Tregim nga Memisha Gjonzeneli
10 Prill 2020. Kohë Koronavirusi... Gjithë ditën rri brenda dhe dalë jashtë shtëpie vetëm kur bëj ecje sportive. Zakonisht bëj dy orë në ditë, një orë paradite dhe një orë mbas dite. Kur është kohë e keqe, ecjen e bëj në shtëpi, mbasi i kam të gjitha tertipet.
U bë kohë që direkt, nuk jam takuar me njeri, veç flasim në telefon ose në fejsbuk. Dje, kur po ecja rreth shtëpisë, në park, më ra zilja e telefonit. Dëgjova po nuk e hapa. Na flasin shpesh kompani, që duan të bëjnë biznes, po unë e mbyll, si i pa aftë në këtë fushë. Kur po kthehesha për në shtëpi, duke ngjitur shkallet, ra prapë telefoni dhe po binte akoma, kur unë e hapa dhe u ula në karrige. Pash numrin, po nuk e njihja. Po, fola, alo kush jeni? Ai u përgjigj: Unë jam, ai shoku që udhëtuam bashkë në aeroplan nga Roma në Çikago. Menjëherë reagova ndjeshëm:
-Po ku je more vëlla, sa e kam pritur ketë telefonatë!
-Vërtetë, me tha, po si je me shëndet, se ne tani jemi miq, pastaj vazhdoj: Unë të konsideroj mik, bile të ngushtë.
-Më bëhet shumë qejfi, i them unë, pastaj vazhdoj ta pyes: po ç’ kemi ç’ke bërë ndonjë gjë të re, ndonjë ndryshim në jetë?
-Mos u nxito, më tha, se prandaj të fola: Ti do habitesh, sa ndryshime kam bërë! Po, në radhë të parë po të pyes: A ke kohë të lirë, që mund të më dëgjosh?
-Jam krejtësisht i lirë, i thashë, po prit një minutë. (E vura telefonin në altoparlantë dhe e vendosa atë mbi tavolinë), tani vazhdo, po të dëgjoj!
-Atë ditë që u ndamë , kam qenë krejt i dërmuar fizikisht dhe shpirtërisht. Kjo, nuk më kishte bërë vaki ndonjëherë. Unë do udhëtoja për në Fenikes të Arizonës. U ula në një stol dhe fillova të lexoja tregimin tuaj të parë, “PUTHJA E FUNDIT”. Isha afër fundit të tregimit, kur dëgjova thirrjen, që lajmëronte se udhëtaret që do shkonin në Fenikes të bëheshim gati për nisje. E mbylla tregimin, u futem brenda në avion dhe veprova sa zura vendin tim. Vura rripin e sigurimit dhe vazhdova të lexoja. Tregimi juaj, rishtaz, më preku shumë. Pushova nja gjysmë ore dhe rinisa leximin e tregimin “Lumturia”. Ishin shumë interesantë që të dy. Tregimet sikur flisnin për mua dhe më bënin thirrje që të ktheja kokën pas, për të përfunduar atë punën që ti, e kishe zgjidhur shumë mirë. Kështu, vendosa që të mbaroja punë, sa më shpejtë të qe e mundur dhe të kthehesha menjëherë në qytetin tim, atje ku kish filluar kjo gjëmë. E mbarova më shpejt shërbimin: nga 10 dite, në shtatë ditë . Preva biletë dhe u ktheva ne Angeli, ku punoja. Dorëzova rezultatet e shërbimit dhe eprorët mbeten shumë të kënaqur. U kërkova një muaj leje, se kisha vite që nuk kisha pushuar dhe ma dhanë me dëshirë. Kështu që u nisa me qejf dhe për një detyrë në Shqipëri. Mërita në Tiranë dhe si rregullova çdo gjë, u nisa për në qytetin tim. Ndërkohë para nisjes u betova se pa mbaruar punë nuk do kthehesha.
