SHPALOSJE MEDITATIVO - REFLEKSIVE TË NDJESHMËRISË SHPIRTËRORE
Maxhun Osmanaj – “UDHËTIM I PAFUND”, poezi, botoi “LSHK” – Prishtinë, 2019
Maxhun Osmanajt (1958), në diskursin e tij krijues e ka vënë në sprovë veten në gjetje e freskime të reja të fjalës, vargut, mendimit dhe fuqisë komunikuese me lexuesin. Krijimtaria e tij, qoftë ajo për fëmijë, apo për të rritur, me të cilën jemi mishëruar për dekada me radhë, tashmë na është bërë adhurim.
Autor i disa librave në poezi dhe prozë, për të rritur dhe për fëmijë, monografi, etj. si: “Këngë zemre”, “Çka i tha Toka Diellit”, “Buzëqeshja e natyrës”, “Krojet e vendlindjes”, “A flet atdheu”, “Nga dritarja e klasës”, “Rrugët e jetës” dhe monografinë “Idriz R. Osmanaj pishtar i arsimit dhe poet”, në opusin e tij krijues solli edhe përmbledhjen poetike për të rritur “Zgjimi i dhembjes” dhe s’fundit edhe librin tjetër me lirika “Udhëtim i pafund”, nga e cila, po eksploroj pak mendime për ndjeshmërinë shpirtërore të poetit dhe fuqinë e mesazhit që e përçon te lexuesi i tij.
Ndjeshmëria shpirtërore – sprovë e rrugëtimit jetësor
Në çasjen e kësaj lënde poetike me një ndërtim strukturor në ciklet: “Tri kohë brenda meje”, “Dritë përkushtimi”, “Pasqyra e shpirtit” dhe “Drithërima të ngrohta shpirti”, që përfaqësojnë tema e motive të ndryshme, por me një fokusim të përafërt seicili prej tyre, doemos që obligohemi ta prekim akcilën, për të shpalosur “ajkën” që prezantohet aty, me qëllimin e mirë që t’i njohim nga afër vlerat poetike të Maxhun Osmanajt. “Këshillat” e tij përmes vargut kalojnë edhe përtej fuqisë së rrufeve, duke sjellur kështu besimin se gjithçka që e prokupon këtë varg ka shtrirje shumëdimensionale në kohë dhe hapësirë. Ndërtimi i vargut pastaj nxjerr në pah ngjyrimin emocional në raste të ndieshme, që e “lëkundin” unin krijues të poetit, fjala e të cilit prek ndjeshëm shpirtin e tij prej vigjilenti në kapjen e ngjarjeve dhe situatave të ndryshme, që do ta preokupojnë në vazhdimësi. Fal kësaj gatishmërie poeti krijon një pasqyrë kronologjike të situatave të ndryshme, për të kujtuar edhe të kaluarën e trishtë të popullit të tij të vuajtur. Kështu, kthimi i kujtimeve do ta përshkoj pothaujse gjithë poezinë e ciklit “Tri kohë brenda meje”, për të trajtuar trion e kohës së ikur dhe asaj që po përjetonte ai, duke nxitur kështu, përkushtimin në gjetjen e Nyjes së Gordiut, që për shumë kohë do ta ketë ngulfatur jetën e njeriut të përvuajtur, me përpëlitjet e parreshtura të daljes nga zgjedha e tmerrshme që po e mabnte të mbyllur në kafazin e dhumës dhe persekutimeve të pambarim.
“Gjithmonë më rri ndezur pesha e kujtimit
Eh, sa herë u mashtrova në ëndrrën e bukur
Peng kohe më mbeti harta e mos-durimit
Në gjolin e shpresës, mbeta si i strukur.
