SHTRËNGATË DHE RRUFE


SHTRËNGATË DHE RRUFE


Tregim Nga Alberto MORAVIA

Përktheu: Agim MATO (25 janar 2013)

Ekskluziv: www.fjalaelire.com


Herë pas here ndjej brenda vetes atë që unë, në zhargonin tim e quaj shtrëngatë. Ç’është për mua një shtrëngatë? Është një akumulim i ngadalshëm, për muaj e vite, i një urrejtjeje për diçka, vetëm se nuk e kuptoj se ç’është. Kjo urrejtje bëhet gjithmonë e më kërcënuese dhe më e pashmagshme, pikërisht si një shtrëngatë që grumbullohet në horizont në një ditë të bukur vere. Pra, papritmas, nga një pretekst çfarëdo, urrejtja shpërthen dhe atëhere, vetëm atëhere, zbuloj se kush është objekti i urrejtjes nëpërmjet rrëkeve të fjalëve të artikuluara saktë edhe pse të furishme, me të cilat, gati në gjendje kllapie shprehem e shfryj. Është një lloj cikloni që askush nuk i reziston, e në radhë të parë, unë. Cila ka qenë shtrëngata ime më e rëndësishme dhe e pashlyeshme? Sigurish ajo që m’u shkaktua kur isha tetëmbëdhjetë vjeçe kundër tim eti, mjek veteriner në G., një qytezë e vogël dhe e përgjumur province. Këtë herë kam ulëritur për tre orë rresht, pa ndërprerje, në prani të tim eti, të motrave të mia dhe të vëllezërve të shokuar. Përse ulërija? Për gjithshka, kundër babait, kundër familjes, kundër qytetit, kundër gjithë botës. Ulërija sepse më ishte neveritur kjo jetë provinciale e meskine, se doja të jetoja dhe jo të lëngoja, e se, në se do të vazhdohej kështu, do të ikja me të parin kamionist që do të më dilte përpara. Ulërija edhe se nuk pyesja më për konformizmin, se morali borgjez nuk bënte për mua, se ndjeja përbrenda thirrjen e aventurizmit kozmopolit më ekstrem. Ulërija gjithashtu edhe për faktin se prindërit e mi ma shpifnin, duke numëruar njëra pas tjetrës gjithë difektet e tyre fizike e morale. Çfarë nuk kam thënë gjatë këtyre shpërthimeve të mia: ishte pikërish si një tornado deti që përlan nga toka ç’të gjejë përpara dhe i flak me kilometra larg.

Po si përfundoi ky shpërthim i moshës sime tetëmbëdhjetëvjeçare? Sa s’ka më keq, sepse pas trajtimit poshtërues që u bëra prindërve dhe pamundësisë për të vazhduar në këtë mënyrë jetën, u martova me të parin që më erdhi. Dhe tani, ja këtu, “me të parin që më erdhi” nëpër këmbë, dhe një shtrëngatë që, sipas meje, e rishoh si grumbullohet, e ndjej, praktikisht që nga dita në të cilin i thashë “po” në kishë.

Dhe ja, i pari që më erdhi. Në fund të sallonit të stërmadh të apartamentit luksoz, tek ecën, midis grupit të poltroneve e të divanëve, meskin, anonim, i parëndësishëm, i veshur në gri të errët, një funksionar çfardo i rangut të ulët, avokatth apo një verme tjetër e ngjashme, me syze, tullac dhe natyrisht me mjekrën e gjatë dhe me zinë, nuk kuptohet për ç’kushëri të largët, me një shirit të zi në krah, me kravatën e zezë, me shaminë e kornizuar me të zezë. Ecën ngadalë, si i shpërqëndruar, apo kjo përshtypje të krijohet nga këmbët e tij të lakuara e të shtrembëra? Dhe shtrëngon në dorë një tufë gazetash të përthyera. Si shoh gazetat, ja befas, diçka shkrep brenda meje, diçka e ndrydhur gjatë dhe shpërthej: “Ah, gazetat, pa shih, ti dhe gazetat e tua! Sa lexon prej tyre, ë, pesë, dhjetë, pesëmbëdhjetë? Ato të Romës, të Milanos, ato të qytetit tënd të fëlliqur? A mund ta di se ç’ kërkon në to, ç’gjen, në këto paçavure? Rri i qetë, as ti dhe as unë nuk do të shfqemi kurrë nëpër gazeta. Unë as që begenis t’ua kthej synë. Gazetat i lexojnë ata që jetojnë, që marrin pjesë në jetë, po unë, po ti, thua se rrojmë? Jo, i dashuri im, ne vegjetojmë dhe atëhere, përse duhen gjithë këto gazeta? I lexojnë gazetat kaktuset trashaluqe të tarracës time?

