
Dhimitër Pojanaku
SI DRITA E HËNËS SË NGRËNË...
Vetmia ime është si një zog miturak.
Këndon
Por nuk ka krahë për fluturim.
Me këmbkat e brishta mezi shkon nga foleja
gjer në prag.
E lodhet,
S`mundet më tej.
Nuk është e zonja për udhë të gjatë
e, jo se jo,
As për shtegëtim.
Ajo e di këtë
E shpesh bie në trishtim.
Zëri i ëmbël nuk i shkon dot lart e larg,
E kthehet melankolik tek unë.
Prapëseprapë
Edhe kur vjen vetë
Edhe kur e thërras,
Më gëzon,
Se meloditë,
Nuk i ka asnjëherë njësoj.
Vetmia ime ka dritën e hënës së ngrënë.
Comments