Kopi Kyçyku Shtatëdhjetë e nëntë vjeç! (Sot, në Ditën e Lindjes sime, me bindjen se mijëra njerëz kanë përjetuar situata të ngjashme) Shtatëdhjetë e nëntë dimra dhe behare, U tretën si kripa, sikur s’ishin fare, U futën nga dera, dolën në dritare, As kokën s’e kthyen për të ngjatjetuar.
Çnuk më panë sytë në të rremen botë, Derdha të gëzueshëm e të hidhur lotë, Më në fund u binda: çdo gjë ësht’ e kotë, Sikur asnjë grimë s’paskam ekzistuar.
Çdo gjë e kam kryer veç me ndershmëri, Ndihmova sa munda, s’dëmtova njeri, Veset i urreva, s’u bëra shpirtzi, Gjithnjë të vërtetat si trim kam pohuar.
Njoha dashamirës dhe të fisëm plot, Që më ngazëllyen, sa nuk e shpreh dot, Të gjithë i bekoftë Lart I Madhi Zot, Për zemrën e madhe, shpirtin e kulluar.
Shpesh mjerisht kam hasur dhe të liq dinakë, Por edhe tutkunë, gdhë e qesharakë, Si minjtë jan’ djegur në të ferrit flakë, Që për mua tinëz patën provokuar.
Linda edhe rrita dy fëmijë të mbarë, Prej tyre të mira vazhdimisht kam parë, Dhe nga njëri-tjetri kurrë s’janë ndarë, Veten e atdheun kudo kan’ nderuar.
Shtatëdhjetë e nëntë dimra dhe behare, Herë ishin krijesa tepër lozonjare, Që më ndoqën prapa si dele manare, Herë ishin si ujqër me dhëmbë të mprehtë.
Të përshkoja shtigje edhe monopate, Mes pyjesh të errët dhe me t’thikët shpate, I ndjekur prej bishash porsi hije nate, Nuk e pata pasur kurrsesi të lehtë.
Por I Madhi Zot më dha maturinë, Durimin e shpresën, guximin, fuqinë, Të mbartja pa lodhje çdo peshë mbi shpinë, Shpifësve t’u thyeja dhëmbë edhe dhëmballë.
Me nderin mburojë dhe me çiltërsinë, Me dhëmbjen për njerëzit e me thjeshtësinë, Çava çdo pengesë nëpër suferinë, Trup e shpirt kalita, jam vital, i gjallë.
Privilegje kurrë s’pranova për vete, S’kam marrë, as kam dhënë asnjëher’ ryshfete, Kujtdo për një kafe, i kam dhënë dy, Batakçinjtë e vjedhësit s’i shoh dot me sy.
Më kanë grabitur djersë e tru shpesh herë, Por edhe të holla, plot sende me vlerë, U kam lënë Zotin vendin t’u tregojë, Jam vakëf, secili keq do ta pësojë.
Punën s’e kam parë si barrë ndonjëherë, Por si mjet jetese me të madhe vlerë, Që kënaqësitë m’i sjell pandërprerë, E më nxit të shfaqem me guxim në ballë.
Si çdo rrogëtar, them një të vërtetë: Gjërat kryesore i pata në jetë, Ama dot nuk bleva as dhe biçikletë, Ca më pak veturë të bridhja vërdallë.
Fat të madh kam pasur un' në dashuri, Ashtu si s'ka ndodhur dendur me njeri, Ai që në Qiell quhet Perëndi, Në zemër më paska, oh, i qofsha falë!
Commenti