top of page

SI DO TA SHKRUANTE NJË SHKRIMTAR SHQIPTAR...


SI DO TA SHKRUANTE NJË SHKRIMTAR SHQIPTAR “KOLONELIT S’KA KUSH T’I SHKRUAJË”


Përndryshe: Rikthimi i ideologjisë


Në shumë krijime artistike të këtyre kohëve, vë re që gjenden me përparësi institucionet, shteti, veglat e tij, njerëz që përfaqësojnë ideologji, dhe ndërkaq, krijimi gufon nga një anësi e dukshme e autorëve për skajin, kahjen që ata kanë zgjedhur. Personazhet, jeta dhe fati i tyre, humbasin në këtë hapësirë të denjë për pamflet(e). Kjo të bën të ndjesh njëlloj bezdie sapo që filloj të lexosh një libër a të shikosh një film. E ndërsa jam duke plotësuar një cikël me shënime letrare titulluar “Kriza e artit është e përkohshme” - dhe s’është fjala veç për letërsinë dhe artin tonë - vetiu më shkoi mendja te pyetja që formulon titulli i kësaj eseje, teksa çel aradhën e shkrimeve të këtij cikli.

Po vërtet, si do ta shkruante një shkrimtar shqiptar atë novelë? Si do ta bënte film një regjisor shqiptar? Po të ish për ‘kohën tjetër’, do të gjendej mundësia për ta ‘lidhur’ ngjarjen me situatën; jeta do të zbukurohej pa asnjë limit e mjedisi do të përzgjidhej (a vizatohej) me shumë kujdes; do gjendej se s’bën përqark ndonjë nëpunës a drejtues shembullor ose ndonjë plak babaxhan, që “s’ia bën fjalën dysh Partisë”; do flitej për parime; Fronti, Gruaja a të tjera organizata disi do cekeshin diku… Edhe i zhanrit fantastiko-shkencore të ish (krijimi) mund të gjeje Koperativën Bujqësore e Sekretarin e Partisë, kurse në një nga veprat e njohura për fëmijë, përrallë e gjatë (për mendimin tim, e mbivlerësuar) një nga gjërat e ‘rëndësishme’ është… kritika për atë që “shkon në shkollë me vonesë.”

Por po të jemi te një krijim i pas ‘90-ës, ndryshon puna, mbi gjithçka do të hidhej sakaq baltë me lopatë: do të dilnin në skenë si djaj hetuesit e poshtër, drejtorët e këqinj, spiunët; do të kërkohej llogari gjer në një për luftën e klasave dhe burgjet ku gjendeshin gjithnjë vetëm ‘të pafajshëm’; do të përmendej me doemos radha e vajgurit (por jo ndonjë tjetër episod, jo, kurrsesi ndonjë gjë që shkonte disi më mirë) për të mos harruar më tej edhe talljen me hekurudhat e aksionet, etj. (Gjer edhe shkrimtari ynë më i njohur dhe më i përkthyer në botë, Kadareja, për të cilin kam shkruar mirë dhe ndjej e do të ndjej gjithnjë mirë, në ndonjë nga romanet e veta (si “Darka e gabuar”) na tregon se si një zonje në atë farë qyteti - sikur të ish nga paria e Parisit a Shën Petërburgut - me t’i thirrur dikush ‘shoqe’, i paskej rënë të fikët (!) ndërkohë që përqeshen (nuk e di pse) edhe kanalet kulluese, përdorimi i termit erozion, madje edhe kroset e vrapimet, a thua në asnjë vend të botës nuk vrapohet… Merret me mend se ç’bëhet më të tjerë autorë që e kanë ‘indin’ ideologjik edhe më të zhvilluar.)

Përtej çdolloj përqeshjeje, përfshi edhe atë në këto radhë, unë mendoj që vërtet ka një ndryshim të madh në mënyrën se si e kuptojmë dhe e shkruajmë letërsinë ne, domethënë një pjesë nga ne (shkrimtarët shqiptarë) dhe si e kanë bërë dhe e bëjnë këtë… të tjerët, ata më të njohurit e më të lexuarit e botës, në kohëra. Po ashtu them edhe për filmat. (Ka edhe përjashtime, nuk ngul këmbë, madje lus të jem disi gabim.) Por rëndom ne e ‘lyejmë’ gjithçka me ideologji, me termat politikë të kohës (sido që të jetë ajo); dhe shpesh kjo bëhet në mënyrën më të trashë, haptazi, me përdhunë. Kurse në veprat më të arrira në kohëra, vëmendja e autorëve përqendrohet në radhë të parë te personazhet, karakteret. Trendi ideologjik dhe institucionet janë në plan të dytë ose në sfond; ndonjëherë ato vetëm sa ceken larg e larg, prania e tyre thjesht nënkuptohet. Gjetja e një subjekti të mirë, të veçantë, trajtimi i tij me art e pa skematizëm dhe pastaj njerëzit, me dramat, me jetën, me vuajtjet, gëzimet apo ndjesitë e tjera të tyre, këto e bëjnë krijimin artistik jetësor, bindës dhe të qendrueshëm në kohë.