Gjëja e parë që bëra menjëherë pas zbritjes në qytetin tim: bleva lule nga më të bukurat dhe nisa vizitat në varreza. Te varri i zemrës sime kishte vajtur dhe i ati. I ndava lulet në dy pjesë. Sa herë që veja në Shqipëri me punë, ose kur kisha ndonjë interval pushimi, merrja një taksi dhe veja te “zemra ime”. Shkova, së pari, nga shtëpia, ku rrinte nëna e saj dhe pyeta. Më thanë që ishte mirë po momentalisht nuk ndodhej në shtëpi. Ajo, çdo mëngjes nga ora 9 deri në 10 të, shkonte te ai parku aty afër. Të nesërmen shkova herët në mëngjes dhe u ula te një stol që ishte karshi stolit ku ulej nëna dhe fillova të lexoj. Rreth orës 9 e ca, dëgjova disa këmbë. Ngrita kokën dhe pash nënën e zemrës time. Sa ishte plakur! Ajo, pa një herë nga unë, pastaj u ul. Ndenja aty, duke lexuar, deri sa ajo iku. Pasi ndenja dhe pak, ika edhe unë. Të nesërmen unë prapë shkova te i njëjti stol. Mbas pak erdhi dhe ajo. Kishte hedhur krahëve një shall të madh kafe, shumë të bukur. Kur ngrita kokën nga leximi, ajo po më shikonte mua me vëmendje. Pastaj më pyeti:
-Po nga je, more bir, nuk duket se jeni prej këndej?! Bëra buzën si në gaz dhe i thashë.
-Jo nëne, unë prej këndej jam, po kam vite që punoj jashtë shtetit.
-Më fal bir, më tha dhe më tej e mbylli gojën.
Të pasnesërmen, unë bleva një tufë me lule, si ato që çoja në varreza dh shkova po te stoli, më herët se zakonisht. Kur ç’të shoh: ajo kishte vajtur para meje dhe po me priste. Unë shkova drejt saj dhe i dhurova tufën me lule.
-Po këto, më tha ajo dhe sytë ju mbushen me lot. I njihte ato lule.
-Janë për ty, i thashë me gjysmë zëri.
-Hajde bir, më tha, ulu se edhe unë të kam prurë peshqesh! Nxori një pjatë me biskota të futura në sherbet. (Që kush e di sa herë kisha ngrënë, kur m’i sillte zemra ime). Ju hodha në qafë dhe fillova të qaja me dënes, pa droje, ashtu si nuk kisha qarë kurrë. Më dukej vetja si fëmijë i vogël. Po dhe ajo, qante në heshtje dhe më fërkonte kokën si kur të më kishte birin e saj. Mbasi u qetësuam pak, e pyeta: -Si me njohe ? Ajo bëri buzën në gaz dhe tha:
-Kam vite që të pres, bir. Shumë u vonove. Nga njëherë kisha frik se mos ikja nga kjo botë, pa të parë fare. Po, qysh ditën e parë që të pash këtu, e kuptova se pritja ime e gjatë, kish mbaruar dhe falënderova zotin që më së fundi të pruri. Tani bir, ngrehu të shkojmë në shtëpi. Atje do kemi një punë të vështir! Unë u ngrita si robot. Ajo më kapi krahun për ndihmë dhe u ngrit. Krahun nuk ma lëshoj, po ma shtrëngonte fort , se ndofta kish frikë se mos ikja.. .Mbërritëm në shtëpi. Ajo nuk ishte shumë larg nga parku. Kur hyra brenda, në mes të një tavoline ishte fotografia e “zemrës time”. Ajo, po më shikonte duke qeshur dhe sikur po më thoshte: Më së fundi, erdhe! Ajo ishte kudo, në të gjithë muret..Mezi u ula në një karrige, kur i gjithë trupi po me dridhej. Ajo po më shikonte, ose kështu me dukej mua, gjithmonë duke qeshur. E kisha të pa mundur të qetësohesha. Doja të ulërija, po dhe për këtë, nuk kisha fare forcë. Erdhi dhe nena të ulej në tavolinë, po u kujtua për një burim shqetësimi: Mori foton me kujdes, se mos e lëndonte dhe e futi në sirtar. Ajo ishte nënë dhe e kuptoj se me atë preokupim të dhimbshëm në mes të tavolinës, nuk mund të vazhdonim jetesën. Pastaj u ul edhe vet. Ishte zverdhur krejt në fytyrë. Pikë gjaku nuk i kishte mbetur. Megjithatë, gjeti forca dhe duke më parë në sy më tha: (Tani është pjesa më e vështir për të dy).
