
SHPENDI TOPOLLAJ
ERALDA BAZE SHKRUAN PËR TË VËRTETAT TONA TË HIDHURA
“Dielli më perëndon në lindje” është një roman që na bind se kur bashkohet talenti dhe kultura me kurajën për të folur sinqerisht, arti merr trajta të admirueshme. Ai, tek e fundit vërteton mësë miri atë konstatimin e anglezit Samuel Xhonsonit (S. Johnson), aty nga shekulli i XVIII – të, se “Për të shkruar një libër, duhet të shfletosh një bibliotekë të tërë”. Dhe ngaqë autorja i ka të treja këto cilësi, edhe romani i saj lexohet me ëndje, pavarësisht një farë stili proliksiteti që përdor apo operimit me mjete fare të thjeshta, e deri vogëlima rutinore në dukje të parëndësishme. Ndofta pikërisht këtu qëndron si e reja e të shkruarit të saj dhe kompozicionit, ashtu edhe e guximit të autores Eralda Baze, emri i së cilës sipas gjermanishtes antike don të thotë “I fortë dhe me vlerë në ushtri”, por që unë do ta parafrazoja, “e fortë dhe me vlera në ushtrinë e shkrimtarëve”, pra të atyre që luftojnë me penë. Me penën e saj ajo përshkruan lakuriq kohën e trazuar që ne shqiptarët po kalojmë, ku natyrisht që politika dhe politikanët janë shkaktarët kryesorë të gjendjes aspak të këndshme. Për lexuesit e zakonshëm kjo është e njohur, ndaj kjo autore nuk merret direkt me ta, por me pasojat e paaftësisë, makutërisë, korrupsionit e deri nënshtrimit të tyre para të huajve. Për të, neveria ndaj tyre shprehet me fatet që ndjekin personazhet e saj, mjedisi ku ata vegjetojnë, mentaliteti që sundon e deri karakteret që përthyhen sipas interesave meskine. Pak a shumë jemi para një rrëfimi në vetën e parë të një vajze te të tridhjetat, ku autorja njësohet me heroinën. Ajo nuk pret ta emancipojnë, t`i mbrojnë të drejtat apo ta trajtojnë si të barabartë me burrat, shoqatat jo qeveritare. Ajo me etjen për studime, jo vetëm profesionale, me qënien një përkthyese poliglote, me konceptet moderne që ka për jetën, me lirinë e saj, erudicionin e madh apo me dinjitetin që e karakterizon, ka ecur shumë më përpara shoqërisë. Forca e saj nuk është ajo fizike, por intelektuale. I vjen të pëlcasë nga mangësitë e veset e njerëzve, sidomos të nëpunësave a deputetëve karikaturë, qesh me shpoti në bisedat e saj me Violën, shoqen e ngushtë, por vetëm kaq, pasi nuk shkon dot më tej. Zgjuarsia e saj nuk vlen për më shumë në këtë vend, por dhe vetë ajo nuk ka ndonjë ambicje për karrierë. E di se Kamyja diku ka thënë se: “As ata që e duan të vërtetën, as ata që e duan të bukurën, nuk mund të merren me politikë, sepse ajo nuk merret as me të vërtetën, as me të bukurën”. Dhe Era, kupto autorja, e do si të vërtetën ashtu edhe të bukurën dhe i trembet, sikurse pohon teksa fluturonte në avion, vetëm “vetes time”. Jeton më vete, ashtu sikurse këtë modë po e ndeshim rëndom qyteteve tona. Në çdo hap që hedh e paraqet bindshëm personalitetin e saj dhe prirjet e shëndosha demokratike. Në subkonshiencë i kupton rrjedhojat e lënies së atdheut në dorën e botës. Bën thirrje, ashtu urtë e butë, me finesë dhe me zgjuarsi, për kujdes nga influencat e sulltanëve neootomanë, demokracisë amerikane, dashamirësisë franceze apo të Evropës në përgjithësi. Atyre u kanë lënë dorë të lirë, politikanët tanë servilë që u betohen e përbetohen atyre për miqësi, thjesht për garantimin e pushtetit të tyre. Në planin personal, Era nuk do t`ja dijë se ç`thonë bota, ndaj nuk e fsheh as gotën e konjakut e as dashurinë e saj, qoftë ajo dhe me një të krishterë egjiptian, ezmerin simpatik Miladi. E do me zjarr atë dhe i beson atij, siç i kishte besuar dikur Klajdit, i cili rezultoi një dallkauk që u bë edhe zëvendësministër dallaveraxhi, por që e heq nga hunda e shoqja të cilën ja ka shpënë si shefe Erës atje ku ajo punon. Eralda është kujdesur që gjithë ç`ka për të thënë t`i përqendrojë në bisedat e lirshme apo mesazhet që shkëmbejnë dy shoqet apo