SHQIPONJA DODAJ PEPKOLAJ FLUTURON ME KRAHË MALLI PËR ATDHE
Ndofta më mirë se kushdo, e ka përcaktuar poetin, kaliforniani i madh Robert Frosti, i cili thosh se “Të jesh poet është një gjendje, nuk është një profesion”. Besoj se kjo vlen, si për shumë e shumë të tjerë edhe për Shqiponja Dodaj Pepkolajn e cila edhe pse formimin e saj e ka si agronome, përsëri ka zgjedhur të rrugëtojë ose më mirë, të shetisë fushave të poezisë. Këtu (dhe unë do të përqendrohem te libri i saj i parë “Letër malli”), më mirë se kudo ajo e gjen mundësinë e atyre çasteve të bukura, të cilat sipas Gandit, “nuk i ndien kur i jeton, por kur i përkujton me mall”. Dhe këto përjetime, ajo në të gjithë librat e saj, kërkon t`i ndajë me shokët e miqtë, dhe pse jo, edhe me lexuesit e tjerë. Ajo e di se atdheu është shumë më i gjërë se ato kilometrat katrore, të cilin e duam jo se është i madh, por ashtu sikurse mësonte Seneka i Riu, sepse është i yni. Dhe te kjo fjalë e shenjtë, Shqiponja kupton gjithçka; malet, fushat, pyjet, lumenjtë, liqenet, detet dhe sidomos njerëzit me historitë e tyre të pafund, me gëzimet e hidhërimet e tyre, me sa kanë vuajtur dhe si janë përpjekur për të ruajtur lirinë dhe sidomos dinjitetin e tyre. Po ashtu, ajo me atdhe ka parasysh trashëgiminë e pasur kulturore, këngët, vallet, epikën, ritet, mitet, legjendat, prindërit, të afërmit, fëmijët, miqtë etj. etj. Atje, në Shqipëri, prej nga është larguar edhe asaj i është robëruar shpirti, sikurse thosh Volteri, i cili në jetën e tij të trazuar qe i detyruar gjithashtu të largohej disa herë, për shumë vjet, nga Franca. Ndaj asaj, do t`i plaste zemra, sikur të mos thurte vargje për gjithë ç`përfshihet në mallin për këtë atdhe, për vendlindjen e saj. Ja si shprehet ajo për Mirditën: “Po m`digjet zemra që të kthehem, / me mrekullitë e tua të dehem, / t`ju këndoj brezave me çifteli, / në prehër të gjyshit porsi fëmi”. Po kështu e ndiente largësinë nga vendlindja edhe poetja, dikur shpesh e anatemuar Ana Ahmatova, në vargjet e së cilës kanë vërejtur një pikëllim të ndritshëm, si lule bore mbi varr, dhe që shkruante: “Dikush shkon rrugës pa tërthore, / Një tjetër rrotull shkoka, / T`i kthehet strehës prindërore, / te mike e parë, ndoshta”. Dhe jo vetëm poetët për të njëjtat fenomene, kanë ndjesi e përqasje të njëjta, por me të tilla afrime qëndrojnë ata edhe me këdo që fati i ka bashkuar.
