top of page

Shpërfillja e Gjergj Pekmezit


Istref Haxhillari

Në analet e kulturës pogradecare me shtresëzim të gjerë gjerdanit kombëtar, doktor Pekmezi zë vend të dorës së parë. Ndihmesa e tij në shërbim të çështjes shqiptare është e shumanshme.

Përkthyesi i komisionit ndërkombëtar për caktimin e kufijve, themeluesi i shoqërisë kulturore “Dija” dhe publikuesi i memorandumit drejtuar Kongresit të Berlinit, e përdori misionin e konsullit të nderit në Austri për të mbledhur arkivave të Vjenës mbi tetëmijë faqe të shtypura, ku zbulohen makinacionet e fuqive të mëdha për pavarësinë e Shqipërisë në harkun kohor 1871-1894.

Gjatë viteve të qëndrimit në Austri përshtati “Bleta shqiptare” të Thimi Mitkos dhe publikoi studimin shkencor “Gramatika e gjuhës shqipe”, e para vepër shkencore nga e cila morën shtysë gjuhëtarët pasardhës. Dy vjet më vonë nxori në dritë punimin e rëndë “Bibliografia shqipe” dhe në vazhdim “Libër mësimi e leximi i shqipes” shoqëruar me një fjalor ndihmës shqip-gjermanisht.

Në detyrën e kryetarit të “Komësisë letrare shqipe” për alfabetin e Manastirit së bashku me albanologun Nahti Gali dhe Ndre Mjedën studioi të folmen e Elbasanit që kulmoi me studimin “Përkujtime mbi çështjen e një gjuhe të përbashkët shqipe”.

Dijetari ynë do të krijonte shtratin gjermano - austriak për të tjerë dijetarë, që e ndoqën në vitet e më pastajmë, midis tyre Lasgush Poradeci dhe Eqerem Çabej. Nuk është e rastit që albanologët më të shquar qenë dijetarët gjermanë e austriakë të nxitur nga punimet e tij. Botimet e Pekmezit u bënë në gjuhën gjermane, jo pse atë e njihte në mënyrë të përkryer, porse donte t’i drejtohej publikut të gjerë e të kulturuar evropian për të kuptuar në tërësinë e vet xhevahirin e harruar e të pluhurosur të shqipes, ndër më të vjetrat gjuhë të Evropës.

Si përkthyes i komisionit ndërkombëtar për caktimin e kufijve, mbetet i unik akti i hedhjes së monedhave një turme fëmijësh në Korçë, të udhëzuar e paguar të flisnin greqisht për t’u treguar të huajve se ato troje nuk ishin shqiptare. Kur po mblidhnin monedhat e Gjergjit, fëmijët harruan porosinë e të huajve dhe zunë të shanin shqip njëri - tjetrin.

Ç’mund të bënte më shumë një personalitet i ditur i kohës?

Si një çudi e pa kuptuar, vepra e Gjergj Pekmezit lëkundet mes njohjes dhe mosnjohjes. Figura e tij çmohet në tërësi, pa hyrë në detaje, ku shpaloset vlera e vërtetë. Ende mungon përmbledhja e plotë si gjuhëtar, mësues, studiues, atdhetar, diplomat. Shpresoj se një ditë gjuhëtarët do të merren seriozisht me këtë vepër madhore që do të nderonte edhe më të mirin studiues të kohës së sotme...

Një dimension disi i panjohur i Pekmezit, është ai i mësuesit të gjuhës shqipe në trevat malore të Pogradecit. Pasi mbaroi arsimin fillor dhe tre vite të mesme, ndërpreu përkohësisht studimet. Ishte viti 1887, kur merr rrugën e gjatë e të vështirë për të dhënë mësim në shkollat e para shqipe të krahinës së Mokrës. Vetëm pak muaj pas çeljes së mësonjëtores në qytetin e Korçës, do të sillte për nxënësit e Llëngës libra në gjuhën amtare me alfabetin e Sami Frashërit. Por sa i çuditur mbeti kur aty, mes maleve, hasi abetare shqip, futur fshehur nga patriotët shumë kohë më parë!

A ishte e rastit surpriza e këndshme në atë mëngë të largët të vendit?

Natyrisht jo.

