Nga Luan Çipi
Nexhat Mersini lindi më 4 mars të vitit 1937 në fshatin Çeprat të Vlorës në një familje të pasur, me tradita atdhetare dhe vdiq pa pritur, nga një infarkt zemre, më 27 korrik 2011 në qytetin e Vlorës, kur kishte ardhur me pushime dhe të gëzonte nipin e tij, në shtëpinë e re të sapoblerë nga i biri.
E kam përcjellë me dhimbje këtë vdekje të parakohshme e të papritur. Si shok i hershëm ndihem i obliguar të shkruaj diçka për jetën e tij të mundimshme dhe veprimtarinë e tij të shquar prej shkencëtari dhe ekonomisti.
Duke qënë pak më i madh në moshë se Nexhati dhe ekonomist si ai në profesion, u lidhëm me të ngushtë në marrëdhëniet jetësore dhe ato të punës. E kam si parasysh Nexhatin qysh fëmijë: Shtat mesatar dhe i imtë, me vetullat e trasha dhe flokët e zeza përpjetë, të kreshpëruara. Gjithnjë me një trastë krahëve, ku fuste bukën e misrit me djathë dhe librat e shkollës. Çdo ditë, qoftë me diell a me shi, për vite me radhë, ai përshkonte mbi dhjetë kilometra rrugë më këmbë, nga Çeprati në Vlorë, sepse ndiqte mësimet në shkollën shtatë vjeçare dhe në Gjimnazin e Vlorës. Disa vite bujti në lagjen Muradie në familjen fisnike numerike të Mantho Konomit, duke u konsideruar atje si djalë shtëpie.
Fjalëpakë dhe i pjekur para kohe shpejt nxorri krye talenti i tij i lindur për matematikën. Edhe mësuesit e ditur hijerëndë të matematikës, mateshin kur e pyesnin dhe shpejt e përdorën si mjet mësimor për përvetësimin dhe përforcimin e dijeve. Ai u bë si etalon e nxitës për bashkënxënësit, që çuditërisht në shkallën e dijeve që jepeshin njësoj, ishin shumë larg tij. “Xhatja”, si i flisnin shkurt me dashuri, shpejt u bë, në kuadër vendi, kalorësi superior, fitues i olimpiadave të matematikës duke lartësuar kështu emrin e Gjimnazit të tij, Ali Demi, që u rendit ndër shkollat e mesme më të dalluara në shkallë kombëtare.
Ishte kjo arsyeja që pushteti diktatorial komunist i kohës, në formë përjashtuese, duke kapërcyer rregullat e rrepta të luftës së egër të klasave, këtë pinjoll pasaniku të përmbysur e veçoi dhe e dërgoi për studime të larta në Fakultetin Ekonomik të U.Sh. Tiranë.
Nga viti 1957 deri në vitin 1961, studenti Nexhat Mersini, kreu Universitetin e Tiranës dhe meritoi diplomën me rezultate të shkëlqyera.
Pas përfundimit të studimeve atë, që meritonte të ishte pedagog statistike apo matematike në Universitet, e emëruan Shef Plani në Kombinatin e Konservave “Ernest Telman” në Vlorë, ku punoi deri në vitin 1968. Kjo ndërmarrje ushqimore ishte nga më të mëdhatë në shkallë vendi dhe punonte, kryesisht, për eksport konservash peshku, mishi dhe perimesh në 80% të prodhimeve të veta. Po ajo nuk e mbante dot ekonomistin e talentuar, megjithëse ç’është e vërteta, kjo periudhe pati të mirën e vet, se aty ai u dallua dhe u shqua si shkencëtar.