-Më pyet, të të përgjigjem!
-Po, i thashë duke u dridhur, ti e di vetë se ç’farë do të të pyes. Ndenji pak u mendua, (ajo kush e di sa dhjetëra herë ishte menduar për ketë rast). Ajo vazhdoi: Ti kishe ikur në Tiranë te motra. Atë nuk e mbante vendi, ishte mërzitur pa masë nga largimi yt. Ajo ishte gjithmonë e qeshur dhe e gëzuar dhe ne kënaqeshim kur e shikonim atë. Po këto dy ditë mezi e mbante vendi. Në darke ishim vetëm unë dhe ajo. Kur pa pritur më tha: Nëne, mua më pëlqen një djalë. Është një djalë i mrekullueshëm nëne dhe unë e dua shumë. Në çast unë u gëzova dhe e pyeta: -Si e ka emrin dhe mbiemrin? Ajo m’i tha. Unë u preva në fytyrë dhe u zverdha dhe thash me vete zot më ndihmo! U ngrita dhe shkova te dhoma ku mbaja sekretet personale dhe nxora letrën që kisha marrë në jetimore, ku tregonte se vajza ime e adoptuar kishte dhe një vëlla pak më të madh, që dhe ai ishte i birësuar me emrin dhe mbiemrin e familjes që e kishte marrë. Emri dhe mbiemri ishte i njëjtë me identitetet që më dha vajza. U ktheva te tavolina ku më priste vajza dhe sa u ula i thashë: Me atë djalë nuk mund të kesh marrëdhënieje, dhe mos ma zur më në gojë. U ngrita dhe ika. Nuk fjeta gjithë natën. Mu kujtua kur më folën nga drejtorja e përgjithshme e shtëpisë së fëmijës. Atje mësova se vajza ime, që kisha adoptuar, kishte dhe një vëlla, që ishte pak më i madh se ajo dhe ka mundësi që te jetojnë në të njëjtin qytet qe banojmë edhe ne. Prandaj duhet te jeni të kujdesshëm. Më dhanë dhe një pusulle me emrin dhe mbiemrin e familjes qe e adoptoj.
Gjithë natën nuk më zuri gjumi. Në mëngjes me dhembte i gjithë trupi. Po në veçanti koka. Burri me tha të njoftonte mjekun. Po unë i thashë, që nuk ka nevojë. Në darkë çupa po më priste. Nuk dija se çfarë t’i thosha.
-Hë mami, më tha ajo, si u bë ai muhabeti që lamë për gjysme mbrëmë. E pash që dhe ajo nuk kishte vënë gjumë në sy. Rrathë të zezë kishte rreth syve. Më erdhi shumë keq po nuk kisha asnjë mundësi si ta ndihmoja. I thashë e vendosur: jo bijë dhe mos ma zur më në gojë këtë çështje. Ajo më tha:
- Ç’është kjo zgjidhje, as e njeh dhe as e ke parë ndonjëherë dhe je kaq e prerë. Po nuk me dhe arsyen unë kurrë nuk do heq dorë prej tij më tha. Të lutem më thuaj! Ndenja dhe pak, të mendohesha. Unë kushedi sa herë kisha menduar po nuk kisha gjetur rruge zgjidhje. U ngrita për të ikur, kur ajo më kapi për dore.
-Nuk mund të ikësh mami, pa me treguar. Ktheva kokën nga ajo duke qarë dhe i thashë:
- Bijë, Ai është vëllai yt, prandaj nuk ka asnjë alternativë...Asaj në moment i ra të fiktë…Mezi e prura në vete. Qysh nga ai çast ajo nuk foli më, po shkoj e u shtri mbi krevat, si e vdekur. I fiku dritat dhe kur unë doja t’i afrohesha, ajo ma bëri me shenjë që të mos veja. Mendova se, pas kësaj me kohë ajo u qetësua. Nga mezi i natës, unë shkova ta shihja, ajo dukej sikur po flinte. E po, thash me vete, shyqyr që u qetësua. U shtriva prapë në krevatin tim. Në mëngjes u ngrita shpejt, kisha merak dhe shkova drejtë dhe te krevati i saj. Ajo nuk kishte lëvizur nga pozicioni që e lashë natën. I ve dorën në ballë, ai ishte akull i ftohtë. Ajo kishte vdekur.
