Shpendi Topollaj: MBI SHOQËRINË QË NGRIHET MBI HIJEN E DYSHIMIT
- Apr 18
- 5 min read

BASHKIM HOXHA MBI SHOQËRINË QË NGRIHET MBI HIJEN E DYSHIMIT
(Rreth romanit të ri “Marsi i marrë”)
Kemi parë ndonjë film, fjala vjen francez, si “Maria Oktobër” (1959) dhe “Gjykatësi i shtatë” (1962), ku e gjithë intriga shtjellohet brenda një dhome, në të cilën janë ngujuar disa personazhe, që kërkojnë t’i japin zgjidhje ndonjë misteri. Ata, duke qenë mirëfilli intelektualë, të luajtur nga aktorë të shquar si Bernar Blie e Daniel Darjë me shokë, me fjalët e tyre të mençura dhe situata të fuqishme psikologjike, na kanë mbajtur të ngërthyer para ekranit edhe ne spektatorëve. Dhe ja ku vjen tani romani i ri i Bashkim Hoxhës “Marsi i marrë”, me një grusht personazhesh, që nuk kanë asgjë të përbashkët, përveç dyshimit zyrtar, se duke qenë problematikë, duhen larguar nga qyteti, ditën që atje, në vendlindjen e tij, do të bëjë një vizitë vetë kryeministri. Ata janë gjashtë vetë: Dani, që e kishte zakon të thyente xhamat me gurë dhe të shante; Gjorgu, që konsiderohej i rrezikshëm, pasi shihte ëndrra duke vrarë kryeministrin; Harabella, një femër imorale që kënaqej kur shfaqej lakuriq; Branko, që adhurimin për natyrën e sidomos pranverën, me ato petalet shpërthyese, e sidomos me maninë për të parashikuar të ardhmen, ia merrnin si simbolikë ndjellakeqe; Armandi, që ishte një farë mizantropi dhe që mendohej se me heshtjen e tij, sikurse shprehet autori, “Udhëtimin e vërtetë e kishte brenda vetes dhe kushedi se në çfarë koordinatash lëvizte?!”; dhe Gerondi, një grindavec i papunë që mezi priste të dilte para kamerave televizive të gazetarëve të terrenit, ku deklaronte se do të digjte veten para syve të kryeministrit, të cilin e kishte pasur shok fëmijërie, por që tani ky i fundit i kishte vënë vizë emrit të tij, duke e gremisur poshtë e më poshtë, ndërsa Lavdimir Manen e kishte ngritur lart e më lart. Dhe mirë ia kishte bërë kryeministri Miri; ai ishte dëshmitar i dobësive të tij dhe kjo nuk ishte pak; “Dëshmitari i dobësive është ngatërresë e madhe”, thuhet në libër. Ishin në këtë mjedis edhe dy oficerë rendi: Mentori i arsyeshëm, për të cilin të gjithë njerëzit ishin të barabartë, dhe vartësi i tij, Lisieni, që thoshte se kur përmendni qeverinë, duhet të lani gojën, disi pedant dhe shabllon në zbatimin e detyrës së ngarkuar, detyrë e cila konsistonte në grumbullimin e të sipërpërmendurve, hipjen e tyre në një kamion ushtrie, shoqëruar me dy roje, dhe dërgimin te një repart ushtarak i braktisur, i rrethuar me tela me gjemba që shponin ajrin, ku do të qëndronin derisa të largohej kryeministri, pra nga e mërkura e 20 marsit deri të enjten e 21 marsit në mesditë. Duket si një situatë surreale kjo në një vend e kohë të kufizuar, por edhe pse Bashkim Hoxha nuk e përcakton se kur zhvillohen këto ngjarje, ne e dimë mirë se këtu nuk ka asgjë të paditur e të stisur që duhet të na çudisë. Mirëpo, edhe pse protagonistët nuk njihen mes tyre, edhe pse ata i mundojnë një pafundësi pyetjesh, se as që e dinë përse i kanë shpënë atje, përsëri diskutojnë me njëri-tjetrin dhe me oficerët e tyre mbikëqyrës.
Bisedat janë relativisht të shkurtra, por të ngarkuara me stigmata nga ato që ne ndeshim thuajse përditë në realitetin tonë. Pikërisht këtu qëndron edhe merita e Bashkimit, i cili përherë në prozën e tij rrok shqetësimet tona, qofshin ato edhe politike, dhe me art, ironi e sarkazëm të mprehtë, godet pa mëshirë. Në lojën e penës së tij, gjithkush mund të gjejë veten dhe po gjithkush, fare mirë mund të thotë se këto nuk kanë të bëjnë me mua. Nuk kanë të bëjnë me individë të veçantë, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë të bëjnë me mendësitë e burrështetasve tanë dhe anën qesharake të administratës që ata, për nevojat e pushtetit të tyre, ndërtojnë. Lexuesi i ndjek dialogjet e personazheve dhe, dashje pa dashje, i kujtohen ato qyfyret mbresëlënëse të Shvejkut. Kështu, në letrën shoqëruese të Gjorgut, shkruhej: “Kush pandeh, bën. Kujt i shkon ndërmend vrasja, nuk e ka problem të shkrepi këmbëzën”. Dhe