SHTATË MALE, SHTATË FUSHA NË NJË POEZI
Nga Timo Mërkuri
Që Odise Kote të befason me poezitë e tij, kjo tashmë nuk është një gjë e re dhe e papritur për lexuesin, por shpesh kjo befasi të krijon një ndjenjë hutimi për sa ka shkruar dhe stilin me të cilin e ka shkruar, hutim që të shtyn në një rilexim të përqëndruar dhe më pas në meditim mbi poezinë. Poezia e tij të duket se flet apo vjen si nga bodrumet e një kështjelle të vjetër e të mbyllur për shekuj, ajo vjen e stërpikur nga mitet e baladat, historia, filozofia etj. gjë që të imponon njohjen e tyre, kushtëzim që është tepër i dukshëm te poezia: “Shtatë male, shtatë fusha”.
Kjo duke te poezia "Shtatë male, shtatë fusha" e Odise Kotes, e cila ka një shtrat balade dhe përshkruan një peizazh të veçantë tek i cili ndërlidhen jo vetëm historia, filozofia, por dhe antropologjia e besimi , ku këndvështrimi i tij është përqëndruar te marrëdhënia e popullit tonë me besimin në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, si pjesë e linjë estetike: histori, filozofi, antropologji, duke marrë shkas nga një kështjellë e vogël pranë Papatit.
1-“Në Kështjellën e vogël Loreto /mbi përrenjtë e thepisur të Papatit” e nis Odise Kote poezinë e tij dhe ne detyrimisht kujtojmë se: Loreto, në Itali është një kështjellë nê rajonin e Markeve, vendosur “mbi përrenjtë e thepisur të Papatit” . Në anë të përroit janë shtypshkronjat e vjetra ku janë shtypur shkrimet e shenjta të Vatikanit në shek. IV-V. Sot në Loreto dhe për shkak të tyre është një vend turistik ku shkojnë vizitorë nga e gjithë bota: “Mijëra vizitorë nga bota magjepsen, hutohen/ blejnë syvenire, mbështillen me mistikë” të cilët ndjejnë një lidhje të veçantë me këtë vend të shenjtë. Duke qënë se Loreto është vend, historia e të cilit ka lidhje me historinë e gjithë vendeve të krishtera të rruzullit, madje dhe me mardhëniet me vendet e besimeve të tjera, çdo vizitor vihet para pasqyrën së ndërgjegjes historike, e cila në poezi është prizmi ku thyhen e përthyhen idetë.
Nëpërmjet krahasimit: "Inkuzicioni dhe vdekja ende fryjnë si erë e marrë" poeti duke vënë në dukje inkuziocionin si institucion historik dhe vdekjen si pasojë e veprimeve të tij që fryjnë si një “erë e marrë”, na paraqet ndjesinë e një lufte të brendëshme për jetën e njeriut dikur dhe të vizitorëve sot.
"Për të shpallur ndjesinë e betejës me vetveten" shkruan poeti për ndjesinë e betejës së brendshme që çdo individ përjeton me vetveten, betejë që simbolizon konfliktin shpirtëror, që bëhet tek çdo turist që vizitojnë Loreton. Në kët betejë:"Ku humbja dhe fitorja fqinjërojnë, sublimohen", shfaqet paradoksi i luftës me vetveten, ku humbja dhe fitorja janë fqinjë dhe ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Ato nuk janë krejt të kundërta si dy ushtri në front, ato janë të lidhura ngushtë dhe shkëlqejnë së bashku, duke krijuar një ndjesi të lartë dhe të sublimuar.
Nëpërmjet vargut “Dhimbja bëhet tjetërfarë, e jotja dhe e tjetërkujt”, ku përdorimi i fjalës "tjetërfarë" sugjeron se dhimbja ndryshon formë dhe karakter dhe se ajo mund të ndikojë te secili në mënyrë të ndryshme, shprehja "e jotja dhe e tjetërkujt" tregon që secili përjeton joveç dhimbjen e vet, por edhe të tjetrit, duke nënkuptuar shumë faktorë që na bashkojnë në këtë jetë, ku shpesh edhe vetë dhimbjen bëhet bashkuese.