Mbi komodin kishte lënë një letër. E mora letrën me njëherë dhe e futa thellë në gji. Nuk e di ku e gjeta atë forcë? Zoti më ndihmoj. Pastaj bërtita.
Pasi kaluan nja dy javë, vendosa ta hap letrën, që ajo të drejtohej ty dhe më dukej se po bëja gjynah. Ajo nuk thoshte as gjë për ne, veç për ty. Ja lexoje:
E mora atë letër dhe mezi po e mbaja në dorë, se më dukej shumë e rëndë. Mezi e hapa. Shumë pak kishte shkruar. Sytë po me lotonin:
“ I shtrenjti im! Po të le nja dy detyra që patjetër duhet të mi plotësosh me bindje:. Kur të mbërrish edhe ti këtu, ku po shkoj unë, dua të të kem në krahë, që të jemi bashkë…Dhe e dyta para kësaj, dua që të vazhdosh jetën, të martohesh, të kesh edhe fëmijë, që të kemi edhe në familje, ndryshe do shuhemi, pa lenë gjurmë.
I shtrenjti im! Historia jonë mund të ketë faje, po të garantoj, se nuk ka fajtorë, prandaj, çaj përpara!
Letra ishte e gjitha e larë me lotët e saj, si po lahet edhe tani me lotët e mi. E ëma shkoj te dhoma tjetër të qante më lirshëm…Të nesërmen ishim të dy më të qetësuar. Nëna përsëriste shprehjen:
-Të kam pritur bir, shumë u vonove. Sa herë që shkoja në varreza me burrin, dikush kishte vajtur para nesh dhe kishte vendosu mbi varr një buqët të bukur me lule të freskëta. Burri pyeti nja dy herë, pastaj nuk u ndije më. Unë i thosha: ndonjë shoqe e ngushtë nuk e harron. Bir, më tha me intimitet prindëror nëna, Fillo e vuri në jetë ato porositë e letrës. Ajo, nxori një çelës të shtëpisë dhe ma dha: Nuk ka nevojë të trakasish, ka kohë që kjo është shtëpia jote. Unë nuk kam njeri tjetër. Ty të kam pritur, tha nëna. E qafova nënën, sikur ajo të ishte nëna ime biologjike.
Të nesërmen, që në mëngjes isha qetësuar plotësisht. Shkova te drejtoria e varrezave dhe pronotova vend varrimi për të katër. Pagova edhe për ta rrethuar dhe doli shumë e bukur...U nisa për Tiranë. Sa vajta, i hoqa të gjitha rrobat e vjetra, më së shumti me ngjyrë të errët dhe shiritat e zeza të zisë dhe bëra një seleksionim total. Pash programin në televizor në orën 8 në darkë, kish opera, që mua më pëlqente që kur isha i vogël.
Pas ndonjë muaji, shkova sërish te nëna. Ajo, po me priste me mall, po kur më pa të përtërirë, mezi më njohu. Ka lezet kështu, të keqen nëna, po ti, mos harro, je 51vjeç dhe dukeshe mbi 60 vjet! E përqafova dhe sytë m’u mbushën me lot, si mua dhe asaj dhe kujtimet na çuan larg…Po shpejt më përmendi zëri i ëmbël i nënës: “Të keqen nëna mos e kthe kokën mbrapa. Tani, shiko vetëm para!”
-Miku im, para se ta mbyllim telefonin, të të kujtoj një proverb shkodran, që mbetet gjithmonë aktual:
BËRE GJË, NUK BËRE GJË, KOHA IKËN!
ÇIKAGO 10 prill 2020…..
Commentaires