top of page

Shpresa Fundo Gjergji: Legjenda e Ishullit të Sazanit

  • Jan 23
  • 10 min read

 

ESE – Kapiteni i Dashurisë dhe “Legjenda e Ishullit të Sazanit”

 

Shkruar nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji

 

Nuk besoj në koincidenca… Kjo, për faktin e thjeshtë, sepse çdo përvojë më ka mësuar se rastësia është vetëm një emër për diçka, që nuk e kuptojmë ende. Jeta nuk ndodh rastësisht; ajo rrjedh sipas një logjike të padukshme, shpesh të çuditshme, shpesh të pakuptueshme për mendjen tonë të kufizuar. Dhe pikërisht në këtë çudi qëndron e vërteta e saj më e thellë.

Unë besoj se ekziston një energji që i sjell ndodhitë pranë njëra-tjetrës.  U zgjova herët atë mëngjes. Isha gjithë energji!

Mezi prisja të nisesha në atë mision që i kisha kushtuar aq shumë orë pune duke e studiuar e diskutuar atë projekt. Kisha vendosur ta shkelja vetë atë vend plot mistere, ku legjenda kishte hedhur rrënjë.

Kështu që përgatita çantën time, piva kafen si zakonisht, u vesha thjesht dhe dola për të mbërritur aty pranë bregut të detit, ku më priste një varkë e vogël, e cila e bënte këtë rrugë çdo ditë për turistët. Imshoq kishte kontaktuar me të zotin e varkës dhe ja ku gjendesha para saj, për t’u nisur drejt destinacionit tim, drejt ishullit të Sazanit. Prej kohësh e kisha menduar se pa i vizituar këto vende dhe pa i ndjerë nga afër ato valë të detit që gërryejnë pa pushim ato shkëmbinj, nuk do të çlirohesha dot e të shkruaja studimin tim mbi atë vend e për atë legjendë të famshme.   

Pa e zgjatur, takova pranë varkës të zotin e saj, i cili do t'më shpinte e do t'më kthente sërish. E kishim bërë plan me timshoq, ai do të vinte e të më priste në kthim. U përshëndetëm! Ishte një burrë i hijshëm dhe dukej miqësor. Më ndihmoi të hypja në varkë e sakaq vura re se ky burrë që drejtonte varkën duhej ti kishte mbushur të 70-tat. Por dukej se vitet s'kishin shumë rëndësi për të. Ishte i drejtë, trupmadh e me një buzëqeshje babaxhani… dukej se mbante të fshehur sekretet e një jete të gjatë. Duart e tij, të mëdha, të forta e të rrudhosura njëkohësisht, lëviznin me siguri mbi remat, ndërsa varka nisi të përshkonte ujin e qetë, sikur çdo valë e njihte dhe e nderonte. S'munda të depërtoja në shikimin e tij…, ai mbante syze dielli dhe një kapele që dukej si te filmi "Plaku dhe deti"... pak mjekër si detar i vjetër, i thinjur pothuajse krejt. Tek çanim ujërat e kripura, ai dukej i heshtur e fjalëpak.

***

Ky burrë i fortë e kishte kaluar gjithë jetën me detin. Me atë ishte betuar të dashurohej... nuk u martua kurrë. 

Dikur, në atë moshë kur djelmoshat dashuronin, edhe ai kishte dashur dikë. Asaj i rrihte zemra për këtë vlonjat shtathedhur e bukurosh. Por diçka e kishte prishur magjinë e tyre. Ajo u largua të shkollohej në kryeqytet. Ai vazhdoi studimet në Akademinë e Marinës, ku mbeti udhëtimeve në det.  E ndërsa u larguan nga njeri - tjetri, ajo njohu një mik të mirë dhe u martua. Kjo ndodhi jo se ajo e kishte harruar, por se ai u largua edhe më shumë. Udhëtonte me anije nëpër vende të ndryshme dhe takimet u bënë të pamundura.

 Ndoshta ky ishte fati që universi kishte programuar për të dy. Që atëhere ai nuk e kishte takuar kurrë më dashurinë e tij.

