top of page

Shqyrtime gjuhësore


Instituti Albanologjik i Prishtinës boton veprën studimore “Shqyrtime gjuhësore”, të autorit prof. ass. dr. Sejdi Gashi



Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi veprën "Shqyrtime gjuhësore" të autorit prof. ass. dr. Sejdi Gashi. Ky botim përmban përmbledhje punimesh gjuhësore të përzgjedhura, që janë shkruar brenda viteve 2012-2023, një pjesë e të cilave janë botuar në periodikun shkencor e në botime tjera në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Bullgari etj., kurse disa nga to janë punime të prezantuara në konferenca e tubime të ndryshme shkencore në Kosovë dhe jashtë saj. Materialet e këtij vëllimi janë paraqitur të zgjeruara, të plotësuara dhe të rivlerësuara si nga ana përmbajtjesore ashtu edhe nga aspekti teknik. Një pjesë e këtij materiali po botohet për herë të parë.



Ky vëllim studimor është konceptuar sipas katër ndarjeve tematike.

Në pjesën e parë të kësaj përmbledhjeje janë përfshirë trajtesa gjuhësore të karakterit sociolinguistik, por edhe tema të tjera si: kultura e gjuhës në medie, probleme të përdorimit të drejtë të terminologjisë në medie, gjuha përballë procesit të globalizimit e të tjera kundrime, që për kryefjalë kanë gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj sa më cilësor.

Në pjesën e dytë të librit zënë vend punimet që karakterizohen për natyrën historike të trajtimit të çështjeve gjuhësore nga njëra anë, si dhe personalitetet e caktuara që kanë kontribuar dhe bashkërrugëtuar jetësisht me gjuhën shqipe, nga ana tjetër. Të tilla tema janë: Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës (1916-1918) dhe shqipja e sotme standarde; Kongresi Arsimor i Lushnjës dhe rëndësia e tij për gjuhën dhe arsimin shqip; Reka e Epërme përballë fenomenit të asimilimit gjuhësor e kombëtar; Thimi Mitko gjuhëtar, leksikolog e leksikograf i veçantë.

Në pjesën e tretë të këtij libri nxjerrin krye temat që kanë të bëjnë me fjalëformimin si një nga nëndisiplinat shkencore të gjuhësisë si dhe venerime të tjera në përdorimin e shqipes standarde në gjithë zinxhirin tonë arsimor.

Strukturalisht, pjesa e katërt e këtij libri përbëhet nga tri vlerësime (recensione) për vepra të botuara gjatë viteve të fundit.

Vepra e botuar ka 244 faqe. Ky është libri i pestë shkencor i prof. ass. dr. Sejdi Gashit.


3 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page