top of page

Shpendi Topollaj: Zadeja kthen forcën e mendimit në aforizma



 

MARK ZADEJA E KTHEN FORCËN E MENDIMIT NË AFORIZMA

 

   I botuar plot 14 vite më parë, libri i mikut tim shkodran Mark Zadeja me titullin “Forca e mendimit”, për çdo lexues, jo vetëm që ka karakter të mirëfilltë edukativ e kulturor, por edhe të kujton sesa bukur e ka përcaktuar fjalën e urtë Thomas Fulleri, ndjekësi i kishës baptiste të krijuar nga John Smithi (1609), si një mendim të madh, të shprehur me pak fjalë. Në rrugëtimin e tyre krijues, zakonisht shkrimtarët i referohen si mitologjisë ashtu edhe thënieve të njerëzve të shquar (proverbave), ndër shekuj dhe kjo ia shton hijeshinë si prozës ashtu dhe poezisë së tyre. Janë të shumtë mendimtarët, deri dhe A. S. Pushkini që i kanë vlerësuar, dhe i kanë quajtur të arta fjalët e urta. Madje ishte Plutarku ai që shkroi veprën e tij “Apoftegma (sentenca shën. im), mbretërish dhe komandantësh”. E meqenëse jam këtu, po sjell një shembull nga beteja pranë Pavias e vitit 1525 kur Françisku i I - rë tha: “Gjithçka u humb përveç nderit”. Ose fjalët e Napoleonit para betejës në Egjipt: “Djema! Që lart këtyre piramidave, dyzet shekuj na vështrojnë”. Dhe ndofta ai që i përdori më shumë dhe më me sukses ato ishte novelisti e kritiku gjerman Helmut Heissenbuttel. Por është tjetër gjë kur fjalët e urta, apo aforizmat i gjen të gdhendura nga vetë dora e shkrimtarit, siç është rasti i autorit me prirje të theksuara filozofike Mark Zadejës. Ai vetë shprehet në libër se “Nga kokat e mençura përfitojnë të gjithë”. Dhe nuk janë pak këto thënie, por plot në 200 faqe, me një mesatare prej 15 të tillash në çdo faqe, pra rreth 300 të tilla që ndalen te morali, dituria, ndershmëria, miqësia, besnikëria, bujaria, maturia, durimi, toleranca, muzika popullore, shpirti, puna, ndihma ndaj të tjerëve, mirënjohja, e vërteta, guximi, liria, drejtësia, vullneti, talenti, gjenialiteti, paqja, arti, historia, ideologjia, paratë, sjellja, shëndeti, Atdheu e deri besimi te Zoti. Të gjitha këto në vetvete janë pjesë integrale e jetës njerëzore, pra në një farë kuptimi, kaleidoskopi i përditshmërisë tonë. Ato janë renditur jo të ndara në kapituj sipas përkatësisë (tematikës), por janë hedhur “rrëmujshëm”, ashtu siç i janë konturuar autorit në momentin e caktuar. Si të tilla, pra në larminë dhe shumëngjyrshmërinë e tyre, ato jo vetëm nuk janë monotone por edhe përmbajnë brenda tyre sinqeritetin e krijuesit. Se në fund të fundit, kanë dalë si nevojë e përsosjes së virtytit nga mendja, zemra dhe dora e një shkrimtari të virtytshëm. I vendosur prej një kohe të gjatë në Gjermani, dikush mund të thotë se përse lodhet kaq shumë ky autor për mbarëvajtjen e shoqërisë dhe marrëdhënieve mes tyre në Shqipëri. Por ja që edhe rilindasit tanë, sado që ishin larg atdheut të tyre, mendjen po tek ai e kishin. Këtë e tregon më së miri edhe e gjithë vepra e Markut në librat e tjerë të tij. Për filozofinë janë shkruar një pafundësi librash nga mendje gjeniale, por nuk duhet harruar konstatimi i Adam Mickijeviçit se “Nocionet më të vështira filozofike mund të shprehen me gjuhën e njerëzve të zakonshëm”. Këtë porosi ka pasur parasysh mesa duket edhe