ZYHDI MORAVA – KËNGËTARI I ËMBËL I DASHURISË
In memoriam
I lindur në 14 mars të vitit 1946 në Gracë të Korçës, poeti dhe romancieri i shkëlqyer Zyhdi Mortava ndërroi jetë para kohe në Tiranë, në 9 korrik të vitit 2010.
Dhjetë vite më parë, lajmin për vdekjen e Zyhdi Moravës, e mësova nga televizioni dhe vrapova në Tiranë për t`i dhënë lamtumirën e fundit. Në të vërtetë, ai kishte kohë që sillej si i vdekur. I binte mes për mes kafenesë, ku zakonisht mblidheshin shkrimtarët dhe ashtu si hije, pa përshëndetur askënd, kalonte pranë tyre. Kjo i qe bërë si një lloj rituali ditor. Seç kishte një mllef me ta dhe donte ta demonstronte. Gjithmonë me një kostum të errët blu, me këmishë të bardhë dhe një kravatë të dalë mode, vazhdonte të dukej mjaft simpatik. Mustaqet e verdha, ia shtonin rëndësinë dhe i fshihnin dhëmbët e rënë që nga sëmundja, nuk i vuri dot kurrë. Njërën dorë e mbante gjithmonë në xhep, sikur atje ruante diçka misterioze. Por më misterioze, ishte vetë jeta e tij, e mbushur me fatkeqësi, dhembje, varfëri, dashurira pafund, ëndërra, triumfe, lavdi dhe rënie. Pra, ishte jeta e një poeti mjaft të talentuar që vente ku vente dhe përfundonte në aventura. Kishte një zemër tmerrësisht të ndjeshme, por dhe trmerrësisht rebele. Dukej që vitet e burgut e kishin shkatërruar. Kur nevrikosej, nuk e kontrollonte fare veten dhe s`donte t`ia dinte në ishte burrë a grua, ai që kishte përpara. Poezitë e tij të dashurisë, janë aq të ëmbla, aq delikate, dhe tregojnë adhurim për femrat, por nuk e kishte për gjë t`i ulëriste ndonjërës që sipër shkallëve të Lidhjes së Shkrimtarëve, ku ishte Kryetar i saj qysh nga viti 2005, duke i thënë: “Mos të të shoh më këtu, se do të të hedh nga shkallët!” Natyrisht që pendohej, por sedra nuk e linte të kërkonte falje. Jeta e tij, ashtu kishte rrjedhur dhe ai nuk ishte arsimuar plotësisht. Kuptohet që edhe kishte lexuar shumë, por asnjëherë nuk u ngrit në nivelin e një teoriku të letërsisë. Kur nisi riorganizimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, një Zot e di se ku e gjente atë entuziazëm për t`i bindur delegatët që ta votonin atë. Nuk përtonte të shkonte qytet më qytet, ku premtonte gjëra të parealizueshme. Do punësohen të gjithë shkrimtarët, do kenë 500 dollarë shpërblim çdo muaj, do sistemohen me shtëpi, veç gazetës “Drita” që do të fuqizohej, do dilte dhe revista letrare në gjuhë të huaj, do krijoheshin marrëdhënie me shkrimtarët e vendeve të tjera, shkrimtarët do pajiseshin me viza të përherëshme (se aso kohe nuk mund të dilje jashtë vendit si sot), e ku di unë. Këto ndofta duhej t`i kishte një shkrimtar, por realiteti ishte krejt ndryshe: qeveria kishte të tjera halle dhe asqë i binte mendja për ëndrrat e Zyhdi Moravës. Konkurentët për atë vend, nuk përfaqësonin ndonjë gjë të madhe. Kështu që ai e bindi shumicën dhe ne ia dhamë votën. Pastaj, ai kishte qënë i përndjekur nga sistemi komunist dhe e vërteta ishte se duheshin rivlerësuar shumë gjëra. Kishte ende njerëz të letrave që nuk kishin zënë vendin e tyre në hierarkinë e letrave shqipe, vepra e tyre, nuk ishte bërë e njohur dhe nuk ishte përfshirë në tekstet dhe programet mësimore. Zyhdiu i nisi reformat me vrull. Ia ndryshoi pamjen godinës dhe kjo nuk ishte pak, duke shfrytëzuar për këtë të ardhurat që vileshin nga dhënia me qira e disa ambjenteve. Mirëpo, nga lista e gjatë e premtimeve, mbeti vetëm ajo që kafenë do ta pinim me çmim të lirë. Por meqënë se kjo kishte ca proçedura, me lista e firma, thuajse askush nuk përfitoi prej saj. As na ulte e as na ngrinte një filxhan kafeje më i lirë. Madje, na vinte në siklet, pasi ne, mësë shumti shkonim atje me shokë që nuk ishin shkrimtarë, pra që nuk përfitonin nga kjo “ulje”.
