top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: KUJT I LEVERDIS SHKATËRRIMI I FAMILJES SHQIPTARE?


SHPENDI TOPOLLAJ: KUJT I LEVERDIS SHKATËRRIMI I FAMILJES SHQIPTARE?

Opinion

   Edhe pse u lind mbi 25 shekuj më parë, në kohën e dinastisë Han, kur në Kinën e largët mbisundonte doktrina e Daoizmit, përsëri mësimet e filozofit Konfuc, të shprehura te Analektet e tij, dhe të sjella nga Matteo Ricci (1552 - 1610), u përvetësuan, dhe u quajtën të mirëqena nga mendimi përparimtar evropian. Veçanërisht të arsyeshme u konsideruan ato që “Mjeshtër Kongu” i kushtonte domosdoshmërisë së rregullit në marrëdhëniet shoqërore, ku  një vend kryesor zinte familja. Ai u predikonte nxënësve të tij se “Këto që i mësove para se t`i zbatosh, duhet ta dishë që je njeri dhe ke familje, ke vëlla, ke motër, ke babë e ke nënë. Asnjë mësim nuk ka vlerë nëse nuk je njeri”. Dhe vazhdonte: “Për ta vendosur botën në rregull, duhet të vendosim kombin në rregull; për ta vendosur kombin në rregull, ne duhet të vendosim familjen në rregull; për të vendosur familjen në rregull, ne duhet të kultivojmë jetën personale; ne fillimisht duhet të drejtojmë zemrat tona”. Patjetër që me kalimin e kohës dhe ndryshimet ekonomike, sociale, kulturore e psikologjike, hapja e shoqërisë në përgjithësi, do shfaqeshin edhe fenomene të reja në konceptimin dhe trajtimin e nocionit familje. Pa shkuar shumë larg, mund të kujtojmë lëvizjen Hippie, të viteve gjashtëdhjetë, që u shfaq së pari në SHBA dhe ku u manifestua injorimi i vlerave të trashëguara, stili i jetesës së prindërve dhe i shoqërisë kapitaliste të kohës. Pra, u synua t`i jepej një goditje e fortë, për të mos thënë shkatërrimtare, institucionit të familjes që për shumicën kishte qenë e shenjtë. Pavarësisht sesi shkoi më tej fati i atyre djemve dhe vajzave që jo vetëm po e përbuznin familjen, por dhe po e braktisnin atë, dhe pavarësisht shtrirjes së kësaj lëvizjeje në Evropën Perëndimore, përsëri familja nisi shpërbërjen e saj, gjë e cila mund të vinte pa qenë nevoja për ato flokët e gjata e të palara dhe pantallonat copë e çikë të atyre djemve dhe vajzave që edhe dashurinë, kërkonin ta bënin rrugëve. Kuptohet që ne në Shqipëri e përbuzëm atë, madje thamë; shikoni se në çfarë degjenerimi e çmendurie të çon kapitalizmi. Mirëpo, kur ky kapitalizëm u fut vrullshëm edhe në vendin tonë, dhe kur gjërat ndryshuan me shpejtësi, edhe në “kështjellën” tonë socialiste, marrëdhëniet familjare pësuan një trondije të madhe. Ne vinim nga një mentalitet i diktuar nga familja pak a shumë tribale e përqendruar kryesisht në fshat. Por edhe në familjen qytetare lidhjet me prindërit, motrat e vëllezërit ishin shumë të forta. Kishte dashuri e respekt të ndërsjelltë, ndihmë e solidaritet me anëtarëve të familjes, madje dhe të afërmëve dhe babai e nëna gëzonin autoritetin e duhur. Asgjë të keqe nuk pamë nga kjo, për të mos thënë, se mes asaj varfërie e privacionesh, ishte e vetmja strehë ku gjenim gëzim e kënaqësi. Shkonim e vinim te njëri - tjetri, ndanim atë që kishim dhe shpesh edhe qeshnim me zë të lartë dhe këndonim. Mirëpo sot, le ta themi hapur, nuk troket më dera. Njerëzit, sesi janë bërë, sesi janë tjetërsuar; ata sillen ftohtë mes tyre dhe takimet i lënë vetëm nëpër lokale. Po të ishte vetëm kjo, gjysma e së keqes. Sot askush nuk habitet kur dëgjon se burri rreh gruan në sy të fëmijëve ose i merr jetën asaj, se vajza ikën nga shtëpia e jeton më vete, se babanë nuk e pyet kush, për të mos thënë se ndodh që t`i fusin ndonjë dru të mirë, për të mos harruar se edhe vëllai e ka vrarë vëllanë për një gardh. Ku po vemi kështu? Duke e parë në sy këtë