SI DHËNDËRR TË TAKON TË BËRTASËSH


ILIR META: SI DHËNDËRR TË TAKON TË BËRTASËSH “JO SKAVICËS”

Bisedë në hava me dhëndurë kur s’ka djem

Sarkazmë

Do të desha të ishe ti dhe të thërrisje: JO SKAVICËS! Zhduk nga faqja e dheut Drinin e Zi, atë pjesë të egër që i ka mbete. Zhduk nga faqja e dheut një histori, përcjell në theqafje një popullsi që e ka mbrojtur me gjak nga synimet serbomëdha, zhduk përgjithmonë një luginë që për nga madhësia dhe prodhimtaria bujqësore-blegtorale krahasohet me Luginën e Devollit në Korçë.

Të pashë drejtpërdrejt, të indinjuar, madje të revoltuar. Një kolonë e Apolonisë së lashtë është thyer, shembur, shkulur nga vendi një kolonë që prej shekujsh u ka bërë sfidë furtunave, tërmeteve, shirave, stuhive të detit dhe të tokës, pushtuesve të lashtë e të rinj.

Bashkohem me ty. Më fut edhe mua si protestues për këtë krim ndaj të kaluarës sonë, ndaj arkeologjisë që pak i kemi dhënë dhe atë pak ja thyejmë, ja mbytim...

E përsërisje për të di saten herë Teatrin Kombëtar, shembjen e tij si një krim ndaj historisë, ndaj artit dhe kulturës sonë.

Bashkohem me ty. Në kulturën popullore babai kur ndërtonte shtëpi të re, të vjetrën, atë që kishte ndërtuar i ati apo gjyshi i tij, nuk e shembte, e ruante, ia merrte pikën që shiu mos ti hynte në themel, e përdorte për zahirenë e dimrit për vete e kafshët...

Ju, modernët që deshët të na sillni Evropën me “kuotën zero” e “çekun e bardhë”, nuk latë gjë pa shkulë rrënjësh e themelesh: pemëtore, ullishte, vreshta, agrumishte, pyje, fabrika, uzina, aerodrome... asgjë nuk latë në këmbë nga ajo pasuri ngritur me paratë dhe djersën e popullit; të bujkut, minatorit, mekanikut, muratorit...

Për këto nuk flet askush, nuk është përgjigjur askush, as ti...

Më thoni cilën vlerë kulturore në kryeqytet e mbrojtët me të njëjtin pasion, me të njëjtën revoltë?

Cilën?

Mos dolët dhe u bëtë barrikadë për Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”?

Nuk të dëgjova as të pashë si sportist që je e që u hodhe disa vite më parë si Aleksandër Matrazov mbi bunkerin nazist mbi tribunën e Kuvendit, të hidheshe me fjalë (se kaq ke forcë) për mbrojtjen e stadiumit, vlerë historike dhe simbol të futbollit shqiptar...

Nuk të kam dëgjuar të bërtasësh për tjetërsimin e Kinostudios “Shqipëria e re”, djepin e parë të kinematografisë shqiptare...

Nuk të kam dëgjuar të bërtasësh për kinema “17 Nëntorit”, “Republika”, “Partizani” që u shkatërruan për të mbjellë grataciela...

Pa le pastaj të flasësh e bërtasësh për “bukën e gojës” që i morët popullit të Tiranës me shkatërrimin e kombinatit të auto traktorëve, kombinatin e tekstileve, porcelanin, qelqin...që punësonin dhjetëra mijëra banorë të Tiranës...

Isha me ty kur nga ura e Dragotit bëre thirrje që Vjosa të mbetej e egër siç e ka lënë Zoti.

Jam me ty po qe se I Gjati çmendet dhe i ve një pritë Osumit të vendlindjes tënde për një hidrocentral që do ti linte Skraparit vetëm majat e maleve...

I Gjati e bën, ka dhënë prova se din të shkatërrojë.

E mban mend Parkun Rinia?

Po Lanën?

Vetëm një i çmenduar me sëpatë në dorë mund ta bënte.

Dhe mirë bëri, se po mos ta kishte bërë hale e moçal do të ishte Tirana.

Edhe Dibrën e mbyt. E tha fluturimthi në një dalje nga ato të shumë përditshmet e tij për ta pasuar me një “grup specialistësh” servilësh do ti quaja unë që veç pozicionit “gatitu” nuk njohin pozicion tjetër të trupit të tyre.

Po e përsërit ditë për ditë, sa herë i del përpara ndonjë lumë...

E tha dhe e bën, jam i bindur për këtë, madje ka caktuar 1 janarin 2021 për groposjen e Dibrës.

I dhimbset Shkodra me të njëjtët nota pentagrami sa i dhimbsej një dekadë të shkuar Berishës, ortak në çmenduri.

Donë që të bëhet “superfuqi” në prodhimin e energjisë elektrike, ashtu siç donte Sali Berisha, ortak në çmenduri.

“Qeveritarët flasin për digën por askush nuk flet se si do t’i lëvizin varret e njerëzve tanë...” thoshte kryetari i një fisi në Namibi i cili për të mbrojt trojet, kulturën, varret e të parëve të tyre nga “diga” e ngriti zërin deri në Stokholm, Londër, Paris, Romë...

Para se të ndërtohet një shtëpi e vetme në botën e qytetëruar në vendin ku hapen themelet zbresin të parët arkeologët të cilët mbajnë përgjegjësi për ato dhjetëra metra katrorë ndërtim...