Sa ishte Zyhdi Morava kryetar, u zhvilluan një sërë veprimtarishë mjaft dinjitoze, në sallën e madhe dhe që përfundonin me një banket të bollshëm. Ne më shumë i gëzoheshim takimeve me njëri - tjetrin, njohjeve të reja, shkëmbimit të librave dhe bisedave dashamirëse. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, shpesh këto veprimtari i bënte edhe në qytete të ndryshme të vendit. Shkrimtarët akomodoheshin për dy - tre ditë në hotele të shtrenjta, si “Adriatiku” në Durrës, Korçë, Elbasan, Shkodër, Bajram Curri etj. se qe dhe vazhdim i punës e traditës së krijuar i një tjetër kryetari të nderuar, kompozitorit Limoz Dizdari. Po kështu, në bashkëpunim me Kryesinë e Lidhjes, edhe degët nëpër rrethe, ishin gjallëruar së tepërmi. Dhe kudo, ndihej dora e Zyhdiut. Mirëpo, më pas punët rrodhën disi ndryshe. I pari gaboi vetë Zyhdiu. Në çdo numër gazete, në vend të dukshëm, në faqe të parë, do zinte patjetër një vend të rëndësishëm, fotografia e tij. Me një cigare në gojë, të mos ia hamë hakun, dukej mjaft tërheqës. E mbajti vetë edhe vendin e Kryeredaktorit dhe nuk deshi t`ia dinte nga sugjerimet tona. Ashtu sikurse, mbronte idenë se Kryesia duhej të ishte vetëm një organ konsultativ, pra të mos kishte mundësi vendimmarrjeje dhe ai të ishte i pa kontrollueshëm. Më pas, nuk e di për ç`arsye, Zyhdiu diktoi ndarjen e Artistëve nga Lidhja, duke mbetur ajo vetëm Lidhja e Shkrimtarëve. Si jurist dhe anëtar i Kryesisë, e kundërshtova këtë me arsyetimin se asgjë e keqe nuk na vjen nga qënia së bashku me artistët dhe se s`duhej harruar se ata, fare kollaj do kërkonin pjesën e tyre; pra godina do ndahej përgjysmë. Kjo i dha shkak të tjerëve, të gjejnë rastin dhe të synojnë krijimin e një Lidhjeje tjetër, e cila jo vetëm i hapi telashe Zyhdiut, por dhe i dha qeverisë pretekstin që ta marrë fare atë godinë impozante në mes të Tiranës dhe të vendosë në të ministrinë e Kulturës që as i ra ndonjëherë ndër mend për shkrimtarët. U bënë ca si gjyqe, por pa dobi. Ashtu, në heshje, Lidhja e Shkrimtarëve u shkri vetiu, pa ndonjë dekret, dhe u shfrytëzua prej të eturve për të drejtuar nëpër rrethe që t`i kthejnë krahët Zyhdi Moravës dhe të sajojnë ca organizime të reja. Kjo Zyhdiun, padrejtësisht e mërziti. Them padrejtësisht, se për të qënë i drejtë, ai njeriu i ideve të mëdha, për t`a çuar përpara atë Lidhje, u bë shkaku që Lidhja dha shpirt dhe sot shkrimtarët janë, dhe mesa duket do të jenë gjatë, të përçarë. Tentoi të krijonte Unionin e Shkrimtarëve shqiptarë, por edhe këtu dështoi. Ashtu sikurse kishte dështuar dikur edhe në përpjekjet për të krijuar një Konfederatë Ballkanike të Shkrimtarëve. As ai vetë nuk e dinte se me ç`para do bëhej kjo. Ishte i bindur se atë që nuk e bënte dot politika, do ta bënin shkrimtarët dhe në gadishull do vendosej paqja e mezipritur.