shihni se si arsyetonte ai për fatkeqësinë e botës, pra kur kompjuteri do të mendonte në vend të tij: “…ashtu sikurse natyra na zhduku bishtin që kishim kur ishim majmunë, sepse na doli i tepërt kur u bëmë njerëz. Në vitin 2400 do të fillojë të na zhdukë trurin, sepse nuk do të mendojmë më ne – do na dalë i tepërt”. A nuk thoshte edhe Shvejku se brenda këtij globit tonë është një glob tjetër, më i madh se ky yni? Faji i Brankos qëndronte në një parashikim të tij se fillimi i pranverës do të sillte gjak dhe një ngjarje që do të trondiste qytetin dhe qeverinë. Kjo nuk mund të anashkalohej. Armandi duhej të ishte rrufjan i madh, se teksa vëzhgonte në heshtje, diçka kurdiste, se në heshtje ai bën plane nga më kriminalet, sepse “…ngaqë gjërat ndodhin në heshtje, ia gërryejnë shpirtin më shumë se çdo e keqe tjetër e shprehur”. Është kjo arsyeja që Gerondi, duke shfrytëzuar rastin teksa qëndronin në oborr, e pyet Mentorin: “A e gjen dot se cila është arma më vdekjeprurëse në këtë botë?” dhe po vetë përgjigjet: “Ti do të thuash se është bomba atomike? Jo! Do të thuash raketat ndërkontinentale? Jo! As bomba me hidrogjen nuk është! As dronët. Bomba më e keqe është varfëria”. Por askush nuk do ta dëgjojë këtë të vërtetë atje lart. Prandaj, dikush i vë kapakun kur mendon se gënjeshtrat janë më të ëmbla se të vërtetat. Se i pari gënjeshtar fjalëmbël është vetë kryeministri, i cili, siç kujton Gerondi, nuk kishte shkuar as në varrimin e të atit, atëherë kur “Unë haja shpullat, ai hante kumbullat, mollët dhe dardhat pas shpinës time”. Pak a shumë, kur kthjellohet edhe Branko, duke buzëqeshur deklaron: “Në jetën time të shkuar, parashikuesit i çonin në turrat e druve ose i quanin të çmendur. Pas njëmijë vjetësh kujtoheshin për fjalët e tyre dhe u ngrinin monumente. Sepse njeriu, që ta dini, është një kafshë mosmirënjohëse. Ose kujtohet me vonesë, kur asgjë nuk vlen”. Dhe kulmi në këtë roman me pak faqe dhe shumë kuptime del kur Gerondi bën thirrje: “Po ju, mor të çmendur! Ç’më rrini si tutkunë?! Po jua rrëmbejnë sy më sy lirinë dhe heshtni si qyqarë?! Ngrihuni, more, se po na marrin lirinë! Askush nuk ka të drejtë të na rrëmbejë lirinë! Nuk na kanë sjellë në këtë botë ata që na i kanë vënë postblloqe fatit. Na kanë sjellë babai dhe nëna kur na ngjizin në shtrat dashurie!”. Ama, mesa duket, ashtu si bijën e Priamit dhe Hekubës, Kasandrën, e zuri mallkimi i Apolonit dhe nuk i besonte askush në mitologji kur paralajmëronte se do të digjej Troja, edhe sot në jetën e vërtetë askush nuk u zë besë profecive, se vetë jeta, sipas autorit të romanit, “…është një lëmsh i ngatërruar ku vitet jetohen pa asnjë rend ngjitës apo zbritës, të pleksura me njëra-tjetrën”. Po ashtu, shkrimtari Bashkim Hoxha na kujton se edhe vëllait të Kasandrës, Laokoontit, që paralajmëroi kalin e Trojës, i vajti mundi kot, sikurse nuk po thotë asgjë edhe ajo statuja e tij me të bijtë, që i ngritën mjeshtrat e Rodit, Agesandri, Atenodori dhe Polidori. Pavarësisht kësaj, shkrimtari e ka detyrë morale të flasë me shoqërinë, jo vetëm për të zgjidhur një enigmë, një mister, si ata filmat e bukur francezë, por për gjëra shumë më të rëndësishme, për lirinë e të gjithëve, liri që “Edhe kur martohen dy njerëz, kur betohen në kishë, për çfarë betohen? Se do t’ia kufizojnë njëri-tjetrit lirinë.” Dhe e gjithë kjo: se njeriu është kafsha më egoiste, konkluzion që më mirë se kushdo na e kumtojnë disa personazhe që ua hoqën lirinë vetëm për diçka më shumë se 24 orë, pasi dyshonin, siç dyshojnë te të gjithë ne.


![Shpresa Fundi Gjergji: PENTAGRAM në BBR[1] – Ku arti flet me zë radiofonik](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.png/v1/fill/w_442,h_250,fp_0.50_0.50,q_35,blur_30,enc_avif,quality_auto/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.webp)
![Shpresa Fundi Gjergji: PENTAGRAM në BBR[1] – Ku arti flet me zë radiofonik](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.png/v1/fill/w_292,h_165,fp_0.50_0.50,q_95,enc_avif,quality_auto/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.webp)




Comments