Sot, përkujtimore në dy vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të vlerëesuar nga të mëndjenjë e letrave shqipe
PROZA DHE POEZIA E SHEFKI KARADAKUT, SI MODEL PËR LETRARËT E RINJ
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Kanë thënë për prozën dhe poezinë e Shefki Karadakut:
Dritëro Agolli: Poezia e Shefki Karadakut në përmbledhjen “Meloditë e Shkumbinit” zbulon konceptimin popullor të realitetit, gjuhën e pasur të vargjeve të tij të ngjashme me motivet popullore, si “Vajza e mullixhiut”, “Nata e fundit e aksionit” e të tjera…
Adriatik Kallulli: Poezia e Shefki Karadakut është në shumë raste një poezi pikturë, ai e ndien që lexuesit i duhet shprehur në një mënyrë të tillë që të parafytyrojë me kthjelltësi atë që ka parë njëherë poeti. Shembulli tipik për këtë është poezia “Kënga e karrove të drithit”, ku gëzimi për korrjen, për bollëkun e grurit shprehet me një kuadër plot lëvizje
Llazar Siliqi : Kur më 1967 Shefki Karadaku doli me vëllimin e tij të parë, ‘Këngën e karrove të drithit’, ne u gëzuem që radhët e poetëve shqiptarë u shtuan me një poet të ri, me një lirik të qetë e të ambël, me ndjenja të holla, me dorë piktori të akuarelit”.
Petro Marko: “Sikur novelën e titulluar “Rrugët e para” ta kishte këtë botim në vargje dhe ta kishte pagëzuar po me këtë emër, ne përnjëherësh do të thoshim: poeti Sh.Karadaku, pasi njeh rrugët e para të jetës, ka zbuluar në to fenomene dhe tinguj, ose ngjyra të reja dhe tani po na i dhuron me dashuri….”.
Moikom Zeqo: “Shefki Karadaku është një poet nga të spikaturit në lirikën shqiptare
Sot më 16 mars, Familja, miqtë dhe të afërmit e prozatorit dhe poetit të nirënjohur Shefki Karadaku organizojnë një takim përkujtimor në 2-vjetorin e vdekjes dhe 82-vjetorin e lindjes së tij. Teksa lexon veprën e këtij gjeniu të letrave shqipe, vetëtimthi të kujtohet krijimtaria letrare mjaft cilësore e poetit dhe prozatorit që shkruan prej pesë dekadash, si romanet: “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Sagë Mbretërore”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Gjergj Elez Alia”, si dhe disa novela e vëllime me poezi.
Koorpusi letrar i Sh.Karadakut përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë. Gjetjet metaforike, forca krijuese, gjuha e pasur e shpesh poetike, përdorimi mjeshtëror i fakteve, kronikat, përshkrimi i heronjve, legjendat dhe episodet e bëjnë të këndshme prozën e këtij shkrimtari.
KHAJAMI I DITËVE TONA…
Shefki Karadaku me korpusin e tij letrar, ka hyrë denjësisht në historinë e letërsisë shqipe. Dr.Lutfi Turkeshi, gazetar&studjues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, jo më kot, e vlerëson Sh.Karadakun si “Khajamin e ditëve tona”. Në këtë konkluzion ai arrin pasi ka lexuar romanet “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Panagjerikus” e të tjerë, dhe vëllimet poetike “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”. “Lumi me njëqind zemra” e “Feniks” të poetit e shkrimtarit Shefki Karadaku, i cili asnjëherë nuk do t’i nënshtrohej jetës edhe pse e vuante atë…
“Si feniks, shkëlqen me ide kuarci duke ndërtuar “udhë betoni”… I tillë është poeti Shefki Karadaku. Tërë vargjet e poemës ‘Feniks’ janë të harmonizuara estetikisht në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm… Ka poeti edhe idilin e vet të vendlindjes që është “...me çuka, rrape-qiparisa dhe subtropiku mund t’i flasë qershisë, por jo ajsbergë...”. Por, ka poeti edhe dashurinë e shprehur si Naimi e Çajupi: ‘Të këndoj ty bukuroshe si alku, unë s’jam poet i vjetër melik, po zemra po aq e lashtë sa dheu, përpara teje rreh si det antik…’, që pastaj të vijojë: ‘Po zemra e kërkon nudon e bukur, le të jetë ajo si mbretëreshë, që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër si tajfun floride të përqeshë…’. Si të përfundojmë?! Shkurt, poezi e veçantë, e jashtëzakonshme, e bukur… Është e tillë poezia e poetit Shefki Karadaku… Është shumë refleksive, sa më shpesh ta lexosh dhe rilexosh, gjithnjë do të nxjerrësh ndonjë ndriçim nga qielli me plot yje lirike të poetit të madh. Pra, kjo lirikë është identiteti poetik si katarzë”, -shkruan Dr. Lutfi Turkeshi-Gazetar, studiues (“IDENTITETI SI KATARZË” – Gazeta “Fakti”, 8 mars 2001, Shkup).
