top of page

SHTËPIA E SHKRETIMIT TRAGJIK


Vullnet Mato

SHTËPIA E SHKRETIMIT TRAGJIK

Pasi njerëzit shkuan familjarisht

në emigrim,

shkretimi tragjik sundon

në dhomat mortore.

Karboni ka vrarë oksigjenin,

deri në asgjësim,

myku shpërndan

aromat e kufomës ajrore...

Tani aty brenda

minjtë kanë bluar gjithçka,

dhe miushet garojnë,

kush të pjellë më shumë.

Marimangat shtrijnë rrjetat

nga trau në tra,

t’i kenë më të rehatshme

shilarëset për gjumë.

Mola bren në heshtje

kolltukët e pluhuruar,

me supet vajtimtar,

mbi kalbjen e qilimave.

Dritaret kanë ulur qepallat

e syve të verbuar.

të mos shohin

pushtimin barbar të krimbave.

Mbeten të paprekur,

veç muret me kujtime,

që ruajnë zërat e incizuar

në tulla dhe gurë,

si dhe brava rojtare,

që shtrëngon me fiksime,

derën prej çeliku,

të futur thellë në mur.

Pas ardhjeve në qytete,

penguar me bunkerët e panikut,

ka ardhur koha e ikjeve,

me dyert e blinduara të çelikut...

11 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page