top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: REALIZIMI I ËNDËRRËS SË YMER BERBATIT




  REALIZIMI I ËNDËRRËS SË YMER BERBATIT PËR KOSOVËN E LIRË

                            (Rreth librit “Leximi i vetvetes”)


   Nuk e di se sa i njohur është prof. Ymer Berbati dhe vepra e tij në Kosovë, por e di mirë se ai për mua është njëri nga intelektualët atdhetarë më të shquar që ajo trevë shqiptare ka nxjerrë. I veshur me sqimë, i gjatë dhe mjaft i pashëm, i matur në të folur dhe me një shikim të butë dashamirës, ai të bën shpejt për vete dhe mjafton një takim i vetëm me të, që të të duket se e ke pasur mik prej një kohe që nuk mbahet mend. Mjafton vetëm kaq, dhe miqësinë me njerëz të tillë, nuk ka nevojë ta vësh në provë. Sa bujare tregohet ndonjëherë natyra, duke u dhuruar disave të gjitha cilësitë, vlerat dhe virtytet që i duhen njeriut për të fituar dashurinë dhe respektin e të tjerëve. Ka qenë fat që u pamë rreth njëzet vjet më parë tek ajo kafeneja pas Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, dhe pavarësisht se takoheshim shumë rrallë, sa herë vinte në Durrës, gjithmonë e kam quajtuar njërin nga miqtë e mi më të shtrenjtë. Qysh nga viti 1997 kishte botuar disa libra me poezi, romanet “Nëpër jetë”, “Kthimi i Beqir Çaushit”, “Çakejtë” dhe “Me urtarë të lashtësisë”, dhe plot pesë libra me aforizma etj. dhe kjo ishte më se e mjaftueshme për të kuptuar se ai ishte njëri nga shkrimtarët e talentuar të Kosovës që meritonte konsideratën më të lartë. Por, kjo konsideratë m`u dyfishua, kur aty nga fundi i gushtit, u takuam dhe më dhuroi librin e tij me rreth 500 faqe “Leximi i vetvetes”. Të kuptohemi: ai nuk ka pasur aspak si qëllim të zbatojë atë postulatin e famshëm “Gnothi seauton”, pra “Njih vetveten”, të gdhendur në ballin e hyrjes së tempullit të Delfit, atje në Fokidë, pranë malit Parnas. Ymeri, teksa i kishte kaluar të tetëdhjetat, duke i besuar një kujtese fenomenale, me ato që kishte parë dhe përjetuar, ndërmerr një mision të vështirë: t`u tregojë brezave fatin që e ndoqi vendin dhe popullin e tij nën pushtimin e egër serb. Ai në epilog shkruan se “Nuk desha që këtë “libër” ta mbyll në varr, pa e lexuar para atyre që janë e do të vijnë pas meje”. Ymer Berbati, tani në moshën e shtyrë, nuk kërkon as të mburret, as të duket, as të bëjë heroin dhe as të ngjisë shkallët e karrierës. Ai vetëm kërkon, ashtu sikurse ka bërë gjithmonë ndërsa ishe mësues, që me të vërtetat e tij, me shembullin që ndoqi në jetë, të edukojë sa të mundë ndjenjën e dashurisë për atdheun, historinë e lavdishme të tij, kulturën e trashëguar ndër shekuj, përqafimin e mendësive të reja, sidomos ato perëndimore dhe mbi të gjitha, kultivimin e ndershmërisë në ndërgjegjen e njerëzve, si faktor i rëndësishëm bashkimi e përparimi. Se vetëm kështu, njeriu në veçanti apo dhe një popull i tërë, do të dijë të ruajë të paprekur lirinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë.

