top of page

Si mund ta lexoje ndryshe madhështinë krijuese të Ibrahim Kadriut


Si mund ta lexoje ndryshe madhështinë krijuese të Ibrahim Kadriut

Prof Dr Fatmir Terziu


Hyrje


Të shkosh në detajet e një libri voluminoz natyrshëm duhet kohë. Kohë që në disa raste e vë në pikëpyetje vetë kohëhumbjen e saj. Në rastin e përzgjedhjeve të autorit Labinot BerishaQasje veprave të Ibrahim Kadriut: nga autorë vendas e të huaj“ (Gjilan: Shtëpia Botuese „Beqir Musliu“) koha të bëhet vërtetë flori. Flori që peshon, kushton dhe të jep sadisfaksion kreativ. Lexon mes kësaj kohe, kohën që pagëzohet veprimtaria e një prej emrave më të denjë të periudhës që shkruajti dhe botoi, shkrimtarit shumëplanësh, Ibrahim Kadriu. E kështu viti 1969-të është jo thjesht një prurje, por një memorje estetike, në diskursin e trajtesës poetike „Netët e Karadakut“, të cilin ia dhuroi një udhe të saponisur poetike, „Rilindja“ e Prishtinës. Kjo udhë që udhëtoi në më shumë se një gjysëmshekull krijimtari, pa dhe nxorri në dritë, perla të qëndosura letrare, që janë në poezi e prozë, për të rritur dhe për fëmijë, radio dramatizime, monografi, vepra me tematikë humori, libra për shkollarët, që i donte dhe i do shumë ky autor i thjeshtë, shumë modest, por shumë tipologjik në krijimtari.


"Rrjedhë" krijimtarie


Autori i këtij libri të fuqishëm memorial, Prof Assoc. Dr. Labinot Berisha, duket se ka "shpikur" termin "rrjedhë" për të shpjeguar një tërësi të ndjeshme krijuese, një tërësi veprash të ndara e të përfshira në lentet e Tjetrit, lexuesit kritik dhe profesionist, po aq dhe në mënyrën e kësaj tërësie letrare që të bëhet sa më fine dhe sa më përfshirëse. Autori në fjalë, natyrisht me gjithë njohurinë e tij, përdor të njëjtën arsye terminologjike dhe e zbaton atë për të na ndihmuar të kuptojmë procesin krijues dhe udhën krijuese të shkrimtarit Ibrahim Kadriu. Duke u mbështetur në gati njëqind shkrime nga autorë dhe njerëz krijues në çdo fushë, (të huaj dhe vendas) ky libër eksploron tiparet krijuese, vlerat dhe rëndësinë e leximit dhe na ndihmon të identifikojmë mënyra për të inkurajuar origjinalitetin letrar të shkrimtarit Ibrahim Kadriu.

Në tërësinë koordinuese, organizuese dhe paraqitëse të këtij libri përmbledhës shikohen disa marrëveshje kryesore, ku spikasin arsyet se individët krijues priren të veprojnë në ekstreme të ndryshme frymëzimi, sikurse ndodh me shkrimtarin tashmë me emër në trojet shqiptare, Ibrahim Kadriu. Më tej në këtë arsyetim marrëveshjesh natyrshëm nënkuptojmë atë që procesi krijues është rekursiv, në disa raste është jo linear, se shtrydhja mendore për të lejuar përzierjen e ideve është një proces thelbësor. Më tej vetë rrjedha e leximit të këtyre autorëve që kanë shprehur mendimet për Kadriun dhe krijimtarinë e tij zbulojnë se kreativiteti vjen nga zemra dhe se nuk ka motivim tjetër përveç gëzimit për të zbuluar diçka të re. Në thelbin e qasjeve përzgjedhëse nga poezia deri tek punime oër verat e tjera në të tre pjesët voluminozë të këtij libri kuptojmë se njeriu nuk mund të jetë i jashtëzakonshëm dhe normal në të njëjtën kohë. Ideja që jepet mes kësaj është e thjeshtë dhe këshilluese pra, qëndroni kurioz, provoni gjëra të reja dhe gjeni kohë për reflektim dhe relaksim.

