top of page

SHQIPTAR, O SHQIPO FITIMTAR!...


Vullnet Mato

SHQIPTAR, O SHQIPO FITIMTAR!... O klithmë e lashtë, mbi relievin me gërxhe të thepisur, ngurtësuar nga llava vullkanike ndan ujërave gadishullore! Pjellë e zanave, me ofshama mortore në gjokse stolisur, dhe kreshnikëve kordhëtar, gdhendur në epose shekullore!

Shqiptar, o lis, rritur shpateve, ku gurgullojnë me jehonë, përrenjtë e gurrave, nga burimet e përgjakura të etnive! O atdhetar, që të zbrazën në damarë qysh në embrion, zemërimin e vetëtimave kacafytëse, për gurët e kufijve!

O krijesë ngulitur nën Hënë netësh, me kollitje baruti,  dhe nën Diell agimesh flakëhedhës mbi kreshta epike, ku syri i akulluar, te shënjestra hakmarrëse e Kanunit,  kullonte në det, lotët e hidhur të breznive tragjike!...

O qeleshebardhë i sertë, mikpritës zakonor e bujar, vrastar për një pëllëmbë arë, mbi shkrepa e zallishte, ndarë mes rrëkeve të brazdave, të mbrujtura me zjarr, qysh nga rapsoditë e lashta, të legjendave kreshnike!...

Teksa thelloje rrudhat e dheut, rreth gurëve të varreve, ku flinin epigrafet e pavdekshme të amaneteve,  për të zgjatur përjetësinë fisnore, përmes ugareve, duke u hedhur stinëve farën jetëdhënëse të gjetheve;

Krismat e tua i kalibrove të arrinin deri në Lindje, ku të thërrisnin grindjet e përjetshme të profetëve, por veshët i mbaje, nga Perëndimi i mrekullive, ku shfletonin gjithësinë mendjet e ndritura të etërve;

Ku e gjete forcën, që frymën e ngjeshur në kraharor, e shfryve aq fuqishëm, nëpër të gjitha kontinentet, duke kapërcyer meridianët, si brazda shpatesh malor, për të arritur hapat e penguar, të dhjetëra vjetëve?!

Dhe shtrirjen e këputur, në perimetrin e trojeve arbërore, lidhe fort tek gjenealogjia e gjakut tonë të përbashkët,

për të bashkuar blerimet e ndara të degëve rrethore, në trungut e limfës së moçme, për njësimin e ardhshëm!...

Qëndresës tënde shekullore, tani prapë i ka ardhur radha;

ashtu si sprapse me shpatë hordhi të egra ardhur nga Azia,

ushtria jote ballëkrenare e shiringave, me bluza të bardha,

do sprapsi dhe ushtritë e padukshme, ardhur nga pandemia!

O Shqiptar, o shqipo fitimtar me shtatë zemra në gjoks

dhe me fijen kuqezi, të lidhur te këmba, për fluturime,

ta dish se cepin tjetër, me dhimbje lotësh, kur e tendos,

nga kjo anë, e ke të lidhur fort edhe tek zemra ime!...  

33 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page