Marku në përpilimin e këtij thesari fjalësh të zgjedhura, nga të cilat, sa për të zgjuar kureshtjen e lexuesve po evidentoj: “Paratë e kopracit janë si nata pa hënë, askush nuk pret ndonjë gjë të mirë prej tyre”, “Kërko e kërko e do të gjesh diçka. Do të gabosh, po edhe do të mësosh”, “Je i lirë të thuash gjithçka, po rëndësi ka ajo që thua. Fol për ato çka di dhe hesht për të tjerat”, “Ah kjo miqësia, sa shumë ma gëzon shpirtin dhe zemrën ma bën sa një mal”, “Mbroje dhe shpalle të vërtetën, kështu do të jetë më mirë, edhe pse mund të kesh pasoja”, “Në mendjen tënde ruaj vetëm mësimet e dijetarit”, “Poeti merr nektarin e mendimeve më të larta dhe me magjinë e shpirtit të tij i ngre në piedestalin më të lartë”, “Unë e di se ndër gjithë zogjtë bilbili ka zërin më të bukur, porse edhe korbi thotë se e ka zërin më të bukur”, “Asnjë bukuri e kësaj bote nuk mund të matet me bukurinë e Atdheut”, “Kur nuk ia dalim të merremi vesh me njëri - tjetrin këtu në planetin tonë, si mund të merremi vesh me qëniet e një planeti tjetër?”, “Mund të jesh i zgjuar, por kur të mungon vullneti, nuk bën asgjë”, “Janë yjet ata që ta tregojnë rrugën nëpër natën e thellë”, “Gjeniu sheh më larg se lavdia e tij”, “Ka vlerë njeriu? Ka vlerë kur është njeri”, “Periudha e pasrevolucionit mbushet me kufoma”, “Diktatori merr jetë, libri jep jetë”, “Atje ku sundon frika, arti vdes” e kështu me radhë. Është e kuptueshme se autori i këtyre aforizmave, nuk është punishte e ftohtë dhe e pashpirt e fjalëve të urta: ai ndër vite ka studiuar gjersa është pajisur me aftësinë që filozofinë e zgjeruar, dhe tematikën që i servir jeta, t`i kthejë në aforizma, bashkë me ndjenjat dhe emocionet e veta,  gjithmonë me synimin se ato kanë brenda tyre vetëm të vërtetën dhe “...flasin për kulturën e një populli”. Dhe populli ynë, ndofta dikur i pashkolluar, historikisht ka pasur zgjuarsinë që në biseda të zakonshme dhe sidomos ndër oda burrash të thotë fjalë me ment, fjalë që kanë zënë vend, fjalë që kujtohen edhe sot e kësaj dite. Janë bërë përpjekje për t`i përzgjedhur e përfshirë nëpër libra ato, sikurse edhe nga mençuria botërore, por libra të tillë, të formuluara nga vetë autori, si ky i Mark Zadejës, kanë qenë të pakët. Prandaj ky libër ka shumë vlerë, ca më tepër se po përkthehet dhe do të botohet në gjuhën gjermane, ku do i bëjë nder intelektualizmit tonë. Se i tillë është edhe vetë Marku i cili veç profesionit si stomatolog, filozofisë, prozës dhe poezisë, merret edhe me pikturën, kritikën e artit, koleksionet e ndryshme e sidomos me filatelinë e numizmatikën, si për të vërtetuar atë që thosh mistiko - estetisti Novalis (romantiku) se “Intelekti është kuintesenca e të gjithë talenteve”. Nga ana e tyre, aforizmat, si pjesë e qenësishme e letërsisë, në vetvete janë art. Dhe ky art kërkon që ta bëjë njeriun sa më të mirë. Si të tilla, edhe për mendimet e kthyera në fjalë të urta të autorit tashmë të njohur dhe përherë me shqetësim qytetar Mark Zadeja, anëtar i përjetshëm i “Akademisë Europiane të Arteve”, vlen përcaktimi i Ludwik van Bethovenit se “Nuk shoh tjetër shenjë epërsie të njeriut përveç mirësisë”.   

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page