top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: Pena e gjithëkohëshme




 

  Pena e gjithëkohëshme e Ismail Kadaresë!

(Rreth romanit “Darka e gabuar”)

 

   Edhe pse shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare në të gjitha romanet e tij ka vendosur kohën, duhet pranuar se po të nisemi nga vlerat e tyre universale, anën artistike dhe mesazhet që ai na jep, ato janë të pakohë. Ose më e drejtë do të ishte të thoshim, se janë të gjithëkohëshme.

Kanë kaluar vite nga botimi i romanit “Darka e gabuar” (2008), dhe si çdo krijim tjetër i dalë nga mendja dhe dora mjeshtërore e tij, ai përcillet ngrohtësisht nga masa e gjerë e lexuesve tanë.

 Atdheu në jetë të jetëve, do t`u jetë mirënjohës atyre bijve dhe bijave që me penën e tyre, por dhe me zemrën e ndezur flakë nga dashuria për të, na dhanë vepra të pavdekshme. Dhe midis këtyre njerëzve që kanë lënë dhe po lënë gjurmë të pashlyeshme në përparimin e kulturës tonë, një vend të veçantë zë padyshim Ismail Kadareja. Madje nuk do ta tepronim aspak po të shtonim se ai një vend të veçantë zë edhe në tërë letërsinë botërore. Jo më kot kritikë letrarë dhe personalitete ndërkombëtare me shumë emër dhe të paanshëm, e kanë vlerësuar atë me entuziazëm të jashtëzakonshëm. Kështu Alain Bosquet e ka quajtur “...pa dyshim shkrimtari më i shumanshëm i kohës tonë”, Bruce Bawer e ka konsideruar ... “Një nga romancierët më të shquar të kohës sonë”, Guillaume Allary ka thënë për të ... “më i madhi shkrimtar i gjallë i kohës”, Shusha Gyppu e ka krahasuar me Gogolin, me Kafkën, me Orwellin, për të shkuar te vlerësimi i “Magazine litterature” që shkruan (për të mos thënë se ulëret) “Ka ardhur koha që Kadareja të marrë çmimin që meriton... Jepjani Kadaresë çmimin Nobel!”

   Me këtë thirrje të sinqertë, patjetër që bashkohet edhe zëri ynë. Se për të qënë plotësisht objektiv, duhet pranuar se po lexojmë disa nobelistë këto vitet e fundit, pa tjetër shkrimtarë shumë të mirë, por larg, shumë larg Kadaresë tonë.

   Këtë që po them, e vërteton në mënyrë të padiskutueshme edhe  “Darka e gabuar”, botuar nga Onufri.

   Kur disa dekada më parë u botua “Kronikë në gur” jo vetëm u mrekullova, por dhe thashë me vete se për Gjirokastrën, pra për shtëpitë që duket se qëndrojnë njëra mbi tjetrën, për ata sokakët me kalldrëm të saj, për plakat që edhe pse i kishte harruar vdekja, përsëri shihnin filxhanët e kafesë, për ata burra të mençur, por dhe për ata të marrë që çuditërisht dukeshin po aq të mençur, për çamarrokët që luanin qysh atëherë duke folur “kundra”, për pushtime të pafund e kundëvënie etj. etj. ndodhira mbresëlënëse, janë thënë të tëra.

   Prandaj, u habita kur pashë se edhe ngjarjet pas asaj darke të harruar, për të mos thënë të mallkuar, zhvilloheshin po në këtë qytet. Por Gjirokastra, paska qënë një minierë, ku thesaret e fshehur në vetvete, nuk paskan të mbaruar. Dhe kuptohet që thesari më i madh është vetë biri i saj, Ismail Kadareja.

   Në një farë kuptimi, “Darka e gabuar” s`është tjetër veçse vazhdimi i “Kronikës në gur”. Se pak a shumë është po ajo atmosferë, ai mentalitet, ajo psikologji, herë - herë dhe po ato personazhe. Gati - gati, në këtë vazhdimësi, jemi para një dilogjie.