"Dhimbje që përbuz të përzishmen, të voglën" shkruan poeti duke përshkruar një lloj dhimbjeje që përbuz dhe nuk i jep rëndësi aspektit të vogël ose të përzishshëm, ku fjalët "të përbuz" dhe "të vogël" tregojnë pakënaqësinë dhe mospërfilljen ndaj kësaj dhimbjeje, kohës së humbur, duke sugjeruar një dëshirë për t'u distancuar nga ajo.
Ndërkohë vargjet "Përpëlitet në shqyrtim, vetëflijohet, kërkon të harrohet" përshkrua-jnë reagimet dhe përpjekjet për të trajtuar dhimbjen e brendëshme. Fjala "përpëlitet" tregon për një lëvizje të frenueshme dhe të paqëndrueshme, ndërsa fjalët "vetëflijohet" dhe "kërkon të harrohet" tregojnë për përpjekje për të larguar dhe haruar dhimbjen, duke shprehur dëshirën për të tejkaluar dhimbjen, për të arritur në një gjendje të re, ku ajo nuk ka më ndikim.
Të kuptohemi, unë nuk marr përsipër të shpjegoj tekstin e poezisë së Odise Kotes dhe ca më pak ta përshkruaj atë, por për të kuptuar strukturën poetike unë duhet të hyj brenda saj dhe të flas për elementët strukturorë të poezisë si për themelet, kollonat dhe muret e një godine. Unë tregoj si e shoh krijimin nga një prej ngjyrave të dritës së vargjeve të përthyer mbi prizmin poetik dhe ajo që ka rëndësi është fakti se ju tregoj si e shoh nga brenda poezisë. Shumësia e këndvë-shtrimeve dhe interpretimeve është bukuri e ylberit poetik dhe jo meritë individuale.
II-Në dy strofat e para ne vrasim mëndjen se ku do dalë poeti duke ecur nëpër botën e filozofimeve dhe mistikës që mbërthen vizitorët në Loreto, kur befas strofa e tretë na shpalos vendin tonë me ca vargje që i ndjejmë qysh te fjala “matanë” e përmendur aq shpesh nga arbëreshët plot dhimbje e mall: “Matanë kështjellës Loreto, matanë detit, /është Atdheu im, plot diell, i qeshur” shkruan ai dhe ne na qeshin sytë nga drita e vargjeve, por befas na vijnë si goditje pas koke vargjet: “grotesk, çudan, tinzar, i ngrysur/ me njolla të mbetura stepash ruse/orizore kineze, gjëmbaçë Anadolli”. Vetëm pas këtyre vargjeve kujtojmë se ne shqiptarët nuk e njohim Loreton dhe atë që ajo përfaqson, madje për vetë zhvillimin historik ne e kemi “humbur” Loreton dhe nuk e kemi kuptuar se kemi humbur shekuj qytetërim.
Jam shprehur se: “Krishterimi ishte ndërtuesi i Evropës, pasi në shembu-llin e kishave e katedraleve, në shembullin e ndërtimit të Vatikanit, u ndërtuan pallate dhe struktura shtetërore, u ndërtuan kryeqytete evropiane. Krishtërimi ishte dhe ndërtuesi i Evropës së bashkuar (në krishterim) me synimin për t’u shtrirë në një botë (të krishterë) të bashkuar, dhe kjo ishte e dukshme te fakti që çdo mbret, për tu fronëzuar e kishte si domosdoshmëri kurorëzimin nga Vatikani. Ishte e detyrueshme që dhe krushqitë mbretërore t’i miratonte Papa, si dhe aleancat apo luftërat duhej të kishin lejen e tij[1]”. Patër Anton Harapi ka shkruar se “Te njeriu vetë, kristianizmi ndërtoi idetë, lartësoi ndjenjat dhe sistemoi tërë jetën vetjake. E bëri të mirë shpirtin e njeriut dhe kërkoi prej tij pastërtinë edhe të mendimit e të dëshirës[2]”, aq më tepër që “Edhe atdhetarizmi është një ndër idealet e krishterimit[3]”, i cili vlerësohej si një virtyt i shenjtë[4].
