
SHPENDI TOPOLLAJ
FATOS KONGOLI, SHKRIMTARI I TALENTUAR I TË VËRTETAVE TË
MËDHA
(Rreth romanit “Stinë pandemie”)
Të flasësh për shkrimtarin Fatos Kongoli është e tepërt. Më mirë se kushdo, për të kanë folur vlerësimet e shumta dhe çmimet që i janë dhënë ndër vite dhe përkthimet e veprës së tij në disa gjuhë dhe vende të ndryshme. Personalisht, dhe çuditërisht për natyrën time tepër shoqërore, nuk kam ndonjë afri me të. Kuptohet që këtu ka ndikuar edhe fakti se ai ka qenë disi i tërhequr (nuk them mizantrop, larg qoftë, se do gaboja), nga veprimtaritë që herë pas here janë organizuar si në raste promovimesh të librave të ndryshëm ashtu edhe në takimet përkujtimore kushtuar figurave gjurmëlënëse në letrat shqipe, ku thuajse përherë, unë aktivisht jam i pranishëm. Ndofta, pa e kuptuar, kjo ka qenë dhe arsyeja që nuk kam shkruar ndonjëherë për krijimtarinë e tij. Por tani, në këtë periudhë trishtimi që po kalojmë, kur pashë se ai kishte gjetur forca dhe gjendjen shpirtërore që të shkruante romanin “Stinë pandemie”, mendoj se është momenti të them dy fjalë për këtë autor të nderuar. Libri nis me një kujtesë ku thuhet: “Çdo ngjashmëri me persona, mjedise dhe ngjarje reale është e rastit. Gjithçka në këtë libër është prodhim i fantazisë.” Kjo është pjesërisht e vërtetë, pasi edhe lexuesi më i zakonshëm e kupton se për kë dhe për çfarë ngjarjesh bëhet fjalë, si dhe qartazi shpaloset qëndrimi kritik i këtij autori me reputacion, ndaj tyre. Për më tepër, duket se historia e një burri të divorcuar, që ka takuar Sonjën, një të dashur të shumë e shumë viteve më parë, por që tani rri e sheh nga ballkoni i katit të tretë, se ç`bëhet në atë qytezën pranë kryeqytetit me “ardhacakët” dhe “ikanakët”, s`është tjetër veçse alter egoja e shkrimtarit. Vetëm kështu, ai ka zgjedhur një vend komod për të vrojtuar dhe shpallur bindjet dhe qëndrimet e tij. Në pamje të parë, duket se ai pret një surprizë që fëmijët e tij i premtojnë gjatë bisedave në celular, t`i bëjnë kur ta takojnë, pra kur të pushojë izolimi. Por izolimit, nuk i duket fundi; ai vazhdon pambarimisht, deri atje sa njerëzit të mësuar me të, bashkëudhëtojnë. Surpriza, nuk vjen kurrë, por askujt nuk i bëhet vonë, madje as vetë lexuesve, pasi të tjera surpriza, deri dhe politike e sundojnë përditshmërinë e tyre. E bija e kishte paralajmëruar se po të vazhdonte kështu “…s`na mbetet tjetër veç të shkallojmë”. Por njerëzit e zakonshën nuk shkallojnë. Ata që gjejnë rastin të tregojnë çmendurinë e tyre janë burrat e shtetit. Dhe kur kjo çmenduri bashkohet me paturpësinë dhe babëzinë për të siguruar fitime në rrugë nga më të ultat, ata bëhen shumë të rrezikshëm. Me një të rënë të lapsit dhe me një fadromë, prishet pa pikë mëshire identiteti i qytetit, me arsyetimin se do e bëjmë si Evropa. Më tej futet në lojë policia e cila me taktika ushtarake hidhet në sulm, për të asgjësuar pjesë - pjesë rezistencën e banorëve që prej tridhjetë vjetësh kanë ndërtuar me njëmijë halle, po nën hundën e qeverisë, banesat e tyre. Ngaqë nuk ua dalin dot, përdoret djallëzia e romakëve “Divide et impera”. Disave u japin shpërblimin, disave edhe po edhe jo, gjysmë shpërblimin,kurse masës së gjerë, atë gishtin e mesit që përdori ndaj tyre ai diplomati i huaj i rëndësishëm. Dhe e gjithë kjo vetëm për dy kilometra rrugë, por që kushton mbi dyzetmilionë Euro, që edhe pse është haptazi korrupsion, për të mos thënë vjedhje, nuk i bën asnjë përshtypje Prokurorisë. Nuk i bën përshtypje, tani që reforma në drejtësi, e kamufluar me fjalën e marramendëse Veting, është në pikën e nxehtë të tij. Po populli: “Askujt nuk i bëhej vonë - shkruan autori - aq më pak i shkonte mendja të protestonte, për çka paskej ndodhur me ca banorë në një humbëtirë”. Fatkeqsi! kur qeveria tani në gjoja demokraci, shtyp ndjenjën e revoltës, të drejtë elementare njerëzore për të ngritur zërin ndaj padrejtësive. Por policia nuk e lë me kaq; ajo futet egërsisht me shkopinj edhe te teatri që mbrohet prej kohësh nga njerëz të shquar të artit. E hedhin në tokë