Nexhat Mersini nuk u mjaftua me njohuritë e fituara sistematikisht dhe më së miri në shkollë, por vazhdoi të jetë studiues i përjetshëm dhe përktheu e shfrytëzoi realizime shkencore bashkëkohore, kryesisht rusisht. Paralel me aplikimet e reja të kësaj natyre jashtë vendit, deri në Amerikën e përparuar, ishte i pari në vendin tonë që ndërmori studimin për aplikimin e metodave matematikore të prerjes sipas programimit linear. Ishte hapi i parë drejt studimeve shkencore, shoqëruar me përfitim të dukshëm ekonomik, domosdoshmëri për hapa të tjerë të guximshëm, që u ndërmorën nga shkencëtari i ri. Ato u bënë model dhe hapën rrugë edhe për të tjerë studiues të profilit, të cilët ndoqën shpejt shembullin e tij.
Arritjet e para të suksesshme shkencore e vendosën atë në vitin 1968, si të përzgjedhurin e imponuar, në Ministrinë e Financave, që ishte qendra studiuese e efektivitetit të ekonomisë dhe financës për mbarë vendin. Atje ai punoi si specialist deri në vitin 1970.
Në këtë Ministri në fillim u përgjithësuan në shkallë vendi metodat racionale të prerjeve matematikore kudo, si në Uzinën Mekanike të Gjirokastrës dhe gjetiu. Më pas aplikimi i metodave matematikore në ekonomi, në gamë të gjerë, u shtri si normë e detyruar metodike e metodologjike në të gjithë sektorët e ekonomisë si: planifikimi rrjetor në Portin e Durrësit, shfrytëzimi optimal i burimeve ujore dhe energjetike i lumit Drin e deri shtrimi matematikor për zgjidhje optimale i Bilancit Kombëtar Ndërdegësor. Nexhat Mersini bëri dhe “algoritmin e matricave të rrallë” (problem shumë i vështire në lëmin e matematikës), për të cilin përveç Oxfordit e vlerësoi dhe Profesori i famshëm Leontief në NYU (nobelist).
Nexhat Mersini ka edhe meritën që me Profesorin e palodhur Kristian Bukuroshi të themelojë Institutin e parë të Informatikës në Shqipëri, që në rrjedhën e viteve e plotësoi dhe e përsosi, Kryetari i sotëm i Akademisë së Shkencave, profesor Gudar Beqiraj.
Këto reforma të programuara dhe hapa praktike projektimi e llogaritjeje efektiviteti, ishin me vlera financiare dhe burim thesari për ekonominë e drobitur shqiptare. Ato nuk kërkonin mund fizik po thjesht zbatim shkencor në ekonomi, sipas shembullit të shumë instituteve shkencore të specializuara dhe të ekonomistëve të shquar bashkëkohor të botës, në lindje e në perëndim.
Këto studime kapërcyen kufijtë klasore të kohës dhe detyruan organet përkatëse ta vlerësojnë dhe çmojnë më shumë dhe më realisht tani shkencëtarin e afirmuar, që pas kësaj gjendej kudo dhe pyetej e vlerësohej nga të gjithë.
Në vitet 1970–1975 atë e caktuan profesor në Katedrën e Financimit të Ekonomisë në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Nexhat Mersini më vonë dha kontributin e tij në Akademinë e Shkencave (Instituti i Studimeve Ekonomike), ku punoi deri në vitin 1979. Në këtë periudhë, si rezultat i kujdesit dhe vlerësimit të posaçëm prej kolegëve të tij të sektorit akademik profesorëve liberalë e njerëzor të Universitetit, Pleurat Xhuvani dhe Isa Gorica, Nexhat Mersini dërgohet për specializim të mëtejshëm në Rumani, që ishte shtet me institucione shkencore të hershme e të konsoliduar.
Po regjimi komunist nuk mund të vetdilte për një kohë të gjatë nga shinat e hekurta të luftës së klasave. Nexhat Mersinin smirëzinjtë, ziliqarët e karrieristët e kishin të vështirë ta denigronin e mposhtnin në fushën e tij ku shkëlqente si drita, prandaj do të gjenin të shfrytëzonin një teren tjetër, atë të "biografisë se keqe". Kjo do të binte në sy edhe te organet më të larta shtetërore të kohës, të cilat njihnin çdo gjë për të, por ia kishin nevojën. Kështu shpjegohet fakti që Kryeministri, M. Shehu, në një takim me kuadrot e financës dhe ekonomisë në Tiranë, iu drejtua me fjalët: "Dëgjo mor djalë, ti je shume i zoti, por ruaju mos të të hanë burokratët e Ministrisë së Financës". Po të mos i kishte bërë ato studime të rëndësishme për ekonominë e sfilitur shqiptare, (që M. Shehu ishte në dijeni) ai do ta “hante” vet Nexhatin, siç kishte ndodhur gjetiu edhe me të tjerë.
