
MEMISHA GJONZENELI,
dekoruar me Urdhrin ”Naim Frashëri i Artë”
Tregim
Para disa viteve shkova me pushime në qytetin e Vlorës, në atë Vlorë që unë e dua aq shumë. Gjëja e parë që bëj kur shkoj çdo verë për pushime në qytetin tim të lindjes, është vizita në varreza, ku përshëndetem e bisedoj me prindërit, që më lindën e më rritën me aq mundime. Edhe kësaj radhe, bleva disa tufa me lule, mora një taksi dhe u nisa për në Tragjas, ku edhe janë varrezat tona tradicionale. Isha shumë i malluar. Rruga nga Vlora në Tragjas ishte një mrekulli. Ai bregdet, me pamjet dhe bukurinё e rrallë, s’ka të paguar. Kur mbërritëm në Radhimë, te ura, ku unë punova 17 vite, u pushtova nga kujtimet.
Shumë ngjarje jetike të dhimbshme, më kalonin ndër mend si në një film me seri të pafundme. I them shoferit: të lutem, miku im, ec me ngadalë, se kam qejf ta shijoj në kompleks, këtë mrekulli, që se gjen kund, se më ka marrë malli për çfarë ka ngjarë, çfarë kam hequr e vuajtur këtu. Rrugës shoferi më foli nja dy herë, po unë, as që e dëgjova fare. Në tjetër vend e kisha mendjen. Atij as qё i i shkonte mendja se nё ç’kujtime e endёrra isha zhytur unё me sy hapur. Nuk më njihte fare dhe nuk ishim takuar tjetër herë. Për të unë isha një pasagjer i radhës...
Më së fundi mbërritëm në varreza... Shkova drejt te varri i prindërve. U fola me zë, mall e dashuri: erdha të dashurit e mi, vura lulet, putha dhe mermerin me mall dhe sytë m’u mbushën me lotё. U përkula para tyre me nderim e respekt dhe shkova nga motra dhe gjyshja, vendosa edhe atje lulet dhe, më së fundi, u largova i lehtësuar shpirtërisht, se kisha kryer një detyrë njerëzore...
Qëndruam te këndi, ku një rrugë shkonte për në fshatin Tragjas-Qendër dhe një rrugë të çonte në qytetin Orikum. E dija se aty ishte një klub që shërbente kafe dhe pije alkoolike dhe u nisa të veja te klubi për të kënaqur dhe shoferin e taksisë.
Kur zumë vend dhe u rehatuam në Klub, te rruga pёrtej derёs, më tërhoqi vëmendjen një grua pak e moshuar, që po afrohej me një mushkё, që e mbante për dore. Sa erdhi afër nesh, një fshatar, edhe ai i moshuar, që po pinte kafe pranë meje, i foli:
-Moj Meze, ku do shkosh që pa gdhirë? Ajo u përgjigj:
-Do i çoj bukë djalit!
-Po ku është djali? e pyeti ai prapë.
-E kemi lenë që do të takohemi te “SHKËMBI I BALLISTËVE”!
Ai qeshi dhe pa nga unë, se çfarë do thosha. Po unë vura gishtin te buza, me porosi të mos e shtynte më tej...
Fshatari plak, që më njihte mua, filloi t’u tregonte atyre aty historinë e “Shkëmbit të Ballistëve”.
Unë e dëgjova i tronditur dhe u ktheva plotësisht në kujtimet e të kaluarës, tё para 50 vjetëve, që lidhen me kёtё toponim të pagëzuar rishtazi, si “SHKËMBI I BALLISTËVE…”
Ishte viti 1968, pikërisht, data 20 prill …Kishim mbaruar së ndërtuari gazsjellësin Azotik - Divjakë dhe na caktuan si brigadë, të punonim te një objekt në Uzinën e Azotikut Fier. Hëngrëm bukën e drekës dhe u shpërndamë në frontet e punës . Unë saldoja një pajisje, qe ishte pak speciale. Ajo kërkonte mjeshtëri dhe kujdes, se nga shkalla e shpejtësisë së ecurisë në saldim, varej edhe rreziku i deformimit. Kisha fare pak kohë që kisha nisur të saldoja, kur dikush me goditi lehte në kurriz. Në fillim nuk u përgjigja, po goditja u përsërit, kësaj here më e fortё. Ngrita maskën, kur i befasuar, shikoj ... një polic.
-Ti je Memisha Gjonzeneli, me pyet polici;
-Po, i them unë.
-Duhet të vish me mua, se të kërkojnë në Degën e Punëve të Brendshme në Vlorë!
U trondita. Në çast mendova se më erdhi radha për t’u arrestuar. Shpejt e mblodha veten dhe thashë: po te qe për arrestim, nuk do të vinte vetëm një polic...
Kur e pashё më mirë policin, m’u duk person i njohur. I them policit:
-Ti, më duket, se je nga Tragjasi!?
- Po, tha ai, jam nga Stepajt.
Njerëzit po mblidheshin, se shikonin prezencën e një polici dhe bëheshin kurjozё. Atëherë i thashё policit:
-Të lutem, me lejo dhe pak, sa të mbaroj saldimin, pёrndryshe pajisja do deformohet. Po nuk u bë tani, është problem teknik. Në fillim ai nuk pranoi, po unë ngula këmbë dhe i thashë: “Pajisja do tё prishet dhe kjo do behet menjeherё problem shtetëror!”