Pas këtyre ngjarjeve, Zyhdiu, u mbyll në vetvete, madje duke u kthyer krahët kolegëve, sikur donte t`i sfidonte ata. E kishte gabim, pasi kështu mërziste veten. Vuante nga diabeti dhe kjo gjëndje e rënduar shpirtërore, sidomos për një poet, i bënte shumë keq. Puna arriti deri aty sa në pallatin e Kulturës në Elbasan, ku e kishin ftuar, u ngrit dhe nisi të flasë pa kontroll, duke i akuzuar të pranishmit se ju jeni provincialë (si duket ngaqë e nuk e kishin përkrahur deri në fund). Nuk i qe përgjigjur askush, pasi fare mirë, mund t`i thoshin qetësisht se “Kur të dhamë votat ty, nuk ishim dhe aq provincialë”, dhe mirë kishin bërë. Ata e kuptonin brengën e tij, e dinin se jeta plot peripeci e kishte bërë ca impulsiv dhe në fund të fundit, e kishin dashur.
Më kishte thënë një herë gjatë një darke në një ambasadë, në prezencë të Teodor Laços, se tani ishte Kapedan. Ashtu si në përvjetorin e parë të zgjedhjes së tij Kryetar i Lidhjes, deklaroi se kështu e kishte nisur (në mos gaboj) dhe Haveli, gjersa ishte bërë President. Këto ndofta ishin dhe shkaqet që atë ditë të nxehtë vere, kur shkova nga Durrësi, për të marrë pjesë në varrimin e tij, syri më zuri vetëm dy shkrimtarë, shokun e tij të vuajtjeve Ahmet Golemin dhe Nuri Plakun nga Fieri (mundet dhe ndonjë tjetër). Këtu po, ka vend për të vënë në dukje faktin, se gabimi ishte te shkrimtarët që nuk morën mundimin të përcillnin shokun e tyre me aq kontribute, të paktën letrare. Ata nuk i kishin kuptuar mirë fjalët e tij:
Ju që më shikoni muzgjesh fillikat,
Tek endem qetësisht, vetmuar mes njerëzie
Në buz` me pakëz hënë pikuar që nga lart
Në sy me aq petale, pranverë dashurie.
…………………………………………
Ju që s`mund të hynit në shpirtin tim të gjorë,
Ta shihnit atje brenda dhimbjen si rënkon,
Endërrat aq të shumta, ngrirë nën dëborë
Vrerin që më dhatë, në heshtje si pikon,
Kurr` s`do mund të shihni, aq e aq lëngatë,
Aq e aq mundime sa një mal me gurë,
Ndaj tek më shikoni të endem i ngadaltë,
S`ka si mos mendoni: “I lumtur ësht` ky burrë!...”
Zyhdi Morava ishte nga poetët dhe prozatorët tanë më të talentuar dhe mjaft prodhimtar. Kishte pasur një jetë të trazuar dhe ndofta pikërisht kjo e bënte krijimtarinë e tij, më shumë interesante. Në historinë e letërsisë botërore ose dhe atë shqiptare, ka shumë emra të ndritur që u futën në rrugën e letërsisë, duke qenë punëtorë krahu. Atë, fati nuk e kishte përkëdhelur. E kishin caktuar stallier kuajsh poetin. Ndaj dhe e ruajti për tërë jetën, dashurinë për këto kafshë fisnike. Ai kuvendonte me to, u këndonte atyre. Ka pasur gjatë viteve të burgut, më tregonte Ahmeti, uri fiziologjike. E ka munduar mungesa e ushqimit dhe përbuzja. Hakmarrje politike, nuk manifestoi asnjëherë. Jeta nuk i tregoi atij përherë, anën më të bukur të saj; e megjithatë ai e deshi shumë. Në çdo rrethanë krijoi himne për të.