(“Stivë malli peng” , fq. 12)
I preokupuar në vazhdimësi me jetën, si fiksion i pandarë në rrugëtimin e tij, ai gjithkah që shkon do ta bart me vete “Valixhjen e shpirtit”, për ta ruajtur që mos t’ia merr “Ndonjë erë a furtunë e trishtë” (po aty, fq.14). Ishin kohëra të ndera atëbotë, kur gjithçka mund të ikte me erën që krijonte politika, duke asryetuar si rastësi a moskujdes, që në fakt ndodhte e kundërta e kësaj, meqë vetë politika e bënte të nderë jetën e njeriut në këto troje. Maxhun Osmanaj me kujdes do ta përdorë “Alfabetin e dhimbjes” gjithandej nëpër zikzaket e jetës, duke mbruajtur në shpirt dashurinë për njeriun e tij të vuajtur, për vlerat e nëpërkëmbura nga pseudokrijues (”Dialog me poezinë”), pastaj kujton kohën kur kënga kishte tjetër timbër, kur epika bashkëvepronte me dramën e jetës, por me lirikën do ta gjej rrugën e këngës për jetën, që e ”viziton ag-muzg/ si shoqe paksa e lazdruar” (“Kam dashur dikur”, fq.17). Kjo rrugë transformimesh nuk ndalon asnjëherë, pavarësisht ndryshimeve të kohës, përsiatjeve të poetit për t’i kuptuar sa më mirë zhvillimet historike që do ta përcjellin vendin. Kështu, në një “Udhëtim të pafund”, që e kujton poeti, që daton para shumë shekujsh, edhe ai do t’i bashkohet, duke takuar kështu “njerëz, fytyra, shpirtëra/ Që më kënaqën nga mrekullitë/ Pashë fytyra që më tronditën” (po aty, fq. 20), për t’i përballuar këto ecejake nëpër kohë, ku në vazhdimësi përballet me njerëz të zhgënjyer, të pakënaqur, të etur e të dërmuar; pastaj do të takon edhe njerëz të panënshtruar nga betejat e shumta në dyluftim me stuhitë, në përballje me rrufetë, gjithnjë në përqafim të diellit, që një ditë do të rrezatoj me margaritarët e lirisë. Kjo ia shton kurajon poetit, që përsëri ta vazhdon atë rrugëtim me qëndrim vertical, për t’ia shtuar vullnetin e qëndrimit “në udhëtim të pafund, gjithnjë!...” (po aty, fq.21). Në frymën e këtyre ecejakeve nëpër kohë, poeti do të vazhdoj “Bisedë me jetën”, për të sjellur në kujtesë ditët kur “Jeta dhe vdekja udhëtonin bashkë”, pastaj ndalon “Në tregun ku shitet njeriu”, duke kujtuar dekadat dhe vitet e tij të ikura. Këto pamje sikur ia ngulfasin shpirtin: “Ju shoh me shpirtin e vrarë/ ju shoh edhe në mendje/ Sesi i kafshoni kotheret e jetës”, për ta shprehur sërish të njëjtën dhimbje për këtë pjesë të njeriut me shpresa të ndrydhura, meqë kjo pamje “Edhe sot po më vret/ E di, se kështu në çdo qytet po ngjet” (po aty, fq.28).
