
SHPENDI TOPOLLAJ
AGRON ÇALLIKU, SHKRIMTARI QË GUXON TË THOTË TË VËRTETËN
Mendimet, dëshirat, shqetësimet dhe brengat e tij, Agron Çalliku pak a shumë i ka shpalosur qysh te vëllimi poetik “Me vdekjen në dorë të ecësh”. Atje, në verbin e tij, menjëherë vërehet preokupimi njerëzor, intelektual e qytetar. Dallon kurajë për të thënë atë që ai sheh e ndien, por mbi të gjitha sinqeritet. Por kjo kurajë dhe ky sinqeritet merr të tjera përmasa te libri në prozë “Shënime çasti”, botim i vitit 2007 nga SHB “Toena”. Theksova kohën kur është botuar, për të treguar se edhe pse kanë kaluar 15 vjet, ai mbetet aktual edhe sot e kësaj dite. Miku im Ylli Pepo, ai i mençuri dhe artisti i shquar, duke folur për këtë ka thënë: “Vizioni i këtij shkrimtari filozof është tepër i prekshëm, gati makabër në përshkrimin e ngjarjeve të hidhura të jetës. Libri i tij është si një film mozaik, ku çdo “gur” është vendosur me kujdes në të tërën për të krijuar tablonë e madhe të Shqipërisë së sotme dhe të njeriut, herë - herë të pafuqishëm përballë krimit dhe mashtrimit, të vendosur në të”. Dhe ka shumë të drejtë, pasi ashtu sikurse njeriun nuk e shkëput dot nga natyra, njësoj nuk e ndan dot edhe nga zhvillimet politike të kohës kur ai jeton. Herë pas here ne dëgjojmë ankesa të dëshpëruara se intelektualët nuk po e thonë me forcë fjalën e tyre për mangësitë, të metat, pengesat apo devijimet politike që hasim. Deri diku kjo vërejtje është e drejtë, por më duket se edhe kur e ngrenë zërin qartësisht, madje dhe me forcë, ata që duhet ta dëgjojnë sepse bëhen të shurdhër. Diku në Ungjill është shkruar “Vox clamantis in deserto”, ç`ka do të thotë “Zë që thërret në shkretëtirë”. Edhe pse Agroni nga përvoja e tij e njeh këtë postulat, ai nuk hesht. Vetë ai qysh në vitin 1996 shkruante dhe botonte në gazetë artikullin me titull “Që koha të mos na dënojë për heshtjen”. Në librin e tij ai ka dy lloj shqetësimesh; ato të gjithë shoqërisë dhe ato të vetat. Agroni është sa i sinqertë aq edhe i revoltuar. Aristoteli mësonte se “Mos me u idhnue kur lypet, asht marri”. Por revolta e tij është ajo e një letrari, e një intelektuali që i kupton mirë rrënjët e së keqes. Ai brenda saj nuk kërkon as poste, as favore dhe as lavdi. Ai gjithashtu e di mirë se ato nuk fitohen duke kritikuar. Për më tepër, prej tyre del i humbur. Por, si thosh Noli; Sokrat i vojtur apo derr i kënaqur? Ai në jetë ka humbur shumë, por një gjë jo; nderin. Ndaj më mirë duke e treguar të keqen, pra makutërinë e politikanëve e shtetarëve, me gisht. S`ka gjë se ai filozofi mësonte se është e rrezikshme të kesh të drejtë, kur qeveria është gabim. Në qortimet e tij ai nuk përdor taktika dhe nuk gjurmon aleanca. Atij i mjafton fjala e tij, llogjika e tij, argumenti i tij. Ndaj në formë tregimesh me fare pak radhë, gjithmonë duke medituar, ai ndalet te esenca e problemeve. Për të rëndësi ka e vërteta. Platoni pohonte se drejtësia në një shtet, “është harmonia e virtyteve të maturisë, guximit dhe urtësisë”. Po cili shtet te ne u dha rëndësi këtyre vlerave? As që e kanë pasur ndonjëherë në planet e tyre. Se ato nuk mund të qëndrojnë në krah të babëzisë për fitime. Ndaj dhe nxjerrin ligje pa fund, jo thjesht të paarsyeshme, por të dëmshme. Ligje nga ato që as vetë koha nuk i korrigjon dot. Pastaj jeta shoqërore me rregulla, të drejta e detyrime të shkruara nuk lindi sot. Cornelius Tacitus e kishte konstatuar me kohë këtë ndaj kishte dalë në përfundimin se “Sa më i korruptuar të jetë shteti, aq më shumë ligje ka”. Kjo është dhe ajo që e nxit Agronin që rrënjët e së keqes t`i gjejë si tek e shkuara komuniste, ashtu edhe