   Ngjarjet vërtiten rreth fatit të dy doktorëve që rastësisht kanë të njëjtin mbiemër dhe për t`i dalluar i thërrasin: Gurametua i madh dhe Gurametua i vogël. Të dy janë kirurgë, por kanë studiuar respektivisht në Gjermani dhe në Itali, dy vende që njëri pas tjetrit e pushtuan Shqipërinë. Prishja e këtyre dy aleateve, pas kapitullimit të ushtrisë italiane, duket se do të ndiqte dhe rrugët e Gurametove, që në të vërtetë ishin të interesuar vetëm të bënin sa më mirë punën e tyre, në shërbim të të sëmurëve. Mirëpo kjo nuk u vërtetua, siç nuk u vërtetua edhe parashikimi i thashethemexhinjve, që këtij qyteti nuk i kanë munguar kurrë, për shemërimin e tyre. Rrugët e tyre në fillim ngjanin me dy paralele që nuk do të takoheshin asnjëherë, por ja që paradoksi i një pushkatimi absurd, i bashkoi. Në fakt ishte paradoksi i kohës që erdhi, pas mbarimit të luftës së dytë botërore, paradoks që në penën e Kadaresë merr përmasat e një grotesku që i përdorur dikur nga Rableja (“Gargantua e Pantagryel”) dhe Shçedrini (“Historia e një qyteti”) i ka dhënë aq forcë “Kronikës në gur”.

   Në ndërthurjen e këtyre ngjarjeve, në alternimin e reales me fantazinë, në përshkrimin e personazheve në raport me kohën, në ballafaqimin e shpresës me zhgënjimin, në shfaqjen e urrejtjes, në miratimin servil ndaj demagogjisë komuniste, në nënshtrimin e të gjithë kampit socialist ndaj tekave dhe etjes për pushtet e lavdi të “babait të popujve” Stalinit, në organizimin e kobave nga më të pabesueshmet të atyre që krenoheshin se ishin nxënës të Xherxhinskit (të cilët edhe palltot i mbanin të gjata si ai) apo në luftën që administrata e re u kishte shpallur zonjave hijerënda të këtij qyteti kapriçioz, duhet vetëm mendja gjeniale e Kadaresë për të na dhënë një kryevepër si kjo e cila duhet pranuar se qëndron shumë më lart nga çdo pikëpamje, se të gjitha botimet e tij artistike të viteve të demokracisë, që realisht janë mirëpritur edhe jashtë vendit.

   Ka qënë fat për gjithë letërsinë shqipe që shkrimtari ynë më i talentuar, nuk i ka besuar kurrë ideologjisë komuniste, ashtu sikurse dhe kjo e fundit, për asnjë çast nuk i ka zënë besë atij. Jeta dhe vepra e tij, për këdo që do të kuptojë, flet fare qartë për këtë. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe me një mendje kaq të ndritur. Në tërë historinë botërore, vështirë që të gjendet një i barabartë me të që me bindje të ketë mbështetur diktaturën. Për këtë Kadareja ka merita të pallogaritshme. Por njëkohësisht nuk duhet nënvleftësuar edhe fakti se porsa komunizmit po i merreshin këmbët, ai shpejtoi për t`i dhënë atij të shtyrën. Ismail Kadareja, mbajti pa asnjë hezitim anën e të vuajturve. Të atyre që u persekutuan, u pushkatuan, u burgosën, u internuan dhe u përçmuan për “arsye” biografie. Ai ju gjend atyre në krah, kur ata kishin më shumë se kurrë nevojë për fjalën e tij të mençur e të guximshme. E dëshmon këtë fare mirë e gjithë krijimtaria e tij e këtyre tridhjetë e ca viteve të fundit. Kadareja, duke qënë plotësisht properëndimor, synon t`i thotë perëndimit se i tërë populli ynë është me ta. Vendosja e komunizmit qe një aksident tragjik, për të cilin nuk duhet fajësuar populli. Një aksident që na ndëshkoi rëndë. Bota demokratike duhet t`i vlerësojë vuajtjet, sakrificat dhe privacionet tona. Në këtë linjë është shkruar “Darka e gabuar”, ku askush nuk deshi t`ia dijë se gjatë asaj darke që shtroi për atë që doktor Gurametua i madh e quante shok shkolle, pra për kolonelin Fritz von Sshwabe, ai arriti të shpëtojë jetët e aq e aq burrave pengje që prisnin të pushkatoheshin për goditjen që i qe bërë pararojës së ushtrisë gjermane. Doktor Gurametua nuk qe Atenatori mitologjik. Ai nuk qe as centauri Foli, tek i cili u prit për darkë me gjithë të mirat Herakliu gjatë rrugës për në Epir dhe që e pagoi shtrenjtë hapjen e shakullit me verë, me jetën e shokëve të tij. Asnjë dëm nuk solli darka e Gurametos së shkretë që më pas të lidhur për dore me të njëjtën prangë me Gurameton e vogël, u përplasën te Guva e Shanishasë në kalanë - burg të Gjirokastrës, gjersa dy hetuesit e pashpirt Shaqo Mezini dhe Arian Ciu u morën jetën.

