Dr. Shpresa Fundo Gjergji: "Lutje për shi”, e Fatmir Terziut, jo thjesht një poezi...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 19
- 5 min read

“Lutje për shi”, e Fatmir Terziut, është një poezi moderne, me imagjinatë e gjuhë të pasur, me metafora të shumta që bashkojnë elementë historikë, kulturorë dhe natyrorë. Tabloja poetike, që kjo poezi prezanton, është një atmosferë poetike e ndërtuar edhe me ngarkesë simbolike dhe ironike.
1. Tema dhe mesazhi: Që në titull, edhe në thelb, zbulohet se poezia trajton pritjen e shiut, por kjo "lutje" zgjerohet përtej një dëshire klimatike. Ajo, në mënyrë sa të rrjedhshme e të natyrshme, aq edhe të sofistikuar, fillimisht të duket se bëhet një lutje për freski, për pastrim, për qetësim shpirtëror. Në një mjedis të ngarkuar nga zhegu, nga zjarret reale.
Por nëse vështrimi analitik sheh brenda metaforizmës që ajo mbart, ndjen se nevojitet një ndërhyrje shpëtimtare, dhe kjo ndërhyrje kërkohet përmes metaforës së shiut.
2. Gjuha dhe stili: - Poeti përdor një gjuhë të ngarkuar me figuracion, ku përshkrimet janë surrealiste dhe shpeshherë edhe ironike. Lind pyetja në ç'mënyrë, si trajtohet kjo?! Gladiatorët, historikisht, përfaqësojnë figura heroike, burra të armatosur që luftojnë me dinjitet e krenari. Këtu Terziu i përshkruan me tipare si “të çmendur”, në pasazh (jo në betejë), dhe më qesharakja, "pa pantallona".
Pra ka një thyerje të pritshmërive, te vargu “retë gladiatorë të çmendur… pa pantallona”, krijon një efekt humoristik dhe absurd. - Personifikimet janë të theksuara: retë, dielli, kalldrëmet, kanarinat, në se vëmendja kërkon ti shohë, të gjitha marrin veprime dhe qëllime njerëzore.
3. Lidhja me realitetin dhe historinë: Referencat si Egnatia, Namazgjaja, Kalaja, Shkumbini, e veshin poezinë me një bazë toponimike shqiptare, duke e vendosur veprimin në një realitet të njohur, por të mishëruar në simbolikë.
- Mënyra si vetë historia ndërthuret me përditshmërinë, tregon një dialog mes të shkuarës dhe aktualitetit, ku rrënojat dhe vendet e shenjta nuk janë më të shenjta, por të zbuluara, të ekspozuara, si “të zëna në faj”.
4. Simbolika dhe kontrastet - Zjarri dhe shiu, dielli dhe reshjet, zjarrfikësit dhe kalldrëmet, krijojnë kontraste të forta, që mund të lexohen si konflikte mes njeriut dhe natyrës, mes modernitetit dhe trashëgimisë, ose mes shpirtit dhe shterpësisë shpirtërore. - Përmend këtu "Lutja për shi shprishet" e në fund sugjeron një dështim të lutjes, ndoshta për shkak të një realiteti që nuk ndryshon me dëshirë, por ka nevojë për veprim. 4. Gjuha jo e drejtëpërdrejtë dhe funksioni i saj në poezi Do të dëshiroja të ndalesha sa do pak te gjuha e figurshme dhe poetike në poezi, e cila ka brenda nëntekstin poetik. - Poeti duke përdorur personifikime, metafora, simbole dhe imazhe të befta, bën që gjuha e nënkuptuar mes tyre, të mbart më shumë kuptime sesa mund të thuhen me fjalë të thjeshta.
Konkretisht: • “Retë veshin taka të larta” , është një metaforë befasuese që krijon një imazh elegant, por të çuditshëm edhe të huaj për natyrën. Është një përmbysje ironike që shenjëzon edhe artificialitetin në një botë që ka humbur natyrshmërinë. Pra duket qartë se nënteksti poetik flet me gjuhë "terziane", një veçanti e spikatur e poetikës së autorit. • “Kalldrëmet e Egnatias… thërrasin zjarrfikësit” – rruga historike "flet", kërkon ndihmë... vërejmë ngultazi një figurë që përçon gjendjen alarmante të historisë së harruar api të përflakur. - Konteksti është më i gjerë se fjala Kjo gjuhë i jep lexuesit më shumë se një histori mbi zheg dhe pritje për shi. Në të vërtetë, ajo nënvizon një krizë më të thellë, atë shoqërore, kulturore, mjedisore, madje edhe shpirtërore. Pra, fjala “shi” bëhet simbol për pastrim, për zgjidhje, për shpresë, ndërsa zjarret e përmendura (fjalë për fjalë ose metaforikisht) janë shenjat e rrënimit. Këtu, absolutisht merr vlerë konteksti i cili sjell poetikisht një tabllo në përmasa më të gjera.
