(Çeta atdhetare e Bilbilenjve)
Jam mahnitur qysh në vegjëli me këngët e kënduara në ngjarje familjare, të fisit e krahinës, me historinë dhe bëmat e çetës së Bilbilejve. Ato më ngjallnin fantazinë e më bënin të "jetoja" në çdo kohë e në çdo skutë me ta. Ftuar apo pa ftuar, ata kishin vendin e tyre, "hynin" në çdo cep e në çdo qelizë të trupit, derisa zunë vëndin e tyre në nënndërgjegjen tonë e u bënë kështu, bashkëudhëtarë e "bashkëaksionerë"në lavdinë e krahinës legjendare të Labërisë e më tej, Çamërisë, Thesprotisë, e pse jo, deri në portat e Stambollit, kryeqytetit të perandorisë më të vjetër e më të fuqishme të kohës:
Shtatë pashallarë u çkulë
Për Bilbil e për Resulë
Në vazhdën e kryengritjeve antiosmane të jugut të Shqipërisë, të udhëhequra nga luftëtarët Zenel Gjoleka e Tafil Buzi, revoltat e këtyre trevave, jo vetëm që nuk pushuan, por ato u bënë edhe pragu i ngjizjes së Rilindjes sonë Kombëtare, fermentimi i tharmit kombëtar dhe ndërgjegjësimit mbarëpopullor se, Shqipëria ishte një pjesë e huaj në perandorinë osmane, se Porta e Stambollit e kishte lënë një provincë pa asnjë zhvillim e investim, e kish lënë popullsinë pa asnjë të drejtë arsimimi në gjuhën e saj; se me forcë e metoda imponuese i ndryshoi besimin; ajo e shikonte atë si një minierë për të vjelë taksat gjithnjë në rritje e në numër, si një burim furnizimi me gjak të ri e të pastër për ta përdorur si lëndë të parë për makinerinë e saj të luftës në tre kontinente apo si nënështrues të popujve të tjerë, po aq të vuajtur sa edhe ne.
Në këto kushte, djalëria e krahinës trime të Kurveleshit e Labërisë, në të gjitha format, bënte kundërshtimin e saj. Për këtë arësye, në vitet 1850 , deri në 1860, u krijua çeta e Birbilejve me 13 vetë nga Pogonati dhe me udhëheqës Bilbil Shakon nga Rexhini , i kërkuar me çdo kusht nga Turqia.
Vendosja si komandant i çetës, ishte jo vetëm për ta respektuar si pjestar të një fshati tjetër nga shumica, por edhe për shkak të aftësive të tij nga luftërat antitanzimat të udhëhequra nga Zenel Gjoleka e Tafi Buzi, dy luftëtarët famëmëdhenj e tronditës të perandorisë selxhuke.
Ai, asnjëherë nuk binte në grackën rrethuese të armikut. Për shkak të emrit të kryetrimit, edhe luftëtarët e tjerë u quajtën Bilbilej, duke plotësuar edhe me një faqe tjetër, librin e historisë së krahinës trime. Kjo çetë kishte mbështetje të gjerë popullore gjatë sulmeve turke dhe arrinte në qindra vetë, por në kohë paqeje mbetej vetëm një efektiv bazë me 13 vetë, ku pjestarët ndërroheshin herë pas here për nevoja të ndryshme.
E krijuar si nevojë e domosdoshme në mbrojtjen e ndëshkimeve të herëpashershme që bënte qeveria turke ndaj banorëve të pa nënështruar, ajo kundërshtonte zbatimin e reformës për marrjen e djemve nizamë - ushtarë që të luftonin në vise të largëta e të huaja, shtimin e llojeve të taksave, shtimin e represionit ndaj banorëve rebelë etj. Luftëtarët e përhershëm të çetës ishin edhe nga dy vetë për familje:
1.Bilbil Shako
2.Resul Sejdiu
3.Avdul Gaxha
4.Islam Gaxha ( babë e bir)
5.Avdul Gani
6.Dalip Gani
7.Hasan Guga
8.Hysen Çulli
9.Hamza Gani
10.Kasëm Qendro
11.Rushit Goxha
12.Rexho Çela
13.Bejo Gani
Pra, siç shihet, këta heronj pa diploma, tituj e grada, ishin edhe të një gjaku midis tyre dhe përbënin jo vetëm një vatër familjare, por edhe një vatër atdhetarie.Ata ishin kryengritës popullorë që jetën e tyre e kaluan me armë në dorë, herë 50 e herë 60 vetë, me qëllim veprimin e shpejtë rrufe, të manovrueshëm, edhe për mos t'u diktuar e kapur lehtë nga armiku. Furtunë e luftë ishte jeta e tyre kaçake në kërkim të lirisë gërxheve e maleve. Pothuajse të gjitha fshatrat e Labërisë kishin luftëtarët e tyre në ndihmë e përforcim të birbilenjve. Stanet e çobanëve ishin streha e tyre.