Kjo është arsyeja që na tërheq vëmëndjen dhe interesimin kjo poezi, raporti i vendit tonë përballë Loretos, në konteksin e besimit, zhvillimit dhe europiani-zimit. Krishtërimi ishte spiranca që e mbajti Shqipërinë në Europë në ato pesëqint vjet robërie osmane. Vendi ynë është vend i prelatëve, shenjtorëve dhe martirëve të krishtërimit, madje dhe në kohën moderne i dhamë krishtërimit shënjtoren më tipike. Në lidhje me kontributin e krishtërimit në vendin tonë është e drejtë të themi se asnjë fe, besim apo rrymë besimi nuk ka bërë aq shumë për kombin tonë sa krishtërimi, asnjë feje, besimi apo rrymë besimi nuk i kemi dhënë ne si komb kaq shumë martirë e shenjtorë, madje dhe Heroi ynë Kombëtar është shpallur zyrtarisht nga Papati si "Atlet i Krishtërimit", titulli më i lartë i mundshëm për gjithë kohërat.
Konvertimi nga një pjesë e popullsisë nën dhunën dhe diktatin osman ishte një tërmet lemeritës në ndërgjegjen e kombit, ndërsa heqja e “spirancës”së krishtërimit në monizëm e nxori anijen shqiptare në mes të detit me furtunë, duke vetë-eksperimentuar ateizmin, si dikush që eksperimenton se: a e mban dega e pemës peshën e trupit të tij, nëpërmjet litarit të lidhur në qafë?
Shqipëria gjithmonë ka patur nevojë për krishterimin ashtu si një pemë ka nevojë
për rrënjët dhe dheun. Tashmë që e kërkojmë Loreton jemi një përzierje kulturash, besimesh, paganizmi dhe teorish ateiste: “Kalit të hazdisur të vetëdijës /i duhet të kalërojë pa ndalim/ Në shtatë male e shtatë fusha”, aty “ku vigjëlojnë rojet e moskuptimit, /për të mbërritur”. Është larg Loreto nga ne? (jo në distancë kilometrike) madje më drejt është të thuhet se ne jemi shumë larg nga Loreto dhe na duhet shumë kohë të arrijmë aty. Në qoftë se vizitorët nga e gjithë bota shkojnë në Loreto të përjetojnë magjinë dhe mistikën e saj shpirtërisht, ne na duhet që së pari ta kuptojmë dhe besojmë si një shpëtim. Imazhi metaforik "Kalit të hazdisur të vetëdijës, i duhet të kalërojë pa ndalim": përshkruan vetëdijen tone, kal të hazdisur që shpesh provokon dëshirën për të eksploruar, për të kërkuar kuptimin dhe për të përparuar. Fjala "hazdisur" tregon për një dëshirë të shfrenuar, të papërmbajtur, ndërsa fjala "kalërojë" shfaq një lëvizje të vazhdueshme dhe pa ndalim drejt një qëllimi të paqartë.
Nëpërmjet vargjeve "Në shtatë male e shtatë fusha ku vigjëlojnë rojet e moskuptimit, për të mbërritur" poeti na shfaq vendin ku dëshirojmë të mbrijmë, një vend i vështirë për t'u kuptuar dhe për të arritur. Fjalët "shtatë male e shtatë fusha" tregojnë për një vend të gjerë dhe të ndërlikuar, që rëndom është trevë baladash ndërsa "rojet e moskuptimit" tregojnë për pengesat dhe sfidat që duhet të përballim brenda vetes dhe që më së pari janë pasojë dhe copëza: “njolla të mbetura stepash ruse, /orizore kineze, gjëmbaçë Anadolli”, pse është vështirë të hysh në Europë duke mbartur azinë me vete, është vështirë të hysh në të ardhmen kur je “lidhur” në të shkuarën.
III-Poezia "Shtatë male, shtatë fusha" e Odise Kotës ka një stil të thellë, i cili ndihmon në krijimin e një atmosfere emocionale dhe në përhapjen e kësaj te lexuesi. Tipare që japin këtë ndjesi janë:
Tonaliteti i thellë i poezisë shprehet me fjalët dhe frazat që kanë një tingull të rëndë, duke krijuar një ndjesi dhe intensitet emocional, ku përdorimi i fjalëve si "inkuzicioni", "vdekja", "dhimbja", "humbja" e "grotesk" theksojnë ndjesinë e peshës emocionale që përshkruhet në poezi.
