top of page

“Shtёpia nё kornizё” dhe romani jashtё kornizёs klasike


Fatmir Minguli


Nga Fatmir Minguli


“Shtёpia nё kornizё” dhe romani jashtё kornizёs klasike



(Shёnime mbi romanin “Shtёpia nё kornizё” tё shkrimtarit Fatmir Terziu)









Zgjimet janё si detyrё shtёpie. Kush i bёn nё

kohёn e duhur, kush i bёn mirё dhe drejt,

natyrisht qё ua merr edhe frutin e ditёs.

Nga romani “Shtёpia nё kornizё”

Jemi tё gjithё nё kёrkim tё njё tё ardhme qё arrin

tё rregullojё tё kaluarёn nё impenjimin misterioz

dhe tё komplikuar tё sё tashmes.

Khailil Gibran


Romani i ri i shkrimtarit dhe poetit Fatmir Terziu qё titullohet “Shtёpia nё kornizё” patjetёr qё pёrbёn njё ngjarje tё rёndёsishme nё botёn letrare shqiptare. Vetё titulli i romanit fsheh nё mёnyrё gati magjike atё çka autori ka shkruar nё faqe e brendshme tё romanit. Ky roman ashtu siç vjen i shpalosur me forma jo tё zakonta tё narracionit nuk ёshtё as i papritur dhe as i pakohё. Ai ёshtё nё vazhdёn e udhёtimeve tё romaneve tё Fatmir Terziut si mё i fundit por jo i fundit. Duke filluar me romanin “Grykës” ai vazhdon tё befasojё me “Bunari”, “Kojrillat”, “Fijet e barit të thatë”, “Blirët e Pejës”, “Mbi dudë”, dhe ja tani me “Shtëpia në kornizё”.

I gjithё romani i ri “Shtёpia nё kornizё” ёshtё njё uverturё me njё muzikё tё qetё, ku dallohen herё herё etyde tё trishtimit e herё herё ndjehet revolta brenda tingujve aq melodiozё tё muzikёs narrative. Nuk mungojnё retrospektivat, tё cilat me larminё e tyre e forcojnё tonalitetin e muzikalitetit poetik tё kёtij romani. Njё nga kёto retrospektiva, ajo qё mbizotёron nё roman ёshtё rikthimi i vazhdueshёm nё shtёpinё kornizё, shpesh herё shoqёruar me njё mallёngjim tё madh.

Ky roman ёshtё ndёrtuar krejt ndryshe, ёshtё njё rrёfim gati marramendёs i njё shqiptari qё jeton nё emigracion, mё saktё nё Londёr e qё kujton shtёpinё e origjinёs sё tij, atё tё gjyshit e babёs, ndoshta dhe tё stёrgjyshit.

Ku ndodhet kjo shtёpi? Kudo ku ka shqiptarё.

Qё nga Londra ky narrator, nёse do ta emёroja kёtё protagonist tё çuditshёm, nis pëllumbat e postës herё në tokat e Kosovës, herë në krahinën e Elbasanit e të Shkodrës, më tej të Tiranës dhe herë herë në fshatra shqiptarë që nga Plava e Guxia e deri poshtë në Çamëri. Por pëllumbat rrugën e tyre më të preferuar e kanë drejt shtëpisë kornizë, aty ku narratori kaloi fëmijërinë e tij, shkollimet e para dhe njohjen me mësuesit e parë.

Fatmir Terziu, është ndoshta i vetmi shkrimtar shqiptar që duke jetuar jashtë Shqipërisë i lidh subjektet e romaneve, tregimeve, poezive me Shqipërinë dhe trojet shqiptare. Ky është mes të tjerash edhe synimi i romanit të tij më të fundit “Shtëpia në Kornizë” .

Nëse dikush do të pyeste: “Përse shtëpi kornizë”?... Apo ndoshta do të kërkonte një përkufizim të klasik të kornizës, dhe atёhere do mësonte se “korniza simbolizon të përgjithshmen e se funksioni esencial i kornizës është që të mbledhë dhe të mbajë në vendin e tyre elementёt e ndryshëm që ajo qarkon…”. Natyrisht që ky është një nga përcaktimet teorike por unë do të thoja se “ korniza” e Fatmir Terziut e tejkalon këtë përcaktim. Ajo në romanin “Shtëpia në kornizë” merr vetitë e gjallesës për më shumë atë të njeriut por edhe të gjallesave të tjera.

