top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: NUK U BESOJ MË NDËRKOMBËTARËVE



Opinion


   Para se presidenti i dyzetë i SHBA Roland Regan të thosh “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”, ishte At Gjergj Fishta ynë që e kishte thënë këtë teksa akuzonte Evropën fare hapur “Kurvë e motit”.

Atdhetari i madh, At Gjergj Fishta vdiq në vitin 1940, ndaj nuk e di se si do ta quante sot po të ishte gjallë, politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare. Dhe jo vetëm atë ndërkombëtare, por edhe qëndrimin që mbajmë ne shqiptarët para tyre. Se sidomos ndaj nesh, dhe veçanërisht ndaj Kosovës, të huajt po luajnë sipas përcaktimit të gazetarit amerikano - hebre Isaac Goldbergut që thosh “Diplomacia bazohet në bërjen e gjësë më të keqe në mënyrën më të mirë”. Dhe përballë kësaj të keqeje të kamufluar më së miri, të huajt, duke qenë mëse të sigurtë se qeveritë tona “demokratike” të pas nëntëdhjetës e kanë lidhur pazgjidhshmërisht vendimarrjen pas qerres së tyre, pra duke mos pasur as integritet, as dinjitet e as sovranitet, çka u theksua pas vitit 1999 me ndihmën e çmuar që ata dhanë për çlirimin e Kosovës, luajtën me ne si u deshi qejfi. Natyrisht që ne duke i pandehur si miq të sinqertë, te ndershmëria dhe ndihma e të cilëve do të realizohej edhe e ardhmja e vendit tonë të varfër e të vuajtur, u besuam atyre dhe i ndoqëm verbërisht porositë që na jepnin, deri edhe për lidhjet diplomatike e politike po se po, por edhe ato ekonomike, ushtarake e deri kulturore.

Na bënë peshqesh teorinë e nisjes nga hiçi, na premtuan çekun e bardhë, dhe ne me naivitet shkatërruam gjithçka kishim ngritur e ndërtuar me sakrifica të panumërta; nuk lamë fabrikë e uzinë në këmbë, prishëm nga themelet infrastrukturën në bujqësi, rrafshuam plantacione të tëra frutash, premë pyje pa fund dhe nuk harruam që edhe ushtrinë ta eliminojmë deri sa edhe armatimet e mëdha e municionet t`i shisnim ose t`i sharronim ose t`i çonim për skrap. Dhe ja ku jemi: të përçarë dhe me opozitë të cunguar e të pafuqishme, nga mënyra sesi vepruan ata me ndërhyrjet e tyre sa të panevojshme aq dhe të dëmshme, dhe me një psikozë largimi nga atdheu për të shkuar vullnetarisht si skllevër modernë për t`u shërbyer atyre. Por kjo është pak, para faktit që politika dhe diplomacia e huaj, nuk lejoj zgjidhjen përfundimtare të çështjes tonë kombëtare, pra realizimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Qeveritë tona që pasuan u detyruan të mbyllnin gojën dhe të pajtoheshin me situatën e turpshme dhe paradoksale të krijimit të dy shteteve shqiptare. Askush nuk guxonte të fliste për bashkim kombëtar, njësoj si në vitet e para të çlirimit, kur simpatia e shfaqur për Kosovën apo fjala Shqipëri Etnike u kushtoi shumë shqiptarëve dhe kosovarëve disa vite burgime të llahtarshme. Gjesti burrëror i heroit Haki Taha që vrau të dërguarin e Titos Miladin Popoviçi, në vend që të vlerësohej dhe të shërbente si akt frymëzimi atdhetar, u dënua dhe u la qëllimisht në heshtje. Populli i Kosovës që nga barbaria serbe hoqi të zitë e ullirit, i ktheu sytë dhe zemrën nga Perëndimi, me shpresën se tani e tutje paprekshmëria e vendit të tyre ishte e garantuar, iu përvesh punës për të rimëkëmbur pasojat që solli ajo luftë e pabarabartë. Por për habinë e tyre, kahja e simpatisë së perëndimorëve zuri të anojë nga Serbia të cilën forcat e NATO - s dhe UÇK e kishin gjunjëzuar. Kosovës jo vetëm i mohuan alternativën e bashkimit me Shqipërinë, por nisën t`i vendosin kufizime krejt të panevojshme. Me gjykata të sajuar filloi nxjerrja para drejtësisë në Hagë e atyre drejtueve të asaj lufte mbrojtëse, prej nga serbët u munduan të krijonin legjenda diskredituese, si ajo e shtëpisë së verdhë në një fshat të humbur të Matit etj.