Por njëkohësisht, aty nga viti 2005, ai filloi ta ndiente fundin e pashmangshëm. Vjeshta kishte hyrë dhe ai nuk kishte sesi të mos ngashërehej:
Ushqehem në tre vakte, për çdo ditë:
Mëngjesesh marr trishtimin,
Dhe drekës pikëllimin,
Darkave, çdo natë, pak mërzi.
Pa kuptuar, humba krejt të ritë,
Humba pa kuptuar dhe gëzimin,
Jetën e ngrys bashkë me hidhërimin.
Lënë si mënjanë, pa dashuri.
Dhe vazhdon vajin për veten e tij:
Si dreqin kështu e solli rrot` e fatit,
Për mua këngëtar, i ëmbël dashurie,
Me sy të hidhur, ta shoh rrënimn e shtatit,
Prej drite bërë, i kredhur sot në hije.
Ai e kuptonte se njeriu, “Si stin` e verës humb freski dhe ngjyra” dhe se vjen një ditë “Zhytesh pa u ndier, vjeshtës mes për mes.” Sëmundja po e gërryente, ajo i kufizonte shumë dëshira dhe gëzime, mosha ishte sëmundje më vete, nga shumë shokë ishte zhgënjyer, trishtimet e dashurisë që vinë si hënë, në errësirë natën, te shelgu që pret veç sopatën, shpirti i tij i brishtë, me lot prej vese, por dhe varfëria që nuk iu nda kurrë, paçka se ai nuk u ndje i tillë,
Ah, varfëria, krejt e qetë
Ma hëngri jetën pak nga pak
Po çuditërisht, ësht` e vërtetë
Në shpirt s`u ndjeva varfanjak.
e bënë që ta mundojë mendimi:
Më tmerron mendimi se,
Do të shtrihem ndënë dhe,
Ndryshe nga sa qeshë dikur,
Kokën vënë ndënë gur,
I kllaposur në qivur…
I murosur si në mur.
Mes të gjallëve, s`do jem gjallë,
Midis burrash aq i rrallë,
Aq gazmor e këngëtar,
Shtrirë, vdekur, ndënë bar,
Ndënë bar e vetmitar,
Vetmitar, kallkan në varr.
I harruar, pa një vaj.
Pa një fjalëzë të saj,
Pa një puthje, ledhatim,
Pluhur bërë dhe harrim,
Tretur, humbur e pa kthim,
Ç`më tmerron, ah ky mendim.
Zyhdiu, ishte poet i sinqeritetit gati të pabesueshëm. Ai, kur portretizonte atë që e kishte tronditur në shpirt me hiret e saj, sa nuk ia shqiptonte edhe emrin. Në këtë drejtim, ai nuk ruhej nga askush, madje s`donte t`ia dinte as për opinionin. Një herë, kur desha ta “qortoja”, më përsëriti fjalët e Gasmanit “E di - më tha - por dashuria dhe arsyeja janë dy udhëtarë që nuk banojnë kurrë në të njëjtin hotel: kur arrin njëri, niset tjetri”. Edhe kur pesë vjet para se të ndërronte jetë, nisi të kuvendojë me vdekjen, më shumë se për ndarjen prej saj, vajtonte:
Kjo vjeshtë, si na zu kështu të ndarë
Dimri që afron, për ne ç`do sjellë?
Do bashkojmë buzët si më parë,
A ndarja do na bëhet më e thellë?
Ai edhe gruas ia thotë hapur:
Pash Zotin grua, mos u bëj xheloze,
Për vajzat që pranë më kalojnë, ikin,
Me freski prej shelgu, me gëzim berioze,
Me qeshjet që ma ndrijnë gjithë shpirtin.
Dhe jo vetëm kaq, por ai edhe të tjerëve ua përplas në fytyrë atë që ndjen:
Dimri që afron, po hedh mbi mua brymën,
Ndaj, mos më ngacmoni, mos më ngisni!
Femrat do t`i dua sa gjallë të kem frymën,
Mes jush që vdekur jini, përpara se të vdisni…
Ai shpreh keqardhje edhe për “Gratë e moshës time”, që dikur ishin si mëngjese, krejt nga drita larë dhe tani “Më pikon në zemër, më vjen për të qarë.”