Maxhun Osmanaj këngën e tij për jetën nuk e ndalon për asnjë çast, edhe atëherë kur, si do të shprehet ai: ”Unë ndryshe vrava dhembjen/ ti ndryshe përjetove dashurinë”, i vendosur gjithmonë në përballje të shumë sfidave “Se copëzat e predhës autobiografke/ Vetë me duar të mia dua t’i heq/ Nga trupi i bërë varrë-varrë ”, sepse kaherë ia ka dhënë detyrë vetes që i vetëm në këto situata të trishta “Veç me Gjergj Elez Alinë, rri/ Golgotën e plagës dhe mosnënshtrimit/ Veç me të dua ta pi” (po aty, fq. 30). I vetëdijshëm se cila është rruga që ka zgjedhur në jetë, i përballur me kundërshtitë dhe vuajtjet, me rreziqet që i kanosen në çdo kohë, poeti edhe atëherë kur takon një urtak, këshillat e të cilit do t’i kujtohen pastaj: “Biro, kurrë kohën mos e ndjek pas/ Po s’e mate mirë, ajo të vret!” duke besuar se “Tani formula jetësore/ Më del e saktë, vjet për vjet” (“Mate kohën, bir”, fq. 32). Liria, ishte pikësynimi parësor i poetit, për të cilën shprehet bindshëm: ”Oh, Liria, është ëndrra që e puthim/ Dhe na puth gjithnjë!” (“Liria”, fq.34). Nëpër këto ëndrra për lirinë do të ec, do të vrapoj, e sa nuk fluturon mendja dhe dëshira e poetit, për të vazhduar nëpër “Ëndërr të zgjuar”, gjithnjë në “Dialog me lirinë”, ndonjëherë i hamendësuar se “Në cilën degë ta var shpresën” vazhdon tutje drejt synimeve nëpër kohë “Me trastë ngarkuar” gjithë ato vite plot krajata e shpresa, si ndjenja të përziera, nga mosha e tij nëpër vite, parreshtur kafshon “Mollën e jetës” për tu irituar edhe më tutje nga disa veprime që ia prishin ëndrrat e hershme, po me shpresa të një arritje në cakun e synimeve, në përqafimin e lirisë që në vazhdimësi e thërret me vargun e tij që nuk shterron.
Homazhe poetike
Poezitë që takojmë në “Dritë përkushtimi”, ndërtojnë një Album poetik, me përfshirje emrash e personalitetesh të shumtë. Kjo lëndë poetike vjen dukshëm më e zgjeruar prej njësive tjera ciklike. Këtu, si duket poeti do ta ketë përceptuar lëndën poetike-përkushtuese si ndjeshmëri të veçantë për shumë emra personalitetesh nga veprimtari e profile të ndryshme, për veprat dhe mesazhin që përçojnë, për t’u bërë një homazh poetik, gjithnjë në kujtim të vlerave atdhetare, njerëzore dhe humane. Portretizimi i tyre, varësisht veprimtarive që kishin, mund të shikohet nga prizmi i vlerave kombëtare-historike, si: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Ismail Qemali, Isë Boletini, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Ibrahim Rugova, etj. pastaj për luftëtarët e lirisë: Zahir Pajaziti, Mujë Krasniqi, Xhevë e Fehmi Lladrovci, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Mentor O. Dërvishaj, Nazmi Muzlijaj, Imer S. Osmanaj. Por, poeti nuk ndalon veç në këto kategori personalitetesh, ai shtrinë gamën e trajtimit edhe për emra tjerë, që lanë gjurmë të pashlyera në jetën artistiko-letrare, që tashmë i kujtojmë si emra të përveçëm. Përkushtime poetike për disa nga emrat, si: Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Idriz Ajeti, Ragip Sylaj; pastaj për poetët martirë Havzi Nela e Genc Leka, pa mos e harruar edhe Vaçe Zelën. Përveç emrave të shumtë nga ata që i takuam këtu, poetin e preokupojnë edhe data e ngjarje nga jeta kulturore, nga përvjetorë e festa të ndryshme, të cilave do t’ua fal pak dashuri shpirtërore pëmes vargjeve që e provokojnë. Të tilla janë shënimet e ngjarjeve si 27 Prillit, Ditës së të Pagjeturve në Kosovë, pastaj Njëzet vjetori i Betejës së UÇK-së, Dita Botërore e Poezisë, etj. Poeti vë në spikamë edhe shumë emra që do t’i konsideron meritorë, si të afërmit, miqtë e shumtë, por edhe nënën dhe babain, të cilët i përjetëson me vargun e tij lirik.
