top of page

Shkodra e vitit 1985, Profesor Jup Kastrati dhe…Madhësia e një figure të pavdekshme


Prof Dr Jup Kastrati

Shkodra e vitit 1985, Profesor Jup Kastrati dhe…Madhësia e një figure të pavdekshme


Prof Dr Fatmir Terziu


Shkodra dukej si një tepsi e tejdukshme, e përthyer mbi “Byrektoren” e qytetit, me një frymëmarje të përkortë andej nga “Kafja e Madhe”, me të njëjtin mbiemër të ngjizur herët nga vetë shkodranët. Ishte dimri i vitit 1985, një dimër i egër, që natyrisht mbahet mend për dëborën e tij të madhe, që ra dhe izoloi për javë të tëra Veriun e Shqipërisë. Dhe në këtë dimër të egër vetëm Rozafa pikonte me dhimbje qumështin e saj të legjendës... Pjesa tjetër ishte racion. Racion në tërë hapësirën shkodrane. Niste tek ‘Byrektorja’ aty ku quhet Katër Yjëshi i Valter Fushës, ku gërmoje çentezin e fundit për të plotësuar pesëmbëdhjetëlekëshin e byrekut me spinaq dhe përfundonte tek Rektorati i Institutit të Lartë Pedagogjik “Luigj Gurakuqi” ku i bënte roje Komiteti i Partisë së Punës. Para hotel turizmit, dëbora kishte ngulfuar pesë “Herronjtë e Vigut” dhe sheshi mes Kishës së Fretërve, sheshi ku është sot godina e Xhamisë Ebu Bakër dhe Hotel Rozafës herë pas here shkërmoqej nga zërrat e ndonjë çafke dhe fërshëllima e ngrirë e bilbilit të një polici me mangë të lagura.

Unë sapo kisha lënë konviktin studentor në Zdralaj dhe shihja orën time elektronike, që e kisha dhuratën e vetme të huaj të asaj kohe, të takonte pikën 11:00. Ishte koha kur duhej të takohesha me Profesorin Jup Kastrati dhe më pas me Filipin e Rusishtes e Dibrën e sertë të librave me tjetër arsye. Ishte kohë kur natyrisht tempi student-profesor kishte asimetri, por kishte edhe respekt e përkushtim, kishte dhe frikë e arsye të tjera të tendosura nga koha dhe figura që ishte në qasjen e kohës. Sidoqoftë, dija nga leximi, ose më saktë nga paraleximi. Dija pak për Profesorin. Aq pak sa dinin edhe të tjerët, por dija se ishte mjaft serioz, i përgatitur dhe i heshtur, korrekt dhe i reptë.

Teksa do të hidhja hapat e fundit drejt takimit në fjalë, m’u kujtua menjëherë… Diku kisha lexuar shkitazi, se ai lindi në Shkodër, më 15 prill 1924, gjë që sot më bën akoma më shumë të ndjeshëm ndaj kësaj figure që shënoi nëntëdhjetë e një vjetorin e lindjes. U shkollua në Shkodër, më 1942 studioi pak kohë në Liceun Shkencor “Galileo Ferraris” në Torino, por dija se ai u kthye shpejt në Shqipëri. Gjatë pushtimit italian, si antifashist, ka qenë i persekutuar, i burgosur, i internuar në “Campo Concetramento”, në kodrat e Tepes në Shkodër, pastaj është mbajtur si peng në Kosovë, në burgun famëkeq të Prizrenit gjatë muajve korrik-shtator 1943. Pas çlirimit ka kryer studimet e larta në fakultetin e filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Tema e tij e diplomës titullohet: “Kontribute për studiumin e Ndre Mjedes” më 1958, të cilën pata rastin pastaj ta lexoja në dorëshkrime të dhuruara nga disa miq të tjerë, midis të cilëve edhe Tomi Treska, pedagogu më i ri i Universitetit. Ai ishte bërë Doktor i Shkencave Filologjike më 1982 me dizertacionin “Historia e gramatologjisë shqiptare” (1935-1944) me 1500 faqe daktilografike. Pastaj sigurisht pas këtij viti, pas këtij takimi me të, në vitin 1987 i është akorduar titulli Profesor.