Letrat nga komunistë të bazës u tërheqin vëmendje kolegëve të tyre në qendër dhe ata me frikën se u rrezikohet kolltuku vetjak, siç parashikoi Kryeministri, e dëbojnë shkencëtarin e palodhur dhe e dërgojnë për të punuar thjesht si ekonomist në Kooperativën Bujqësore Malore të Dukatit të Vlorës, ku punoi pa familjen dhe në kushte tepër të vështira jetese, deri në vitin 1982.
Vështirësitë ekonomike që pushtuan vendin pas shkëputjes me Kinën dhe njëfarë “zbutje” e luftës së klasave detyruan kthimin e shkencëtarit të pazëvendësueshëm në Ministrinë e Financave, ku profesor Nexhat Mersini punoi si sekretar shkencor deri në vitin 1990.
Nexhat Mersini, si njeri përparimtar dhe pinjoll i ish klasës kapitaliste me ide nacionaliste, përkrahu proceset demokratike dhe u vendos familjarisht në vijën e parë të luftës për përmbysjen e diktaturës komuniste. Në viti 1992 u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Nga viti 1992 deri në vitin 1994 ka qenë Drejtor Ekonomik i Radio Televizionit Shqiptar dhe nga viti 1994 deri në vitin 1996 Drejtor Ekonomik në Qytetin Studenti. Vëllai i tij, Ismet Mersini, arriti deri Kryetar i Partisë Demokratike të Vlorës.
Një karakteristikë e veçantë dalluese e njeriut të mirë Nexhat Mersini ishte dhe besimi i tij në Zot dhe respekti i thellë për ata që besonin. Ai ishte idealist, tejet i ndershëm në kuptimin klasik dhe një demokrat i mirëfilltë që respektonte këdo pa cenuar kënd dhe pa ekstremitete politike. Ishte në çdo gjë për faljen si dhe përtej të mirës e të ligës, për bisedim e mirëkuptim me këdo.
Ai e donte shumë Kosovën, entuziazmohej nga sukseset e arritura nga shkëputja prej Serbisë dhe aludonte për një bashkim sa më të shpejtë mbarë shqiptar.
Nexhat Mersini ishte një njeri besnik i shoqërisë dhe i miqësisë. Ai tjetërsohej e gjallërohej mes shokësh të vjetër vlonjatë, kur ne takoheshim në Tiranë me njeri tjetrin, pinim kafe e bisedonim apo deri këndonim vlonjaçe e labçe dy tre herë në javë, apo i bënim vizita shoqi shoqit në shtëpi. Ishte kënaqësi e veçantë marrëdhënia e ndërsjelltë me gjitonët vlonjatë miq të hershëm, Nuri e Aliqi Muço. Ai fliste kudo me nderim e dashuri për ta, ashtu siç i “qeshte nuri” kur takonte e shoqërohej me çdo shok e koleg të hershëm. Ai pinte kafe njërën pas tjetrës në filxhanë të mëdha, apo tymoste duhan me tepri, dy zakone të mbrapshta që e shoqëruan deri në fund.
Nexhat Mersini kishte një dashuri deri në përkushtim për Vlorën, historinë e lavdishme të saj, Ismail Qemalin dhe Pavarësinë dhe krenohej se xhaxhai i tij ishte dëshmor i Luftës së Njëzetës. Ai e adhuronte Vlorën për bukurinë e saj, si të zgjedhur nga Zoti dhe ishte tepër i gëzuar edhe pse po vdiste, nga që djali i tij u bë i vlefshëm dhe ardhur nga Kanadaja, me kursimet e emigrimit, arriti të blinte një apartament buzë detit, në Ujin e Ftohtë të Vlorës.
