Puntorie Ziba
SHQIPËRI
Shqipëri moj,
ishe skelë varur në mendjen e rinisë time
dhe mbete përthyer në ninëza.
Vjedhurazi përfytyroja
të bardhën e faqes tënde
dhe mallëzuar vdisja nga një copëz.
Shqipëri moj,
ënjtesha në shpirt
nga frika se s’po ta marr ngrykë bijërinë
nga frika se s’po të shoh në asnjë kohë
e po pëlcas si syrëz
e po më pëlcet si syrëz.
RRËSHQANË
Po të ra me kalu nga dera ime
nga nata ime
që palohet me ditën,
ec rrëshqanë.
Po erdhe rrshqanë nga dera ime
n’majë kodrine
do ngjallësh gëzim n’sytë e shqyer,
do mërmërisësh në vesh të mureve
se rron tërbuem
qëkur m’shkele n’fat.
E PAQETË MBETA ME TË NDJERËN SYLVI PLATH
( Puntoria dhe Sylvia)
Edhe dielli mbet qorruar
edhe qielli se ç’u nxi,
hëna vetull vrenjtur
e paqetë ishte frymëmarrja
mes udhësh të këputura.
Andej kreshte
këndej sterrë,
shtrydhur në shpirt
ngujuar mes vargjesh
e gërvishtur
e nëmur
e paqetë
mbeta unë
me të ndjerën vjershëtore.
E paqetë mushkëri gërryer
e paqetë dhe e shpërfillur
e paqetë dhe e braktisur,
paqtë në kurm
dhe e paqetë
Puntoria e Sylvia.
Mes vargjesh
gjithë këto rè buzëmavi
gjithë këto dete,
ball trazuar
nga kollovar endacakë
pa pikë nuri.
Ah, të trazuara
bredhëse,
përtej hënës
gjetën plëng e shtëpi.
Veshur me dimër
mbathur me vjeshtë
me shpirt të ngecur
n’grykë vargjesh
Puntoria dhe Sylvia.
SHTIREM SIKUR FLE
Zhgërryhem në shtrat
kapakët e syve i mbyll,
shtirem sikur fle
e gjumi s’më thërret
e gjumi nuk më zë,
jorgani bëhet rrasë guri
rëndon mbi kurm
rëndon mbi qepalla
rëndon mbi kokë.
Dhe nisi me e gris
dhe nisi me e ngrënë,
me dhëmbë ia grimcoj leckat.
Kur bëj të fle
mbulohem me vitet e mia
dhe vitet më rëndojnë
dhe vitet më bëhen rrasë guri.
Unë vitet i gris
dhe ua shtrydhi mendjen
ua shtrydhi sytë
ua shtrydhi zemrën,
derisa del mushti i thartë.
Unë mushtin e ngas
e mushti shkumon
unë e pi mushtin
e gëlltis,
derisa thartohem
derisa idhëtohem
derisa helmohem
e mbetem pa gjumë
dhe vdes për gjumë
netëve leshra nxirë
netëve pa dritë.
KUR VDES QYTETI
Një verë e gjatë dhe e nxehtë
polli mijëra insekte
si derra të tërbuar perandorak.
Këta gojë çaraveshur
shituan shikimin
nga dritarja ime pasqyrë
e bërë pis me copëza fekalesh
nga kandrrat helmuese
kur çdo mëngjes zvetnohej
njëra faqe e qytetit.
Nga korrakamat pëlcitnin kafkat
dhe pikonin bulevardeve.
Eh, asnjë mendje e shëndetshme
nuk u bë gojë për çdo vesh…
Rrapëllima shurdhuese
nga fërkimi i çekiçëve
përzihej me zërat e ftohtë
të kandrrave zhurmëbërëse,
shalëgjata e shalëshkurtëra.
Ata, tej perëndimi
dremisnin muzgjeve të murrme
maleve përreth,
gjoja se flejnë
gjoja se janë krahë e këmbë këputura.