Maxhun Osmanaj sikur e ndien obligim shtesë, pavarësisht realizimeve poetike, të rikthej shikimin me një “refresh” kah shtigjet që do të ketë kaluar në mbledhje të nektarit poetik, i provokuar nga muza e tij shpirtërore, për të ndërtuar vlera të reja. Në këtë kontekst “Pasqyra e shpirtit” i nxjerr në dritë gjithçka që mbanë të mbruajtur për kohë, që siç e shpreh më në fund “Theva heshtjen e kohës” sepse “Në labirintet e jetës/ Dikush s’më lë të vdes/ Pa marr sinjal nga lart”, sepse askush nuk mund të “ik aq lehtë pa lënë ndonjë gjurmë/ kështu e kërkon ky planet” (po aty, fq. 90). Këto gjurmë poeti i ka ravijëzuat katërcipërisht me vite të tëra, për t’i hapur shtigje të reja lirisë së kërkuar. Këtyre rropatjeve në kohë sikur u shkon paralel klithja poetike “Kam me puthë jetën” për ta bindur vargun e tij se dashurinë për jetën nuk ka laura që e ndalojnë.
“Kam me puthë jetën në fytyrë
Edhe nëse ma vrisni pafaj
S’kam për ta lënë askënd
Ta vajtojë pa dëshirën time
Ajo ishte e vetmja rrugë
Shtruar me dashuri-dhembje”
(Po aty, fq. 94)
Kjo gjendje vazhdon ta përcjellë hap pas hapi, deri në buzëvarrin imagjinativ që shpërfytyron tutje mes vargjeve që “Të ruajtur si gjurmë në shkëmbin e kohës/ Të shkruar me fjalë” (po aty, fq. 94). Poeti përpiqet në vazhdimësi ta shtyjë kohën përpara, gjithnjë duke u përballur me “Shkëmbin e kohës”, i cili ishte i fortë, po që synonte ta pushtoj me çdo kusht,. Për të triumfuar ndaj të keqes që e kishte katandisur vendin dhe njeriun e tij, deri në hapjen e shtigjeve të reja të jetës dhe lirisë, si dy pikësynimet e tij. I bindur se “Do t’i fundos mendimet” në këmbim të arritjes së qëllimeve tashmë të njohura, ai shprehet: “Unë kam me e kafshuar terrin me dhëmbë/ Për hir të dritës, mëngjesit” (po aty, fq.95). Ajo dritë, tashmë do t’ia ketë ndriçuar rrugët e lirisë. Po aq indikative janë edhe veprimet tjera të një kohe, kur edhe fëmijët ishin viktimë e vrasjeve dhe torturave të paskrupullta, të cilat e shqetësojnë edhe poetin, i cili fuqishëm përballet me luftimin e tyre përmes vargjeve: ”Unë s’kam pushtet/ Kam veç këto vargje si armë” (“Kush vret fëmijë”, fq.96). Arsenali i tij luftarak gjithnjë e më fuqishëm do të zbrazet përmes guximit, urrejtjes, shpresave, deri tek arritja e kapjes së fijeve të qëndrueshme, për të cilat nuk rresht së vepruari.
“Drithërima të ngrohta shpirti” dhe një fjalë inkurajimi
Maxhun Osmanaj, përveç me sprovat e jetës, do të përballet edhe me drithërima shpirti, që si duket, ia shtojnë edhe më interesimet për dashurinë, për qenësoren, që të prek majat e lumturisë, duke harruar sadopak ato vuajtje e trishtime që e kanë përcjellur kohë të gjatë. “Drithërima të ngrohta shpirti” ia trazojnë vargun e tij, për të nxjerrë në sipërfaqe gjithë atë që ndien për të bukurën, si frymë dhe frymëzim, duke mbajtur gjallë muzën krijuese edhe atëherë kur zhgënjimi krijon besimin se është më i fuqishëm, i bindur se një ditë do të arrihet ajo për të cilën nuk ndalonte për asnjë çast.