TË MËDHENJTË E LETRAVE PËR SHEFKI KARADAKUN
Një bilanc më konkret të krijimtarisë së gjeniut Karadaku e gjejmë tek libri “Absurdi Mbretëror” – (Shënime kritike, ese, këndvështrime për krijimtarinë e Shefki Karadakut), në të cilin autori i 35 veprave letrare në prozë e në poezi, portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës së tij. Gjejmë në këtë libër kolosët e letrave shqipe: Dritëro Agolli, Llazar Siliqi, Petro Marko, Adriatik Kallulli, por dhe personalitete të njohura të letrave shqipe, si: Moikom Zeqo, Roland Gjoza, Riza Lahi, Petraq Risto, Agim Cerga, Milianov Kallupi, Dr.Lutfi Turkeshi, Sazan Goliku, Halil Rama e Sakip Cami, të cilët vlerësojnë maksimalisht veprën letrare të Shefki Karadakut ndër vite. Në librin “ABSURDI MBRETËROR”, botuar në 75-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Bardhyl Ajazi ka përmbledhur artikuj kritikë- Ese. Këndvështrime për krijimtarinë e Shefki Karadakut.
Dhe nëse patriarku i letrave shqipe, Dritëro Agolli vlerëson konceptimin popullor të realitetit në përmbledhjen “Meloditë e Shkumbinit” të Shefki Karadakut, ku evidenton gjuhën e pasur të vargjeve të tij të ngjashme me motivet popullore, si “Vajza e mullixhiut”, “Nata e fundit e aksionit” e të tjera… Kallulli shprehet për pleksjen bukur e me forcë të ngjyrave, e heroikes me tragjiken, të fëlligështisë e dobësisë morale të armiqve të egër. Adriatik Kallulli për një nga poezitë më të njohura shkruan se poezia e Shefki Karadakut është në shumë raste një poezi pikturë, ai e ndien që lexuesit i duhet shprehur në një mënyrë të tillë që të parafytyrojë me kthjelltësi atë që ka parë njëherë poeti. Shembulli tipik për këtë është poezia “Kënga e karrove të drithit”, ku gëzimi për korrjen, për bollëkun e grurit shprehet me një kuadër plot lëvizje:
“Kur të fillojë të bredhë nesër dielli,/Në largësinë e fushës, si lejlek,/Atëherë, pas karrove të drithit,/Udhën e kaltër të arave do ndjek…..”
Po ashtu, poeti ynë Llazar Siliqi do të shprehej se, “kur më 1967 Shefki Karadaku doli me vëllimin e tij të parë, ‘Këngën e karrove të drithit’, ne u gëzuem që radhët e poetëve shqiptarë u shtuan me një poet të ri, me një lirik të qetë e të ambël, me ndjenja të holla, me dorë piktori të akuarelit”.
Ndërsa shkrimtari i madh Petro Marko, pasi ka lexuar novelën e Shefki Karadakut, të titulluar “Rrugët e para” shprehet: “Sikur ta kishte këtë botim në vargje dhe ta kishte pagëzuar po me këtë emër, ne përnjëherësh do të thoshim: poeti, pasi njeh rrugët e para të jetës, ka zbuluar në to fenomene dhe tinguj, ose ngjyra të reja dhe tani po na i dhuron me dashuri….”.