Era me motrën binjake, Evën, si dhe në meditimet e vetë Erës. Lexuesi gabohet kur mendon se pasi Era ka mbërritur në Kairon e turbulluar nga ngatërresat e brendshme, të cilat bujarisht i trazon një dorë e huaj, autorja do ndalet të përshkruaj gjatë e gjerë ato mrekulli faraonike në atë “shkretëtirë madhështore (që) dukej e imunizuar nga realja; (dhe që) nuk e përshkonin dot valët e racionales; (që) ekzistonte ashtu kokëfortë jashtë çdo kohe, jashtë çdo vendi, në shenjtërinë e saj mortore” (fq. 127). Por ajo nuk ndalet fare te Piramidat edhe pse ato janë ndër shtatë mrekullitë e botës së re e të vjetër sipas Antipatrit nga Sidoni, te sfinksi që mbart ndër shekuj atë enigmën e çuditshme apo te mumjet e portreti joshës i Nefertitës. Ajo nuk kërkon vendin ku u vetëvra e dashura e Mark Antonit, Kleopatra. Vetë Napoleoni i madh nuk i rezistoi dot tundimit dhe para betejës u tha ushtarëve fjalët lapidare: “Djema! Që lart këtyre Piramidave dyzet shekuj na vështrojnë”. Këto pasazhe përbëjnë vetë historinë, por Eralda është në kërkim të atyre pasazheve, atyre qelizave që përbëjnë diçka më të komplikuar, vetë njeriun, konceptet dhe sjelljet e tij përcaktuese në shumë zhvillime, deri edhe ndërtimin gati - gati hyjnor të atyre çudirave që tërheqin përherë miliona vizitorë. Edhe kur e prek këtë raelitet, mendja e saj fluturon larg nëpër kujtime apo fragmente librash. Dhe me shpoti e quan veten një ëndërrimtare nga Ballkani dhe Miladin një qejfli nga Toka e Diellit. Ç`e lidh atë me këtë njeri të panjohur? Si është kaq e pashpjegueshme natyra njerëzore. Si trumfojnë ndjenjat edhe mbi arsyen? Mos po gabon? Këto e mundojnë dhe e robërojnë atë më shumë se kuriozitetet e atij vendi. Ndaj dhe autorja i mëshon pikërisht gjendjes së saj psikologjike. Kështu Erën e habit fakti sesi kanë ardhur punët që në aeroportin e Kairos, atij vendi ku dikur mbretërit indentifikoheshin me perënditë, sportelistja pas një kabine lluksoze përtyp si brejtës fara lule dielli dhe ja si shprehet për policët që sheh atje: “tani e kuptoj pse te pika e kontrollit, më shumë se detonatorin, policët mustaqellinj përdorën sytë e tyre të mëdhenj për të na skanuar; na mbuluan nga koka te këmbët me ca shikime të uritura”. Ajo tani e kupton se duhet ardhur një herë në Afrikë që të mos duket aq keq Shqipëria, ku të gjithë ata që synojnë pushtetin, premtojnë se nesër do jetë më mirë. Era nga ana e saj është ateiste, ajo nuk beson te jeta pas vdekjes apo shoqëria pas dashurisë. Por edhe i respekton bindjet e të tjerëve, pa harruar të tallet me ata që bëjnë sikur veç për fenë mendojnë ditë e natë. “…deri dje në komunizëm ishte frikë të thoshe se besoje, - shkruan ajo - kurse sot, kështu si po shkojnë punët do kemi frikë të themi që nuk besojmë. Janë në terezi këta? Bota nuk iu është lënë trashëgim as besimtarëve as jo besimtarëve, thjeshtë na është dhënë me qira për pak kohë të gjithëve sëbashku. Kështu që na pëlqen apo s`na pëlqen, duhet të bëjmë çmos që të na nxërë të gjithëve. Dhe, mund të na nxërë për bukuri, nëse në plan të parë vendosim atë që kemi të përbashkët të dy palët: njeriun” (fq. 309). Mirëpo edhe njeriu sesi është nganjëherë; po i mungoi sinqeriteti, vijnë zhgënjime të mëdha, sikurse i ndodhi edhe Erës, kur Miladi i saj i dashur i fshehu martesën me një gjermane. Po tek e fundit, a nuk thotë Mark Tueni (M. Twain), se “Njeriu u krijua në fund të javës, kur Zoti ishte i lodhur”? Ama të jemi të hapur: për njerëz dhe shkrimtare si Eralda Baze të vjen keq që e ke njohur kaq vonë.
Pershendetje dhe urime Shpendi! Nje shkrim shume i ngrohte per kete autore te re, ne letrat shqipe. Vete citimi i disa shprehjeve, na ben te kuptome mentalitetin e saj dhe filozofine qe e udheheq ne krijimtari. Urime autores. Nuk eshte e lehte te perfshihesh ne penen e Shpendit, si krijues dhe kritik letrar.