
SHPENDI TOPOLLAJ: Gëzim Baruti ngjall babanë e sesseistikës Mishel dë Montenj me një shqipe të kulluar
Emrin e Mishel dë Montenjit e kam dëgjuar së pari falë një rastësie fatkeqe. Ishte koha e çmendurisë komuniste, kur pushteti diktatorial nuk lodhej së krijuari armiq e grupe armiqsh imagjinarë, si kudo edhe në kulturë. Pasi mbaruan punë me tim atë për një libër të shkruar dhjetë vjet më parë, ku e akuzonin se ke përmendur këtë e atë komandant partizan, tani i shpallur puçist, m`u kthyen mua. Nuk u kisha lënë asnjë shkak me punën dhe sjelljen time, por ata si vigjilentë që ishin e gjetën; kisha lexuar një libër të prof. Rexhep Qoses, në kopertinën e të cilit shkruhej ESSE dhe kaq mjaftonte për të më akuzuar se kisha simpati dhe po përhapja idetë e essesëve himlerianë. Dhashë e mora t`i bindja se aty flitej për Naim Frashërin, por aha... Për t`u mbrojtur, nisa të kërkoja nëpër fjalorë dhe enciklopedi kuptimin e fjalës esse dhe mësova se etimologjikisht kishim të bënim diku me provë ose sprovë e diku me përpjekje për të shkruar, që pak a shumë ishte e njëjta gjë. Po ashtu mësova se babai i kësaj gjinie letrare paskej qenë Montenji (Montaigne 1533 - 1592). Isha lodhur kot, pasi me mua bënë si deshën, se edhe emri i këtij aristokratit francez më ngatërroi akoma më keq. Natyrisht, pas çlirimit nga idiotësitë e mendësisë zhdanoviste - komuniste, e studiova disi më mirë këtë autor Rilindas që me dijet e tij kishte ndikuar edhe te mendjet më të fuqishme që kishin ardhur pas tij, sidomos në Evropë, si Pascal, Descartes, Rousseau etj. Prandaj u gëzova kur miku im i vjetër, shkrimtari Tahsin Demiraj më dhuroi librat e këtij filozofi, përkthyer nga një kolonjar që quhej Gëzim Isuf Baruti i cili kishte pasur një jetë aspak të lehtë, pasi edhe ai nuk i kishte shpëtuar familjarisht urrejtjes klasore, gjë për të cilën e kishin internuar në baltrat e Lushnjes. Me vullnet dhe etje për vetëformim, Gëzimi që e zotëronte mjaft mirë frengjishten, kishte përkthyer edhe autorë të tjerë si viskontin nëntoger e më pas ministër i jashtëm Fransua Shatobrian (Francois Rene de Chateaubriand), dhe poetin lirik Alfons de Lamartin (Alphonse de Lamartine). Por të vimë tek autori i “Les essais”, pra “Përpjekjet”. Koha kur ai jetoi e kishte konsoliduar pak a shumë shtetin e centralizuar të nisur nga Filipi i II August dhe Filipi i IV i Bukuri. Kishte kaluar edhe lufta 100 vjeçare me Anglinë dhe ende nuk ishte shuar jehona e bëmave të fshatares legjendare Zhanë D`Arkë (Jeanne d`Arc), vepra e të cilës nuk kishte sesi të mos frymëzonte edhe shkrimtarët. Opozita e seniorëve ishte shtypur dhe kur lindi Montenji, Françisku i I e kishte vendosur absolutizmin, por Zhan Kalvin (Jean Calvin), i ndikuar nga Luteri, arriti t`i imponohet një mase të madhe njerëzish me teorinë se ndjekësit e tij ishin ushtarë të bindur të zotit në tokë, çka solli plot 36 vjet luftra dhe trazira të rrepta fetare. Por e gjithë kjo periudhë e ngarkuar me ngjarje shpesh të përgjakura, nuk e pengoi aspak zhvillimin e mendimit përparimtar mes