NË 30-VJETORIN E MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE
PËR 8 VJETË TANI, SHQIPËRIA PA AMBASADOR NË VATIKAN – PSE?
Nga Frank Shkreli
Javën që kaloi, u shënua 30-vjetori rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Vatikanit, me 7 shtator, 1991. Njëkohësisht, ky vit shënoi gjithashtu edhe 300-vjetorin e vdekjes së Papës Klementit XI me origjinë shqiptare, nga ana e babait, i njohur ndryshe si Gjon Françesk Albani (Giovanni Francesco Albani). Në Korrik janë mbajtur seminare në Romë dhe në Tiranë, për të kujtuar këto dy përvjetore me rëndësi. Për më shumë hollësi mund të lexoni: Frank Shkreli: Papa Klementi i XI me origjinë shqiptare – mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve | Gazeta Telegraf
Por, ndërkaq, me datën 7 shtator, 2021, që është dita zyrtare e rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan, në portalin e Ambasadës së Shqipërisë pranë Vatikanit shënohet kjo datë se, “Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, 7 shtator 1991, përfaqësonte një stacion shumë të rëndësishëm në të cilin po hynte diplomacia shqiptare në rrugëtimin e saj të ri në marrëdhëniet me jashtë pas rënies së Murit të Berlinit dhe vendosjes së pluralizmit në vend.”
“Në të vërtetë marrëdhëniet diplomatike midis Vatikanit e Shqipërisë kanë një histori më të hershme që përpara sistemit të diktaturës komuniste, por që qeveria komuniste i ndërpreu marrëdhëniet me Vatikanin, me dëbimin e legatit apostolik Imzot Leone Nigris, si person të "padëshirueshëm", më datë 24 maj 1945”, thuhet në portalin e ambasadës shqiptare në Vatikan -- që në mungesë të një ambasadori fuqiplotë -- kryesohet nga e Ngarkuara me Punë, Majlinda Doda. Deklarata e përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Vatikanit, thuhet mëtej në portalin e ambasadës shqiptare, u mendua të bëhej publike nga të dy palët, më 7 shtator 1991, ku ndër të tjera shkruhet: "Selia e Shenjtë beson që marrëdhëniet zyrtare të vendosura me Shqipërinë do të jenë një avantazh për të dy palët, do t'i shërbejnë forcimit të lidhjeve dhe miqësisë midis tyre, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar...", thekson portali zyrtar o përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë në Vatikan.
Ndonëse marrëdhëniet diplomatike mes Vatikanit e Shqipërisë kanë një histori më të hershme shekullore -- që para periudhës së diktaturës komuniste -- ishte pikërisht qeveria komuniste e Tiranës ajo që ndërpreu marrëdhëniet me Vatikanin, me dëbimin e legatit apostolik, imzot Leone Nigris, si person të “padëshirueshëm”, më 24 maj të vitit 1945 – kur edhe filloi martirizimi i Kishës Katolike shqiptare due persekutimi i klerikëve të saj nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës.
Ndërkaq, javën që kaloi, në 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndёrmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë, në emër të Kishës Katolike të Shqipërisë, u shpreh Imzot Gjergj Meta, Sekretar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe ipeshkëv i Rrëshenit, me një deklaratë për Radio Vatikanin, në të cilën nënvijoi hapat drejt forcimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan -- përfshir vizitat e dy papëve në Shqipëri, Gjon Palit të II më 1993 dhe Papa Françeskut më 2014 -- por ai nuk anashkaloi as problemet që duhen zgjidhur në marrëdhëniet midis dy vendeve në këtë 30-vjetor, përfshir edhe mungesën e një ambasadori fuqiplotë të Shqipërisë në Vatikan, bosh ç’prej vitit 2013.
Me këtë rast, Imzot Gjergj Meta foli pozitivisht, por edhe realisht për ecurinë e marrëdhënieve këto 30-vjetë post-komunizëm midis Tiranës zyrtare dhe Vatikanit.
“Shqipëria dhe Vatikani kanë pasur gjithmonë një raport të mirë, një raport strategjik me njëri tjetrin. Dhe kjo qysh nga lashtësia, qysh nga kohët e hershme”, tha ai, për Radio Vatikanin. Imzot Gjergj Meta u shpreh se gjatë historisë ka pasur shumë momente dhe ngjarje historike të marrëdhënjeve Shqipëri-Vatikan, por klima që ekziston, marrëveshjet që janë arritur, përfshir ato juridike dhe ndërkombëtare, por edhe ato të brendshme, theksoi Imzot Meta, kanë qenë të një niveli shumë të mirë dhe të rëndësishme për Shqipërinë dhe për Kishën Katolike. “Dihet se shteti dhe populli shqiptar kanë tek Vatikani një partner të vazhdueshëm, një aleat të vazhdueshëm, edhe për aspiratën e tij për integrimin evropian, për zbatimin e të drejtave të njeriut, e kështu me rradhë. Mund të themi se në këto vite shkëmbimet e ndryshme që kanë ndodhur, e kanë pasuruar marrëdhënien midis dy vendeve”, vlerësoi ai.