Kjo është edhe arsyeja përse kushdo prej tyre gjen veten në vargjet e Shqiponjës, apo më mirë të themi, në hijen e këndshme të krahëve të saj poetikë. Ju jeni prej një kohe të gjatë këtu në Greqi, ku ndër shekuj mitet kanë zënë vend të veçantë dhe e dini sesa vjet e peripeci iu deshën Odiseut që të kthehej në vendin e tij në Itakë, ku e priste Penelopa. Pra, malli apo dashuria për vendin tënd nuk shuhet asnjëherë, madje sa më shumë i largohesh, aq më shumë të torturon dëshira për t`i shkuar pranë. Kushdo që e la, qoftë dhe përkohësisht Shqipërinë, i detyruar kryesisht nga rrethanat ekonomike apo qoftë edhe për studime, mendjen po atje e ka. Prandaj dhe poetja shkruan: “Vjen si plagë kurbet i zi / na coptoi na ndau me shpi / Nanë e babë, motër e vlla, / Shpirtin e lodhur e ka tha”, dhe pastaj del nga kjo kllapi: “Edhe pse trupin larg e kemi, / Në çdo çast me juve jemi. / Male e fusha i kalojmë / E në ëndërr ju përqafojmë”. Se sado që është munduar ta verë mallin në djep, përsëri mërgimi i mësoi se: “uji shuan zjarrin, / as deti s`e shuan mallin”. Se nuk ka sesi mund të shuhet malli për nënën, të cilës Shqiponja i kushton në këtë vëllim disa poezi plot emocion, ku i shfaqet ajo me sy kristalorë, buzët si mjalt ëmbëltor, dhe e quan atë lavdi e jetës, përtëritja e kësaj bote, lulja më e çmuar, me shpirtin hyjnor. Ajo kujton gjithçka prej saj, derisa edhe pohon se “Kam dëshirë të jem atje, / të ha gatime nga dora jote, / edhe bukë e kripë po të jetë, / është shija më e mirë e kësaj bote”. Dhe pastaj i lutet Diellit: “Shko në tokën time, ledhato faqet e nënës, dhe: “Tregoi se malli më ka marrë / E se shpirti më është djegur, / këtu larg në dhe të huaj / Sytë e tu pa t`i prekur”. Është për këtë që ajo në poezinë e shkruar në vitin 2014, brenda valixhes së vogël, ku ka futur deri edhe një grusht me dhe, mban edhe lotin e nënës, që për të është një det i tërë, një oqean. Dhe malli i poetes shkon akoma më përtej; tek oborri ku duke luajtur, gjakoste gishtat, tek ajo shkolla e vjetër ku mblidhesh me shoqe e shokë rreth asaj sobës prej teneqeje e deri te livadhet që i ngrohnin shpirtin. Natyrisht që temat që rrokin poezitë e Shqiponjës, janë shumë të larmishme. Ajo nuk qëndron apatike ndaj atyre çka ngjanë e ngjasin në atdhe. Duke pasur vizion të qartë intelektual, ajo e di se çfarë i detyroi shqiptarët të ikin nga sytë këmbët, ndaj dhe shkruan poemën “Përbindëshi”, ku stigmatizon udhëheqësin megalloman komunist që i shtyrë kësaj radhe gabimisht nga perëndesha e drejtësisë Nemesida, nuk u hakmorr ndaj tij, siç bëri me Narcisin, por ndëshkoi një popull të tërë. Nuk dua të zgjatem këtu, pasi duke mos qenë në atdheun tonë, nuk na nderon shfaqja e urrejtjes për cilindo shqiptar, sado të këqia të na ketë bërë. Se ju e dini që këtu, ende ndihen jehonat e shëmtuara të atyre pesë të shtënave të Ibrahim Çelos atë ditë gushti të vitit 1933, mbi atdhetarin e shquar Hasan Prishtina. Ne kemi se ç`të kujtojmë dhe përse ta mbajmë kokën lart, sikurse ngjet edhe me këtë autore e cila teksa evokon sypatremburit dëshmorë të Kosovës, shkruan: “Edhe trimat e lirisë / gjakun falën për Atdhe / Janë bijtë më fatlumë / nuk kanë vdekur, por kanë le”. Se nuk vdes as dashuria për Kombin e gjuhën tonë të bukur, për të cilat ajo do të krenohet kudo që të ndodhet. Dhe pse kjo gjuhë është e tillë, pra jo vetëm më e vjetra, por edhe më hyjnorja, Shqiponja në emër të vëllezërve dhe motrave të të gjitha krahinave tona, që jetojnë e punojnë ndershmërisht në Selanik, deklaron me bindje se gjithmonë “Shqip do të këndojmë”. Dhe te mrekullia e kësaj gjuhe, ajo gjen frymëzimin për të qendisur këto vargje malli dhe ndihet aq e lumtur për këtë, sa edhe kur të ndahet nga jeta, lë amanetin: “Kur të vdes, / mos qani për mua! / Unë s`kam vdekur. / Në poezitë e mia / shpirtin tim do të gjeni”. Kjo qe dhe arsyeja përse solla në vëmendje Frostin, që e quante qënien poet jo profesion, por gjendje.
Comments