Qëndron para meje, i shëmtuar dhe i mjerë. më shikon i ngrirë që prapa syzeve të mëdha, ndoshta do të dojë të flasë, por nuk i le kohë për këtë: “Dhe tani erdhi momenti të të them, më je neveritur ti dhe martesa jonë me gjithë këtë barrakë të padurueshme. Po, kemi një apartament që ka kushtuar gjysëm miliardë, i arreduar nga një arkitekt i famshëm, në të cilën çdo mobilje peshon një kuintalë dhe vlen miliona, po ç’bëjmë në këtë apartament? Asgjë, absolutisht asgjë, . Oh, mirë, atëhere, po, bëkemi jetë familjare! Ah, familja, flasim pak për familjen, flasim një herë e mirë. Ti ke kultin e familjes dhe të rroftë, po gabon, duke dashur të ma imponosh edhe mua. E di apo nuk e di se unë në këtë apartament prej gjysëm miliardi nuk kam parë veçse ata të familjes sate? Sigurisht, janë të shumtë, po siç thuhet në Romë: vrit e vrit e të gjithë të një rrace. Familja! E di se ç’do të thotë të jetosh në familje, oh e di, e di. Do të thotë të kesh një tribu prej vëllezërish, motrash, kunetërish, xhaxhallarësh, gjyshërish e nipërish, t’i dëndësh me makarona drekë e darkë, çdo ditë. Do të thotë të shkosh mbrëmjet para televizorit, me këtë majmun të plakur tërë qime që është jot ëmë, me këtë majmunkë jo më pak leshtore, motrën tënde lëneshë. Do të thotë t’u krehësh bishtin vjehrrës e kunatës çdo mbasdite duke shkuar nga një vitrinë në tjetrën, nga një dyqan në tjetrin, pa blerë asgjë. Dhe, përveç kësaj, përse duhej të bleja veshje, bizhu, peliçe si të gjitha gratë e tjera? Për t’u treguar para tribusë, për të bërë një figurë të mirë në familjen tënde?

Më shikon, lë të bien përtokë gazetat, rrëmon në xhepa, ndez me duart që i dridhen një cigare. E di, e di, askush nuk i ka folur deri tani në këtë mënyrë nga familja e vet, por unë tashmë jam në sulm, pakënaqësia e tij në vend që të zbusë zemërimin tim, e ndez më shumë. Ulëri: “Po, kam një familje, si të thuash, perfekte, po ku qëndron ky perfeksion, tek feja, natyrisht. Ah feja, nuk ke ç’të thuash, jeni besimtarë ju të tjerët, deri atje sa mund të pohosh se keni një Perëndi vetëm tuajën, një Jezus i gjithi i juaji, një Shën Mëri e gjitha juaja, dhe mbi të gjitha një mori shenjtësh, të gjithë tuajt. Shkoni pelegrinë në vende të shenjta, luteni pareshtur nga mëngjesi në mbrëmje. Nuk ua kalon kush për këtë. Ky nuk është një apartament këtu në Parioli, është një manastir, është një kishë. Dhe në fakt, ndjehet nga tablotë me shenjtër, nga statuetat, nga rozetat të sjelluar nga Lourde e Francës dhe nga shishet e mbushura në lumin Jordan në Jeruzalem. Ndjehet nga fotografitë e peshkopëve dhe monsinjorëve me dedikim autografi dhe bekimesh! Po unë nuk jam besimtare, asnjë thërrime, e kupton? Në qytetin tim shkoja në meshë për t’u bërë qejfin prindërve, vetëm të dielën, dhe jo si këtu në të gjitha mëngjeset.”