Poezia përdor figura dhe simbolike për të paraqitur emocionet dhe ide për të cilat duhet të mendohesh për ta përjetuar. Përdorimi i antitezave, hipotezave, imazheve të fortë dhe dramatike , siç është përdorimi i fjalëve "tjetërfarë" dhe "tinzar", krijon një imazh të ngarkuar emocionalisht.
Krijimi i një atmosferë mistike i shërben idesë së poezisë, ku: përdorimi i fjalëve dhe imazheve që lidhen me mistikën, si "mbështillen me mistikë" dhe "grotesk", krijon mistiçizmin që shton në tonalitetin e poezisë duke e bërë atë të duket sa mistike aq dhe e pazakontë.
Te vargu: "Ngjan çdo gjë është bulb e palcë" poeti përdor një krahasim për të përshkruar natyrën e gjërave, ku fjala "bulb" nënkupton diçka të thjeshtë, të pazhvilluar ende, syth i fshehur gati në shpërthim, ndërsa "palcë" tregon diçka të brendëshme, jetëdhënëse duke treguar se përtej dukjes së jashtme të gjërave, diku ka diçka të fshehur dhe të pazakontë, që është e vlefshme dhe e rëndësishme.
Epiteti "Asht antropologjik" përshkruan natyrën e gjërave si "antropologjik", fjalë që sugjeron mendimin se gjërat janë të lidhura me studimin dhe kuptimin e njeriut, me historinë dhe trashëgiminë njerëzore, duke paraqitur një dimension më të gjerë e më të rëndësishëm të gjërave që kuptohen dhe shpjegohen në kontekstin njerëzor.
Ideja e shprehur në vargun "Ndonëse shekujt s’ikën kurrë paqësisht" është për kohën dhe përjetësinë, ku fjala "shekujt" është matësi kohor, ndërsa pohimi se ata "s'ikën kurrë paqësisht" dëshmon mënyrën se si ka ecur koha shqiptare në botë.
Vargjet e analizuar shprehin një ndjenjë mospranimi, ku përdorimi i fjalëve si "tjetërfarë" dhe "përbuz", dhe përdorimi i veprimeve të shprehura, si "vetëflijohet" dhe "kërkon të harrohet", krijojnë një atmosferë emocionale të tendosur. Poeti përshkruan dhe na jep pëmasën individuale dhe universale të dhimbjes, duke lënë hapësirë për lexuesin të reflektojë mbi kuptimin dhe përballjen me dhimbjen në jetën e tyre.
Përmes kësaj poezie, Odise Kote reflekton duke na e bërë të qartë se poezitë duhet të kenë shikim të thellë, tejçpues në fenomenent e sotëm, të djeshëm dhe të ardhshëm dhe kombinimi i historisë, filozofisë, antropologjisë me besimet në krijim, nuk janë vetëm një mjet për të shprehur emocione, por kanë rol të rëndësishëm në të shprehurit e mendimeve komplekse dhe refleksioneve mbi njerëzimin dhe botën.
IV-Për nga përdorimi i figurave artistike të krijohet perceptimi se poezia është një mozaik figurash, ku secila prej tyre është vendosur mjeshtërisht dhe natyrshëm në vendin e vetë. Kështu metafora "Ngjan çdo gjë është bulb e palcë” tregon se çdo gjë në Loreto është e vlerësuar dhe e rëndësishme, edhe në formën e saj të thjeshtë dhe të pakuptueshme.
Ndërkohë metafora "Dhimbja bëhet tjetërfarë, e jotja dhe e tjetërkujt" paraqet dhimbjen si një gjë që kalon përtej individit, duke përfshirë edhe të tjerët në përvojën e saj.
Kontrasti i vargjeve "Inkuzicioni dhe vdekja ende fryjnë si erë e marrë" egziston midis frikës e vuajtjes dhe betejës së brendshme të individit.
"Dhimbja bëhet tjetërfarë, e jotja dhe e tjetërkujt" shfaq një kontrast të krijuar mes dhimbjes personale dhe ndjenjave të tjera të të tjerëve.
Personifikimi "Dhimbja përpëlitet në shqyrtim, vetëflijohet" shfaq dhimbjen si një entitet që e vlerëson veten dhe ndjehet në mënyrë të ndryshme.