fenomen, i ndjeri Papa Gjon Pali II thosh: “Me të shkuar të familjes, shkon kombi dhe kështu shkon e gjithë bota në të cilën jetojmë”. Po a duhet të shqetësohemi apo të mbesim sehirxhinj para këtij realiteti? Ku është roli i shkollës, shoqatave, partive, intelektualëve, mediave e deri shtetit? Si mund t`i lihet spontaneitetit edukimi, sidomos i brezit të ri? Por as ka dashur t`ia dijë ndonjëherë Parlamenti ynë i nderuar se familja dikur aq e shëndoshë, po shkon drejt degradimit. “Të jesh pjesë e një familjeje do të thotë të jeni pjesë e diçkaje shumë të mrekullueshme. Do të thotë do të dashuroni dhe do të jeni i dashur gjatë gjithë jetës”, thosh një grua e mençur në shkrimet e saj. Dhe për ta ruajtur këtë gjë të mrekullueshme, si pasuri të paçmuar për të sotmen dhe të ardhmen e brezave, duhet punuar me seriozitet. Si mund të lejohen që të jepen lloj - lloj programesh televizive që kryefjalë kanë drogën, seksin, vjedhjen, vrasjen, homoseksualizmin, divorcin e budallallëqe të tilla? Shihja një program televiziv me emrin PODCAST (Edu Vision), se tani flasim me emra të huaj pompozë, ku një pedagoge, për më tepër përgjegjëse departamenti në një Universitet emërmirë, serbes - serbes, na tregonte se ne si juristë, duhet të ndikojmë për përmirësimin e legjislacionit tonë, sidomos Kodit të Familjes i cili duhet të pasqyrojë realitetet tona, pra ato që ngjasin në praktikë në jetën e përditëshme. Pra, sipas saj dhe intervistueses që jo vetëm i mbante ison por edhe e nxiste, ka humbur kuptimi i familjes, se tani po aspirojmë të shkojmë drejt Evropës. Dhe Evropa nuk të pranon, pa legjitimuar martesat burrë - burrë e grua - grua. Sipas saj, edhe kjo është familja e së ardhmes; me fëmijë ose me dy nëna ose me dy baballarë. Pasi sipas saj, këtu fëmija gjen ngrohtësinë e duhur dhe jo atje ku i kanë bërë kokën, ku e mërzisin dhe i bërtasin. Veç ta dëgjoje se deri ku arrinte marrëzia e dy femrave që vetiu të bëhej t`i pyesje: “Po ju do ndiheshit mirë sikur t`i lejonit fëmijët tuaj t`i adoptonin dy lezbike? E do t`i donin ato më shumë se prindërit që i kanë lindur, si ju nënat që i mbani nëntë muaj në bark?” Arsyetimi juaj se kohët moderne kushtëzojnë sjellje të reja ndaj familjes nuk i qëndrojnë as arsyes dhe as moralit elementar. Dhe po qe se kjo është kërkesë e Evropës, kurrë mos u pranofshim në atë bashkësi që predikon degjenerimin e shoqërisë njerëzore. Nga ana tjetës, në një shoqëri ka plot devijime të turpshme, deri kriminale që mua më vjen rëndë t`i përmend, por mos do të thotë kjo se edhe këto realitete duhen mbrojtur me ligj? Personalisht, edhe pse nuk kam dijeni të drejtpërdrejta, e vras radaken time, dhe kur shoh se i kushtohet vëmendje problemeve të tilla, dhe realizohen programe për përhapjen e veseve të ndyra të një pjese të shoqërisë, me anë deduksionesh e induksionesh, arrij në përfundimin se diku punohet dhe sponsorizohet për ta shpallur moralin njerëzor të tejkaluar e për t`i dhënë atij shkelmin përfundimtar. Dhe dashje pa dashje, ky është një krim i madh dhe i shëmtuar, për të cilin duhet të preokupohen shtetarët së pari dhe juristët e pedagogët e Drejtësisë, e jo t`u topisin mendjet studentëve me broçkulla të tilla, gjasme moderne. Pika modernizmit, kur më moderne është filozofia thjeshtësisht e qartë e atij kinezit të vjetër që kishte risjellë mendimet edhe më të vjetra mbi moralin nga dinastitë Shang (1600 pes), dhe Zhong 1046 pes). Kur e nisa këtë shkrim ndihesha i revoltuar dhe kisha frikë se mos e teproja, por uroj siç thoshte Tit Livi: “Absit iniurio verbo”, pra “Qoftë thënë pa fyerje”!

9 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page