Dimensioni i vlerave


Përmbledhja e librit është një përmbledhje e shënimeve dhe pikave të marra drejtpërdrejt nga burimet e shkrimeve dhe nga autorët që kanë shkruar për shkrimtarin në fjalë dhe tërë krijimtarinë e tij në gjysëmshekull krijimtari, sikurse e cituam më lart. Shumica e tyre janë citime të drejtpërdrejta. Disa janë parafraza. Shumë pak janë fjalët e huazuara nga shkrime të tjera, të cilat janë botuar ose online, ose janë emetuar në libra të autorëve në fjalë. Këto shënime janë joformale. Autori akademik, Prof Assoc. Dr. Labinot Berisha është munduar t'i organizoj sipas kapitujve, që janë mjaft të detajuar e mjaft tërheqës. Diku mund të kuptohet qartë se autori zgjedh dhe përzgjedh shkrime dhe qasje shkrimore për t'i përfshirë sipas gjykimit të tij profesional.

Ajo që përmblidhet në këtë libër, ajo që sillet si përzgjedhje nga autorët e tjerë për shkrimtarin Ibrahim Kadriu, natyrshëm na jep mundësinë në 577 faqet e këtij libri të kuptojmë dhe të lexojmë ndjeshëm se kreativiteti, nuk ndodh brenda kokave të njerëzve, por në ndërveprimin midis mendimeve të një personi dhe një konteksti sociokulturor. Është një fenomen më shumë sistematik, sesa individual. Më tej shkojmë në detaje të tjera që vijnë nga lëmi të ndryshme, nga tema e tematika të shtjelluara në të gjithë dimensionin e këtij libri për të kuptuar qartë dhe saktë tërë dimensionin letraro-krijues të shkrimtarit Ibrahim Kadriu. Leximi i asaj që shkruhet tek libri për Kadriun, na mëson se njerëzit krijues kanë personalitete komplekse, kanë aftësinë të lëvizin nga një ekstrem në tjetrin sipas nevojës, mund t'i përjetojnë të dyja me intensitet të barabartë dhe pa konflikt të brendshëm. Kjo na tregon se Ibrahim Kadriu është një individualitet më vete. Dhe si i tillë nënkuptojmë se individët krijues kanë një energji të madhe fizike, por ata janë gjithashtu shpesh të qetë dhe në pushim, priren të jenë të zgjuar, por edhe naivë në të njëjtën kohë, janë lozonjarë dhe të disiplinuar, të përgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm, alternojnë imagjinatën dhe fantazinë në njërin skaj, dhe ndjenjën e rrënjosur të realitetit në anën tjetër, duket se janë edhe introvertë edhe ekstrovertë, janë jashtëzakonisht të përulur dhe krenarë në të njëjtën kohë. Një mënyrë tjetër për ta thënë mund të jetë se ata janë ambiciozë dhe vetëmohues, priren të jetojnë jashtë stereotipeve të rolit gjinor të shoqërisë dhe kanë respekt për traditën, por nuk kanë frikë të jenë rebelë dhe ikonoklastikë.


