Rrugëtimi i shoqërisë njerëzore nëpër labirintet e fizikës, qysh nga shpikja e rrotës e deri të paktën, te gjetja e formulës së famshme nga Albert Ajnshtajni në vitin 1905 se: E = mc2, edhe pse ka qenë e mbushur me përpjekje, shpikje, eksperimente, teorira, hipoteza, debate, përsëri nuk ka mundur të kundërshtojë profesorin e universiteteve të Këlnit dhe Berlinit Max Karl Ernst Ludwig Planck që thosh se “Ne nuk kemi të drejtë të supozojmë se ekziston një ligj i caktuar fizik, ose se ka ekzistuar një ligj i caktuar fizik deri më tani i cili do të vazhdojë në mënyrë të njëjtë në të ardhmen”. Kjo qe edhe arsyeja përse u thyen edhe shkencëtarët që mendonin se teoria e gravitacionit, unifikimi i elektricitetit dhe magnetizmit, termodinamika dhe teoria kinetike e gazeve si dhe formulimi i parimeve të optikës ishin gjithçka që na duhej për të shpjeguar pafundësinë e dukurive të përditshme apo të vetë universit, pra në mikro dhe makro botë. Dhe ndofta pikërisht ky zhvillim, ku kanë marrë e marrin pjesë mendjet më të ndritura të çdo epoke, dhe sidomos perspektivat që e presin këtë shkencë me ndikim determinant në jetët tona, e bën fizikën kaq interesante dhe kaq të domosdoshme. Prandaj, studimi i parimeve bazë, ligjësitë kryesore të saj, zgjidhja e problemeve që koha na nxjerr dhe sidomos njohja me heronjtë që i kushtuan jetën asaj, studiohen nga nxënësit e shkollave të niveleve të ndryshme. Është e kuptueshme se jo të gjithë ata do të bëhen fizikantë, por nuk duhet harruar se pak a shumë, kjo degë kaq e rëndësishme lidhet pazgjidhshmërisht me të gjitha shkencat e tjera dhe nga ana tjetër i jep gjithkujt njohuritë e nevojshme për fenomenet, qoftë dhe rutinore të cilat i ndeshim në jetë. Me këtë bindje, pra me synimin për nxitjen e dashurisë për këtë shkencë, mësuesi i merituar Arben Babameto, njëri nga intelektualët më të shquar të Durrësit, ka punuar me zell të jashtëzakonshëm për vite me radhë, derisa nxori në dritë librin e tij voluminoz që fare mirë mund ta konsiderojmë një enciklopedi më vete, me titullin “Fizika në problema” (ide të mëdha të shprehura thjeshtë).
Qysh në hyrjen e këtij libri ai shprehet: “Që në fillim po e themi që edhe pse mund të mos jemi të dashuruar me fizikën, ajo na ndjek pas në çdo hap, nuk na ndahet, jo për të na mërzitur, por për të na plotësuar kërkesat tona, që kur hapim rubinetin e ujit në mëngjes, kur ndezim dritën, ngrohim shtëpinë, kur zbresim shkallët, me apo pa ashensor, kur i hipim makinës, avionit apo raketës kozmike, kur na përfshin era dhe na lag shiu, kur shijojmë rrezet e diellit në plazh, kur trembemi nga përmbytjet, tërmetet apo rënia e meteoritëve, kur shikojmë me ëndje filmat apo koncertet në televizor, kur flasim me miqtë në celular e shumë të tjera pafund, ne kemi pranë fizikën që është gjithmonë mikja jonë; pa të jeta nuk do të ishte fare e këndshme”. Fizikën, sipas autorit e kanë quajtur shkencën e dukurive dhe matjeve e krahasimeve. Dhe gjithçka që është e matshme, d.m.th. që shprehet me anën e një vlere, kosiderohet madhësi fizike. Dhe ato janë shtatë: metri, kilogrami, sekonda, amperi, kelvini, moli dhe qiriu, ku tre të fundit përfaqësojnë respektivisht temperaturën, sasinë e lëndës dhe intensitetin e dritës. Dhe nga ana e tij, autori Arben Babameto na jep edhe historikun e tyre. Kështu fjala vjen, ai tregon se sistemi metrik i matjeve së pari u përdor në Evropë nga Mbretëresha Elizabeta e deri te Jean Picardi i Francës i cili e bazonte sistemin e tij në lëvizjen e një lavjerrësi, ku lëkundjen me një gjatësi të caktuar