Nga ana tjetër, ai ndihet krenar që gjithçka ka arritur e ka nisur nga hiçi, nga skamja e varfëria, nga përpuzja e deri burgosja, dhe pa pritur që t`u bëhet urë pushtetarëve dhe mendjemëdhenjve kokëboshë. Për të ka mjaftuar shembulli dhe fjala e mësuesve emërmëdhenj si Anton Çeta, Fehmi Agani, Zekeria Rexha e Ali Hadri e shokë, me të cilët ai krenohet. I tillë, do edhe ai të mbetet për nxënësit e tij. Ymeri e nis librin me gjetjen e rrënjëve të të parëve. Vetë ai ishte lindur në Gosë të Kavajës ku qe vendosur pas largimit nga Kosova familja e tij para çlirimit. Kur ai ishte ende fëmijë kishin ikur që andej për t`u kthyer sërish në Kosovë, duke marrë me vete kujtimet më të bukura, sidomos për mikpritjen që banorët i kishin rezervuar familjes së tij. Dhe sapo iu krijua mundësia, pra pasi erdhi demokracia, nuk ngurroi të takonte Berbatët e Tropojës. Dhe ata që gjeti e pritën me mall. Nostalgjia që ruante në shpirt, bëri që edhe në Gosë të shkonte dhe të takonte ata që kishin mbetur nga koha kur kishin banuar atje. Ymeri, ndoqi fillimisht hoxhën e fshatit, por kur pa se ai ishte sa i paditur, aq edhe një farë mashtruesi, e kuptoi kotësinë e ndjekjes verbërisht të dogmave fetare dhe këmbënguli që të shkollohej. Ishte ende i parritur kur iu desh të udhëtonte shpesh i vetëm, në borë e acar për të kapur orën e mësimit. E kishte kuptuar se që të ishe dikush në jetë, pra i dobishëm për vete, familjen, shoqërinë dhe atdheun, dukej të arsimoheshe. Ai më pas e kuptoi se librat dhe vetëm librat ishin ato që të pajisnin me kulturë dhe të bënin njeri me karakter të shëndoshë. U mor me veprimtari sportive e letrare dhe nuk reshti së bredhuri në gjirin e natyrës, zakon që nuk e ka harruar edhe tani që vitet i rëndojnë mbi shpinë. Te malet, pyjet, lëndinat ai sheh bukuritë e Kosovës, atje ai shplodhet, ripërtërihet e frymëzohet. Ymeri qysh në rini i ka dashur dhe ndihmuar shumë shokët e tij. “Nuk prita ndonjë zgjatje dore, - shkruan ai - por ua zgjata dorën të gjithë atyre që kishin nevojë për mua”. Dhe mbi të gjitha, ai mbeti përherë mirënjohës ndaj të tjerëve që në rrethana të vështira, i qëndruan pranë. Shokët e miqtë ai i konsideronte vëllezër, sikurse nuk i mungonte guximi t`i japë përgjigjen e duhur çdo provokacioni e fyerjeje nga kushdo qoftë ai: nxënës shkolle serb, mësues serb apo nëpunës i administratës serbe. Janë shumë domethënëse tregimet “Xhamat e “përgjakur” dhe “Pllaka e thyer”, ku bëhet fjalë se edhe pllakën te dera e shkollës e Likocit me emrin “Azem Bejta” e kishin coptuar e hedhur në baltë. “Dhembja dhe pikëllimi për pllakën e thyer më pikëllon përjetë”. Serbët edhe fëmijëve të tyre u kishin futur urrejtjen ndaj shqiptarëve. Por mbi të gjitha, ai admiron ata që e kanë të zjarrtë brenda shpirtit të tyre, ndjenjën e lirisë dhe të përpjekjeve deri në sakrifikim për ta fituar e ruajtur atë. Ndaj dhe do e gjeje atje ku ishte reagimi i shqiptarëve kundër shtypjes e padrejtësive. Duke ditur se për të tillë burra është shquar Drenica, ai derdh në letër gjithë dashurinë e tij për zemrën e saj, Prekazin dhe për ata njerëz të pamposhtur. Ja se me çfarë fjalësh plot