Në kupë të zhegut
gërvishtnin hënëzën e faqes sime
dhe nuk bënin asnjë çap tutje
larg parmaqesh.
Njerëzve snob
nuk u lëvizte qerpiku
kur kandrrat me helm në thumb
pickonin sy urtarësh.
Më sillni tërkuzë e kulpra
t’ua ndal hovin duarve
të skulptorëve milingona
e karakalecë të zhurmshëm,
se qyteti i skulpturave pa art,
po merr pamjen e dhomës së morgut.
KAM FRIKË ME U ZGJUE
Kam frikë me flejt n'dyshek leckash
kam frikë me u zgjue
e me i arnue andrrat e grisuna tan ditën
me qep e me shkep n’qoshe të errta
të shpis t’vjetrume,
e tuj arnue n’pikë t’sabahit
me dëgju zanin e hoxhës çallmëmadh
nga minarja
tuj i kallzue me rend
emnat e atyne që shpirti n’gjumë i ka lshu.
Kam frikë se mos kris rrufeja
mos gjëmon moti
e, i shtremnohet zani hoxhës
e, i zgjatet
e, i mbytet
dhe jep haberin e vdekjes tande,
e me çudit tan dynjan nga dhimta
me i honger thonjt nga dhimta
me e honger veten nga dhimta...
O, si me t’kërkue
e si me t’gjet n’bafçe t’qiellit
si me hek dorë nga vetja…
Ma shumë ma prish mendjen vdekja yte
se mushknia e djegun për një pik ujë
nga bunari i shterun n’lomë.
Kam frikë me flejt
kam frikë me u zgjue
e me e pa veten,vetëm
tu i fug penjtë e gjilponat
tu i lon andrrat e arnume n’gjys
tu heq dor nga t’mirat e dynjas
e tu i dal para maxhes shpis
tu kerkue miell me gatu kulaç ndorme
sa me mbajt një trohë shpirt
sa me u gzue që je gjallë
sa me u gzue që je n’komt tua
sa me fjarue
që çakërdis sytë e shterun
n’xham të burrit tretun n’dhé.
FRIKA ZË FILL TEK NE
( kudo ku jeton soji im)
(Ikin të rinjtë, ikin,
zorrë ënjtur shkulim cullufet…
Themelet zunë fill nga duart e babait,
por e grunjta bukë mungon ...)
Nën qeramidhet
e kullave të mynxyrshme
i frikshëm është zgjimi.
Për at Perëndi,
zorrë ënjtur shkulim cullufet
varur tëmthave
nga zëra ngurrues
që përplasen në kodër pas bregut.
Për turp, ju kënaqeni
ndër verëra të nxehta
e dimëra të bardhë,
të rinjtë ulur bankave për të nxënë
mbetën kallkan,
kandrra fjetur dru më dru.
Për turp, ju mbetet bisht ngrohur,
por, mes furtune filizat
bredhin për një copë kothere,
shpatullat ju ngelën varur hatullave të huaja.
Për turp,
nga soj kërpudhe
jermuar pritëm
qumësht zogu
ju thoni prerë,
të gjerbim helm.
Meqë brenda mjegullës së përhime,
n’ditë motmoti na shpërgjumët
në rrugë të huaja,
ju mbeteni pa trajtën e syve
pa trajtë vetullash
pa trajtë zemre,
pa ngjyrë…
Zeri poetik eshte nje ndjesi e shpirtit tend te dlire qe buron nga zemra e mendja jote poetike. Plot suptelitet. Plot melodi. Plot kenge qe vargun ten e lexoj dhe rilexoj dhe nuk mund te perthith ate ndjesine tende suptile qe buron nga Pena e nje mjeshtre qe me kujton Lazgushin dhe vetem Parade in e liqenin ku bashkohen drini I zi dhe drini I bardhe. Do te deshiroja te pijme lengun e jetes aty te Veleshta dhe Struga...