top of page

Shqipëri utopike


Shqipëri utopike

Astrit Lulushi


Dalja nga një regjim, në vitet ‘90, ku çdo gjë kishte marrë ngjyrën e një partie të vetme, pamja përpara për shqiptarët shfaqej si ëndërr, tokë e ndaluar. Shpresat e tyre ishin për një demokraci plotësisht jo partiake, demokraci laike, që zhvendoste nga froni fenë komuniste.

Por regjimi u tregua tinzar. Pushteti i tyre nuk dorëzohej, por kalonte në duar më të sigurta. Para se të “rrëzohej” regjimi u mblodh dhe caktoi profetët e tij, i përhapi në mbarë vendin, që turma e verbër do t’u besonte. Ishin këta “baballarë” të cilë caktuan agjentët e tyre politikë, dhe bënë që gjendja të dukej shumë-partish, si e parë me kaledeoskop.

Profetët ofruan edhe një llogari të re të asaj se si Shqipëria do të bëhej. Karakteristika më e çuditëshme e historisë së shkruar shqiptare është sekularizmi i saj i plotë. Në të kaluarën, shumica e ngjarjeve që kanë nxitur kombet në projekte të vetë-përmirësimit kanë qenë histori për detyrimet e njerëzve ndaj një ose më shumë perëndive. Për pjesën më të madhe të historisë, kombet kanë pyetur veten se si paraqiten në sytë e Zotit.

Shqiptarët zakonisht kishin pasur një besim të veçantë, komunizmin. Kur kjo “fe” u përmbys ata përqafuan “shqiptarizmin” dhe vazhdojnë të mendojnë për veten e tyre si të jashtëzakonshëm a ndryshe nga çdo komb. Në portale e TV, kronikat e lajmeve i paraqesin ata herë të zemëruar, herë të vëllazëruar, plot mirësi, dashuri, durim, por kurrë të gjunjëzuar e mëkatarë. Njeriu krenar nuk e bën këtë për vete dhe as për kombin, por sepse ndjehet i braktisur, sepse nëse nuk kujdesesh për secilin nuk kujdesesh për asgjë.

Idealistë të vërtetë shqiptarë ishin ata atdhetarë që jetuan në shek 18-19, kur vetë Shqipëria s’ishte gjë tjetër veçsa një ide. Ata mendonin për një qëndrim tradicional midis fesë (për të pasur frikë nga diçka më e madhe se vetvetja), dhe nevojës për siguri (për të ruajtur kohën e për të hedhur poshtë rastësinë). Ata donin të krijonin shpresën për një Shqipëri pa elita, pa klasa, ku të evokuohej a ringjallej historia e kohës së shkuar - që kjo Shqipëri utopike të respektonte Zotin si objekt të pakushtëzuar të dëshirës dhe drejtësia shoqërore të ishte parimi i gjallë i vendit, shpirti i kombit. Fakti që ide të tilla atëherë nuk fituan ishte se ato lindën nga atdhetarë jashtë, ndërsa koncepti për një Shqipëri të pavarur nuk gjente dot tokë pjellore ku të hidhej.

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page