intelektualëve të atij vendi që lindi kolosë. Montenji, i njohur aso kohe më shumë si politikan, me kohë u njoh edhe më shumë si filozof i një mënyre krejt të veçantë të të shkruarit. Bir i një tregtari të pasur, dhe pasi kishte studiuar për drejtësi, ai arriti të bëhet prefekt i Bordosë, por nuk e tërhiqnin titujt. Për më tepër, i urrente politikanët, për të cilët shprehej se ata mendojnë se “Bota pikërisht ka pritur ata që të fillojë të jetojë nën udhëheqjen e tyre”. Po ashtu, ai kishte bindjen se shoqëria nuk ka parë gjë të mirë nga revolucionet e rrugës, por duhet besimi se përparimi do të vinte nga “çlirimi i shpirtit të brendshëm nga presioni i forcave të jashtme”. Tip, pak a shumë i mbyllur në vetvete, ai sikur ishte prerë për atë që Arthur Schopenhauer vërente: “Kush nuk e do vetminë, nuk do të dijë ta dojë as lirinë”. Dhe pse ishte i tillë, Montenji brenda lirisë së vet, shkroi shpesh edhe me tallje e ironi ato thesare të mrekullueshme ku zhvilloi më tej trashëgiminë dhe mençurinë e shekujve. Por duhet pranuar: edhe pse librat e tij janë shkruar me një stil rreptësisht të thjeshtë dhe të qartë, patjetër që për t`i kuptuar deri në fund ato, duhet të kesh lexuar shumë, pra duhet të jesh i pajisur me shumë kulturë. Kryesisht duhet të jesh njohur me krijimtarinë e antikitetit e më këtej, atë letrare, historike e filozofike. Dhe përmes tyre, me ngjarje që kanë mbetur si pika referimi të luftës e të paqes, të virtytit dhe vesit, të të bukurës dhe të shëmtuarës, të të mirës dhe të keqes, të ndershmërisë dhe pabesisë, pra me autorë dhe personazhet e tyre ndër shekuj. Dhe na parakalojnë mendimtarë, strategë, burra shtetesh, poetë, artistë, e shumë personalitete të tjera, me sjelljet, veprat, qëndrimet dhe fjalët e arta që kanë thënë në momente të caktuara. Pikërisht këto i ka zgjedhur Montenji si ilustrim për të mbështetur mendimet e tij të cilat edhe pse të ndikuara nga koha, ecin para saj. Dhe duke ecur para saj, ato vlejnë edhe për sot. Se fundja, zhvillimi shoqëror mund të përparojë, pra të ndryshojnë shumë gjëra, por karakteret e njerëzve mbeten po ato; interesat, ambicjet, hakmarrjet, dëshira për pushtet, lavdi e pasuri nuk ndryshojnë. Dhe nga ana tjetër, ç`kuptim do të kishte fjala vjen mendimi i Aristotelit, pa ditur se ai qe mësuesi i Aleksandrit të Madh, apo ai i Senekës, pa ditur se ai qe mësuesi i Neronit e kështu me radhë, pa ditur se çfarë qe triumvirati i parë mes Çezarit, Pompeut dhe Krasit etj. etj. Vetë ai gjatë gjithë shtjellimit të librit, shfaqet modest, aq sa thotë: “Këto janë mendimet e mia dhe me to nuk kërkoj për të bërë të njohura gjërat, por veten time.” Dhe vazhdon: “Por nuk mbaj mend më. Edhe pse jam një njeri që ka bërë shumë lexime nuk kam kujtesë të mirë”. Mirëpo e gjithë përmbajtja e këtyre rreth 1.000 faqeve flet krejt për të kundërtën; ai ka një kujtesë fenomenale. Por e nderon mos mburrja me të apo me bagazhin e pafund të njohurive që ka. Dhe duke mbetur po te kjo temë, sjell pohimin e tij se “Unë në libra kërkoj vetëm që të kënaqem nga një