Ndër çeshtjet problematike që mbeten midis dy palëve, i përndershmi Gjergj Meta përmendi mos pasjen e vazhdueshme prej 8 vitesh të një ambasadori fuqiplotë të Shqipërisë në Vatikan: “Sigurisht se duhet thënë se mungesa e një ambasadori të Shqipërisë në Vatikan qysh prej vitit 2013 nuk është një gjë që na bën fort nder ne si shtet, duke qenë se Vatikani, vazhdimisht, ka sjellë ambasadorë në Shqipëri dhe ne prej disa vitesh pra nuk kemi ambasador në (Vatikan). Jam i sigurt se po të kërkohet dhe po të kihet vullneti i mirë, mendoj se mund të gjëndet një zgjidhje e kënaqshme për të dy shtetet, por që është edhe përfaqsuese e denjë për shtetin tonë, një zgjidhje e kënaqshme për të gjithë ne”, ka theksuar përfaqsuesi i lartë i Kishës Katolike Shqiptare.
Një çeshtje tjetër, që sipas Imzot Gjergj Metës, shqetëson Kishën Katolike Shqiptare (por besoj edhe komunitetet e tjera fetare në Shqipëri – shënim i autorit), është çështja e pronave të tyre të konfiskuara nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Ky, “mbetet ende një problem i pazgjidhur -- çeshtja e këthimit të pronave Kishës Katolike, prona të konfiskuara gjatë regjimit komunist. Gjatë këtyre 30-viteve ka munguar vullneti për të gjetur në zgjidhje edhe për ato prona që ka pasur Kisha”, është ankuar Imzot Gjergj Meta. Ai shtoi se këto janë prona që nuk janë një qëllim në vetvete, se sa një mundësi që do t’i lejonin Kishës Katolike të kishte një autonomi të veten për të kryer ato veprimtari që janë në të mirë të popullësisë, në të mirë të vendit, qoftë veprat e bamirësisë, qoftë shkollat që ka në administrim, universiteti katolik e tjerë.
Megjithë këto çeshtje të pazgjidhura, Imzot Gjergj Meta u shpreh optimist për zgjidhjen e tyre, duke thënë se, “Mendoj se edhe këtu, nepërmjet atyre zgjidhjeve ligjore që ofron edhe vet marrëveshja Vatikan-Shqipëri, si për shembull krijimi i komisioneve ad hoc për çeshtje të veçanta. Do të ndihmonte shumë për zgjidhjen e këtyre ngërçeve, të cilat nganjiherë duket se i bejnë hije marrëdhënieve të mira Vatikan-Shqipëri”.
Më në fund, Sekretari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe ipeshkëv i Rrëshenit, i vlerësoi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Vatikanit në programin e Radio Vatikanin në gjuhën shqipe: “E them me bindje se këto marrëdhënie janë në nivelin më të mirë të përzemërsisë dhe të ndihmës reciproke të dy shteteve, me njëri tjetrin. Sigurisht, se duhet thënë se marrëdhëniet Vatikan – Shqipëri kanë shprehjen e vet më të mirë në angazhimin e katolikëve në jetën e shoqërisë shqiptare. Katolikët si pjesë themeltare e historisë së Shqipërisë, e shtetit shqiptar, e institucioneve shqiptare, e jetës shoqërore të përditëshme, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në trasnformimin e shoqërisë, të frymëzuar nga ato parime që vijnë nga jeta shpirtërore, nga ato parime që vijnë nga tradita e krishterë e cila ka elementë, ka shumë gjëra për të thenë e për të kontribuar në arritjen e mëtejshme të demokratizmit të vendit, në rritjen e mëtejshme të cilësisë së jetesës dhe të një shoqërie ku ka vend për të gjithë. Katolikët në Shqipëri kanë qenë mjaft aktivë në dialogun ndërfetar, në punë të ndryshme, në ndihmat dhënë familjeve në nevojë, qoftë në kohën e pandemisë, qoftë në kohë edhe më të vështira”, ka thenë Imzot Gjergj Meta në deklaratën e tij për Radio Vatikanin, duke uruar, njëkohësisht, në këtë 30-vjetor të marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan, që këto, ”marrëdhënie të vazhdojnë të jenë të mira, të vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme midis shtetit shqiptar dhe Vatikanit, sigurisht në të mirë të gjithë njerëzve, në të mirë të komunitetit katolik, në të mirë të shtetit shqiptar por edhe në të mirë të Selisë së Shenjtë”, ka përfunduar deklaratën e tij Imzot Gjergj Meta me rastin e 30-vjetorit të lidhjeve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Vatikanit.
Zakonisht, mungesa e një ambasadori fuqiplotë në një vend, sidomos për një periudhë kaq të gjatë si në këtë rast – prej 8 vitesh – tregon se shteti që nuk ka një ambasador fuqiplot në një shtet të caktuar – siç është rasti i Shqipërisë me Vatikanin – duhet të jetë i pakënaqur për diçka me vendin pritës, me politikat e tija, me sjelljet ose diçka tjetër. Ndërkohë, Ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit është e hapur dhe vazhdon veprimtarinë – por nuk është njësoj pa ambasador -- ndërsa drejtohet nga një e ngarkuar me punë, në këtë 30-vjetor të marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan.
Atëherë, ku qëndron problemi? Kush e pengon dhe PSE emërimin e një ambasadori të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Shqipërisë në Vatikan? Nëqoftse marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Vatikanit vazhdojnë të jenë, jo vetëm të mira, por të “shkëlqyeshme”, sipas Imzot Gjergj Metës, PSE vazhdon të jetë bosh karriga e Ambasadorit fuqiplotë të Shqipërisë në Vatikan – për 8 vjet tani?! Dikush në qarqet e politikës shtetërore, qeveritare e diplomatike në Tiranë duhet ta dijë se PSE mungon ambasadori fuqiplot i Shqipërisë në Vatikan – dhe kush e pengon emërimin e një ambasadori atje. Një pyetje që kërkon përgjigje nga autoritetet shqiptare në këtë 30-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Vatikanit.
Comments