SHPENDI TOPOLLAJ: HILEJA E NDËRKOMBËTARËVE PËR URËN E IBRIT
Opinion
Lumi Ibër (shqip: i bardhë, shkumbëzon), që buron nga Alpet shqiptare, në rrugëtimin e tij prej 276 kilometrash dhe sidomos ato 82 kilometrat që kalojnë nëpër Dardani, ka qenë dëshmitar prej një kohe të gjatë historike i krimeve dhe mizorive që u janë bërë banorëve të atyre trevave nga ana e pushtuesve sllavë, të paktën qysh nga viti 1185, kur veriu i Kosovës u pushtua nga shteti serb i Nemanjve. Nuk ka qenë vetëm etja për zgjerim, por edhe pasuritë e mëdha, sidomos me argjend e plumb të Albanikut e Trepçes, ato që i nxitën ata pas romakëve dhe bullgarëve të carit Simeon të shekullit të IX - të, për të synuar shkombtarizimin e popullsisë shqiptare, duke e detyruar gjatë mbretërimit të car Dushanit që të ndërrojë edhe fenë; nga ajo katolike, në ortodokse sllave. Por njëkohësisht, kjo politikë dhe përpjekjet për t`i përzënë ata nga trojet e tyre shekullore, deri edhe me raprezalje, vrasje e diskriminime ka bërë që atje të shfaqet me tërë madhështinë e saj atdhedashuria e konkretizuar me luftra të paprera qysh nga shekulli i XVII - të, periudha e Tanzimatit dhe kryengritjet e vitit 1903 e 1912 kundër turqve. U shquan në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit burrat trima si Ali Draga e Mulla Iliazi me shokë, Isa Boletinit, Rexhep e Dervish Mitrovica, Hajredin Draga e Tafil Boletini në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë dhe shumë të tjerë gjatë luftës së Dytë Botërore që kundërshtuan planet aneksioniste të Jugosllavisë Titiste. Ndaj gjithkush e kupton turpin dhe paradoksin e quajtjes deri në vititn 1991 të këtij qyteti Mitrovica e Titos. Asnjëherë banorët e Mitrovicës nuk janë pajtuar me padrejtësitë që ai regjim dhe sidomos ai i periudhës së kasapit Sllobodan Millosheviç u kanë bërë. Dhe padrejtësia ndaj tyre vazhdoi edhe pas fitores të lirisë dhe pavarësisë që u realizua falë luftës heroike të UÇK - së dhe forcave të NATO - s me SHBA në krye, pasi me një marrëveshje të çuditshme u nda në dy pjesë; atë të Veriut dhe atë të Jugut, ku ura e famshme që i lidhte ato dy pjesë, u bë jo urë bashkimi, por urë ndarjeje. Tani, Ura e Austrelitzit ruhet nga patrulla policie si në hyrje ashtu dhe në dalje, dhe kjo situatë aspak e këndshme vazhdon edhe sot e kësaj dite. Pas kaq vitesh dhe me bindjen se hapja e saj u shërben të gjithve, qeveria e zotit Albin Kurti, vendosi ta lirojë urën nga regjimi policor, ku të mund të kalojnë lirshëm si këmbësorët, ashtu edhe mjetet automobilistike. Në plani qytetar dhe moral, kjo ndarje është e pakuptimtë, kurse në planin ligjor është kufizim i të drejtave dhe detyrimeve që qeveria e Kosovës ka për të ushtruar ndikimin, kompetencat dhe autoritetin e vet në vendosjen e rregullit në atë shtet ku demokratikisht është votuar nga masa e gjerë e popullit. Mirëpo, sa herë ajo kërkon të zbatohen ligjet, si në çdo vend sovran, i dalin tyrli pengesash absurde nga situata politike që në Kosovë është krijuar, pasi aty janë ulur këmbëkryq ndërkombëtarët të cilët natyrisht kanë planet dhe interesat e tyre. Ndërhyrja e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare në mënyrë urdhëruese, arrogante e deri kërcënuese është sa e dëmshme aq edhe e papranueshme. Kemi parë se për çdo nismë a veprim që ndërmerr qeveria e Kosovës me kryeministrin Kurti, menjëherë do nxjerrin lloj - lloj yçklash për ta penguar dhe për t`ia prerë hovin, thuajse ajo është një marionetë që formalisht qëndron në krye të atij vendi. Për çështjen në fjalë, edhe ambasadori i SHBA zoti Jeff Hovenier nxiton të deklarojë “Stetet e QUINT - it (Amerika, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe. shën. im), në