shpërqendrim i njerëzishëm. Dhe nëse studioj, këtë e bëj vetëm për të kërkuar atje shkencën që trajton njohjen e vetvetes dhe që më mëson të rroj mirë e të vdes po aq mirë”. Pra, të vdes me nder. A nuk arrinte në këtë mendim edhe Baruch Spinoza një shekull më pas, kur gjykonte se “Njeriu i lirë nuk mendon për asgjë aq pak sa për vdekjen dhe urtësia e tij është jo në mendimet që i përkasin vdekjes, por jetës”. Edhe kur flet te kapitulli “Si të gjykojmë vdekjen e të tjerëve”, Montenji ka parasysh jetën me nder. Asaj jete të cilës me essetë e tij, në pamje të parë të renditura shpejt e shpejt e pa një rend të caktuar, i ngre himne, ku sidoqoftë tregohet epikurian ndaj dëshirës për lavdi, kur e citon atë: “Fshihe jetën tënde”, apo Ciceronin: “Një shpirt i urtë dhe me të vërtetë i madh vendos në veprat, dhe jo në lavdi, atë që ne kërkojmë më shumë për nga natyra jonë, nderin”. Dhe për të mos e harruar këtë, kujton fatin e Uliksit të cilin Sirenat e joshën dhe e magjepsën me lajka, duke i thënë sipas Homerit: “Eja drejt nesh, eja, o shumë i lavdërueshmi Uliks, / Ti më i madhi me të cilin krenohet gjithë Greqia”. Montenji, me essetë e tij ka prekur një mori temash që nga lufta e paqja e deri te edukata e zakonet, dhe ato të nguliten në mendje kryesisht nga shembujt që ai ka zgjedhur, pra nga referencat e goditura që janë aq domethënëse për kumtin që ai kërkon të japë. Dhe këtë jo kushdo mund ta bëjë, sado i lexuar që ai të jetë. Nga ana tjetër edhe ai vetë e di se ato nuk mund t`i përtypë një mendje e zakonshme dhe vulgare, por kryesisht ato të veçantat dhe të shkëlqyerat, sikurse thotë te kapitulli “Fati i Esseve”. Sipas tij “ato mund të mbijetojnë shumë mirë në rajonin e mesëm të mendjes”. Dhe ja çka zgjedh për këtë arsyetim: “Ah! Sa ndryshim që ka midis dy njerëzish! - thotë Terenci tek “Eunukët”. Pra, syrit të Montenjit nuk i ka shpëtuar as ai robi kartagjenas i shek. II para Krishtit dhe që e lanë të lirë falë mendjes së tij të ndritur. Veç duhet pranuar se ky lloj libri, më shumë se me esse ka karakterin e një enciklopedie të vërtetë. Një enciklopedi para së cilës çdo përkthyes do të ndihej i çarmatosur, sikur të mos kishte një volum të madh njohurish, sikurse e ka kolonjari Gëzim Baruti i cili edhe atje ku e kishin degdisur, gjeti forca të grumbullojë me vetformim, me çlirim shpirti, aq barut kulture, sa tani në demokraci e shpërtheu bujshëm, për ta shpërndarë ngado, sidomos atje ku ka intelektualë të vërtetë, dhe me një gjuhë të kulluar shqipe. Se të tillë njerëz, nuk i kanë munguar kurrë Kolonjës! Dhe ndofta kolonjarëve u shkon mësë miri ai pasazhi i këtij libri: “Eudomidi, duke parë Ksenokratin shumë të moshuar që nxitonte të vinte në mësimet që ai jepte në shkollën e tij, këlthiti: Kur do të dijë më në fund diçka, ai që po mëson akoma?” Se a nuk ishte biri i shquar i Kolonjës Petro Nini Luarasi, ai që na kujton aktin e Katonit të Ri i cili pas dështimit të tij në Preturë, duke quajtur guxim, dashurinë për dijen dhe filozofinë, natën para se të vdiste e kaloi duke lexuar?
Comments