“S’di as për bulevardet, sheshet tua
Ku ulesh kohën për ta pirë
Por ti prore mbetesh në mua
Muzg dhe mëngjes i dlirë”
(“Unë nuk di…”, fq. 99)
Këmbëngultësia e poetit që të qëndrojë sa më afër njeriut shpërfaq besimin e palëkundur, edhe atëherë kur bredh kujtimi hapësirave të pafund, edhe kur nuk do ta takonte nga pamundësia e njohjes me itinerarin e saj, që fillon me mëngjeset e bukura dhe vazhdon deri në pambarim, por as atëherë kur jeta rrjedh nëpër stinët e saj dimër e pranverë, si një bashkëveprim kohor. Ndjeshmëria e prekjes së realiteteve, të krijuara tashmë, vjen si domosdoshmëri e përmbushjes së qëllimeve të tij, të shprehura përmes tri vargjeve: ”Kam nevojë për ty,/ Ta shuajmë flakën,/ Mos të na kallë, gjithnjë! “ (“Kam nevojë për ty”, fq. 103).
Qoftë edhe në një varg të vetëm, poeti prek realitetin e krijuar objektiv, ku sugjeron se duhet të veprohet kujdesshëm që “Vjeshta shpirtërore mos të na mbetet e zbehtë”, një reflektim poetik që shpërfaq atë që i është ndrynë në shpirt. Çdoherë jeta dikton zbraztësi në përmbushjen e dëshirave, në kërkim të shtigjeve të reja, për të konsistuar pastaj “në burimin e vargjeve”, ndonëse, siç do ta thotë pastaj: “Aty kam gurgullimin e dhembjes/ Ritmin e valëve të jetës, rrjedhën/ Aty kam yjet, qiellin, diellin, folenë”, duke aluduar përfundimisht në bashkudhëtimin në universin e ri:
“Eja një ditë atje
Së bashku të ngremë një dolli
Për udhëtimin tonë
Drejt yllit të mëngjesit të ri”
(“Mos më kërko”, fq. 105)
Në këtë cikël poezish që kryesisht trajtohet motivi i dashurisë, përjetimet e ndryshme nga intimiteti, virtytet jetike, besimi dhe ëndrrat e pafund, autori, i prirë të sjell me përkujdesje të vazhdueshme çdo finesë nga prekjet e tilla tematike, vazhdon të komunikoj, gjithnjë përmes vargut: “Kur të thirra në kohë/ M’i fale stinët./ Kur të thirra në stinë/ M’i fale frutet”, i bindur se “Edhe pa ty, edhe me ty” do të përjetonte këto situata, meqë po përballej parreshtur në “Kohë të djallëzuar, gjithnjë” (“Kur të thirra”, fq.106). Ndodh që njëherë nuk do të shkruaj, sepse ka lidhur inat me muzën e shpirtit, ndonëse nuk do ta trazonte shpirtin e saj, por në rastin tjetër i sugjeron: “Mos mendo ditët pa mua”, sepse shpejt “Harresa mund të na kthehet në ndëshkim” (po aty, fq. 109).
Në një rrugëtim të këtillë poetik do të pasojnë edhe shumë ndodhi e imazhe nga më të ndryshmet, ku poeti i veneron gjithandej “Në sytë e ty”, pastaj sugjeron që kujdesshëm të veprohet në çdo hap të jetës, si “Atë ditë”, “kur koha thinjat do të na dhurojë/ Do të na i vras dashuritë” (po aty, fq.111). I frikësuar nga ikja e moshës, shprehet edhe në poezinë “Në mos ardhsh sot”, meqë e nesërmja i duket e largët për një dashuri që mund të venitet, që pastaj nuk do të ndihej i qetë, edhe “Po u takuam njëherë”, pas kohës ë ikur, si e koncepton poeti.
Ky ndërtim tematiko-piramidal i poezisë, që ruan ndërlidhjet, pothuajse të çdonjërës poezi, duke krijuar kështu një pasqyrë shumështresore të meditimit emocional dhe ndjeshmërisë shpirtërore, do të mbetet peng i vargut që nuk ndalon së kërkuari të bukurën, jetën e lumtur dhe finalizimin e ëndrrave të poetit:
“Koha në arkivin e etjes me etje arkivon
Kur kërkuam t’i pushojmë njëri-tjetrit në sy
Ëndrra na mbeti peng, mua dhe ty.”