ndjenja na e përshkruan ai “... Prekazi është një copë toke shumë e vogël, që lind burra të mëdhenj, burra dragoj me fletë. Prekazi është vullkan i amshueshëm, një vullkan që shpërthen sa herë kalorësit e largët mësyjnë truallin tonë. Në Prekaz jetojnë njerëz, që nga brendësia e tokës së tyre marrin fuqi për t`i mbrojtur me gjak vetrat e shtëpive. Po, Prekazi është kërthiza e atdheut, shkëndija e të gjitha lëvizjeve në kohë të turbullta, kur atdheut i kanoset përmbytja. Po, kjo copë tokë e zjarrtë, që quhet Prekaz, është Piemonti shqiptar, ku nuk u ndalën luftrat, betejat kundër pushtuesve, e sidomos kundër pushtuesit serb. Prekazi është vendi që nuk njeh robëri, ku liria kurrë nuk shuhet në zemrat e njerëzve”. Atje kanë lindur shumë trima që nuk u bënte dritë syri, dhe atje ai vend u shenjtërua, pasi aty lindi, jetoi e luftoi dragoi mbi dragoj, Adem Jashari që u sakrifikua me gjithë familjen e tij të stërmadhe, për të ndezur rezistencën heroike të UÇK - së, që sëbashku me forcat e NATO - s me SHBA në krye, sollën lirinë e shumëpritur. Dhe ja fjalët lapidare të shkrimtarit: “Jasharët ranë, por Jasharët jetojnë”. Jetojnë se me aktin e tyre bënë epope. Në librin e tij, që më shumë se sa kujtime, të bëhet se po lexon një roman epokal, parakalojnë lloj - lloj personazhesh, që nga ata besnikët e vendit të tyre, pra njerëzit e idealeve të larta, edhe nga ata që shpirtin ja kanë shitur shejtanit për përfitime e favore apo refugjatë që nuk i përgjigjen si duhet kujdesit të italianëve. Pasazhet ku përshkruhet masakra e ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, me urdhër të kasapit Millosheviç dhe kriminelë si Arkani në krye, janë plot vërtetësi, aq sa lexuesi beson se i ka parë me sytë e tij ato mizori. Edhe më parë, ai na jep skena rrëqethëse kur formacionet partizane, vihen në shërbim të Titos dhe vrasin pa të keq vëllezërit e tyre në rrugë e oborre shtëpishë, çka i detyron edhe ata t`u përgjigjen po me armë. Pra, kur u nënshtrohesh të huajve, këto do të jenë rezultatet edhe pse shumë të dhimbshme; do vrasë vëllai - vëllanë. Kapituj mjaft të rëndësishëm pas peripecive dhe vuajtjeve të shkaktuara nga përzënia prej policisë e ushtrisë serbe, zë mikpritja e popullit dhe administratës italiane, ku Ymeri me gruan e tij tashmë të ndjerë Nailen, një shqiptare dhe veprimtare e rrallë për emancipimin e gruas kosovare, shkuan dhe qëndruan deri sa lufta mori fund. Menjëherë, ata i panë vlerat e mëdha intelektuale dhe njerëzore të tyre dhe e caktuan Ymeri Berbatin si përfaqsues të kosovarëve në kampin e pritjes. Ata kur mësuan se ai ishte dhe poet, e përfshijnë në takime, konkurse dhe festivale të ndryshme. Dhe kur konstatuan erudicionin e tij dhe interesimin e tij të madh për kulturën italiane, e sidomos për atë arkeologjike, e shëtitën qytet më qytet dhe e pritën me gjithë të mirat nëpër shtëpitë e tyre. Askund më parë nuk është përshkruar kjo mikprije dhe dashamirësi e italianëve, sesa në këtë libër, gjë që ta shton respektin për ata njerëz të qytetëruar e zemërbardhë. Ymeri, nuk ngurron të shprehë keqardhje për faktin se vlerësohej më shumë në vend të huaj