Petraq Risto si redaktor i romanit “Puthja e ngrirë” vlerëson ndërthurjen plot dritë dhe hije, si një afresk bardh e zi nga autori, të lirizmit, heshtjes, frikës, rebelimit, ankthit, jetës, dashurisë….
Edhe Moikom Zeqo nuk e ka të vështirë për të deklaruar se Shefki Karadaku është një poet nga të spikaturit në lirikën shqiptare.
Shefki Karadaku portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës.
Karadaku është një nga përfaqësuesit më të spikatur për gjininë e lirikës ku absorbohen përvojat e poetikave tradicionale me ato moderne e avangardiste evropiane dhe realizohet kundërvënia ndaj traditës letrare. Tipare të futurizmit, ekspresionizmit, surrealizmit, madje dhe krepuskolarizmit janë përthithur dhe pasqyruar në poetikat e këtij autori.
KORPUSI LETRAR I SH.KARADAKUT, NJË THESAR I ÇMUAR
Rrallë gjen në historinë e letërsisë shqipe një autor si Shefki Karadaku, të vlerësuar nga pena të spikatura si: Agim Cerga, Perikli Jorgoni, Milianov Kallupi, Riza Lahi, Jusuf Shahini, Leonard Veizi, Mujë Buçpapaj, Ramazan Vozga, Namik Selmani, Sazan Goliku, Sakip Cami, Neritan Dragoti, Ahmet Banushi, Ermir Hoxha, Tomor Jolldashi, Mihal Disho etj.
Krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera europiane. Revista letrare gjermane “Literatura Nr. 11 ndërmjet 20 autorëve nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit boton edhe fragmente nga krijimtaria e shkrimtarit shqiptar Shefki Karadaku. Revista është botuar nga shoqëria letrare “Marburg” e Universitetit të Marburgut. Kopjet e saj ruhen në bibliotekën gjermane sipas ISSN.
Para pak kohësh, me kontributin e familjes u botua në anglisht romani i Shefki Karadakut “PUTHJA E NGRIRE”, nga një kopje e të cilit ju dhurua selive te huaja diplomatike në Tiranë. Dhe menjëherë vjen vlerësimi i ambasadorit gjerman Peter ZINGRAF për këtë roman tejet të arrirë që me të drejtë është mirëpritur e vlerësuar në botën letrare të kryeqytetit.
Nuk është rastësi që poeti e prozatori Shefki Karadaku mirërpritej e botohej kudo në trevat shqipfolëse, si në Prishtinë, Dibër të Madhe, Ulqin, Strugë etj. Madje në vitet ‘73-74 gazeta prestigjioze “RILINDJA” e Prishtinës botoi në 6 numra radhazi novelën e tij “Kur kërcasin boçet e pishave”
Trashëgimia letare që na la Shefki Karadaku me 13 vëllime me poezi dhe 12 romane e 10 libra me tregime e novela, që të gjithë me subjekt të zgjedhur e të arrirë nuk është pak. Ato janë një kontribut i çmuar për të sotmen dhe për të nesërmen që të mos ketë “Puthje të ngrirë”, që fjala e lirë të rrjedhë si “Ujëvarë”, që “Gjergj Elez Alia” t’u transmetohet brezave si njeri trim dhe i besës, si njeri i zgjuar dhe i ditur, që respekton njerëzit e tij, por edhe vizitorët e huaj të rajonit e të botës, që “Shkumbini” të mos shkatërrojë tokat, por të përmirësojë ekologjinë tonë, që “Elbasani i bukur” të çlirohet nga ndotja dhe të shndërrohet në turizmin tradicional shekullor. Ky është mesazhi që përcjell vepra e Shefki Karadakut, për të cilin një vit më parë u realizua dhe u shfaq për publikun dhe nga RTSH dokumentari “AND-ja e pandryshuar e Shefki karadakut”. Ndaj, shkrimtarë të tillë si Ai, që kanë sjellë risi në letërsinë tonë, meritojnë vëmendje nga kritika letrare dhe, në mungesë të Lidhjes së Shkrimtarëve, nga Ministria e Kulturës e nga Presidenti i Republikës. Personalitete si Ai, meritojnë vëmendje, sepse janë truri i kombit.
Comments