Ja një përcaktim i jashtëzakonshëm i kësaj kornize që Fatmir Terziu e ka sjellë që në faqet e para të romanit: “ Tani nё njё letёr qё mban emrin e tij dhe njё gavetё tё gjatё argjile me gjysmёn e saj tё mbushur me duhan tё sapocoptuar, me njё turbulesё tё letrёs sё vjetёr tё librave afёr, aq afёr sa pёr ta dredhur atё lehtё me duar. Mjafton qё imagjinata tё tё bёhet rrёmujё, pa caktuar dhe kohёn qё pёrhumbet vetёm pёr emrat dhe datat, pёr gjёrat nё periometrin e kёsaj kornize”.

I gjithë romani është një lloj psiko-analize me vetëveten, një lloj autosugjestioni të pafund , gati ashtu siç e shpreh vetë autori “ në sistemin e rrjedhës së pandërprerë për një mendje të shqetësuar”. E duke marrë parasysh edhe nuancat e magjisë së rastit apo jo të rastit në fragmente të ndryshme të romanit, korniza dhe bashkë me të edhe shtëpia, marrin imazhin e aureoleёs të shenjtëve rrezet së cilës emetojnё energjitë e brendëshme të saj. Gjithyçka mbёshtillet lehtas nga njё tis i legjendave pёrtej mesjetёs shqiptare.

Çuditërisht kështu ndodh edhe në këtë pasazh të roamnit “Shtëpia në kornizë”: “ Dritaret u ngjajnë syve me të cilat shihet dhe zbukurohet bota reale, ajo realja nëse ekziston dhe ekziston ende brenda dashurisë, pasionit dhe imagjinatës së kësaj shtëpie në kornizë”.

Prandaj e gjej me vend të sjell sentencën e Dag Hammarskjӧld, ish sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara që thotë: “ Nuk është e thënë të zgjedhim kornizën e fatit tonë. Por jemi ne që fusim brenda saj përmbajtjen”.

Nuk ndodh që e njejta histori të ndrrojë kornizë, është koha që për narratorin, protagonist të romanit, që nuk ndërron, sepse nuk ndërrohen fatet e njerëzve, duke nënkuptuar kombeve. Eshtë kjo arsye që Fatmir Terziu shprehet diku në faqet e romanit të tij: “ Njeriu vazhdon tё mbetet nё kornizё. Ashtu tre dimensional nё kёtё lidhje me kornizёn e jetёs, ёshtё i gatshёm tё ngrihet dhe tё lёvizё nё botёn e errёt tё memorjeve, tё paktёn pёr tё lёnё disa gjёra tё mbetura gjallё pёr tё mos vdekur asnjёherё”.

Korniza e shtëpisë e romanit “Shtëpia në kornizë” merr përmasa gjigante, merr vetitë e amebës, hap krahët duke përfshirë vetë jetën e narratorit, të farefisit të afërt e të largët, të mësuesve dhe të miqve të hershëm, të qyteteve dhe vendeve të ndryshme.

Kjo mënyrë të treguari nga Fatmir Terziu është një risi në stilin narrative të një romani të kohës sonë. Ai nuk është në vazhdën e romaneve “ si duhet” me intrigё të dukshme, me një zhvillim progresiv të ngjarjeve që e lidhin lexuesin deri në shfaqjen përfundimtare të intrigës së subjektit. Fatmir Terziu duke na shfaqur kapitujt njeri pas tjetrit nuk na jep ngjarjet njera pas tjetrës. Ai realizon romanin- ese sipas stilit të Robert Musil në romanin “Njeriu pa cilësi” të mpleksur me stilin e antiromanit tek “ Tristram Shandy” të Laurence Stern.