Më vonë, pas nisjes së luftrave në Ukrainë dhe Palestinë, me arsyetimin se duhet ta afrojmë apo neutralizojmë Serbinë nga ndikimi rus, i kërkuan qeverive të Kosovës lëshime pas lëshimesh të cilat vinin në dyshim prestigjin e saj si në popull ashtu edhe në marrëdhënie me shtetet e tjera. Filluan ta shohin e trajtojnë Kosovën si dikur kolonitë e tyre dhe kjo solli një çoroditje të madhe në opinionin e përgjithshëm kudo në trojet shqiptare. Pse jo, solli edhe përçarje, pasi disa thonin se duhen mbrojtur të drejtat e ligjshme të Kosovës dhe nuk duhen plotësuar kapriçot e politikanëve serbë me Vuçiçin në krye e disa mendonin se duhej plotësuar çdo kërkesë e tyre, deri edhe te vendosja e gozhdës së Nastradinit me ato asociacionet e tyre. Dhe shihni aktualisht; po merren seriozisht me hapjen apo jo të Urës së Ibrit që e ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, pasi qeveria e zotit Kurti ka vendosur të largojë prej saj regjimin policor dhe ajo të bëhet e kalueshme lirshëm për këdo. Në vend që t`i thoshin atij se je shumë i vonuar, i kundërvihen duke i thënë se nuk është momenti dhe se për ta hapur atë duhet të konsultohesh me ne dhe sidomos të bisedosh me palën serbe. Po a nuk është faqeza tallje kjo? Ç`punë ka qeveria e Serbisë për një urë në një qytet të Kosovës, dhe çfarë presin ndërkombëtarët nga zhvillimi bisedave me Vuçiçin? E dini si mendonte për bisedimet David Loyd George: “Diplomatët janë shpikur vetëm për të çuar kohën dëm”. Po a ka kaq kohë të tepërt qeveria e zotit Kurti që të merret me burokratët e Serbisë? Vetë ndërkombëtarët, a e besojnë me tërë mend se ata që nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe e pretendojnë territorin e saj si pjesë të tyre, do të pranojnë ndonjë zgjidhje për një problem që e ka përgjigjen retorike brenda saj? Personalisht nuk arrij të përftyroj sesi vetë ata e mbajnë të qeshurën kur artikulojnë dokrra të tilla.

Pastaj, vinë të largëta në kohë, por më duket se janë mjaft aktuale, fjalët e Otto Eduart Leopold von Bismarch se “Kur themi se jemi parimisht dakord mbi diçka, do të thotë se nuk kemi kurrë ndërmend ta vemë në praktikë”. Dhe serbët, në tërë praktikën e tyre të pas Marrëveshjes së Ohrit, e kanë vërtetuar bindshëm këtë. Veç duhet pranuar se më shqetësuese se këto “çikërrima” janë vizitat e kryetarëve të shteteve si Gjermania, Franca e Italia në Beograd, respektivisht zotërinjve Olaf Scholz e Emmanuel Macron dhe zonjës Giorgia Meloni. Në pamje të parë kjo është krejt normale ashtu si ajo vizita e presidentit kinez, dhe natyrisht që këta nuk do të më pyesin mua, por nisur nga rrethanat dhe koha kur këto vizita bëhen, njeriut vetiu i lindin disa pikëpyetje. Disa thonë se e kanë xhan, disa të tjerë se ata kanë interesa ekonomike, pasi fjala vjen në Serbi paska një metal të lehtë të quajtur litium dhe ai qenka shumë i domosdoshëm për ndërtimin e baterive dhe akumulatorëve, por edhe në mjekësi e në fizikën atomike, me perspektivë edhe te trupi i avjonëve, si A350 etj.

Mund të jetë kështu dhe nuk ka asgjë të keqe, po për të siguruar këtë metal, duhen sakrifikuar interesat e Kosovës? E gjithë kjo flet mëse qartë se këta aleatët që kërkojnë të pyeten për çdo veprim që ndërmerr qeveria e Kosovës, e paskan hallin te përfitimet e tyre. Dhe për këto përfitime, po kërcënohet e penalizohet Kosova? Pikërisht, kjo duhet kuptuar nga gjithkush prej nesh dhe politikanët tanë bashkë me mbështetjen për hapjen e Urës së Ibrit, ta hapin dhe gojën e tyre e t`ua thonë pa drojë: “Lërini këto shaka me zarar, se nuk ia kemi borxh askujt. Madje prej më shumë se një shekulli, na kanë të tjerët borxhe të palara ne shqiptarëve”.

Ky dhe vetëm ky qëndrim burrëror i nderon ata dhe i bën një shërbim të madh Kombit tonë i cili e ka pasur të paktën të shenjtë dinjitetin, për të cilin kryeministri i parë i Italisë Camillo Benso di Cavour që luftoi aq shumë për bashkimin e vendit të tij krah Garibaldit thosh se “E mira e parë e një populli është dinjiteti i tij”. Sikur të ishte gjallë Fishta i madh...   

28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page