e titulloi metër. Ai propozoi edhe standardin e masës që do të vendosej si masa e një litri ujë në temperaturën e dendësisë maksimale rreth 4 gradë. Veç nuk duhet harruar kurioziteti se thuajse po këto standarde i përdornin edhe sumerët e Mesopotamisë jugore, atje në brigjet e lumenjve Tigër dhe Eufrat, 3000 vjet para Krishtit, vendin e të cilëve etimologjikisht, jo më kot e quanin “toka e zotërinjve të ditur”. Nga ana e tij, autori e ndan librin në pesëmbëdhjetë kapituj, ku çdo zë edhe pse i trajtuar më vete, përsëri është i lidhur me kapitujt e tjerë, pra si një e tërë. Ngjet kështu se edhe fizika nga ana e saj ka lidhje të pandashme me kiminë apo matematikën. Po ashtu sikurse bota ose më drejtë universi, me gjithë ndryshueshmëritë e pafundme, është në një harmoni e unitet të paimagjinueshëm. Ja se sa qartë e shpreh këtë George Waldi kur thotë se “Edhe fizikanti është i përbërë nga atomet. Një fizikant është mënyra që ka atomi për të ditur diçka mbi atomet”. Dhe kapitujt e këtij libri janë ndalur te Kinematika (lëvizje etj.), Dinamika (Puna dhe energjia), Lëvizja lëkundëse dhe valët, Mekanika e lëngjeve, Gazet, Puna dhe nxehtësia, Elektrostatika, Rryma elektrike, Elektromagnetizmi, Induksioni elektromagnetik, Qarqet e rrymës alternative, Optika gjeometrike, Fizika moderne (relativiteti, kuantet e dritës), Bota e atomit, deri te bërthama e tij dhe Grimcat elementare. Por nuk janë vetëm përkufizimet e tyre. Autori është kujdesur të na përshkruaj udhën që çoj te zbulimi dhe përdorimi i tyre. Pa lënë mënjanë se cilët qenë ata burra që iu përkushtuan gjithë jetën atyre dhe dhanë një kontribut të madh ndër dekada, shekuj e mijëvjeçarë, jo vetëm me logjikën e hekurt, por së pari me imagjinatën. Se duke folur për këtë, Ajnshtajni (Einstein), thosh se “Logjika ju dërgon nga A në B. Imagjinata ju dërgon gjithkund”. Dhe si për ta shtyrë imagjinatën e të interesuarve, sidomos nxënësve të viteve të fundit të gjimnazit dhe dy viteve të para të Universitetit (Shkencat e Natyrës apo të Inxhinierisë), Arbeni ka përfshirë një mori ushtrimesh e problemash që e vënë trurin në lëvizje dhe e ngacmojnë imagjinatën. Herë duke dhënë zgjidhje e herë duke e lënë që ta gjenë vetë lexuesit e sidomos ata që përfshihen në konkurse të ndryshme kushtuar shkencës së fizikës. Problemat janë zgjedhur me zgjuarsi, me qëllim që edhe figurat që janë ndërfutur mes tyre, të të kujtojnë përse bëhet fjalë. Kështu gjejmë në to problema me harkëtar, predha, mortaja, topa kundërajror e tokësor, raketa, avionë bombardues, parashutistë e kështu me radhë. Sikurse nga më e vogla si topi i bilardos deri te më të mëdhatë si toka apo planetet në përgjithësi. Ai tregon sesa do të ishte shpejtësia e rastit me të cilën kali do të tërhiqte slitën në kodër dhe çfarë pjesë e kësaj fuqie do të shkonte për të mposhtur gravitetin apo si mund të matet pesha e diellit etj. Ne mësojmë aty se lëkundjet që ngacmohen në një mjedis, mund të përhapen në një drejtim si valë lineare, por edhe dypërmasore e deri trepërmasor, sikurse janë ato që përftohen në raste tërmetesh. Me një takt të dukshëm, autori zgjedh ilustrime nga kuriozitete dhe ngjarje të ndryshme sikurse është ai i mbytjes së anijes mbretërore të Gustav Adolfit të II të Suedisë, ngaqë e kishte gabim vendosjen e qendrës së masës shumë lart, pra duke mos e përballuar dot ngarkesën në stuhi. Të mbetet në mendje problemi i dhënë për të gjetur forcën që duhet të ushtrojnë mbi derë marinarët e nëndetëses së mbytur në thellësinë 100 m. për t`ia dalë të mposhtin trysnin e ujit.
