Në fillim të vitit 1991 një grup krijuesish letrarë vendosën krijimin e Klubit të Shkrimtarëve "Bota e Re" në Korçë, që përfaqësohej nga Skënder Demolli, Skënder Rusi, Kristaq Turtulli etj.
Pogradecin e përfaqësonte Dhimitër Pojanaku, Ersekën, Vepror Hasani, Devollin, Thani Naqo.
JA KUSH ISHIN NISMETARET E THEMELIMIT "BOTA E RE" Themeluar ne vitin 1991
Shkrimtarët e Korçës, të parët që iu kundërvunë Lidhjes së Shkrimtarëve Shkruar nga Ylber Merdani, Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve, Korçë 25-09-2007, botuar te gazeta "Shekulli"
Nëse Rilindësve tanë të ndritur, koha iu ngarkoi misionin për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, sot krijuesve letrarë të mirëfilltë, koha iu ngarkon misionin po aq të rëndësishëm: "Të hidhet dritë mbi vërtetësitë historike". Këtë e ndjejnë poetët dhe shkrimtarët, dramaturgët dhe fabulistët e ish-qarkut të Korçës, sot Prefekturë. Ishte domosdoshmëri e kohës, shkëputja nga centralizimi dhe diktati i lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ajo qe shndërruar në një ndërtesë ogurzezë, që bashkëpunonte me Sigurimin famëkeq dhe ndihmonte në pushkatimin e poetëve e shkrimtarëve demokratë dhe antikomunistë. Ishte ajo lidhje e drapër e çekanit, e yllit komunist, që ende kullojnë gjak, nga gjaku i poetëve të pushkatuar: Trifon Xhagjika, Genci Leka,Vilson Blloshmi, Havzi Nela etj. Ishin anëtarët e kësaj lidhjeje, që bënin ekspertizat letrare të poetëve të burgosur për veprat e tyre letrare në dorëshkrim, apo që denoncoheshin nga "befotrofistët" e saj.
INICIATORET
Kështu, në fillim të vitit 1991 një grup krijuesish letrarë vendosën krijimin e Klubit të Shkrimtarëve "Bota e Re" në Korçë, që përfaqësohej nga Skënder Demolli, Skënder Rusi etj. Pogradecin e përfaqësonte Dhimitër Pojanaku, Ersekën e përfaqësonte Vepror Hasani, ndërsa Devollin e përfaqësonte Thani Naqo.
Ky komision nismëtar, njëzëri vendosi për ta quajtur klubin me emrin simbolik "Bota e Re". Kjo, sepse një botë e re po lindte. U miratua programi, ku në gjashtë pikat e tij shpalosej pikësynimi i klubit, ku binte në sy shprehja: "Të botojë organin e vet letrar", gazetë që vazhdoi të botohej për një 10-vjeçar dhe që do të ribotohet së shpejti. Gjithashtu u miratua statuti, me 12 nenet e tij, ku pika 2 thekson: "Respektimin e njëri-tjetrit, pavarësisht nga bindjet politike".
Përfundimisht, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të asaj kohe (viti 1991) Vath Koreshi, me Urdhrin 90, urdhëron lejimin e aktivitetit të klubit. Në 16 vjetët e ekzistencës së tij, klubi ka një inventar të pasur sa dinjitoz, po aq dhe të larmishëm. Janë të panumërta promovimet e librave, takimet përkujtimore, konkurset letrare, takimet me nxënësit në shkolla apo aktiviteti më madhor i klubit, "Netët Korçare të Poezisë", një aktivitet i përvitshëm ndërballkanik, ku ndahen çmimet: "Asdreni", "Kurora e Poezisë", "Kristal" etj. Ndër vite këto çmime, disa here kanë shkuar për poetët jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë kufijve shtetërorë, si në Maqedoni, Kosovë apo Bullgari, Turqi dhe Greqi.
Janë me qindra titujt e librave, me prozë apo poezi, që mbajnë siglën Klubi i Shkrimtarëve "BOTA E RE" Korçë, me autorë anëtarët e klubit, të cilët janë të pajisur dhe me karta anëtarësie.
Ka ardhur koha që vërtetë krijuesit letrarë të flakin tutje centralizmin dhe ta ndjejnë veten të pavarur. Dhe në kohën e Carit, në Rusi, Pushkini ishte anëtar i klubit "Llampa e Blertë" po kështu miku im në Turqi, poeti Ali Ugur është anëtar i Klubit "Uji Misterioz", mos të harrojmë "Strumundrang" të Gëtes etj.
Ndaj, do ju thosha gjithë kolegëve të mi poetë dhe shkrimtarë, le të grupohen sipas prefekturave dhe le të bëhen gjeneralë, mos të jenë me kapterë të varur nga ish-Lidhja ogurzezë. Le të binjakëzohemi me njëri-tjetrin sikundër Klubi "Bota e Re" ka marrëdhënie të ndërsjella me Elbasanin, Laçin, Fierin etj. Përfundimisht, më mirë vonë se kurrë, ndiqni shembullin e Korçës.
*Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve, Korçë
(publikoi: Vepror Hasani)
Comments