konsultim me NATO - n nuk e përkrahin asnjë ndërrim të statutit të Urës së Ibrit”. Pikë e zezë! Them kështu, pasi ata duhej të ishin të parët që ta sheshonin këtë problem dhe jo të ndërsejnë Serbinë e Aleksandar Vuçiçit, duke i rrahur shpatullat atij dhe duke treguar sheshit se ja kanë frikën. Dhe ai e ka zgjuarsinë që të luajë me ta duke i shfrytëzuar këto qëndrime burracake, por aspak në interes të Kosovës. Këtë qëndrim nuk vonon ta shpallë edhe sllovaku Peter Stano, si zëdhënës i Bashkimit Evropian i cili ka marrë përsipër normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit, pavarësisht se më parë është shprehur se nuk synojmë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe as heqjen e sanksioneve ndaj saj. Oh, komedi! Kanë vendosur të ndëshkojnë popullin e shumëvuajtur të Kosovës, duke harruar se barbaritë e serbëve ndaj tyre nuk janë të kohës së Chinggis Khan - it. Por ai dhe kushdo tjetër, duhet ta dijë se jo zoti i nderuar Peter, por vetë Shën Pjetri të ngarkohet me këtë detyrë, pra për të pajtuar kriminelët serbë me Kosovën, nuk ka për t`ia dalë. Ashtu sikurse nuk do të mund t`i afrojë ata me perëndimin, duke i larguar nga vëllezërit e tyre të gjakut dhe idealit, carët e rinj të Rusisë. Por deri këtu, nuk mund të ndryshojmë gjë, ama vetiu lind pyetja: “Po qëndrimi i qeverisë shqiptare, dhe veçmas i Ministrisë tonë të Punëve të Jashtme cili është?” Nuk kemi parë asnjë deklaratë që ta mbështesë ndërmarrjen e qeverisë motër të Kosovës. Duket se politikanët tanë, si ata të pozitës, ashtu dhe ata të opozitës kanë marrë dylbitë dhe argëtohen duke shuar kurreshtjen se si do të vejë kjo punë. Ky është turp! Pse nuk e thonë hapur: Ju aleatë të respektuar që dikur keni dhënë kontributin tuaj të çmuar për Kosovën e lirë, për t`i ndalur dorën gjakatare agresorit, a e dini atë fjalën e urtë të popullit tonë se “Kjo shtëpia me shumë pleq, kujt t`ia prish e kujt t`ia ndreq? Lëreni qeverinë e Kosovës të qetë të bëjë detyrat e saj dhe mos ndërhyni brutalisht me paternalizmin tuaj, se nuk e doni ju atë vend më shumë se vetë kosovarët. Kosova nuk është laboratori i eksperimenteve tuaja, sado pragmatiste të jenë ato. Ju vetë, kurrë nuk do të pranonit t`u trajtonin në këtë mënyrë, pasi këtu nuk ka as njerzillëk e as miqësi, por vetëm hilera, nga ato që neve na kanë shkaktuar prej një shekulli gjyshët tuaj politikanë”. Ky duhet të jetë qëndrimi dinjitoz i politikanëve tanë dhe jo strukja e fshehja pas gishti, sikur nuk po ndodh asgjë në atë pjesë të shtrenjtë të atdheut tonë. Nuk bëjnë mirë edhe ata që me sofizma kërkojnë në emër të këshillimit me ndërkombëtarët, dobësimin e qeverisë Kurti. E kanë gjithë ditën gabim ata që mendojnë se do ta rrëzojnë atë qeveri, duke e akuzuar se me qëndrimin e saj “kokëfortë”, po krijon situata të papërballueshme me aleatët. Pra, po i bënka dëm të sotmes dhe të ardhmes së Kosovës, ngaqë mbronka me guxim e trimëri integritetin e atdheut. U dashka të krijojë asociacione serbe, apo duke e lënë të shkëputur Veriun e Mitrovicës që të jetë në rergull. Po sikur, larg qoftë, zoti Kurti dhe qeveria e kryesuar prej tij, t`i pranonin këto lëshime tragjike, a nuk do t`i hidheshin në grykë atij duke e akuzuar për tradhti të lartë? Prandaj, për hir të arrivizmit, asnjëherë nuk duhen shpërfillur interesat e mëdha kombëtare. E tha bukur deputeti i Lëvizjes Vetvendosja zoti Dimal Basha: “opozitarët nuk flasin për urën se e dojnë bashkësinë ndërkombëtare më shumë se Kosovën”. Ndërkohë Ibri që rrjedh me shkumbëzimin e tij të bardhë, teksa sheh se Urën e tij po kërkojnë ta kthejnë në Murin e ri të Berlinit, duket se na përqesh!
Comments