Po! “Shtëpia në kornizë” është një roman- ese, krejt ndryshe në konceptualitet dhe në strukturë ku mbizotëron shoqërimi i pandalshëm i ideve atdhetare por në kondravajtje me kronologjinë progresive. Mes këtyre eseve ajri që lëviz faqet e ngjarjeve është i tejdukshëm e i freskët, pa mjegulla të dendura, çka përkon me idetë e vetë autorit, i cili është krejt i qartë me krijimin e vet.

Në panoramën narrative të këtij romani mbizotëron koncepti i udhëtimit në kohë e në pakohë, udhëtimit të vazhdueshëm e i pafund në kërkim të shtëpisë në kornizë që nuk është gjë tjetër veçse dëshira për të parё qartë konturet e origjinës. Jo më kot autori sjell skenat e diskutimit tё emrit të babait të tij diku në një auditor të Irlandës, ku emri shqiptar Dail bën xing me emra irlandez si “Dail Eireann” që është Shtëpia e Parlamentit irlandez , apo me emrin e një shkrimtari irlandez O’Daly, autorit të veprës “Fiset e Irlandës” shkruar në 1617.

Me këtë roman, Fatmir Terziu jo vetëm që vjen me format tjetër narrativ, por ai nga kapitulli në kapitull ndërton ura të kulturës e gjuhës sonë duke na dhënë simptoma të fakteve për origjinën ilire, për të cilat shkrime e studime të shumta kanë shpërthyer vitet e fundit.

Vetё gjetja e emrit “Rikapje” qё zёvendёson fjalёn “Kapitull” ka kuptim tё gjerё, ёshtё si tё thuash tё rikapёsh kujtimet mbi ngjarjet kohёt, njerёzit e sidomos ata mёsuesit e hershёm tё shqipes. Vetё ky emёr mund tё jetё dhe “ringjallje” sepse afrohet mё shumё me konceptin e shtepisё kornizё si gjallesё. Ringjallje e sё kaluarёs pёr tё parё kaleidoskopin e sё ardhmes. Brenda kёtij kuptimi merr vlera edhe fakti se kёtё roman mund ta quash dhe si roman ku narracioni ka shijen e kaosit, por pёr njё kaos qё ka rregulla ose rregulla qё janё brenda kaosit. Nё tё dyja rastet evёrteta qёndron.

Romani “Shtёpia nё kornizё” shquhet edhe pёr gjuhёn e pasur shqipe, me tё folurёn vendshe me fjalё tё rralla dhe tepёr interesante tё gjuhёs shqipe, fjalё qё dalin nga goja e narratorit dhe nga personazhet kalimtarё. Krahas kёtyre “manushaqeve pas dёbore” autori narracionin e tij e mpleks me prozёn poetike dhe me futjen e vetё poezisё nё faqet eromanit. Si i tillё ky narracion veç vetive qё pёrmenda mё lart mbart dhe fuqinё e pamfletit social sidomos me pёrkitjen e ngjarjeve tё kohёs sё monizmit nё Shqipёri. Mjafton tё pёrmendim edhe artificёn e vendosjes sё fjalёve kyç nё krye tё rikapjeve si natyra, bardhёsia, grusht, oxhaku, etj, pёr tё forcuar idenё pёr risitё qё ky roman sjell nё letrat shqipe.

Edhe pse nuk ka kategorizime tё mirёfillta tё personazheve, romani i Fatmir Terziut ёshtё roman pёr dashurinё ndaj tokёs mёmё. Pasazhet ku feksin karvane, kisha, xhamija, fshatra pa fund, male e lёndina, tё kujtojnё poemёn e Naim Frashёrit “Bagёti e bujqёsi”.

Fatmir Terziu nuk e pёrcakton vendgjarjen por e le atё gjithandej, aty ku janё tokat e tё parёve tё shqiptarёve. Eshte kjo arsyeja qё romani e merr trajtёn e antiromanit sepse e ka tё fortё argumentimin e pёrhapjes nё kohё dhe nёhapёsirё pa rend e rregulla. Sepse edhe coptimi i vazhdueshёm i kufinjve tё Shqipёrisё ashtu u bё pa rend e pa rregulla. Kёtё synon Fatmir Terziu me kёtё roman tё bukur shqiptar.

Durrёs

28 shkurt- 5 mars 2020

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page