Në novelën “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë” - ndër veprat më të mira të Markesit - vizatohet jeta dhe shtëpia e vobektë e dy të moshuarve. Burri del çdo të premte te moli i vogël dhe shikon për postën, që vjen me një varkë; pret gjithnjë një letër, një shkresë, pensionin. Ata janë aq të varfër. Por çdo herë s’ka letër a lajm për të; dhe ai kthehet te gruaja e tij e shtrenjtë e përpiqet të mos ia shkarkojë asaj streset e kësaj pritjeje groteske, e rrethon atë me dashuri, me dhembshuri, ata kujtojnë kohët e tyre më të bukura, ai e vështron gjithë njësoj (si dikur) se si ajo krihet e rregullohet; edhe pse nuk kanë asnjë mundësi të flasin (a të veprojnë diç) për veshjet e tyre, të sajën më së pari; edhe pse kabineti i shtëpisë (të themi dollapi i ushqimeve) është ‘të bjerë miu thyen kokën’; edhe pse tryeza e tyre është aq e varfër e janë në kufijtë e mjerimit… Por po të shohësh me vëmendje novelën, nuk hidhet në mes të këtij mjerimi topi i rëndë i politikës apo ideologjisë, nuk dëgjohet të flasë gjë autori apo personazhet e tij për juntë, për qeveri, për zgjedhje, për hetues të pashpirt, për policë e nëpunës që përdhunojnë, gjithnjë veç përdhunojnë, për urdhëra për të shkruar parrulla politike… e të tjera.

Kështu edhe me vepra të tjera - ikonë, ku nuk gufojnë politika e ideologjia, por ka një qajsje në përvoja e jetë të cilësuara. Sa e prekshme kjo te “Ana Karenina” e Tolstoit, që vjen nga shekujt gjithnjë më e bukur! Asnjë fjalë për kohën, për vjetërsinë, për rendet, për paragjykimet politike apo përndjekjet në romanin “Don Kishoti i Mançës” i Servantesit, libër ndër më të lexuarit në kohëra. Asgjë për politikën, për kryetarët lokalë a qendrorë në tregimin “Vanka” të Çehovit, që përfundon kur djali i shkretë, teksa po vuan sa nuk thuhet, e nis letrën e vet me adresën “Gjyshit në fshat”. Tani, ta mendosh sa është Rusia dhe e kupton më mirë madhështinë e… shkrimtarit. Më në fund, me ç’autoritet a zyrë (të Kubës) u përplas për hallet e veta gjigandi Santiago i novelës “Plaku dhe deti” të Heminguejt, përveçse me detin e paanë (i tillë në çdo kuptim të fjalës)!

Që t’i kthehem argumentit me të cilin filloi ky shënim, ndryshimi me një pjesë të madhe të krijimeve tona, është i madh; kush nuk e kupton le të mos e kuptojë, jam duke shprehur thjesht disa mendime. Mendoj, gjithashtu, që kjo prirje për politikë e ideologji, është edhe njëra nga arsyet pse lexuesi e spektatori qëndrojnë të ftohtë, pse nuk blihen librat e nuk ndiqen filmat, pse nuk ofrohet kush për ndonjë përkthim e për çmime a nderime të tjera e, përgjithësisht, pse duket gjithaq indiferente, e patrazuar, edhe bota e Mendimit Letrar e Artistik (sidomos atij të huaj). Politizimi i çdo subjekti dhe episodi e ka varfëruar dukshëm shumicën e krijimtarisë letrare dhe artistike; gjer edhe fabulat disa (‘novatorë’) i shtyjnë te votimet, more janë gati t’i vënë ‘personazhet’ të numërojnë fletët e votimit, gjithaq t’i ulin në karriget e Kuvendit, te sallat e mbledhjeve politike, te çdo konflikt politik a deklaratë politike e ditës (!) E kanë ngallosur zhanrin me publicistikën e klasit më të fundit…

A mund të shmanget sfondi historik, koha, ngjarjet politike, trysnia ideologjike? Sigurisht që jo; por ato nuk mund të ‘udhëheqin’ veprën letrare, artistike, filmin, (për ta rikthyer lexuesin e shikuesin atje ku ishim). Ato kanë aq vend sa duhet të kenë në letërsi, në art, në film. Ndoshta ka një arsye madhore pse ne e vuajmë më tepër këtë dobësi, pra mund të përpiqem të kuptoj më shumë: Një vend e një popull kaq i politizuar, në çdo kohë, kjo nuk ka se si të mos ushtrojë ndikimin e vet mbi shkrimtarët dhe artistët. Gjithsesi, letërsia, arti mund t’i kenë ‘nën lëkurën e tyre’ të gjitha: edhe ideologjinë, edhe politikën, edhe mëritë; por këto shkrihen në lëndë në mënyrë artistike e në gjetje artistike, gjithnjë duke mos i zënë vendin ndjenjave reale të personazheve, vizatimit të tyre si njerëz, si qenie. Se si bëhet kjo, është një temë tjetër; sepse edukimi, talenti, vetëdija artistike - këto janë terma pak të vështira - ndonjëherë vijnë thjesht si një e dhënë bashkë me jetën. Ky është një mësim (që e kemi para syve) nga ata që shkëlqyen në këto fusha dhe lanë pas kryevepra; një ndër ta, autori i novelës-shkollë “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”, nga filloi edhe ky shënim.

138 views1 comment

1 Comment


Minush Hoxha
Minush Hoxha
Jan 22, 2023

Njëherë vënerim i mirë e më pas leksion përfshirës, me argumente se ç,duhet të pasojë në artin shqiptarë. Fare e saktë kjo! Një preokupim i përgjithëshem i krijuesve me ato që e artin e privojnë nga mundsia e fisnikrimit, lartësimit moral të tij dhe paqjen shpirtërore.


Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page