   Edhe pse ashtu si te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” Kadareja në ekspozicion të drejtë na përgatit për rrjedhën e ngjarjeve, përsëri ardhja e hetuesit të Stasit gjerman apo atij rus, janë befasira mjaft të këndshme. Futja e çifutit Jakoel dhe synimi për të zbuluar komplotin e madh “Xhons” nga ana e gjithë zbulimeve të kampit socialist, komplot i cili kërkonte të zgjidhte enigmën e bluzave të bardha, janë gjetje që e ndërkombtarizojnë këtë roman. Gjuha e përdorur pa gorgorizëm, pra pa kujdes të tepruar në të shprehur, për të krijuar tingëllim artificial, por eufonia e njohur e Kadaresë e ëmbëlsojnë akoma më shumë këtë libër. Fjala e këtij autori dhe gjuha e personazheve, këtu shkrihen në një të vetme.  

   Njihet tani teknika e trillimit që përdor një shkrimtar në veprat e tij. A ka rëndësi të pyesim se për kë bëhet fjalë kur përmendet Gurametua i madh fjala vjen? Këtu Kadareja nuk po bën histori. Atë e vlerëson, e nderon apo stigmatizon tjetër kush. Këtu jemi në letërsi dhe sajesat janë plotësisht të përligjura. E them këtë pasi më ka bërë përshtypje zelli i ndonjë gazetari në fillim, për të gjurmuar nipër e mbesa apo bashkëkohës të cilët thonin të shqetësuar se Ismaili na ka përmendur pa të drejtë gjyshin. Dhe e  thoshin këtë duke pohuar se nuk e kanë lexuar akoma librin. E para, tani që do ta kenë lexuar, besoj se kanë parë se në qoftë ai gjyshi i tyre, ai mbetet njeri i respektuar. E dyta, njerëzit janë akoma gjallë dhe për atë gjysh flasin me fjalët më të mira. E treta, ne nuk kemi përse t`i kërkojmë shpjegime shkrimtarit për trillet e tij në funksion të veprës, pasi kështu i takon shumë vetave të gjejnë diçka nga vetja apo nga stërgjyshët e tyre.

   Kadareja shkruan siç e ndjen ai; ai del në krah të atyre që duhet t`u dalim të gjithë ne. Dhe këtë e bën jo për ndonjë interes. Ai nuk pret favore nga të përndjekurit. Ca më shumë se edhe tani në demokraci, ata vazhdojnë të përndiqen në një fare mënyre. Ai nga ana tjetër nuk ka nevojë për lavdi, pasi me të gati të krijohet përshtypja se është velur dhe e ka arritur lavdinë si asnjë shqiptar tjetër. As ofiqe nuk pret, pasi kjo nuk është në pajtim as me moshën e tij 88 vjeçare dhe as me natyrën e tij. Por ai e ka të pashterrshme dashurinë për Shqipërinë. Na vjen keq të kujtojmë se atë edhe e kanë mërzitur. E kanë ngacmuar disa që më shumë i kanë bërë dëm vetes së tyre. E kanë shqetësuar me lloj - lloj sajesash, mësë shumti fare banale dhe aspak etike. Aq sa ne kemi të drejtë të pyesim si romakët e vjetër: “Ut quid perditio?” që do të thotë “Për ç`qëllim ky teprim?” Por Ismail Kadaresë asnjëherë nuk iu lëkund bindja se ka detyrim të pafund ndaj popullit e vendit të tij. Ndaj dhe shpesh ka sakrifikuar nga krijimtaria e tij e mirëfilltë artistike dhe është marrë me publiçistikë, e cila duhet pranuar se ka qënë brilante dhe në kohën kur çështja jonë kombëtare ishte në udhëkryq. Mendja e këtij gjiganti, mund të trajtojë tema nga më të pabesueshmet me të njëjtin sukses. Ai mund të shkruajë pa asnjë pengim për indigjenët, për eskimezët e deri për alienët. Por mendja e tij ka vendosur të merret dhe t`i shërbejë vetëm popullit shqiptar, vetëm të ardhmes europiane të tij.  

Kadaresë, për gjithë sa ka bërë për ne dhe Kombin tonë, për lirinë e demokracinë, ne do t`i jemi përherë mirënjohës. Ai na bën të ndihemi akoma më shumë krenar që jemi shqiptar. Për mua ai e ka fituar me kohë Nobelin. Në sajë të tij, atë e ka fituar e gjithë Shqipëria.

                                                                   

11 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page