Gjithëpërfshirja


Prandaj ky libër, të cilin e zgjolli dhe e krijoi nga origjinaliteti i materialeve dhe e përgatiti për shtyp Prof Assoc. Dr. Labinot Berisha, nuk është thjesht për atë që shkruhet nga Tjetri për shkrimtarin Ibrahim Kadriu, por një libër diskursiv, ku mjaft gjëra, tema, rajtesa, ide dhe mesazhe, shkojnë edhe si teori më vete në leximin e mendimit profesional e global krijues. Kështu mund të lexohen ato që shkruajnë për poezinë e këtij poeti, Mensur Arifi, Teki Dervishi, Rexhep Qosja, Alush Kamberi, Resul Shabani, Kadri Rexha, Danica Andrejeviq, Ramadan Musliu, Skënder Zogaj, Agim Vinca, Slobodan Kostiq, Vlladeta Vukoviq, Maksut Shehu, Mihai Antonescu, Monica Muresan, Florentin Popesku, Marius Chelaru, Xhelku Maksuti, Viktor Sterm, Ilie Eleru Delavulpeshti, Fatmire Duraku, Isak Ahmeti, Xhelal Gjura, Shefqet riza, Ndue Ukaj, Zyhdi Dervishi, Ali D. Jasiqi, Ali R. Berisha, Flamur Maloku, Jeton Kelmendi, Muhamet Reçica, Guseppe Napolitano, Fatmir Terziu, Nexhat Rexha, Anton Nikë Berisha, Zejnepe Alili Rexhepi, Rrahim Sadiku, e më tej për veprat e tij në prozë, Ibrahim Rugova, Ali Aliu, Prend Buzhala, Xhemail Mustafa, Lush Gjergji, Sazan Goliku, Ardian Haxhaj, Ibrahim Ibishi, Jehona Shala, Nuhi Ismaili, Xheladin Shala, Baki Ymeri, Ali D. Jasiqi, Izber Hoti, Nexhmije Çerkezi, Shefqet Riza, Naile Demiri, Vehap Shita, mahmud Hysa, Sadik Bejko, Albana Alia, Halil Matoshi, Musa Jupolli, Reshat Sahiti, Sabit Rrustemi, dhe për prozën për fëmijë dhe për veprat e tjera, Agim Deva, Jusuf Buxhovi, Jonuz Fetahaj, Naim Naimi, Xhezair Abazi, Ymer Elshani, Astrit Bishqemi, Xhevat Syla, Mehmet Haziri, Faik Shkodra, Skënder Buçpapaj, Daut Bislimi, Kliton Nesturi, Xhevat Syla, Mehmet Halimi, Ragip Sylaj, Shaban Hasangjekaj dhe Sadik Bicaj.

Në tërë këtë diskurs tematik, tërë kjo armatë shkrimtarësh që flasin për krijimtarinë e shkrimtarit shumëdimensional, mjaft ilozofik, Ibrahim Kadriu, kuptohet ajo që Donald Campbell thotë se „Një nga vlerat në ecjen në punën krijuese është gjarpërimi mendor. Shtrydhja mendore, bredhja e mendjes e kështu me radhë, është një proces thelbësor.“ Ky proces thelbësor shikohet jo vetëm në këtë libër, por në tërësinë e asaj që ka krijuar Ibrahim Kadriu, të cilin kam pasur rastin që ta lexoj edhe ndryshe, sdhe na rrëfen se kur jetojmë krijimtarinë, e largojmë mërzinë, zbulojmë botën përreth për hir të saj dhe se gjërat e idetë bëhen më argëtuese sa më mirë t'i bëjmë ato.


Në konkluzion


Duke lexuar këtë pasuri të madhe të mbledhur në këtë libër natyrshëm kuptojmë dhe transmetojmë meritoren që vepra e këtij shkrimtari ka pasur dhe ka qëllime dhe pritshmëri të qarta, fokus në pasojat e veprimeve jetike, përqendrim pa shpërqendrime, këto e mjaft të tjera që janë vetëm disa rregulla të thjeshta që mund ta bëjnë çdo përvojë më të këndshme. Këtë e ka bërë autori i këtij libri Prof Assoc. Dr. Labinot Berisha, shkrimtari i mirrënjohur Ibrahim Kadriu, i cili festoi 77 vjetorin e tij të lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë së tij, dhe natyrisht e tërë vlera e emrave të mëdhenj që ndalen tek kjo vlerë shumëdimensionale, mjaft udhëzuese dhe jetike në dhe për krijimtarinë e autorit.

Me këtë rast urojmë që Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani të kthejë sytë tek ky libër që përmbledh jetë Kombi dhe të vlerësoj publikisht krijimtarinë e shkrimtarit Ibrahim Kadriu.

94 views0 comments

コメント


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page