atë, ç`ka edhe mua më detyroi të shkruaja dhe botoja artikullin “Atë që s`e bënë barbarët, e bënë barberinët”. Dhe guxo të protestosh po deshe; shkopinjtë s`janë gjë para LHL - ve dhe burgut. Se nuk ka burg vetëm për faturat elektrike, kur energjia dhe për pasojë uji, ikin sa herë t`u mbushet mendja, por edhe kur del në rrugë pa leje e pa maskë, apo edhe kur flet kundër qeverisë. Dhe atje e dini kush të pret? Djali i hetuesit sybardhë A. P. që dikur i ishte qepur dhe i kishte i bërë keq atij burrit që gjithmonë kënaqej duke dëgjuar “Sonatën e Hënës” së L.V. Beethovenit, dhe që tani, pa pikën e gajles deklaronte me mburrje: “Gjallë jemi, gjallë! Siç e shikon, shëndosh e mirë. Jemi e do të jemi gjallë, kurdoherë!” Jeta e njerëzve sa vjen e vështirësohet. Më saktë, këtu bëhen dy lloj jetësh; ajo e pakicës të zhytur në lluks dhe ajo e masës së gjerë, që numërojnë qindarkat. Ajo e djemve dhe vajzave që të lodhur nga pritja e realizimit të premtimeve elektorale, ja mbathin pa ditur se ku shkojnë dhe ç`i pret atje ku shkojnë. Ata të lluksit, kanë humbur edhe dinjitetin. Në sallat shkëlqimtare të hotelit me emrin “Kondor”, që gjoja ka pronar një ish brigadier të fabrikës së çimentos (hajde gjeje se i kujt është në të vërtetë), burrit që punonte atje, i vret sytë qëndrimi servil i të pranishmëve, politikanë, drejtues të medieve, të shoqatave të ndryshme të cilët përpiqen me brryla, kush e kush më parë t`i afrohet me gotën e kristaltë të shampanjës në dorë, dhe t`i bjerë në sy atij ambasadorit të rëndësishëm që ju e merrni me mend kush është. Ku u katandis ky vendi ynë. Ka mbetur në dorën e diplomatëve të huaj, sikur ata e duan më shumë Shqipërinë se ne bijtë e saj. Pika që s`u bije o politikanë, o arrivistë, o maskarenj! Si nuk po e kuptoni që po i bëni Atdheut një dëm të madh. Mallkuar qofshi me gjithë pseudopatriotizmin tuaj! Horra! Këto nuk i thotë shkrimtari, por unë si lexues, teksa shfletoj librin e tij. Njerëz me veprimtari të dyshimtë si Arsen Mjalti që mban emrin e një hajduti me nam, sot ka plot. Ku droga, ku prostitucioni, ku tenderat, ku sa e sa dallavere ku nuk njihen skrupujt, lehtësisht nënkuptohet që janë bërë morali i kohës që po kalojmë. Autori nuk ka pse t`i përmendë të gjithë, se e para, ai nuk mund t`i dijë dhe e dyta, mjafton maja e ajsbergut për të marrë me mend se ç`bëhet në shtatë të tetat e tij. Këtu edhe varri të humbet, siç ngjet me ato të prindërve të Sonjës që kishte ardhur nga Holanda për t`u çuar një tufë lule, në vendin S. ku dikur i kishin internuar, se një ungj i saj “kishte rënë nga fiku”. Janë këto të vërteta që e lënë në hije jetën e atij burrit për të cilin gazetari Katos Fongoli (gjetje e bukur), ka shkruar një libër. Po ashtu, edhe testament i tij i një lloji të veçantë, pa noter e pa objekt pasuror, po në funksion të këtyre të vërtetave është shkruar. Ndaj jeta personale kalon në plan të dytë, e ca më shumë ajo surpriza që nuk mbërriti kurrë. Surprizat e mëdha i sfumojnë ato të voglat. Kjo është dhe aftësia e një shkrimtari si Fatos Kongoli, Mjeshtër i Madh dhe “Kalorës i Legjionit të Nderit” cili me një shqipe mjaft të pastër, është i qartë dhe i saktë në gjithçka na thotë. Dhe sidomos në qenien e tij një intelektual demokrat, që edhe pse shpesh mungon në ato takimet e shkrimtarëve, edhe në kohën e mërzitshme të pandemisë, di ta thotë si pak kush fjalën e tij të mençur dhe plot kurajë. Një konstatim miqësor, nëse më lejohet për një gabim që e ndeshim rëndom: në latinisht nuk thuhet Post mortum, por Post mortem. Lum Fatosi, njeriu i mirë e përherë buzagas, që po e përjeton lavdinë si krijues duke qenë i gjallë.
Te lumte Shpendi! Nje analize e holle e librit dhe situates se ngarkuar me pandemi, por qe shtrihet gjere e gjate edhe ne qeveri dhe politike. Më pelqen edhe qendrimi yt si qytetar i ketij vendi qe bashkohesh me mendimin e shkrimtarit te talentuar Fatos Kongoli. Te medhenjte e gjejne kohen, kapin temen dhe krijojne roman, novela, dhe poema e kritika. Urime dhe suksese librit ne doren e lexuesit.