E kam jetuar këtu, në Greqi, tash afro një çerek shekulli mërgim. Pa lejen e arkeologut nuk guxon kush të hedhë një kazmë.

Këto duhet ti dish se tashmë nuk je i ri, ke edhe këshilltarë me dije e kulturë të gjerë.

Pyeti ata, në mos thirr studiuesin më kompetent për të kaluarën e Dibrës, Adem Bungurin. E ke sa gjerësia e bulevardit larg, përballë presidencës. E ke edhe bashkëfshatarë të zonjës tënde të jetës, Monikës.

Dr. Prof. Adem Bunguri do të thotë shumë më tepër se sa do të citoj unë nga protesta e tij intelektuale për ti thënë JO SKAVICËS! Do të të dhurojë për bibliotekën familjare edhe një libër voluminoz për pikat arkeologjike të Dibrës, ato që mbyten e shuhen përgjithmonë nga gjoli i Skavicës dhe ato që nuk mbyten.

“Duke filluar nga Skavica, pra nga veriu, e duke u ulur në drejtim të jugut, mund të përmendim sitet arkeologjikë të rrezikuara nga përmbytja:

Zona tumulare e Draj-Reçit (tek Trocet)

Zona tumulare e Zalldardhës (Qyteti në Majë Meje)

Vendbanimi prehistorik “Çuku i lekës”(Zall-Dardhë)

Vendbanimi eneolitik “Kodra e qytetit” (Zall-Sinë)

Vendbanimi neolitik i Kronëzave (Fushë-Alie)

Stacioni rrugor në “Xhiret e Përnezhe” (Fushë-Alie)

Vendbanimi prehiatorik në “Rrokoçele të Kutës”, Blliçe (Fushë-Alie)

Vendbanimi prehistorikt në “Kodra e Ferrës” në Blliçe (Fushë-Alie)

Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Pareve” në Blliçe (Fushë-Alie)

Venbanimi prehistorik i Cetushit

Vedbanimet prehistorike dhe antike të Kastriotit.

Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Ballës” në Muhur

Vendbanimi eneolitik i Gradecit (Brezhdan)

Vedbanimet prehistorike dhe antike të Ushtelenzës

Vendbanimi prehistorik i Selanes

Kisha mesjetare në Katund të Ri

Vendbanimi antik dhe mesjetar i Gradecit (Gradec)

Vendbanimi prehistorik dhe antik i Topojanit

Vendbanimi prehistorik “Tuma e Zojcës” (Mazhicë)

Nekropoli i periudhës romake i Gjoricës së Poshtme

Nekropoli i periudhës antike i Sofraçanit

Kalaja ilire e Tuçepit ose Lladomericës etj.”

Shpresoj që në mos ti, ndihmësi jot për problemet e arkeologjisë, do ta marrë në makinë shkencëtarin dibran Dr. prof. Adem Bunguri dhe ti gjezdisnin një për një këto vende për ta thënë fjalën siç e thonë tërë sistemi i arkeologjisë botërore për raste të tilla.

Pas tyre do të desha të shkosh edhe ti. Të takon. Je dhëndër Dibre, fëmijët ta kanë kaluar brezin e sipas zakonit nuk të takon më të qëndrosh në fund të odës por në anë të oxhakut ku fjala ka peshë.

Dhe merr me vete edhe Besnik Mustafanë dhe Erion Braçen dhëndurë Dibre, baxhanakë me ty.

Po qe se të volit merr edhe Lulëzim Bashën, bir Dibre siç thotë ai në takime fushatore me dibranë...

Ti nuk ke lënë majë malesh në Shqipëri pa u ngjitur deri më të lartën, Korab. Unë do të të thosha të ngjitesh në Hynoskë. Nuk është larg e as lart. Mund të ngjitesh rrugës këmbësore nga Greva nëpër Ilnicë si të duash, në këmbë ose me makinë nga Melani. Është një bjeshkë që është motër me ato të Korabit, Lurës, Zylit, Kacnisë, por me pak zë, shurdhër më mirë të them ashtu siç janë edhe ato që përmenda. Kjo sepse me përjashtim të misionarëve anglezë gjatë Luftës së Dytë Botërore asnjë “krye”, president a kryeministër nuk është parë aty me zë e me figurë.

Do të desha të ishe ti për një arsye të thjeshtë sepse je dhëndër Greve, dhëndër të pronarëve të asaj bjeshke.

Dhe të thërrisje: JO SKAVICËS! Zhduk nga faqja e dheut Drinin e Zi, atë pjesë të egër që i ka mbete. Zhduk nga faqja e dheut një histori, përcjell në theqafje një popullsi që e ka mbrojtur me gjak nga synimet serbomëdha, zhduk përgjithmonë një luginë që për nga madhësia dhe prodhimtaria bujqësore-blegtorale krahasohet me Luginën e Devollit në Korçë.

Bëje!

Atëherë Dibra do të të ulë në krye të vendit e do të thotë MIK!

Në fakt “mik” je bërë për masën fizike dibrane që dhëndrin e bën “mik” dhe e fton në ballë të votrës, kur fëmijët e tij e kalojnë brezin...

Tu drejtova me Ti kur për postin duhet të të drejtohesha me Ju. Ju kërkoj ndjesë por dhëndurët për Dibranët janë si fëmija. Shpresoj që të bëhesh “Bir i Dibrës!”, ta mbrosh atë nga lukunia që është drejtuar drejt saj...

Abdurahim Ashiku

Athinë 1 korrik 2020

11 views

Shkrimet e fundit