Për të shënuar më tej do të më duhej të humbja disa orë në bibliotekë… Jup Kastrati ka shërbyer në arsim 47 vjet (1946-1993) nga të cilat 37 vjet në shkollën e lartë. Është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, më 2 shtator 1957, dhe ka punuar shumë për themelimin e Universitetit të Shkodrës. Është dekoruar me urdhrat “Mësues i Popullit” si dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Në atë kohë ai ishte shef i Katedrës së gjuhës shqipe në Institut, detyrë që e mbajti prej vitit 1973 deri në vitin 1990-të. Jup Kastrati ka mbajtur ligjërata shkencore në universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Kalabrisë, Napolit, Salernos, Peruxhias, Nju Jorkut, etj. Është autor i shumë librave. Brenda viteve 1956-1999 ka botuar 35 libra.

Gjithë ky itinerar paraleximi shëtiste në mendjen time ngjashëm me skimjet grindavece të harabelave, që çukisnin troshat e hedhura padashje gjetkë qoshkave të rrugës dhe pastaj kashtiseshin me hijet e kofshëve të bardha mbi bicikleta. Ndërsa mejtimi shkundej në Shkodër sikur të kishe kapërcyer disa mure më të mëdhenj se “Rozafa” e tërë ndjesia jote sapo duhej të rishkruante, apo të rithurrte ndonjë legjendë murimi me baza të reja, libri, shkolla, profesori… Por, kjo ishte vetëm një drithmë që kavardisej si tërë ekzamat e thashëthemnajave, të cilat më së shumti lindnin nga shtrati shumëproduktiv i humorit shkodran. Realiteti ishte ndryshe… Shkodra ishte një mantel i padukshëm që të merrte e të mbulonte në tërë dukmën tënde, jo thjesht si mburojë, por dhe si një shenjë jete, si një shenjë ndryshe nga jeta gjetkë, ndoshta dhe më e thukshme se aj e Kryeqytetit.

E ndërsa paraqitja është një ndjesi respekti për këtë figurë, memorja me të cilën ai strukturohej nga kjo udhësi e panjohësi tipologjish të karakterit, e gjitha natyrisht para imazhit tim është më shumë se kaq. Leximi kishte nisur herët. E kisha lexuar në dorëshkrimin e dhënë nga profesori im, i ndjeri elbasanas, intelektuali që meritonte një respekt të madh dhe Profesori që gëzonte një autoritet të ndjeshëm, Hysen Hoxha, në përkthimin e tij të parë rreth fillimeve të jetës dhe krijimtarisë së Jeronim De Radës. Në fakt disa vite më parë, pikërisht atë që shkruhej në vitin 1964, në numrin 12 të revistës “Nëntori”, kisha gjetur të botuara dy pjesë të “Autobiologjisë” së De Radës dhe atëherë leximi i freskët i Profesor Kastratit, mbi veprën e poetit arbëresh, jepte një ide më të saktë për jetën e poetit, për periudhën e parë të veprimtarisë, se si e formoi kulturën ai dhe se si i lindën dëshirat e para për t’iu kushtuar poezisë. Mes përkthimit të Kastratit gjeta shpirtin patriotik dhe kryengritës të poetit si dhe etjen e tij për kulturë të spikatura në penën e De Radës dhe të hulumtuara me zellin e përkushtimin e Profesor Kastratit.

Më 15 Prill, nëntëdhjetë e një vjetori i lindjes së Profesor Jup Kastratit, natyrisht kapërceu arsyen e shkrimit të thjeshtë prezantues. Një përmendore e tillë e gjallë e nderit të gjuhës shqipe, e shkencës gjuhësore shqiptare, natyrisht i bën nder jo vetëm Albanologjisë, por edhe këndit shkencor ku gjendet fati i një kulture të lashtë gjuhësore. Ndërsa sjell ndërmend një fakt, dua të theksoj se kur përmendej Jup Kastrati në mjediset universitare, natyrisht të tjerët besonin e dëgjonin. Kështu ndodhte edhe me pedagogë të tjerë që transferonin njohuritë tek studentët. Më kujtohet një bisedë e Profesor Mehmet Çelikut në studiot e Televizionit “Dardan”, kur shprehej se “profesor Kastrati me kujdesin e vet ndaj profesionit tregoi se ishte edhe një njeri me përmasa të mëdha njerëzore që e kish të largët rendjen pas famës dhe mbi të gjitha vetëlavdërimin.”

