top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: Për poetin Agim Bajrami në 65 vjetorin e lindjes




    Duke pasur parasysh majat parnasiane që Agim Bajrami ka pushtuar me poezitë e tij, ndofta do të ishte e kotë të rrekeshim për të stisur ndonjë parathënie kur ato përmblidhen e botohen në ndonjë libër si ky. Madje më duket e tepërt edhe t`i komentosh këto poezi, pasi ato janë në gjendje të flasin me gojën e tyre. Krijimtaria e tij dhe vetë ai, janë bërë të njohura jo vetëm brenda kufijve tanë, por ngado ku shqiptarët ndodhen, sidomos nëpërmjet faqeve të gazetës prestigjoze “Telegraf”. Është vështirë të gjendet një takim poetik ku të mos jetë i pranishëm Agim Bajrami me krijimet e tij të mrekullueshme, të deklamuara me një zë kumbues prej aktori të vërtetë dhe ku ai të mos jetë fitues i çmimeve të akorduara. Me një talent të lindur, Agimi është një njohës mjaft i mirë si i teorisë dhe kërkesave që metrikisht poezia ka, ashtu dhe i perlave që kultura botërore krijoi ndër shekuj nga gjenitë që nxorri prej gjirit të saj. Në raportin mes fantazisë dhe realitetit që aq shumë i lodhi teoricienët e letërsisë, të paktën qysh nga shekulli i XIX - të, ai ka ndjekur mesa duket rrugën e austriakut Rilke i cili kishte mendimin se poezia e vërtetë kurdoherë lidhet me botën dhe me jetën, pra me vetë njeriun. Ai, në poezitë e tij nuk përpiqet të eksperimentojë në emër të modernizmit, por mesazhet i ka të qarta dhe të drejtpërdrejta. I qëndron besnik figuracionit, rimës, ritmit dhe mesazheve që kërkon të përcjellë te lexuesit. Dhe këto mesazhe, sado të larmishme t`i kenë tematikat; pra nga ndjenjat e pastra për një vajzë, nga magjia marramendëse e natyrës e deri tek ajo dhimbja për varfanjakun apo revolta për veset e shoqërisë sot, ai i vesh të gjitha me petka të bukura e të praruara. As që merakoset pse ndonjë mund ta qortojë formën e poezive të tij, si të tejkaluar. Për të vlen harmonia mes formës dhe përmbajtjes.

Një gjë e bukur - thotë Kitsi - është një gëzim përngaherë. Në poezitë e tij ka gjithmonë dritë dhe optimizëm. Madje në to ka edhe ëmbëlsi e muzikalitet që nuk të ndahet edhe pasi i lexon. Po ta njohësh nga afër, menjëherë mund të konstatosh se e gjithë qenia dhe veprimtaria e tij identifikohet me poezinë. Në këtë pikë ai, larg shijeve të stisura keq, i qëndron besnik rrymës bodëleriane i cili i ndikuar nga dëshira e të mbeturit i lirë e amerikanit Edgar Poe, edhe pesimizmin e tij nuk e shfaq me dëshpërim. Për më tepër, i shërben me pasion të mirës, të ndershmes, të përparuarës, njerëzores, me gjithë shpirt. Dhe shpirti i tij i shpenguar, i ngjet atij të poetit fshatar rus Sergei Aleksandroviç Esenin, këngëtarit të pavdekshëm të virtytit njerëzor, për të cilin M. Gorki do të shprehej se “... nuk është aq njeri sa është organ i krijuar nga natyra vetëm për të shkruar poezi...” Patjetër që poetët e ditëve tona jetojnë në një kohë fatkeqe; kur siç thosh Ahmatova: askush s`mendon për poezinë. Se, duam, s`duam, libri i pafajshëm, libri të cilit i detyrohemi aq shumë, është i dënuar të dalë nga moda. Falë shpikjeve teknologjike, shpirti i njeriut po thahet. Dhe roja besnike e mbajtjes së tij në jetë, mbetet poeti. Thonë se poeti, vërtetë nuk e ndreq botën, por e zbulon atë. Dhe po nuk u zbulua bota, nuk ka sesi të ndreqet. Ja pse poetët si Agim Bajrami edhe në këtë situatë pak a shumë të rënduar, vijojnë me të njëjtin vrull të na dhurojnë poezi. Dhe duke e uruar në këtë 65 vjetor, kemi arsye të besojmë se falë përvojës së tij, të tjera libra me poezi, akoma më të arrira dhe të ndërtuara artistikisht akoma më bukur, pra, nga ato që nuk kanë nevojë të komentohen, pasi futen drejt e në mendjen dhe zemrën e lexuesve, do të dalin nga dora e tij.

36 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page