financiare, ato shërbejnë për të përfshirë lidhje të fuqizuara kulturore dhe sentimentale midis individëve në diasporë dhe atdheut të tyre.
Të dhëna:
Qeveritë e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë urgjente, duhet të adresojnë mungesën e tyre relative në të dhëna për qytetarët e tyre - si edhe mungesën në të dhënat për trashëgiminë e Ballkanit Perëndimor, e cila mund të mos përfshijë qytetarët. Për të kuptuar në mënyrën e duhur potencialin e rrjeteve të diasporës së tyre, ata duhet të përmirësojnë sistemet e tyre për mbledhjen e të dhënave, duke u mbështetur në atë ç’ka është e disponueshme nga censuset. Është shumë e rëndësishme të identifikohet ajo ç’ka është e njohur si edhe “të panjohurat” e panjohura. Një aktivitet i tillë ka mundësi të kërkojë ndërmarrjen e proceseve për mbledhjen e të dhënave administrative (si ato për mbledhjen e të dhënave mbi profesionet dhe aftësitë) dhe të anketimeve vendore periodike, të cilat mund të kushtojnë fare pak nëse mbështeten në një census. Për të ilustruat problemin siç qëndron aktualisht, në Dhjetor 2018, në Bosnje, në një deklaratë për shtyp u raportua se një format për një anketim statistikor i përgatitur për të mbledhur informacione për qytetarët boshnjak, të cilët jetojnë jashtë vendit, mori përgjigje nga vetëm 5-6% e të adresuarve. Ky raport theksonte se këto të dhëna ishin të pamjaftueshme për të marrë të dhëna statistikore të besueshme për numrin e personave, të cilët jetojnë jashtë vendit.
Për më tepër, duke pasur parasysh shkallën e emigracionit nga rajoni, është e rëndësishme që qeveritë të realizojnë një anketim më të detajuar për fuqinë punëtore në moshë pune si në vendet e Ballkanit Perëndimor edhe jashtë vendit. Kjo do të ndihmonte në mënyrë të drejtpërdrejtë procesin ekonomik dhe atë të zhvillimit të qeverisë, të sinkronizuar me të dhënat e emigracionit. Gjithashtu, qeveritë duhet të marrin në konsideratë me kujdes çeljen e përfaqësive kombëtare në vendet e ngulmimeve më të mëdha si edhe realizimin e regjistrimit për qytetarët e Ballkanit Perëndimor të cilët jetojnë jashtë vendit (duke përfshirë anketimin e aftësive dhe të kualifikimeve të tyre). Një gjë e tillë mund të shoqërojë një fushatë informuese, e cila do të përfshinte vizita të rregullta në komunitetet e diasporës nga zyrtarët qeveritarë.
Për të qenë e vlefshme, një strategji zhvillimi duhet të përfshijë projektimet e të dhënave për emigracionin dhe imigrimin- dhe në këtë pikë, do të jetë e nevojshme ekspertiza e demografëve dhe e gjeografëve.
Është i rëndësishëm edhe fakti se Bashkimi Europian duhet të luajë një rol në adresimin e mungesës së aksesit për rajonin në të dhënat e besueshme. Me anë të agjencive të tilla si EUROSTAT, BE duhet të ofrojë udhëheqje teknike për mbledhjen dhe hartimin e të dhënave të unifikuara. Një ndihmë e tillë mund të shërbejë për regjistrimin administrativ, anketimet tre-mujore, projektimet shumë cilësore të ekspertëve dhe në ndërmarrjen e metodologjive, të cilat mund të përfshihen dhe të përdoren për emigracionin në strategjitë e së ardhmes. Ka shumë mundësi që rajoni të mos mund të arrijë një zhvillim të madh në këtë aspekt pa ekspertizën nga jashtë; BE është partneri kryesor më i afërt dhe më logjik për të kontribuar në këtë përpjekje.
Comentarios