top of page

SHPËTIMI


Faslli Haliti

Lypësit janë të ndryshëm. Disa lypin duke t’u lutur. Ka që lypin duke të uruar mbarësi, shëndet e duke të thënë Zoti të faltë e të rrojë gruaja e kalamajtë. Të tjerë lypin vetëm duke zgjatur dorën, pa thënë asnjë fjalë. Disa të tjerë as luten as urojnë, por rrinë të heshtur edhe në kur ti u jep ose kur s’u jep lëmoshë. Këta janë lypësit krenarë që ruajnë dinjitetin si njerëz edhe pse lypin. Zakonisht të tillë janë të gjymtuarit. Lypësit, kanë një ligj të pashkruar a një marrëveshje të heshtur të përbashkët të cilën e respektojnë hyjnisht. U dhe apo s’u dhe lëmoshë, ata të urojnë nuk të shajnë, nuk të mallkojnë kurrë.

Lypësit ndahen në lypsa nga varfëria, nga të qenit jetimë ose të gjymtuar. Lypësit nga varfëria dhe lypësit nga të qenit jetimë janë zhelanë, të palarë dhe zhulësa, kurse lypësit me gjymtime ekspozojnë gjymtyrët e sakatuara për të të krijuar keqardhje, mëshirë. Kur shikon duar cungje këmbë paralitike, të shtrembëruara ose të prera, të bëhet të japësh edhe lekët e bukës së gojës, pa le pastaj lekët e shkoqur të xhepave.

Por lypësi më i çuditshëm është ai që shoh unë çdo ditë të lypë duke qëndruar ulur në mes të xhadesë. Zakonisht ata ulen në pikat e rrezikut të rrugës, ku makinat nuk i shmangen dot lypësit që shfaqet në mënyrë të beftë sapo makina merr kthesën e Gosës së Kavajës. Më tepër se njeri i gjymtë, ai ngjan me një cung, me një gur kilometrazhi ose një tabelë rrugore që vendoset aty ku punohet ose aty ku policia rrugore bën kontrollin e makinave.

Kur e pashë për herë të parë lypësin cung në mes të xhadesë me këmbët e prera krejtësisht deri në rrëzë të kofshëve, u tmerrova, m’u bë gjaku finjë. Thashë se do ta shtypnin. Por, ai kishte kohë që rrinte aty. Ai vend ishte për të vatër buke. Rrotat e trenit ia kishin prerë këmbët dhe ai nga rrotat e kërkonte shpagimin, mbijetesën. Ato ose do ta ushqenin ose do t’i merrnin jetën. Ai nga ato rrota makinash si sfidë ndaj rrotave të trenit e kërkonte edhe jetën edhe vdekjen.

Kur i afroheshin lypësit cung makinat e ulnin shpejtësinë. Shoferët zgjasnin duart, paguanin taksën rrugore dhe ia shkelnin marshit sikur t’i kishin shpëtuar një lemerie të llahtarshme. Skapamentot nxirrnin një tym të zi pikëllimi, shoqëruar me rënkime të gjata të motorit të makinës dhe të vetë shoferit. Të gjithë shoferët i jepnin lëmoshë si paguanin taksën e rrugës, siç flitej në zhargonin e tyre, por Sybi Baçi ishte shoferi më shpirtdhembsur. Ai i jepte cungut aq lëmoshë sa mund të barazohej me një gjysmë asistence. Kishte të tjerë që ia shkelnin makinës sapo e shihnin mbi asfaltin e zi duke u justifikuar se nuk e vunë re në kohën e nevojshme që u duhej të ulnin shpejtësinë e makinës që të mund t’i jepnin lypësit "taksën". Disa nga shoferët karagjoza, për gallatë, i afronin lypësit rrotat e makinës fare afër dy cungjeve të këmbëve. Cungut s’ia bënte syri terr. Ai nga rrotat donte të vdiste, nga rrotat donte të jetonte. Rrotat e kishin gjymtuar, ato duhej ta shpaguanin, ta zhdëmtonin gjymtuesin e zi. Befas një nga shoferët e krisur shpirtqen, ia shkeli kamionit në drejtim të cungut me një shpejtësi ferri. Cungu e pa dhe ngriti duart drejt qiellit apo drejt makinës s’merrej vesh; nuk kuptohej, në lutej a kërkonte ndihmë, mëshirë apo i gëzohej turirit të makinës ngjyrë sepje e cila turrej me shpejtësinë e një derri të plagosur për t’u hakmarrë kundër plagosësit të tij, sikur ky autor i plagomës të ishte lypësi në mes të xhadesë pranë kthesës së Gosës së Kavajës.