****

Ndërsa ndjeja flladin e detit, herë herë i hidhja ndonjë vështrim atij burri që çuditërisht as nuk mu prezantua. Unë u mjaftova me çka imshoq kishte biseduar, dhe e qetë po shijoja bukuritë e udhëtimit tim të shkurtër. Prej ditësh në mendje më sillej një emër, si një zë i lehtë që s’të lë rehat. Nuk kishte arsye të qarta pse po mendoja për atë njeri pas kaq vitesh. Thjesht më ndodhte ndonjëherë si një forcë e heshtur, që as nuk e shohim e as nuk e masim, por e ndiejmë kur diçka “përkon” në mënyrë të çuditshme me atë që kemi menduar, ndjerë, apo ëndërruar. Unë ia kam vënë emrin energji… Ajo lind brenda nesh dhe shtrihet përtej nesh. Si një fije e padukshme që lidh mendimin me realitetin.

Jeta, në këtë kuptim, nuk është një varg ngjarjesh të shkëputura, por një pasqyrë e brendësisë sonë. Mendimet tona nuk janë të pafajshme dhe as të padëmshme. Ato janë forma energjie që kërkojnë shprehje. Ato krijojnë rrugë, hapin dyer, ose i mbyllin pa zhurmë. Ne ecim brenda botës që ndërtojmë me mendje, edhe kur mendojmë se po jetojmë në një realitet të pavarur nga ne.

Shpesh pyes veten: a jemi ne që mendojmë jetën, apo jeta që mendon përmes nesh?! Ndoshta të dyja njëkohësisht. Sepse njeriu nuk është thjesht trup që lëviz në hapësirë, por mendim që kërkon kuptim. Dhe sa herë që mendojmë thellë, jemi duke krijuar; sa herë që besojmë fort, jemi duke thirrur; sa herë që dyshojmë, jemi duke shtyrë larg ato që dëshirojmë.

Kjo është çudia e jetës: ajo sillet si një bashkëbiseduese misterioze brenda koshiencës sonë e na përgjigjet me ngjarje. Na flet përmes njerëzve që shfaqen papritur, përmes humbjeve që na ndryshojnë, përmes përputhjeve që na tronditin. Dhe ne, shpesh, i quajmë këto koincidenca, sepse kemi frikë ta pranojmë përgjegjësinë që vjen me idenë se jemi bashkëkrijues të asaj që na ndodh.

Ndoshta, në fund, jeta nuk është e çuditshme sepse shpesh është e pakuptueshme. Është e çuditshme sepse është shumë e thellë për t’u shpjeguar me fjalë të thjeshta. Dhe ndoshta koincidencat nuk ekzistojnë, sepse asgjë nuk ndodh pa qenë më parë një mendim, një ndjesi, një energji që ka kërkuar të marrë formë…

Varketari ishte aty i heshtur, në varkë, i ulur pranë timonit duke e drejtuar atë drejt ishullit të Sazanit. Deti ishte i qetë, ai qetësim i rremë që zakonisht vjen përpara ndryshimit të motit. Ndërsa bëja ndonjë pyetje kot, seç pata një ndjesi të çuditshme, sikur diçka e njohur afrohet pa paralajmërim. Faktikisht mendoja parreshtur per legjendën, çfarë më shtyu kaq shumë të këmbëngulja të shkoja aty?! Ndoshta prisja se duke shkelur ato gurë, duke qenë në atë vend, do të kisha mundësinë ta përfytyroja legjendën, t’i kuptoja ato shkëmbinj që ishin dëshmitarë të asaj epoke dhe që i kishin rezistuar vetmisë në ishull, stuhive, erërave apo shirave të ftohtë që e përshkonin atë.

Po i afroheshim ishullit dhe çuditërisht varkëtari vazhdonte i heshtur, duke pirë një cigare uli kryet dhe më tha: ky ishull pret e përcjell shumë njerëz, turistë nga vende të ndryshme. Ndali pak dhe tha sikur ti kishte njohur të gjithë ata që sillte aty: të gjithë ruajnë të fshehtat e tyre dhe kërkojnë të dinë të fshehtat e këtij ishulli. Pastaj lidhi litarët te vendi ku ndalëm dhe zbriti i pari, u kthye me dha dorën të më ndihmonte të dilja nga varka. Unë e shkujdesur për pak, hodha këmbën nga anija, dhe bëra përpara. I thashë se do të vonohesha ndonjë orë e mos të bëhej merak. E doja vetminë time në këtë rrugëtim, jo se s'jam sociale, por kjo më ndihmonte në përqëndrim.