sesa në atdheun e tij. Po ashtu atje, ai viziton qytete dhe fshatra arbëreshe ku ngazëllehet jo vetëm nga dashamirësia dhe ruajtja e traditave, zakoneve e gjuhës prej tyre, por edhe nga liria me të cilën qeveritë e atij vendi u kishin garantuar atyre. Bukuritë e Italisë janë marramendëse, por Ymer Berbati, mendjen e kishte tek ai pluhuri i dashur i Kosovës së tij, ndaj dhe kthehet në Kosovën tashmë të lirë, ku jo gjithçka shkonte siç e kishte dashur. Megjithatë, ai po aty marton të birin Tomorrin me vajzën e mirë Teutën, ditën e shpalljes së Pavarësisë, pra më 28 Nëntor 1999, duke rregjistruar kështu të parën dasmë të pas luftës në tërë Kosovën. Në libër, ky autor bën fjalë edhe për shpërdorimin që shpesh herë i bëhet lirisë së fituar me gjak, pasi korrupsioni dhe sjellja e padenjë ndaj popullit tënd, nuk i nderon ata që e drejtojnë atë. Gjithashtu, ai është i shqetësuar për largimin nga vlerat e vërteta kulturore dhe rendja pas imitimeve vanitoze që nuk i thonë asgjë njerëzve të thjeshtë. Indinjatën e tij për këtë, ai e shpreh haptazi: “E tërë kjo shtrëngatë antikulturore evropiane e antikombëtare, u shfaq për shkak të paaftësisë kulturore të shoqërisë shqiptare, e cila nuk ishte në nivelin për ta penguar këtë dukuri antikombëtare të pasluftës, duke shfrytëzuar lirinë e demokracinë. Mësuesit, profesorët e intelektualët dhe, para së gjithash, politikanët para këtyre dukurive silleshin si të përgjumur, duke mos parashikuar pasojat që do të sillte pluhuri aziatik për Kosovën dhe për shqiptarët në tërësi”. Me këto kujtime të shkruara plot elegancë, sinqeritet dhe gjuhë të ëmbël e korrekte, çka na thotë edhe për punën plot përgjegjësi të bërë nga redaktori Sulejman Dërmaku, Ymer Berbati, na jep jo thjeshtë jetëshkrimin e tij, por atë të një populli të tërë. Këtu, ai nuk lexon vetveten, por këdo si vetvetja. Ndaj do të ishte e nevojshme që të ketë sa më shumë lexues. Se libra të tillë, do të ishte e domosdoshme t`i njihnin edhe politikanët e huaj, se vetëm kështu do të ishin të drejtë në kërkesat, sugjerimet dhe vendimet e tyre. Vetëm kështu do të përkrahin çdo nisiativë të qeverisë së Kosovës, për ta shpënë vendin drejt përparimit, pa qënë nevoja t`i bëjnë presion për lëshime asaj, duke u buzëqeshur e duke marrë me të mirë agresorët e ndërsyer nga politikani me dy faqe Aleksandar Vuçiçi. 

20 views1 comment

1 Comment


Guest
Sep 15

Urime Shpendi! Urime edhe Ymer Berbatit, autorit të librit. Njo libërqë duhet lexuar e ngulitur në mendje dhe në zemër të çdo shqiptari, pasi është historia e gjysmës së kombit. Sa për politikanët e Evropit, as mos të shkojë mendja se e lexojnë. Ata, as më shumë e as më pak janë ca nënpunës që s'e vrasin mendjen për hallet dhe tragjedinë e pëpujve të tjerë. Vallë e ke menduar ndonjherë, kujt i japin llogari veç interesit vetjak....!? Atyre u intereson rroga e majme. Mos o zot të ndodhë, ajo që unë mendoj...! Ajo që s'duhet të ndodhë. Po përsëritet viti 1913, ku viset shqiptare janë bërë plaçkë për t'u këmbyer.

Shpendi të përgëzoj për guximin dhe mendimin e pjekur,…

Edited
Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page