Nexhat Mersini ka bashkëshorte Stelën, ekonomiste, ka djalin, Aurel Mersini, biznesmen në Kanada si dhe vajzën Laura Mersini-Houghton, shqiptaro amerikane, shkencëtare e afirmuar amerikane në fizikë dhe kozmologji, profesore në Universitetin e Karolinës së Veriut në Amerikë që nga viti 2004, si dhe një nip nga djali dhe një mbesë nga e bija. Ai ndihej me të drejtë krenar për këtë trashëgimi të vyer.
Shkencëtari i shquar shqiptar Nexhat Mersini, krahas studimeve dhe aplikimeve të veçanta në ekonomi, ka sjellë në praktikë për ekonominë e vendit tonë, si nga asnjë tjetër, miliona dollarë përfitimi ekonomik. Ai nuk mori asgjë nga shteti monist, jo pjesë fitimi, po as kthim pronash. Megjithatë, ai burrë madhështor, deri në çastet e fundit të jetës së tij rrojti me nder dhe i kënaqur, i ndihmuar prej fëmijëve të tij dhe meritoi falënderimet dhe dashurinë e shokëve dhe të kolegëve sepse, si rrallë kush, ruajti të pastër emrin e një njeriu të ditur e të ndershëm.
Nexhat Mersini është bashkëautor në shumë libra universitarë për financimin e ekonomisë dhe metodat matematikore në ekonomi. Ai ka botuar tri libra për metodat matematikore të aplikuara në ekonomi dhe deri në orët e fundit të jetës së tij po punonte paralelisht me një libër voluminoz për Krizën Ekonomike Botërore, si dhe guxonte të thellohej në argumentimin teorik të një ballafaqimi ku çuditërisht ndeshej me teoritë e Anjshtajnit të Madh, vepra këto që nuk arriti t’i përfundojë. Lexonte dhe përkthente nga gjuha ruse, italiane dhe angleze. Është vlerësuar nga Universiteti i Oksfordit në Angli me letër konsiderate për teoritë dhe mendimet e tij dhe ka marrë vlerësime optimiste edhe nga universitete të Francës, Rumanisë dhe Kanadasë.
Shpreh bindjen që me kohë, vepra e shkencëtarit të shquar shqiptar Nexhat Mersini, do të shfaqet si një pasqyrë e plotë prej kolegëve të tij (edhe tani me pozicione të rëndësishme në Qeveri e Presidencë) dhe do t’i japin atij, të paktën pas vdekjes, nderet dhe meritat që i takojnë.
Mina Naqo: I dashur e i nderuar Luan,
Falemnderit qe e kujton dhe e nderon Nexhat Mersinin, shkencetarin dhe punetorin zote e te heshtur.
Ka qene nder te paret qe ka perdorur metoda te perparuara matematike ne problemet ekonomike. Veç ketyre ka punuar me sukses edhe per probleme te mirefillta matematike (kujtoj matricat e rralla).
I paharruar kujtimi i tij
Faruk Myrtaj shkruan: Luan Çipi nuk ka ndermend te pushoj se rrefyeri Jetet Njerezore qe u shfaqen dhe rezistuan ne sy te tij. Nje galeri e pafund karakteresh qe, pa e kuptuar, megjithe veshtiresite ndonjehere teje te medha per tu sfiduar njerezisht, ishin me fat: ndodhen te shfaqin natyren e tyre humane ne sy te Luan Çipit!
Edhe dikush qe nuk e njeh Vloren, ose ka dije te pjesshme per te ndodhuart ne historine e saj, mjaft t'i referohet ketyre Portreteve te shkruara me sinqeritet dhe pa asnje llogari, per t'iu qasur sa me prane te vertetes.
Netyrisht nuk eshte kollaj, te behesh, te shfaqesh dhe te mbetesh deshmitar i se Mires dhe i se Vertetes, por per kete menduan…