Ishulli kishte turistë e të ardhur të tjerë. Këtë punën e varkëtarit e bënin edhe të tjerë aty. Mendja bluante sikur të jetoja dy botë. Prisja se diçka do të ndodhte. Kisha një parandjenjë të çuditshme...vallë do të zbuloja dot atë ç’ka fshihte ky ishull, apo diçka tjetër do ta mbushte atë aventurë që sapo kisha marrë. Në veshët e mi rrëshqiste si padashur zëri paksa i ngjirur i plakut të moçm. E dija brenda vetes, se ai e dinte mirë legjendën. Ah sikur të qe e vërtetë, sikur dikush aty në ishull të shfaqej e të tregonte për atë plagë të hapur që rënkonte mbi këtë ishull të vetmuar. Legjenda tregon se qielli mbi Sazan nxin, edhe kur dita është e bardhë e me diell. Dhe mua më kumbonin në vesh këto, sikur vërtet plaku i moçëm i thoshte me zërin e tij, ja kështu:

“Ky ishull, nuk u mallkua nga Zoti.

 U mallkua nga njerëzit.

 Legjenda u shkrua në vargje:

 Edhe kur të bardha janë retë,

Në gjak derdhen rrëketë...

Gojëdhanat rrëfejnë plagë,

Është i mynxyrës thonë,

Ishulli me ëndrravrarë,

Ku veç kukuvajka shkon…”

Sazani jeton me këtë fakt - pëshpërita me vete dhe sytë e mi u drodhën, nisa të ndjeja dicka të cuditeshme.  Vështroja pemët, gurët, shkmbinjtë dhe më dukeshin si pa jetë, pa shpirt, të ftohtë, mister… dashuri e tyre kishte mbetur aty. Ndjeja zemrën që më trokiste fort. Më ushtonin në vesh fjalët rrënqethëse të këngës:

 

“Rendi vashëza e kërkoi sevdanë,

U end errësirës së natës,

Atje ku gjeti Sazanë,

Mbeti mes këngës e dallgës.”

Ajo muzikë e ëmbël e largët, vinte si jehonë e mbytur nga shushurima e valëve të detit. Anije të tjera, kishin sjellë vizitorë e turistë të shumtë. Ky ishull ishte kurreshtje e madhe. Më parë, aty spara shkelte këmbë njeriu, dhe mua më dukej se amaneti i legjendës kishte mbetur një amanet i hapur, që thërriste si oshëtimë e gjallë.

Dikur në kohën e komunizmit, ishte i mbyllur, pothuaj pa vizitorë dhe izolimi i shekujve e thelloi atë legjendë. Ushtri, bunkerë, ndalime të kohës së diktaturës, tela me gjemba, gjithçka që ta ndal frymën, aq sa heshtja zuri rrënjë të thella. Ishulli, që si perlë nga larg, rri kurorë e gjelbër mes detit, ndihej i izoluar, i mbyllur në brengat e tij, por rrëfimi i gojëdhanës nuk u mbyll kurrë. Isoja labe i dha zë dhimbjes pa e thyer. Sot, gurët e Sazanit po më dukeshin të ftohtë, dhe u rënqetha e tëra, sepse m’u kujtuan ato vite të brishta rinore të miat. Zemrën ia kisha lënë peng këtij deti…dhe kushedi sa histori të ngjashme fshiheshin brenda këtij misteri…

Legjenda vazhdonte më trokiste ndër tëmtha:

 

"Sazanë i gjor mbeti pa zë,

Mynxyra e vrau edhe atë!

Ajo me të bardha shetit mbi dallgë,

Mbeti baladë e gdhendur në plagë!"

