Ndryshimi: Shqiptarët janë me rrënjë dhe kanë rrënjë fisnike
Fatmir Terziu
Isha në një shëtitje në një nga qytetet bregdetare në Shqipëri. Ishin ditët e pushimeve verore, dhe natyrshëm mundoheshim të gjenim kohë të takonim miq të shumtë, midis tyre shkrimtarë, poetë, studiues e krijues që i kemi ndeshur virtualisht dhe i kemi publikuar tek www.fjalaelire.com në Londër, por sikurse e cituam, disa dhe mjaft prej tyre nuk i kishim takuar ndonjëherë. Dhe në raste të tilla fjala vete tek fjala. Biseda shkon diku më thellë se vetë fjala… Pra, asokohe, më saktë kohë më parë, një nga ata që kisha njohur mes Fjalës së Lirë, e tashmë miku im më paralajmëroi, se nëse do të sfidoja historiografinë zyrtare, duhet të përgatitesha për luftë. Ai e dinte shumë mirë se për çfarë fliste, është historian dhe njeh një pjesë të madhe të shkencëtarëve tanë. Disa prej tyre miku im i konsideron njerëz të aftë dhe inteligjentë, të gatshëm për të pranuar të renë, por shtoi se ka studiues të tjerë të së shkuarës sonë, që kanë mbetur sikurse kanë qenë mendjemëdhenj, të kufizuar, nga ana tjetër, me ndikim.
Vendosa të kontaktoj me një studiues të gjeneratës së re në Tiranë. Isha kurioz të mësoja se si i shohin shkencëtarët e rinj gabimet e dukshme të mësuesve, profesorëve dhe mentorëve të tyre. Për ironi, bashkëbiseduesin tim e gjeta rastësisht në një muze, njeriu dukej inteligjent dhe nga biseda jonë kuptova se ishte i përgatitur mirë. Ne folëm për ngjarje të ndryshme nga e kaluara jonë. U bë e qartë për mua se historiani i ri ishte njohës i mirë i kronikave mesjetare. Kishte marrë mundimin të lexonte veprat e autorëve të vjetër.
Vendosa të filloj me "provokimet" duke pyetur se cila është arsyeja kryesore për të besuar se shqiptarët e kanë rrjedhën e tyre më të hershme në Ballkan? Historiani ngriti shpatullat i habitur dhe tha, „Epo, kjo dihet prej kohësh, në shekullin e … (e përtypi disi shekullin që kishte në mendje dhe foli) ka ndodhur një ndryshim i madh në kulturën materiale, toponimi dhe një sërë gjërash të tjera...“
I kërkova bashkëbiseduesit tim të ishte më konkret, por ai nguli këmbë se nuk ishte gjuhëtar dhe se shumë gjëra që i shpjegoja kishin të bënin vetëm me gjuhësinë, më tha ai. Siadoqoftë nuk ndesha në ndonjë agresivitet. Ai ishte i pritur të dëgjonte. I thashë disa gjëra specialistit të ri dhe e pyeta nëse ishte i njohur me to? Ai ngriti supet.
Unë buzëqesha dhe i shpjegova se më shumë se sot ka ardhur koha që të gjitha kërkimet dhe korrigjimet, pra ndryshimet e domosdoshme duhet të bëhen me baza shkencore dhe ballafaquese. Historiani i ri më vështroi dhe më tha: „Shiko, unë thashë që nuk jam gjuhëtar dhe nuk mund t'i komentoj …, sado interesante të jenë. Gjuhëtarët duhet të bëjnë një studim të hollësishëm dhe të vendosin për këtë çështje.“
Megjithatë, vazhdova me disa fakte të gjetura nëpër arkiva, me emra ndryshe, me toponimi e me mjaft materiale të rëndësishme dhe i thashë se dëshmia e tyre nuk mund të shpërfillet. Historiani dukej se ndjeu një pikë të dobët dhe tha me buzëqeshje: „Ky është një fenomen i njohur" "Pra, quhet arkaizues" - ndërhyra. "Një kombi i ri i është dhënë emri i njerëzve që kanë jetuar në atë zonë në kohët e lashta. Por së fundi, mund të jepen shumë shembuj, dhe kjo çështje duhet studiuar mirë. "
Specialisti i ri heshti për pak dhe, duke më parë me kujdes në fytyrë, më tha: „Nuk je njeri i rastësishëm, apo jo, duhet ta kesh planifikuar prej kohësh këtë bisedë?“
I thashë që e kisha përgatitur një diskutim të tillë prej kohësh, por ishte krejt rastësi që po e bëja me të. Gjithashtu i kërkova të jepte mendimin e tij për argumentet e mia. Vështroi përreth dhe tha në heshtje: „Shikoni, shkenca funksionon ngadalë, duhet shumë kërkime për të arritur tek e vërteta. Dhe ka edhe një gjë tjetër, ju e dini se atë që do të shkruajmë dhe do të themi e përcaktojnë njerëzit e tjerë. Ky është sistemi për momentin, unë duhet të qëndroj me të. Ju jeni të pavarur nga askush, veproni vetë dhe kushedi, një ditë mund të arrijmë marrëveshje.“
Ndonëse nuk mora përgjigje për pyetjet e mia, mbeta i kënaqur me bisedën, pashë se në brezin e ri të studiuesve ka edhe njerëz të zgjuar, por duart e tyre i ka lidhur sistemi. Nuk mora asnjë sulm ndaj meje, historiani u soll jashtëzakonisht i kulturuar, nuk e ngriti zërin një herë, nuk u duk me përçmim. Më e rëndësishmja ishte se ai tregoi vullnet të mirë dhe megjithëse nuk e pranoi drejtpërdrejt të drejtën e argumenteve të mia, ishte sikur të ishte vendosur një urë mbi të cilën e vërteta me kalimin e kohës do të udhëhiqte procesionin e saj triumfal...
Kjo e vërtetë do të rikthejë vetëbesimin tek ata që e kanë humbur atë. Por dhe tek ata që presin vetëm Nëntorin që të valëvisin Flamurin Kombëtar në zyrat ku marrin rrogën nga shteti. Siqoqoftë, kjo mendoj unë do t'u japë besim dhe forcë për të luftuar për një jetë më të mirë sikurse e kemi merituar me shekuj. Shqiptarët janë me rrënjë dhe kanë rrënjë fisnike. Pasardhësit e fisnikëve të parë do t'i tregojnë botës se shqiptari ende mund të rilindë dhe është në gjendje të ndërtojë një parajsë nga hiri!
Comments