“Ne
Ne rritemi
Ne ngrihemi
Ne thahemi
Ne vishkemi
Ne ndjejmë
Ne lëndohemi
Ne buzëqeshim
Ne shpresojmë…
… të paktën si lulet le të mendojmë!” (F. Terziu)
Ne! Ne, pra të kemi një “diçka të pranuar” në kohë. Si të tillë që të na kthejë në origjinën e saj latine në pakohën e destinuar mes nesh si përcaktor i qasjes shulthi. Pra të kemi një mirëkuptim me veten, një mirëqasje me termin dhe përemrin “Ne”, shkurt të kemi një pakt në kohë të veçantë, sezoni, në kohë të afërt. Një pakt që na pajton me këtë fakt kohor të harruar në Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Dhe në një pakt të tillë ne shkojmë më tej në qetësinë tonë… ku harresa na bën të flakim tej fjalë të tilla që na i kanë dhuruar të parët dhe ne sillemi me to si varret e tyre të braktisura, të lëna në ikjen e përhershme identitare. Tutje kësaj bëjmë paktin tjetër.
Ky pakt ka “paqen” në rrënjën e tij. E ka, sepse një pakt shpesh nuk është vetëm një paqe në kohë, por ai vjen në “paqe” vetëm kur përfundon një periudhë marrëdhëniesh jomiqësore. Vjen gjithashtu për çdo marrëveshje. Rikthehet si një premtim solemn midis dy personave. Në fund të fundit, kjo mendohet se sa herë që dy palë shtrëngojnë duart për një marrëveshje, ata nuk do të shkojnë në luftë me njëri-tjetrin. Po ne palët kundërshtare të përdorimit të fjalës, të gjuhës, a shkojmë dikund në paqe?!
Fjala “shultinë” është përdorur përgjithësisht në marrëdhëniet tona si një fidan i dalë nga rrënja: pra “Ne” me “kohën”, diskursin e saj në tre variante, kohë e veçantë, kohë sezoni, kohë e përllogaritur. Dhe e kemi qasur në mesin tonë por e kemi braktisur në kohën kur termin e qasjes kulturë mes kulturave e hasëm për herë të parë tek Androkli Kostallari, që na solli në vëmendje “Dialektikën e Iluminizmit” e pastaj kur pikëtakuam rishtrimin e fjalës në projekt-fjalorin e pabotuar në vitin 1947. Në hartimet tona të shkollimit ne folëm për “masakrën” e Gjuhës Shqipe, pa e kuptuar, madje pa na kuptuar dhe ai që vetë e kishte risk-shtruar këtë masakër me martesën e dy dialekteve, duke eleminuar fjalët më të bukura, më progresive të gjitha kohërave. Ne e zëvendësuam atë me shprehje që i shkonin shtat për shtat kohës me “kulturën e rinovimeve” në mënyrë që të përjashtonim që në fillim interpretimin e pëlqyeshëm për mbrojtësit e pasurisë së Gjuhës sonë të ardhur me shumë derte nga paraardhësit tanë: se ishte çështje e diçkaje si një kulturë që nuk lind spontanisht nga vetë masat, forma bashkëkohore e artit popullor, por që diktohet dhe bëhet kongresive e kongresiste në lëmin e kësaj teze të dhimbshme krasitëse. Nga kjo e fundit lemeria e kulturës bëri të dallohen në ekstrem gjërat që nuk i shihnim më me sy, por i bënim me duar e me kokë.
Kjo verbëri e krasistjes së Gjuhës Shqipe, bëri sikur bashkoi të vjetrit dhe të njohurit në një risi me cilësi të re. Tashmë kjo risi e kësaj cilësie të re është varur në degët e saj, herë të tharra e herë të koklavitura. Në të gjitha degët e saj, produktet të cilat janë përshtatur për konsum nga masa, dhe të cilat në masë të madhe përcaktojnë natyrën e atij konsumimi gjuhësor, sidomos në disa botime dhe në rrjetet sociale, prodhohen pak a shumë sipas planit të pakuptueshëm anarkik, le të vazhdojmë kështu se … do t’i biem kokës një ditë. E kur t’i biem kokës për thesarin më të madh të gjuhës, atëhere do të ndjejmë dhimbjet. A do të jenë dhimbje individuale? Dhimbjet individuale janë të ngjashme në strukturë ose të paktën përshtaten me njëra-tjetrën, duke porositur veten e tyre për një sistem pothuajse pa boshllëk. Kjo është bërë e mundur nga aftësitë teknike bashkëkohore, si dhe nga përqendrimi ekonomik dhe administrativ. Kultura në mënyrë integrale integron konsumatorët e saj nga lart. Në dëm të të dyve, dhimbjeve dhe stigmave kolektive, forcon së bashku sferat e artit të lartë dhe të ulët, të ndara për mijëra vjet.
Serioziteti i ardhur nga këta mijëra vjet, qoftë të paktën gojor-trashëgimor, po shkatërrohet me spekulimet për efikasitetin e tij. Serioziteti i prishjes së pakuptueshme me civilizimin e kufijve të vendosur nga kushtet ekonomike dhe politike të lëvizjes së lirë ndaj rezistencës rebeluese të fjalës moderne dhe postmoderne, të huaj e të bluajshme, e bën të qenësishme brenda tij për sa kohë që kontrolli shoqëror nuk është ende i plotë.
Kështu, megjithëse tendenca e kulturës spekulon në mënyrë të padiskutueshme gjendjen e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme të këtyre padukshmërive, fjalët nuk janë më parësore, por dytësore, ato janë një objekt llogaritjeje, një shtojcë e manakinerive sociale, poetrive, shkrimtarllëqeve, studimeve pa shtrat e shtat. Fjala nuk është më për konsumatorin e saj. Ai flet gjuhë të huaj për … hibret…, vaj medet?! Konsumatori nuk është tashmë më mbret, pasi kjo risi e kulturës do të dëshironte të na besonte, jo tema e saj por objekti i saj, të na bënte krenar se flasim dhe shkruajmë Gjuhën e Tjetrit, bëjmë para dhe këndojmë me atë gjuhë duke harruar gjuhën që na lindi e na rriti. Vetë fjala e tillë e abandonuar, e harruar nuk është më për për median një lajm, ajo është e bërë posaçërisht për risinë e re e të vjetër të kulturës, tashmë e zhvendos theksin në terrene më të dëmshme. Këto terrene nuk janë më ne, nuk janë aspak “Ne!”. “Ne” sigurisht pastaj nuk janë më domosdoshmëri për të theksuar bukur si në kohën e duhur, “kohë e veçantë, kohë sezoni, kohë e përllogaritur”…, kjo do të mbetet vetëm në faqen 849-të të Fjalorit të Oksfordit, Shqip-Anglisht, se do t’i duhet vetëm të huajit të bëjë nesër studimin dhe të na tregojë me fjalën e huazuar prej filozofisë “Eureka!”
Pajtim Xhelo
Mendimi yt rrjedh në një shtrat natyral, të vërtetë, të përshtatshëm për mendjen dhe për shpirtin, sepse është vetëm mendimi yt, i padyzuar me trubullirat e kohës dhe paçavuret " moderne" Të përgëzoj!
Ismail Lila
Respekt Dr Profesor Fatmir Terziu jeni i mrekullueshëm. E lexova atë që kishe shkruajtur, më pëlqeu shumë, bravo jeni i talentuar për atë që bëni.