Te vargu "Vigjëlojnë rojet e moskuptimit" rojet personifikohen për të paraqitur moskuptimin dhe pengesat që vijnë në rrugën e kuptimit dhe shpjegimit.
Antiteza "Humbja dhe fitorja fqinjërojnë, sublimohen" paraqet një kontrast thelbësor midis humbjes dhe fitores, ku ato janë të lidhura ndërsa antiteza "Grotesk, çudan, tinzar, i ngrysur" përshkruar Atdheun si një kombinim të veçantë dhe kontrastues të përmasave dhe tipareve.
Këto figura artistike ndihmojnë në krijimin e imazheve të forta dhe të ndjeshme, duke e bërë poezinë tërheqëse dhe të pasur në përmbajtje, duke shprehur thellësinë e temave dhe emocioneve të ndjeshme që poezia përmban.
V-Fjalët dhe gjuha e përdorur nga poeti Kote janë të pasura me ngjyra emocionale dhe simbolike, duke qënë tipari kryesor në poezinë e tij. Ai di ta zgjedhë fjalën në mënyrë të tillë që ajo të zejë vend natyrshëm në varg, pa qënë nevoja ta gdhendë apo ta vendosë me forcë. Lidhja mes fjalëve bëhet nëpërmjet kuptimshëmrisë së vargut dhe ritmit të brendshëm të poezisë dhe pak herë përdoren lidhëset. Përdorimi i fjalëve të ndryshme, tërheqëse dhe imazheve të fuqishme krijon një ndjesi të thellë dhe tërheqëse për lexuesin. Përdorimi i gjuhës poetike dhe figurave artistike bën që poezia të shprehë idetë dhe emocionet në një mënyrë të fuqishme dhe tërheqëse, duke i dhënë atij një dimension të veçantë estetik dhe interpretues.
Ka një veçori poetika e Odise Kotes, natyrshëmrinë e “çeljes” së figurave artistike si sythe lulesh që shndrohen në fruta. Figuracioni i tij poetik nuk është në asnjë rast një shartim, qoftë edhe prej një mjeshtri, madje mund të themi se figuracioni i tij poetik me fjalët dhe shprehjet tipike “gur i rëndë” në tonalitet, të cilat i japin bukurinë pemës së tij poetike, janë absolutisht të pamundura të “shartohen” pasi gjithmon mbishartesa është një filiz i lehtë në rraport me nënshartesën (pema ku shartohet).
Dukuria e kësaj natyrshmërie mund ta quajmë të menduarit poetik të autorit, proces ku gjithmon është e vështirë gjetja e vargut të parë, që ngjason me gjetjen e damarit të ujit nëntokësor te vendi ku do ndërtosh çezmën apo kroin, pasi ndërtimin e një, dy apo shtatë sylinjarëve e ke lehtësisht të realizueshme ndërsa rrjedha e ujit (vargjet e tjera) e gjen vetë rrugën. Në këtë drejtim themi se Odise Kote natyrshmërinë e të menduarit poetik e ka pjesë të krijimtarisë, ku “problem” i tij është tema dhe struktura filozofike e saj dhe jo vargu. Kjo natyrshmëri është e dukëshme edhe në bashkbisedime të lira, ku Kote dhe të folurin e ka të lirshëm, me leksik dhe tingull poetik. Nuk gabohemi po të themi se për Odise Koten poezia është frymarjeje, krijimtaria është mënyrë të jetuari.
Sarandë, më 2 korrik 2023
[1] T.Mërkuri:“Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje”Beqir Musliu, Gjilan 2022: f.108 [2] Anton Harapi, Njisimi kombtár dhe ideali kombtár. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton N. Berisha, Kuvendi françeskan i Gjakovës, Gjakovë 1977, f. 277. [3] Atë Anton Harapi, po aty, f. 280. [4] Patër Anton Harapi, Vlerë shpirtërore. Shpresa & Faik Konica, Prishtinë, 2003: “Hiqni nga bota e qytetëruar kontributin që ka dhënë kristianizmi në ide, në ligje e zakone, në shkencë dhe art, në sistemin e amiljes, në rendin shoqëror dhe vetjak, në përmirësimin moral dhe material; hiqni të gjitha këto dhe kultura moderne nuk mbetet më ajo, por një skelet i zbehtë, një mozaik pa unitet, një send pa kuptim” f. 73.
Comments