 

Pemët fërfërinin, ishte një fllad që nisi të frynte pas dreke. Sazani, ky ishull me mistere, nisi të depërtonte shpirtit tim... Dikur, një vajzë e re reth 17 vjeçe, ah s’kam dashur kurrë ta tregoj, u dashurova me sytë e një marinari nga Vlora. Një djalë i gjatë, me shpatulla të gjera, me sy të ëmbël më kishte pikasur. Sa herë sytë tanë takoheshin, ai psherëtinte. Një ngjyrë rozë i derdhej mbi fytyrë dhe më pas humbiste në vështrimin e tij. Eh, atë kohë unë isha e lumtur! Si një flutur e bukur krahëlehtë, buzëqeshja dhe rendja për në shkollë. Mall kam për ato vite që i jetova për gjysëm. Marinari bjond i gjatë dhe bukurosh, më dilte përpara, aty ku nuk e prisja. Unë buzëqeshja e lumtur. Dhe nuk e di pse ky ishull pas 45 vjetëve martuar, më kujtoi atë dashuri të pajetuar. Atë dashuri që mbeti detit blu… Por jeta vazhdon dhe unë e kisha gjetur lumturinë time me bashkëshortin tim të mirë, babaxhan, të duruar, të respektuar e punëtor. Të dy tashmë i përkisnim njeri - tjetrit. Mendoja se gjithcka ishte kaluar…

Pasi u enda ishullit, u kujtova që duhet të kthehesha. Varka dhe varktari misterioz më priste. E gjeta ulur aty pranë varkës duke tymosur cigaren e tij, me vështrim detit ashtu i menduar, i qetë e i duruar. Edhe era sikur po bëhej e padurueshme dhe moti ndoshta po sillte shi. Re të zeza po vinin mbi ne dhe nxitova të nisesha sa më shpejt. Kishte ditë që moti ishte i paqëndrueshëm. Edhe varka nxitonte nga era më shpejtë. Ndjeva pak nervozizm tek varktari dhe mendova, thjesht nga moti. Ai vzhdonte t ishte pa fjalë dhe kjo më bënte të ndrojtur.

Më duket se shiun nuk e shmangim dot, - mu drejtua sikur të lutej që mos të mërzitesha.

Ça fati të kemi, - i thashë duke i buzëqeshur. – ai ngriti kokën dhe vështroi qiellin.

E ndjeva edhe unë, pikat e shiut nisën të derdheshin mbi ne, deti u errësua. Nuk e di, por nuk ndjeva frikë. Ndoshta sepse kisha ndjerë një farë siguri nga varkëtari, nga qetësia e tij…ai ndrkoh qe cigaren mbante në buzë, u ngrit dicka të regullonte aty në varkë, kur shiu e kishte seriozisht. U ngrita dhe unë e sapo i fola, ndoshta kishte nevojë për ndihmë, kthehu kokën rrëmbimthi dhe syzet e diellit rrëshkitën e ranë mbi kuvertën e varkës. Sytë e mi mbetën mbi sytë e tij…ishte një moment që më drodhi…ai ndaloi dhe më pa me ato sy që unë i njoha menjëherë, i njoha dhe ngriva për një cast. Nuk mund të përmbahesha, iu hodha në qafë, e shtrëngova fort…duart e tij të mëdha më mbështollën si për të më mbrojtur nga shiu. Nuk flisnim, mua më kishte ngecur fjala në grykë, vec mbaj mend që bashkë me shiun, lotët e mi nuk rreshtnin dhe ai më tërhoqi pas vetes, me puthi mbi flokë e më mbështolli brenda gjoksit të tij të stërmadh.

- Oh Zoti im! Çfarë ndodhi kështu?! Ç’të ishte vallë, ëndërr apo e vërtetë?! Vazhdoja në ngashërimin tim, brenda gjoksit të tij dhe ngrita sytë ta shihja më mirë, sikur të shuaja mallin tim që rëndonte vite e vite në shpirtin tim. Vura re se edhe ai i kishte sytë plot lotë. Kishim mbetur mes detit…vetem ne, si për ta sfiduar, për atë që na kishte rrëmbyer shumë vite më parë. As vetë nuk po e kuptoja se ku po na çonte rryma, por një gjë e dija mirë: shpirtin rinor ia kisha falur, zemra dhe mendja ime i përkiste atij që kisha patur në krahë gjithë jetën. Jetova ato çaste si të ishte një jetë e tërë e pasi e mblodhem disi veten, pa folur në krahët e njeri-tjetrit, po i drejtoheshim qyetit dhe shiu pothuaj kishte shterrur. Ai për mua do të mbetej Kapiteni i dashurisë!