Ai tymos dhe më vështron, më vështron dhe tymos. Kurrë nuk e kam parë kështu, gati më kall frikën, por stuhia nuk është fashitur ende dhe vazhdoj të shfryj: “Po a e di çfarë nuk duroj dot mbi të gjitha, në këtë jetën tonë të bukur familjare? Mënyrën tuaj të të folurit. Jam italiane, flas italisht dhe nuk kuptoj fare çfarë thoni. Po a mund ta di çfarë bisedoni, përse llomotisni, ç’dreqin i pëshpërisni në vesh njeri tjetrit? Për të ashtuquajturat investime, ë? Për llogaritë në bankat zvicerane dhe italiane, ë? Aksionet, obligacionet, titujt, arin në shufra e në monedha, ë? Poo, je një afarist, fiton shumë, me sa duket, po kjo nuk është një arsye për të folur në dialektin tuaj të pakuptueshëm në praninë time. Nga se keni frikë? Se do të zbuloj se keni depozitime jashtë shtetit. Se mund t’u marr çelsat e kasafortës? Por me mua nuk ka nevojë për shumë mistere, për shumë dialekt. Kam lindur e varfër, por jam krenare dhe me paratë e tua nuk di se ç’të bëj. I pështyj paratë e tua. Flisni italisht në praninë time, dreqi ta hajë, flisni qoftë edhe për interesa në praninë time. Unë nuk ju shoh dhe nuk ju dëgjoj.”

Tashmë shkon në një tavolinë më tej, shtyp cigaren e sapondezur në një tavëll, kthehet ngadalë drejt meje, me të dy duart të futura thellë në xhepat e xhaketës. Dhe ja gjëmimi i fundit i stuhisë sime: “Më në fund doja të të thoshja: je shumë borgjez, shumë tradicional, shumë serioz për mua. Shiko vetëm si vishesh. Ngjan si në një procesion varrimi. A nuk e sheh nëpër rrugë si vishen të rinjtë? Pantallona, këmisha, mjekra e flokë të gjata, sandale e kitarra? Ti dhe familja jote, duke nisur nga motrat e tua torollake e duke mbaruar tek plogështia e vëllezërve të tu, jeni njerëz shumë kallëp për mua. Tani dua të them një gjë që nuk ia kam thënë askujt, si duket është dita e konfidencës sot, e di cili është ideali i mashkullit tim, ë? Po ta them, pra, Alen Delon, kur luan gangsterin, hajdutin, grabitësin, keqbërësin, me pak fjalë. Po, ky është ideali im, burri i bukur dhe i guximshëm, që nuk ka frikë nga asnjë dhe askush, nga armët, nga jeta legjendare. Alen Delon, që hidhet nga Parisi në New York, nga New Yorku në Rio De Zhanerio dhe nga Rio sërish në Paris. Po, ky është rezultati i mrekullueshëm që ke gatuar me kultin tënd të familjes, me fenë tënde, me moralin tënd, me konformizmin tënd: që gruaja jote të ëndërrojë me sy hapur, të jetë gruaja e një gangsteri.”

Arrita më në fund, stuhia mbaroi, u çlirova, dhe pas pak fillova të ndjehem disi e frikësuar. Edhe sepse ai më vëren me shikim që nuk e kam njohur deri tani, një shikim i ri, i përqëndruar, i qëllimshëm dhe në një farë mënyre çnjerëzor. Afrohet me hapa të shkurtër, të ngurtë, ndalon, nxjerr një dorë të vetme nga xhepi dhe pastaj fap, fap, fap më gjuan me shuplaka shumë herë me një forcë të egër, të pa njohur më parë. E lëkundur nga shpullat, rimarr ekuilibrin tim, e shoh, lëshoj një brritmë të çuditëshme, sikur ta shihja për herë të parë, dhe lëshohem të iki. Mbërrij në paradhomë, ja ku rend nëpër shkallë dhe dal në rrugë. Është një lëndinë e madhe ku luajnë disa fëmijë dhe shumë stola rrotull. Zgedh njërën bosh, ulem, përpiqem të mendoj. Shpullat kishin qenë të dhunëshme dhe nuk më linin të qetë, dhe kështu, nis të qaj. Shkojnë njerëz. Më vjen turp që më shohin duke qarë; mbi stol dikush ka lënë një gazetë. E marr dhe shtirem sikur përqëndrohem në lexim. Lotët më bien nga sytë mbi gazetë, më turbullojnë shikimin.

Pastaj dalëngadalë lotët rrallohen dhe fillo