Shoferi që deshi ta trembte, ta tmerronte Cungun, kur pa që cungu po qeshte, po gëzohej që po i afrohej, shoferi harrakat, çakmak Shpëtim Trashi e ngadalësoi shpejtësinë, i thirri mendjes, mendoi veten në qeli, fëmijët e vegjël që do t’i linte në dorë të fatit, e ndali makinën pranë lypësit. i zgjati dhe i ndezi një cigare.

Tu rritë ndera!, i tha cungu, Zoti të bekoftë, brus ta bëftë.

Makina iku dhe si me zemërim edhe si me keqardhje. Skapamentoja linte pas shtëllunga tymi.

Tymi i skapamentos dhe tymi i cigares se cungut u shkrinë njëri në tjetrin. Shoferi Sybi Baçi që ishte pas makinës Shpëtim çakmakut, pa që ai po turrej me një shpejtësi skëterre, u tremb kaq shumë sa u tmerrua se mos ajo makinë do ta shtypte lypësin cung, iu reflektua në një ëndërr tepër tragjike.

Atij, Sybi Bçit iu fanit sikur ecte drejt cungut me një shpejtësi të cilën ai nuk e zotëronte dot dhe … lypësi mbeti nën rrota, sytë e cungut kishin mbetur të hapur. Në të vërtetë ata dukeshin më shumë të zgurdulluar. Dukeshin sikur thoshin po ky më shpirtmiri i shoferëve, ç’pati me mua? Ç’i bëra unë atij? Ky ishte kuptimi i parë i shprehjes së syve. Kuptimi i dytë ishte krejt ndryshe. Dukej sikur ata i flisnin qiellit , i luteshin që qielli t’i shpëtonte jetën cungut. Kishte edhe një kuptim tjetër. Dukej sikur cungu me sytë e tij të hapur falënderonte shoferin shpirtbruz Sybi Baçi duke i thënë nëpër dhëmbë: rrofsh, me shpëtove, shpëtova…

Shoferi u tmerrua iu bë sikur nga sytë po i rridhnin rrëke gjaku, në vend të lotëve të kaltërta. Ç’bëra, ç’bëra unë, thoshte nëpër ëndërr …

Pas asaj ëndrre shoferit babaxhan Sybi Baçi ju tipos sikur do të ishte ai që do ta shtypte të ziun cung që lypte duke qëndruar ndenjur mes xhadesë, mes vapës në mes të zhegut të verës e në mes të acarit të imrave. Sapo i afrohej lypësit, ai i fuste marshin e dytë makinës dhe ecte si mbi qelqe, si mbi vezë, i hidhte racionin cungut dhe sapo e kalonte ia shkelte që të largohej nga ai sa më parë, me idenë fikse, shyqyr që shpëtova pa e shtypur edhe këtë radhë. Ideja fikse, opsesioni, tiposja se do të ishte ai që do ta shtypte lypësin cung që rrinte ulur mes xhadesë si një gur kilometrazhi apo si një tabelë kur punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve bëjnë punime, po i kthehej në një makth, në një persekusion.

Një ditë sapo kaloi kthesën e Gosës së Kavajës, kur priste të shikonte mes xhadesë cungun ai pa një masë, një grumbull të madh njerëzish. Dikush ishte shtypur. Sybi Baçi pyeti dikë që po vinte drejt tij nga grumbulli i njerëzve kuriozë që rrethonin të shtypurin. Kur ai i tha se kishin shtypur cungun aksidentalisht, shoferit Baçi i rrëshqitën duart nga timoni dhe i ranë mbi gjunjë. Eh, i shkreti, psherëtiu në çast shoferi Sybi Baçi, pastaj tha: shpëtoi i shkreti. Ky ishte shpëtimi i tij, jo vdekja e tij. Dy makina ishin përplasur pikërisht aty ku qëndronte lypësi cung. Ishte një shtypje tragjike.Tmerr. Po cungu s”jetonte më që të provonte tmerrin. Tmerrin po e provonin ata që e panë t’i bëheshin cungjet dhe mishrat zhele të përgjakura e ata që po e shihnin ende ashtu të shtypur llahtarisht.

Nga rrotat e kishte kërkuar jetën dhe vdekjen, nga rrotat e kishte gjetur.

I shkreti.

Shpëtoi.

Shpëtoi, por gjynah, megjithatë.

Gjynah vërtet, por shpëtoi, thoshin njerëzit qe e rrethonin. Shpëtova nga një krim, nga një mëkat, nga një peng, tha shoferi trim Sybi Baçi dhe në vend të pikave të lotit iu bë se po i rridhnin pika gjaku tamam si në ëndërr.

2013-2020

42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page