5. Çfarë vlere ka kjo për lexuesin? - Së pari do të thoja që kjo poezi sfidon interpretimin: Një gjuhë e tillë poetike me dimensione të thella sociale, kulturore (siç e kam theksuar edhe herë të tjera, vjen nga vet formimi kulturor e akademik briland i autorit - kemi të bëjmë me një autor të madh, personalitetet me përvoja të shkëlqyera për letërsinë dhe kulturën shqiptare në dekadën e fundit), e cila e detyron lexuesin të ndalojë, të mendojë dhe të zbërthejë kuptimin. Kjo krijon një marrëdhënie më aktive me tekstin ku lexuesi nuk është vetëm konsumator, por bashkëkrijues i kuptimit të asaj që lexon e percepton intelektualisht.
Konkluzion
Thellësia emocionale dhe intelektualiteti poetik Fjalët, vargjet, frazat që në pamje të parë duken të çuditshme apo të pabesueshme, në të vërtetë krijojnë emocione të reja. Ato shpesh prezantohen si të përziera, që nuk do të mund të ngjalleshin me një shprehje të thjeshtë e të drejtpërdrejtë. “Lutje për shi”, është një poezi e gjallë, e ndjeshme dhe jo vetëm kaq. Ajo shpesh është edhe tronditëse. Sepse pikërisht kjo veçori e fjalëve, vargjeve dhe frazave që duken të çuditshme apo të pabesueshme, është ajo që shërben për të krijuar emocione të reja dhe të pazakonta. Emocionet njerëzore janë të përziera dhe jo lineare. Realiteti që përshkruan Terziu është një botë në tension, me një natyrë që s’përmbush më funksionin e saj, me histori të zjarrtë, dhe shoqëri e zhytur në zhurmë.
Frazat e "çuditshme" pasqyrojnë kaosin, absurditetin dhe po ashtu bukurinë që ekziston brenda këtij realiteti. Në vend që të përdorë fjali të thjeshta për një botë të e nxehtë dhe të çoroditur, poeti thotë: “Kalldrëmet thërrasin zjarrfikësit”, “retë ecin mbi Namazgjaje me taka”, “zbulohen mure që shkëlqejnë si të zëna në faj” Të gjitha këto janë imazhe të përziera, por emocionalisht të forta. - Së fundi do të theksoja se e gjitha kjo lë një hapësirë për shumë interpretime, ndaj edhe unë pata vëmendjen të ndalesha te kjo poezi, e cila nxiti të flas gjatë... Edhe njëherë për ta përmbyllur “Lutje për shi” e Fatmir Terziut është një poezi që nuk flet hapur e drejtpërdrejt dhe lë vend për reflektim personal, për mënyra të ndryshme të leximit në varësi të përvojës, kulturës apo ndjeshmërisë së lexuesit. Përherë falenderime penës suaj të mençur Prof. Fatmiri, ju uroj shëndet dhe jetë të gjatë!
Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji
Vlorë 19. 06. 2025
LUTJE PËR SHI
Nga Fatmir Terziu
Kalldrëmet e Egnatias
kanë kohë që thërrasin zjarrfikësit
në terr
të ngjiten mbi mure lart në Kala
për të shuar një ferr.
Retë veshin taka të larta
ndërsa kalojnë nga Namazgjaja
ku harta
ka zbuluar mure të tjera të mëdhaja
mbi kryqe të arta
që shkëlqejnë si të zëna në faj
kur afrohen tek Kalaja
ftojnë diellin të pij çaj.
Kumuritë në të zbardhur
gëlltisin diellin në bark
si një monokël, me syrin e tij të hapur
shtrojnë telajo në park
ku kanarinat sqepzbrazur
pikturojnë dashuritë që ndizen zjarr.
Mëngjesi kështu ambushet ngadalë
zagushi nga orët e vona
Ullishtja përreth lexon këtë mesazh
e zbraz Shkumbinin me kova
retë gladiatorë të çmendur në pasazh
shfaqen mbi Godolesh pa pantallona.
Gjithëgjendja zbret mbi bulevard
kërcen Ederlezi afër Rrapishtes
Egnatia e dredh trupin e saj elegant
si bishti i bukur i dallëndyshes
bien pikat e para në asfalt
lutja për shi shprishet.
Comments