Koha që kalon, atij nuk ia fashit ndjenjat për ato që i dhuruan lodrimin më të bukur, dashurinë, lodrim që vërtitet te:
Dy buzë të njoma, një gërshet,
Dy gjinj të fortë, një vështrim,
Dy sy të zinj (dhe ah, medet),
Dy kofsh` të bardha plot ndriçim…
Zjarri dashuror i poetit, dashje pa dashje u jep gëzim e kënaqësi të gjithëve. Ai konvertohet në poezi ashtu magjishëm dhe kjo është dhurata e poetit për ta. Nuk është i pari Zuhdi Morava që e bën këtë. Pa dashuritë e tyre të pafund, nuk do kishim as Gëte, as Pushkin, as Esenin, as Lasgush e kjo mund të vazhdonte gjatë. Por poeti e di mirë këtë. Ai e kupton lidhjen qiellore midis dashurisë dhe poezisë. Vetë Apoloni, biri i Zeusit dhe Latonës, perëndia e frymëzimit poetik, a nuk joshi e dashuroi Dafinën, Klitian, Kasandrën, Kloridën, etj.? Ndaj dhe Zyhdi Morava dashurinë më të madhe, e ka për poezinë, për të cilën shprehet:
Kam marrë borxhe, marr. I lava, do t`i laj
Kështu e solli jeta, të rroj në varfëri.
Por, borxh, për gjithë jetën i mbetem unë asaj,
Hyjnores dhe njerëzores, të magjishmes Poezi…
Kohët e fundit, dikush u kujdes që ai të merrte lekët e burgut. Mori miqtë në telefon dhe u tha të vinin për të marrë borxhet që u kishte. Hoqi mënjanë dy lekë, për një ditë të zezë dhe me to u hëngër dreka, atje te hotel “Internacionali” ku veç njerëzve të tij të afërt dhe të bijës Anamaria që e deshi aq shumë, ishim dhe dy - tre shkrimtarë. Sa ishte në krye të Lidhjes, e rrethoni plot të tillë. Dhe kur u katandis të shiste librat e tij, atje te rrugica pranë shtëpisë, shokët sikur iu larguan. Dhe kjo e vrau shumë. Ndofta kjo ia shpejtoi vdekjen. Ai e kishte parandier fundin si ai zogu te poezia e tij “Fole e zbrazur”:
E shoh tej xhamit bërë gri,
Mbi degët mbetur fillikat
Luhatet erës nëpër shi
Dënuar pa bërë një mëkat.
Por nuk dorëzohet; edhe atje thellë ku pushon pret e shpreson:
Mbi kokën time të vdekur, pas vitesh,
Do rritet një bar i butë, eh, ç`bar!..
Do zërë të dridhet kur ti të avitesh,
Atje ku jam shtrirë, i heshtur, në varr…
Do zërë të dridhet, hareje, gëzimi,
Kur hapat t`i ndiejë, dihatjet e tua…
Sapo të shpërthesh në lot dëshpërimi,
Me lotët e valë pikuar mbi mua.
Shpejt bari i butë do bëhet shamia
Lotët e hidhur nga sytë t`i fshish
Në bar janë shndërruar buzët e mia
Që ty të të puthin, të t`puthin sërish!..
E gjithë krijimtaria e delikatit, rebelit dhe njeriut kompleks, Zyhdi Morava, sepse më sjell ndërmend thënien e I. Turgenievit se “Dashuria është më e fortë se vdekja dhe se frika e vdekjes. Vetëm me të, vetëm me dashurinë mbahet dhe lëviz jeta.”
Ja përse, nuk vdes Zyhdi Morava, por vazhdon të kalojë i gjallë mes për mes asaj kafenesë, me atë kostumin e errët blu, këmishën e bardhë, kravatën e dalë mode, por poezinë përherë të freskët dhe aktuale.
Kurse ato, Selenat (Hëna e mitologjisë), le të shkojnë atje në malin Katmir, ku pushon Endimioni i tyre, ta përkëdhelin atë varr dhe t`i pëshpërisin fjalë të ngrohta dashurie poetit, se ai i dëgjon, ndaj nuk kanë për ta humbur shkëlqimin që dikur e frymëzonte atë.
Comments