(“Kur ikën ditët pa dashuri”, fq. 114)
Pas gjithë këtyre “abuzimeve” poetike, ku rreth-rrotullimi jetësor i sillet si në ringishpill nëpër të gjitha moshat, Maxhun Osmanaj sikur e gjen një shteg prej nga orvatet të dal i fortë, i ndjeshëm nëpër ngjarje e situata, por asnjëherë i zhgënjyer. Për të gjitha këto, ai shtron një të vetmën pyetje “A paskam faj”, që prek tri kohët, e “torturimit” shpirtëror: ”A paskam faj që të desha?!; A paskam faj që të dua edhe sot?!; A paskam faj që do të dua edhe nesër?!”, për ta përkufizuar këtë pafajsi në mbyllje të poezisë: ”Tani më thuaj ti, a paskam faj?!/ Që s’pyes as moshë, as ditë, as vite/ Pelegrin i vonuar me pa-fajësi/ Vallë, a paskam faj që të dua, gjithnjë?!” (po aty, fq. 115). Gjithë këtë “pelegrinazh” poetik nëpër jetë-rropatjet e dashurive e gjen në një varg ngushëllimi: “Ti dhe unë, grimca fatesh në kohë/ Unë tani mesoburrë nuk qaj as vajtoj/ Ti zonjë e çeliktë e papërkulur në fortunë/ Mos ta shtrydhim fatin, s’di çfarë do të na pikojë?!” (“Ti dhe unë”, fq. 116). Kështu, e gjithë kjo rropulli jetësore sillet rreth “Ti dhe unë” e poetit, që si gur të vazhdueshëm i shtohen kalasë së quajtur poezi për dashurinë, për të përmbushur kështu misionin poetik në realizimin e një krijimtarie të suksesshme, si për tematikën që shtjellon, poashtu edhe në rrafshin përmbajtësor.
Pothuajse gjatë tërë kohës sa shoqërohemi me poezinë e Maxhun Osmanajt na përcjell sintagma “Të jesh poet”, që këtu e gjejmë në përmbyllje të kësaj përmbledhje poetike, si një epilog i gjithë lëndës poetike që prek në ndërdijen e poetit, i cili është i sigurtë se në rrugëtimin poetik ndodh që edhe “Çmendurinë e botës duhet ta përtypësh” dhe “Të gjitha ëndrrave të njerëzve, duhet/ Tu japësh krah për të fluturuar”. Dhe krejt në fund poeti do të zgjedh mënyrën më të kapshme të përmbylljes së kësaj lënde poetike me vargjet që përafrojnë me frymën shkreliane “Të jesh poet, duhet të jesh lajmëtar/ Të vdesësh e të lindësh për të shtrenjtin ideal” (po aty, fq. 117).
Me ndjenjën e përkushtimit katërcipërisht, duke u përkujdesur për strukturën e vargut, për temën, motivin; pastaj për figuracionin, leksikun dhe, gjithësesi edhe për transmetimin e mesazhit të qartë te receptori i tij, Maxhun Osmanaj ka arritur të krijoi dhe ta plasoj me shumë sukses një prodhimtari të qëndrueshme poetike, për të krijuar besimin se edhe prurjet tjera do ta kenë arsyen e interesimit të lexuesit të devotshëm.
Në vend të një përkufizimi përmbyllës të kësaj shpalosje meditativo-refleksive me ndjeshmëri shpirtërore, venerojmë një përshkim të dukshëm të një realiteti objektiv, me tematika dhe motivacione të ndryshme, në përballje të vazhdueshme me aktualitetin kohor, me ngjarje historike, trajtime nga jeta sociale, deri me lirikat e bollshme dhe të mirëndërtuara, me motivacion dashurinë, që rrjedhimisht krijojnë një ndërlidhje komunikuese të vazhdueshme, si një familjarizim i kësaj tërësie poetike.
Gjithë kjo që u potencua brenda kornizave të këtij ndërtimi poetik nuk mund të konsiderohet veç një fjalë inkurajuese, por shprehje e mendimit letraro ˗ përmbajtësor, ku lirika vjen e ndërtuar në një gradacion të avansuar që premton.
Comentários