Shi behari, - tha kapiteni, “kapiteni i dashurisë”, i tillë do të mbetej. Nuk e fajësuam njeri – tjetrin, veç malli na e mbylli gojën. Dhe duket se heshtjen e tij ky burrë ma dha edhe mua.

Të njoha që castin kur të pashë – tha ashtu qetë, duke më parë në sy e duke mi fshirë lotët. As vet nuk u besova syve, por veç dije që ti ke jetuar brenda meje, ajo vajza e bukur me sy zjarr. - Kaq arriti të më thoshte dhe lotët e mbyën, ndërkohë që më shtrëngont në gjoksin e tij.

Në breg më priste imshoq me mbesën e vogël. I pikasa që larg. U munduam mos të binim në sy dhe buzëqeshja ime erdhi vetiu. Mbesa ime ishte dashuri që na ngrohte e i gëzoheshim shumë. U përshendeta me varkëtarin, kapitenin e dashurisë sime, gjithashtu edhe imshoq dhe u larguam…

Tashmë e dija se takimi ynë nuk ishte koincidencë. Ishte një bashkim i heshtur i mendimit dhe i kujtesës gjatë gjithë kohës. Jeta nuk na i sjell njerëzit për t’i rikthyer aty ku ishin, por për të na treguar se çfarë kemi mbajtur ende gjallë brenda vetes.



Realizuar nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji

Sytë folën sërish (Kapiteni i dashurisë)

 – YouTube

 

U kthyem pas vitesh heshtur,

Malli më priti si det,

Plagë pa fjalë aty mbetur,

As koha vet s'mundi ti tret'.

 

Korrikut me diellin në sy,

Një varkë e vogël na priste,

Një shpresë e re shkrirë aty,

Deti i qetë, sikur flinte!

 

Refreni

Si dëshmitar na thërriste,

Me zë edhe heshtja foli,

Shkëmbi i ftohtë na shihte,

Edhe legjenda frymë mori.

 

Me plagë që koha dot s’i mbyll.

Dashuritë e vrara këndojnë,

Dikur marinar' i bukur si yll,

Dhe drenusha e tij, ëndrrat zgjojnë.

****

 

Nata i mori të dy në gji.

Dhe kjo legjendë më përfshiu,

Kur sytë e tu të mitë takuan,

Ata sy, oh, ç'të tradhëtuan!

 

Mes valëve që s’flenë kurrë.

Aty zemrat rrahën sërish,

Një marinar 20 vjeçar dikur,

Sot kapiteni dashurisë!

 

Refreni

 

Si t’më zgjonte kujtim' i vjetër,

Ky marinar i ri, sot burrë,

Një dashuri e mbetur pezull,

Mes detit e mbytur dikur!

 

Valët i ruajnë sekretet,

koha s’i merr dot me vete.

Aaa, dashuritë që s’u jetuan,

Kthehen në këngë e treten.

 

*****

Të dy u takuam në at' varkë,

Legjenda nuk vdes kurrë,

Kjo dashuria jonë e pafatë,

Me legjendën u shkrua në gurë!

 

Teksti nga Dr. Shpresa  Fundo Gjergji

Muzika nga Bruko Broadcast Radio

1 Comment


F. Terziu
Jan 23

Një shkrim i thellë, i ndjerë dhe plot frymëzim, ku dija, ndjeshmëria dhe kujtesa bashkohen bukur me mitin dhe realitetin e Vlorës. Dr. Shpresa Fundo Gjergji i jep Sazanit jo vetëm zë shkencor e letrar, por edhe shpirt, ndaj Vlorës i duhet pikërisht një dijetare e tillë.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page