SHPALLJA E PAVARËSISË - AKT ME RËNDËSI HISTORIKE



Xhelal Zejneli

Fitoret e shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e status quo-së në Ballkan, në të mirë të aleatëve ballkanikë. Patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik, krahas atij të “Shoqërisë së zezë për shpëtim”. Duhej të mblidhej një kuvend kombëtar që do të parandalonte copëtimin e Shqipërisë dhe do të ruante tërësinë tokësore të saj. Nismën për këtë veprim e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të cilët mendonin se do të kishin përkrahjen e Lidhjes Trepalëshe. Ata u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare të atjeshme. Aty u vendos të themelohej një “komitet drejtonjës” që të merrte në dorë qeverinë vendi; të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të Mëdha të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. dhe një komitet në Bukuresht, që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mbledhja e Bukureshtit nuk përcaktoi qartë në do të kërkohej autonomi a pavarësi. Për këtë qëllim Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi me ambasadorin Leopold Berhtold (Leopold Berchtold, 1863-1942) si dhe me ambasadorin italian.

Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri që do t’u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. Por, autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze dhe greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.

Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Më 19 nëntor 1913 Ismail Qemali deklaroi në Trieste se “...sapo të mbërrinte në Shqipëri do të shpallej pavarësia dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme...”. Në Vlorë tanimë ishte formuar komisioni për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar. Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij arritën në Durrës më 21 nëntor 1912. Bashkë me atdhetarët durrsakë vendosi t ngrinte në qytetet flamurin kombëtar. Kundër këtij veprimi reaguan autoritetet osmane të ndihmuar nga armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dhespot Jakovi.

Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës dhe të Krujës Ismail Qemali me shokët u nisën për në Kavajë. Që andej kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës. Më 25 nëntor arritën në Vlorë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur ... “ shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij.

Më 26 nëntor 1912 ai ngriti një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të katundeve një qarkore, me të cilën porositeshin t’i mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin në gatishmëri. Ndërkohë ushtria serbe i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi dhe Tirana, ndërsa më 27 nëntor – Kavaja, Peqini dhe Lushnja. Në mbrëmjen e 27 nëntorit, delegatët që ndodheshin në Vlorë, vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar.

Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan, duke arritur në 63 vetë, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës dhe veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Delegatët të Kuvendit ishin: nga Vlora: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqrem Bej Vlora; nga Shkodra: Luigj Gurakuqi; nga Berati: Sami Vrioni, Ilias Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara; nga Skrapari: Xhelal Koprenca, Hajredini Cakrani; nga Lushnja: Qemal Mullai, Ferit Vokopola, Nebi Sefa; nga Dibra: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Lengu; nga Mati: Ahmet Zogu, Riza Zogolli, Kurt Agë Kadiu; nga Ohri dhe Struga: Zyhdi Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Soilliu, Hamdi Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima; nga Durrësi: Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikollë Kaçorri; nga Tirana: Abdi Toptani, Murat Toptani; nga Shijaku: Xhelal (apo Xhemal) Deliallisi, Ymer Deliallisi, Ibrahim Efendiu; nga Kruja: Mustafa Merlika-Kruja; nga Elbasani: Lef Nosi, Shefqet Daiu, Qemal Karaosmani, Dervish Biçaku; nga Peqini: Mahmud Kaziu; nga Gramshi-Tomorrica: Ismail Qemali Gramshi; nga Gjirokastra: Azis Gjirokastra, Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfid Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli; nga Përmeti: Veli Këlcyra, Syrja Vlora; Tepelenë: Feim Mezhgorani; nga Janina: Kristo Meksi, Aristidh Ruci; nga Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Aziz Tahir Ajdonati; nga Delvina: Avni Delvina; nga Korça: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo; nga Pogradeci: Hajdar Blloshmi; nga Kosova, Gjakova dhe Plava-Gucia: Rexhep Mitrovica, Bedri Pojani, Salih Gjuka, Mid’hat Frashëri, Mehmet pashë Derralla (i Tetovës), Isa Boletini, Riza Gjakova, Hajdin Draga, Dervish Ipeku, Zenel Begolli, Qerim Begolli; nga kolonia shqiptare e Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja Emanuel, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo.

Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor. Për shkak të rrethanave të luftës nuk mundën të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj. që ndodheshin në burgun e Beogradit, si dhe Bajram Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës.

Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze dhe greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.

KUVENDI KOMBËTAR I VLORËS - Kuvendi i zhvilloi punimet e tij nga 28 nëntori deri më 7 dhjetor 1912. Kuvendi mori vendime që ndërlidheshin me hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar dhe me njohjen ndërkombëtare të tij. Duhej të zgjidheshin qeveria dhe Pleqësia. Duhej caktuar një përfaqësues që do të shkonte në Evropë, për të mbrojtur çështjen shqiptare. Detyrë parësore ishte njohja e pavarësisë.

Kryetar të qeverisë Kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin, ndërsa nënkryetar dom Nikollë Kaçorin. Ismail Qemali vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike, e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia. Propozimi i tij u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. Pas kësaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit. Oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj. me fjalime të zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri.

* * *

Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Deklarata e Pavarësisë u nënshkrua nga 40 delegatë. Pas shpalljes së pavarësisë, Kuvendi i Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së pavarur, të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.

Pjesën në gjuhën shqipe të deklaratës e hartoi Luigj Gurakuqi. Deklaratën e shkroi Shefqet Dajiu. Deklarata është e shkurtër dhe është shkruar me dorë. Deklarata e Pavarësisë ka këtë përmbajtje:

“Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Pas fjalëve që tha z. Kryetari Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme”.


Nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë kanë qenë:


Ismail Qemal Vlora (1844-1919) - Ngriti flamurin në Vlorë. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, ministër i Jashtëm, diplomat, guvernator. Më 28 nëntor, ngriti flamurin shqiptar në Vlorë. Shpalli në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë. Nënshkroi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”. U zgjodh kryeministër Qeverisë së Përkohshme Ndihmoi