te mos ndëshkimi i saj. Pushtetarët e rinj, harruan misionin e tyre. Ata ja dhanë shëmtuar pasurinë të zotërve, duke i quajtur ata përsëri ish pronarë. Bënë sikur i mbështetën ata që kishin vuajtur e qenë persekutuar për bindjet e tyre sipas parimeve të demokracive perëndimore dhe pastaj i shmangën. Orientuan shkatërrimin e gjithçkaje me lloj - lloj absurditetesh, se gjoja do na bënte parajsë bota. I dhanë dërrmën ushtrisë, duke e shkrirë atë me gjithë armatime, municione e llogjistikë. Çuan për skrap tanke, topa, anije e avionë dhe shitën municione miliardash pa ditur se ku shkuan paratë. Mbrojtjen e vendit ua lanë në dorë plotësisht të tjerëve, paçka se ndonjë prej tyre mban ligjin e luftës me ne. Me naivitetin e tyre, lejuan krijimin e Firmave piramidale, ç`ka e çoi atdheun drejt kasaphanës, pasigurisë e rrëmujës totale. Futën përçarjen në popull me qëndrime diametralisht të kundërta. Iu nënshtruan të huajve deri në kufijtë e turpit, aq sa një ambasadori i falet e gjithë klasa jonë politike që nuk lë rast pa deklaruar besnikëri ndaj tyre deri në nënshtrim. Bota tallet me ne, duke na joshur me karamelen e çeljes së bisedimeve për anëtarësim në B.E. por ata bëjnë sikur nuk e shohin. Kuptohet që kanë frikë për karriget e tyre, se (Dëgjoni o njerëz: “Edhe gabim ta kenë ata, ne do t`u bindemi!). Rinia u largua, papunësia sheshit, investitorë s`ka, pensionet mizerabël, diplomat blihen, vendet e punës me militantë, droga në të katër anët, krimi s`ndalet, tenderat e dyshimtë s`po na çudisin më, morali për tokë. Po pse, pak janë këto për atë që ka vendosur si Agron Çalliku, të mprehë penën? Ja, me këto merret në librin e tij ai. Ashtu sikurse nuk ngurron që të japë edhe mendime sesi mund të kapërcehen këto situata. Ja sesi thotë ai diku fjala vjen: “Është ekonomia ajo që bën të njohur një shtet, kur nga kjo ekonomi ai shton të ardhurat e tij, për rrjedhojë shton rrogat në sektorin shtetëror dhe shtyn bizneset për të nisur rrugë që sjellin progres”. Po sikur të mos mjaftonin këto, gjendjen e tij shpirtërore, këtij autori ja rëndojnë disa ndodhi e përjetime personale. Ato nuk kanë qënë aspak të lehta. E kanë dëshpëruar atë, ja kanë pushtuar mendimet dhe i kanë vrarë gjumin. Por ai, ashtu sikurse nuk u fshihet atyre, po ashtu nuk ua fsheh ato edhe të tjerëve. Jo gjithkush do ta bënte këtë. Te pjesëza “Sëmbimi” ai shkruan: “Unë jetoj sot nën gërmadhat e së kaluarës dhe të tashmes. Unë jam ai që vuaj, vuaj pa mbarim, dhe do të vuaj gjithnjë, pasi s`ka se si të jetoj i qetë, kur njera anë e zemrës qëndron në kohë dhe tjetra anë jeton me kohën”. Zemra e tij e ndjeshme është e coptuar. Ai në subkonshiencën e tij vajton fatin e keq dhe të pamerituar, hilenë e të afërmit, zhënjimin nga miku, ftohjen e së bijës së cilës i shkruan me gjithë fuqitë e shpirtit një letër të rrallë. Një letër ku dallon arsyetimi i shëndoshë, ndjenja prindërore, dashuria e pakufi, preokupimi i babait, thirrja për afrim. Ai vajton edhe të mbyturit në Otranto. Dhe në mbyllje: “Thirrja” për shkencëtarë, shkrimtarë, filozofë, studiues, sociologë, ideatorë, politikanë, artistë etj. “Vriteni mendjen, që të mos vrasim njerëzimin!” Për këtë libër të shkruar me shumë talent, kulturë dhe humanizëm, vetë autori shprehet: “E shkuara e shkruar në mendjen time është më me kuptim se e shkuara që kam arritur të shpreh në shkrimet e mia”. Kjo ngjet me çdo shkrimtar, por Agron Çalliku edhe me ato copëza meditimesh që ka shkruar, mendoj se ja ka arritur plotësisht qëllimit, për të na dhënë mesazhe të forta, sidomos për të guxuar dhe për ta thënë mendimin tonë pa asnjë drojë.
Comments