Arbeni, duke pasur një kulturë mjaft të kompletuar, jo vetëm profesionale, por edhe të përgjithshme edhe kur flet për Planetin Mars dhe satelitët e tij, kujdeset të shpjegojë prejardhjen nga mitologjia të emrave Fobos dhe Deimos. Dhe kur mbërrin te shpjegimi praktik i rezonancës ai të ngërthen me materialin që ka preferuar për ilustrim: “Një aksident i famshëm ka ndodhur në vitin 1850 në Angres në Francë, ku në një urë të varur mbi lumë po kalonte një repart prej 487 ushtarësh që marshonin me hap të njëjtë (rreshtor), duke ngacmuar një rezonancë dhe një lëvizje aq të fuqishme sa shkaktoi këputjen e urës dhe vdekjen e 226 ushtarëve”. Dhe duke shpjeguar se sa duhet të jetë ngarkesa me masën përkatëse, për të mos u zhytur anija në det, ai evokon shprehjen e Eureca (e gjeta!), të Arkimedit të Sirakuzës që i qe ngarkuar detyra për të vërtetuar se ndofta me arin qe përzier edhe argjendi, çka e gjeti në vaskën e banjës. Në kapitullin Puna dhe Nxehtësia autori i këtij libri ndalet te tre shkallët: Celsius, Fahrenhajt dhe Kelvin duke fiksur propozuesit e tyre, Anders Celsius, Daniel Fahrenheit dhe William Tomson i Zeros Absolute (273.13K). Mjaft tërheqëse janë faqet kushtuar optikës, ku shohim mikroskopin, teleskopin, përthyerjet e dritës nga prizmat, ndërtimin e syrit dhe si funksionon ai e deri te optika valore e holandezit Cristiaan Huygens, që kuptoi natyrën e unazave të Saturnit dhe zbuloi satelitin Titan. Këtu nuk e mban dot të qeshurën kur sheh se Oliver Hardi transfigurohet para një pasqyre cilindrike. Në këtë libër, vëmendje e veçantë i kushtohet Fizikës moderne, ku nisur nga Galileo Galilei, krahas postulateve të Ajnshtajnit apo Transformimeve të nobelistit H. A. Lorentz shohim paradokse të relativitetit, ku nëpërmjet humorit, autori na tregon për dy vëllezërit ku njëri do të udhëtojë për 10 vjet me anije kozmike dhe tjetri do e presë, por hajde e gjeje se sa do të jetë diferenca mes tyre kur të takohen. Më tej i vjen radha Grimcave përbërëse të atomit: protonit, neutronit (James Chadwik), dhe elektronit (Nils Bohr dhe antigrimca pozitron, Paul Dirac), ku pas inxhinierit nobelist Henry Becquerel, dallohet puna vetmohuese e familjes Curie. Tashmë dihet nga kushdo se ç`energji përftohet si nga bashkimi i bërthamave të lehta ashtu dhe nga ndarja e bërthamave të rënda. Dhe kini parasysh fjalët e Robert Jastrow se “Madhësia e elektronit krahasuar me një kokërr rëre është si kokrra e rërës krahasuar me tokën”. Po ashtu me mirënjohje kujtohet nga kushdo vepra e gjermanit W. C. Rontgen i cili prodhoi rrezatimin në valë shumë të shkurtra si rrezet X. Por të kuptohemi; të gjitha këto 1076 problema të përfshira nga ky autor, nuk janë vetëm kuriozitete.
Zgjidhjet e tyre janë bazuar në formula të cilat mjaft që t`i njohësh, se rezultati del vetiu dhe mjaft i saktë. Por, natyrisht që jo kushdo është i prirur, sidomos nga talenti që të joshet prej tyre. Ama, parakalimi i sa e sa figurave filozofësh, mendimtarësh, matematikanësh, astronomësh, kimistësh e sidomos fizikantësh qysh nga ata që paraqiten te tablloja “Shkolla e Athinës” e Rafaello Sanzio e deri te fotografia e baballarëve të fizikës moderne, nuk të lënë indiferent para një libri të tillë. Se atyre ua njeh vlerat e mëdha vetë historia, pasi me përpjekeje mbinjerëzore e çuan vetë njerëzimin nga shpikja e rrotës, deri tek ajo formula e famshme, pas së cilës njeriu jo vetëm shkeli në Hënë, por edhe po e pushton Kozmosin. Si përfundim, nuk kam se çfarë t`i shtoj asaj thënies së vetë autorit Arben Babameto i cili me vullnet të hekurt, me ideale të pastra, kulturë të rrallë dhe atdhedashuri shkroi këtë libër të pandeshur më parë në llojin e tij: “Megjithëse fizika si shkencë operon me një aparat matematik, kjo nuk do të thotë që ajo është një “thes” me formula, përkundrazi, është një bashkësi konceptesh e parimesh që i ka provuar koha, por që shumë herë janë rishikuar, sidoqoftë duke e ngritur gjithmonë e më lart, tullë pas tulle, këtë ngrehinë të stërmadhe e të ndritshme që quhet “Fizikë”. Dhe me tullën që vendos me këtë libër në murin impozant të Fizikës, Arben Babameto që e shpërndan ngado te mësuesit falas atë, e ka ngritur edhe emrin e tij në lartësinë e një njohësi dhe përhapësi plot pasion të dashurisë për shkencën e Fizikës!
Comments