Përgjatë vijës Egnatia, krahas Voskopojës, Shipckës dhe Grabovës, Llënga njihet ndër vendbanimet më të hershme. Në fund të shekullit të gjashtëmbëdhjetë radhitej nga më të mëdhatë e qytezave të sanxhakut të Ohrit. Viteve që erdhën popullsia u mpak nga shpërnguljet për shkak të taksave që i detyronin të përqafonin fenë islame, po largimet nuk reshtën dëshirën e banorëve të mbetur për të mësuar gjuhën.

Adoleshenti i rritur në mjedis të kulturuar, inteligjent prej natyre, iu përkushtua me tërë energjinë e moshës këtij misioni të panjohur. Mjedisi pjellor i dha mundësinë të shpalosë aftësitë e fshehta mësimdhënëse. Në mungesë të programeve të mirëfillta krijoi sistemin e vet ku vendin e parë e zinte nxënia e shkrimit e këndimit shqip, pastaj aritmetika, historia e Shqipërisë, gjeografia... shpesh i ndodhte të harrohej pas tingëllimës së gjuhës sonë, maleve e fushave, bëmave të të parëve nëpër rrjedhat e historisë.

Nxënësit ishin gjithfarësh, nga mosha e njomë tek burrat e pjekur dhe gratë duarlyer me brumin e bukës. Vinin me nxitim të dëgjonin magjinë e gjuhës shqipe shpalosur nga ky çunak që s’ta mbushte edhe aq syrin. Për shkak të numrit të kufizuar të nxënësve, e shtoi punën si mësues shëtitës nëpër fshatra të tjerë.

Përmbi Llëngë, shpella e famshme e Nikës, limer i përhershëm i komitëve të Shahin Matrakut e Tun Kokoneshit, u bë ndër klasat e shumta të mësimit. Burrave që kishin lënë shtëpi e katandi mësuesi i ri u shpjegonte nevojën e bashkimit për të larguar turkun e grekun, për të shmangur copëtimin e atdheut.

Falë aftësisë për t’u futur pa droje në shtëpitë e thjeshta fshatare, u afrua me të gjithë. Gjeti në atë vend me hire natyrore mbresëlënëse njerëz të mençur, të dashur e të dhembshur që iu bënë prindër të dytë. Mësuesi nga qyteti u bë mik i burrave që e deshën si askush tjetër rioshin gojëmbël.

Fjalët e tij mbetën në mendjen e tyre duke kapërcyer kohën nga njëri brez tek tjetri...

Në vitet tetëdhjetë të shekullit të shkuar një burrë i vjetër nga fisi i Kokoneshëve më tha se në Mokër ka qenë Skënderbeu kur nisi të bëjë Arbërinë.

- Nga e ke dëgjuar? - e pyeta.

- Ia ka thënë tim ati Gjergji, - ma ktheu, po nuk dinte të shtonte më shumë.

Edhe më vonë kam dëgjuar banorë të këtyre anëve t’i referoheshin kur përmendnin ndonjë gjë të mençur:

“Kështu ka thënë Gjergji”.

I pavëmendshëm atëherë, nuk u vura rëndësi. Vonë mësova se në mjegullinën e kohës shkëlqente emri i mësuesit të ditur, ngulitur në kujtesën e njerëzve. Llënga, pastaj Mokra e tërë, u bënë shkolla e parë ku zë fill gjuhëtari, historiani, atdhetari dhe mendimtari i ardhshëm. Aty mblodhi gjuhën e virgjër të vendasve, zakonet e mira e të liga, virtytet dhe veset, ritet në gëzime e hidhërime.

Si makinë e kurdisur për punë regjistroi gjithçka.

Mokra dhe Gjergji i dhanë njëri-tjetrit ç’mundën e ç’dinin, më shumë se çdo gjë shpirtin e kulluar si vetë trojet e vendit. Mësuesi u largua, ngjiti me shpejtësi shkallët e dijes dhe u bë burri që i shërbeu si rrallë tjetër vendit. Njerëzia zënë me punët e përditshme nuk e dinin, po brez pas brezi e kujtuan djalin që pat qenë njëherë e një kohë atyre anëve. Në kuvende burrash të menduar për hallet e vendit, dëgjohej shpesh referenca:

“Siç thoshte Gjergji…”.

Istref Haxhillari

37 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page