Koha dhe puna e sollën me nderimin e merituar figurën e tij edhe në këtë 91 vjetor të lindjes edhe pse siç shkruan Begzad Baliu përmendorja e pavdeksisë të të paharruarit Kastrati nuk ka të bëjë më me ikjen, por me madhësinë e vlerës që ai na ka lënë pos ikjes ‘më 22 shtator 2002, në Shkodër vdiq njëri prej albanologëve më të mëdhenj të shekullit XX’. Gjatë tërë viteve Profesor Jup Kastrati, u ka lënë studimeve shqiptare një trashëgimi jetësore dhe shkencore të jashtëzakonshme, prandaj ai sot radhitet në pantonin e personaliteteve më emblemetike të kërkimeve albanologjike.

10 則留言


FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
2020年4月19日

Xheladin Mjeku: Shkrimin per Prof Jup Kastratin e lexova dhe, thene te drejten, ne ato caste ma kujtoj stilin e shkrimit te mrekullueshem te monografise "Lasgushi i panjohur" te Moikom Zeqos, Nuk e di si e ke menduar kete shkrim, po nese eshte planifikim i nje libri me kujtime e shenime tjera per Prof Kastratin, do ta aplaudoja me shume kenaqesi qe keto momente. Te shkruhet per keto figura sa me shume e me gjeresisht, eshte vlere kombetare, se brezave u duhen njohuri te gjera per trasuesit e rruges se gjuhes, kultures dhe shkences sone kombetare, gjithesesi. Prandaj, uroj nga zemra qe nje mrekulli e tille te ndodh edhe ne kete rast! Suksese e mbaresi, Prof i nderuar!

Me perqafime…

按讚

FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
2020年4月18日

Prof Dhora Dhoja: Pershendetje! Thellesia e legjendes se Rozafes me mesazhin e pavdekshmes se besnikerise è memesise, veshur me qendisjen e thurrur me tingujt e embel te gjuhes sone te lashte , gjithkush qe ate e studion, merr nder prej lavdise se saj te pavdekshme ne historine njerezore.Lum kush ushqehet prej saj! Nuk eshte e lehte duke u perqendruar ne figuren e te mirenjohurit dijetar te albanologjise te japesh permasat qe vepra e Tij perfaqeson! Ndihem e privilegjuar qe tharmit te krahines plot vlera te Permetit, ku linda me dashurine pa fund te kultures e gjuhes se embel shqipe, ta shkrija me ate te embelsise te pambarueshme te Shkodres, ku jetova e punova mes kolegeve te paharruar. Ne dety…

按讚

FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
2020年4月17日

Fuat Memelli: Shkrimi i Fatmir Terziut, eshte nje kurore e bukur nderimi për Prof. Jup Kastratin ne pervjetorin e lindjes se tij. Fatkeqesisht iu rralluan Shqiperise figura të tilla, qe nuk do t’i zbehe koha

按讚

FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
2020年4月17日

Kostandin Vogli: Nje pershkrim i perkryer i portretit dhe i qytetet. Te lumte Fatmir Terziu.

按讚

FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
2020年4月17日

Timo Merkuri: Nje shkrim I nisur dhe perfunduar me nje dashuri njerezore per nje njeri te madh te Gjuhes shqipe, nga soji I te pavdekeshmve,aq te rralle ne kohen tone. Evidentuar e gdhendur me dalte skulptori cilesite aq pak te dukeshme ne siperfaqe por te plota ne boten e tij shpirterore. Nuk e kam njohur personalisht ndonese I jam referuar vepres se tij jo pak here. Ndaj I kam zili nxenesit,studentet dhe miqte e tij. Kete ma perforcon edhe kjo dashuri e madhe eFatmir Terziume te cilen eshte pikturuar ky portret I tij. Urime mik.

按讚

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page