Synimi i çetës ishte sulmi i postave dhe karakolleve turke, administratës së saj, karvanëve me sendet e grabitura të taksambledhësve të huaj, në pamundësi të pagesës së taksave të pangritëshme për popullin. Çeta vepronte dhe kishte mbështetjen e plotë të banorëve që nga Smokthina e deri në Zagori e Janinë. U bë faktor njohës edhe nga administrata turke, fakt që mbështetet nga një dokument i nënshkruar në 1853 në Hllomo - Çatistër nga komandanti i çetës, Bilbil Shako.
Ky është një tjetër tregues që argumenton luftën e tyre jo krahinore e jo me baza fetare. Dy herë çarmatosën dhe përzunë nga fshati Progonat administratën turke; kështu vepronin edhe në zona të tjera ku grumbullohej drithi (e dhjeta turke) i rrëmbyer prej popullit nga ana e punonjësve turq. Ata i ndanin produktet në popull.
Kulmi i veprimtarisë së tyre ishte edhe lufta që iu bënin bashkëpunëtorëve e spiunëve të sunduesve. Djegia e sarajeve e e depove të beut Xhelal Voshtina në Voshtinë të vilajetit të Janinës, dënimi në mungesë i beut, plagosi rëndë egon e Portës së Lartë, ku një tufë kaçakësh po i godisnin njerzit e afërt. Për këtë vendosi ta shpërbënte çetën e trimave e t'i jepte një mësim të mirë krahinës kryelart, dëshmuar edhe nga vargjet:
O Progonati me vulë
Shtatë pashallarë u çkulë
Për Bilbil e për Resulë...
Urrejtja e Portës ndaj bilbilave të Kurveleshit ishte e grumbulluar edhe nga fakti tjetër se në 1855, çeta ekzekutoi një nga sundimtarët më të urryer e të rrezikshëm të kryeqendrës së jugut, Janinës, Ahmet Beun. Ndëshkuesit eshtrathyes në mes të muajit shkurt 1958 i nxorrën nga banesat nëpër borë banorët e Progonatit me qëllim që të tregonin strehimin e çetës, me pasojë të sëmuren e vdesin të mitur, të moshuar, gra. Burrat i morën lidhur për në burgjet e Janinës. Këto raprezalje ndaj popullsisë së pafajshme dhe tradhëtia, bënë që trimat të dorëzoheshin. Uria e mund armën.
Për t'i poshtëruar, i shëtitën nëpër fshat të dy komandantët, Birbil e Resul kaluar, të tjerët i lidhën me zinxhirë, e deri në Janinë i shëtisnin nëpër qëndra të banuara, duke frymëzuar kështu të tëra krahinat për kthimin e tyre në Legjendë. Dënimi u bë në Janinë, me varje në rrapin e qytetit. Qëndrimi i tyre burrëror para ekzekutimit mbeti në histori e këngë:
...dale bej të dredh cigarë
Sa të hedh çepenë më një anë,
Dal të puth shokët me radhë
Se s'jam çanaku me dhallë
Por jam Bilbili me pallë
Vijnë të tjerët me radhë..
Trimat meritojnë një vdekje prestigjioze, pa u ankuar, komandantët e betejave mbeten deri në fund të tillë. Ata iu japin kurajë shokëve dhe mesazh ekzekutorëve se nën shëmbullin e tyre, lufta vazhdon e të tjerët vijnë me radhë, pa ndërprerje...
Nga të trembëdhjetë, arritën të shpëtojnë e të dorëzojnë më të vogëlin e tyre, Islam Gaxhën 16 vjeçar tek një mik, i cili e dërgoi në duar të sigurta në Veliqot dhe progonatasit fisnikë e mbajtën për shumë vite të fshehtë, sepse i ishte ekzekutuar i ati me çetën dhe nuk duhej që të shuhej dera e Gaxhajve. Në fillim të viteve 1900, ai ishte një burrë i thinjur, shtatlartë si lisat e vendit, me pamje fisnike, i respektuar nga gjithë krahina, sikundër e tregojnë banorë të fundshekullit të XX të Progonatit.
Ekzekutimi i çetës nga autoritetet vendase, jo vetëm nuk e nënështroi frymën kryengritëse, por bëri që në rrugën e tyre të vazhdonin edhe çeta të tjera si ajo e Hamit Gugës, Hamit Gomares e të tjera.
Thuhet se tek rrapi i Janinës ku u varën trimat atdhetarë e liridashës, çdo vit, bien rrufetë dhe rrapit i digjen degët. Drejtësia hyjnore i nderon trimat më shumë e më mirë se ajo njerëzorja, që për shkaqe të ndryshme ideologjike, edhe i anashkalon. Progonati i lashtë, siç ka dhe emrin, meriton t’i nderojë me një përmendore bijtë e tij. Le të shpresojmë se kjo mund të ndodhë një ditë. Piktori Skënder Milori, i frymëzuar nga vepra e çetës trime, e përjetësoi atë në një tablo interesante.
Comments