-Mirë, me tha, po kujdes mos na ndodh ndonjë gjë, se për ty ka një problem...
-Jo, -iu pёrgjigja unë,- nuk jam nga ata që hapin probleme... Dhe vazhdova të punoja. Në fillim më dridhej dora , pastaj u qetësova deri sa e mbarova. Fika aparatin, mora maskën (se kisha personale, ma kishte falur një Kinez) dhe i thashë policit:
-Jam gati, të faleminderit!
Shokët, sa e morën vesh, erdhën të gjithë dhe filluan të mblidhnin lekë pёr tё mё ndihmuar, po unë u thashë: u faleminderit, kam lekë dhe nuk i marr. U qafova pёr ndarje tё gjatё me të gjithë se polici u tha qё po me internonin përkohësisht. I bindur se ishte fundi, unё u kërkova të falur shokëve, se mos ndoshta gjatë kohës që kishim punuar, pa dashur, mund tё kisha mërzitur ndonjërin. Pastaj u nisem.
Shkuam nё fillim te hotel “Apolonia”, ku bëra dorëzimetdhe prej andej dolëm në rrugë, ku për fat, gjetëm një makinë, qe na çoi deri në Degën e Brendshme. Sa hymë në Degë, vura re kryetarin me disa oficerë, që ishin ulur në karrige dhe po na prisnin. Kur na panë, kryetari i tha policit “E prure?... Pati ndonjë problem? “ Jo,- tha ai. –Pas kёsaj kryetari u kthye nga unë, dhe mё tha:
-Je dënuar me pesë vjet internim, në fshatin tënd, në Tragjas. Dotё ikësh qё tani dhe në orën 8, paraqitu te Këshilli i Fshatit.
Oficeri i rojës mё thirri për të marrё letrën që duhej ta dorëzoja në fshat. Gjatë kësaj kohe kryetari e pyeti prapë policin:
“ Si ia kaluat andej?”
” Mirë”,- i tha ai dhe i tregoi historinë e saldimit, lamtumirën e shokëve, që mblodhën lekë dhe unë nuk ua mora.
“Interesant,- tha njeri nga oficeret.
“ Po- tha dhe kryetari,-vërtet interesante”.
Pasi mbarova punё me oficerin e rojes u ktheva edhe njё herё tek ata tek ata.
-Tani ik,- më tha kryetari, pёe çudi, më butë se më parë.
Unë u nisa të ikja me kokën poshtë, kur dëgjova prapё zërin e tij:
-Mos e mbaj kokën poshtë, se nuk ke vaki.
Ktheva kokën nga ai, e pashё që po qeshte. Atëherë nuk durova dhe i thashë:
- Vaki kam dhe çfarë vakie! Po ju nuk mё kuptoni . Po varros lirinë,- i thashë dhe shpejtova këmbët. Kryetari s’e priste atё pёrgjigje dhe diçka tha, po unë nuk e dëgjova se shpejtova pёr t’u larguar.
Vëllai im më i madh, Tekiu (dhe ai mjeshtër i shquar ndërtimi), i internuar familjarisht para meje në fshat, duke e ditur pasionin tim qysh nga vegjëlia për çiklizmin, më kishte blerë me okazion një biçikletë “Mifa” të përdorur dhe e kishte lenё te kunati ynë në Vlorë. Ata në Tragjas, nuk më prisnin se nuk e dinin kur do tё veja. Bleva “me mik” dy bukë të mëdha gruri dhe u nisa me biçikletë për në Tragjas. Mbërrita me kohë atje dhe u paraqita, sipas rregullit, në Këshillin e Fshatit. Ata më porositën të shkoja qysh tё nesërmen në mëngjes te magazinat, se aty do me caktonin në ç’punë do tё veja. Më caktuan në brigadën e Teftës. E bёnim punën me “orar dielli”: e fillonim në mëngjes, kur dielli lindte dhe e linim mbasdite, kur dielli perëndonte.Këtë orar e kisha shumë të vështirë, po me kalimin e kohës u mësova.
Të dielave, që e kishim pushim, unë merrja një copë buke misri, me çfarë ta kisha, bëja gati dhe pajisjet e shumta për rrugë e për gjueti gjithfarëshe. Të gjitha i palosja dhe i vendosja me kujdes në një çante ushtarake: Një llambë benzine, një rrotë litari, një sqepar, dhe një spatё të vogël. Këto më duheshin se shpresoja tё gjeja ndonjë çerdhe bletësh në shkëmbinjtë lart në mal. Hidhja trastën në krah dhe nisesha vetëm, pa ndjerë frikë egërsirash a prapësirash. Dikush, që më shikonte, thoshte me vete se dhe ato pak mënd që kisha, mё kishin ikur d.m.th...sipas tyre, isha çmendur. Ç’është e vërteta unë, falë profesionit tim si montator, isha i specializuar për të bërë shkallë me litar dhe me ndihmën e tyre zbrisja lehtazi në shkëmbinj, ku synoja të gjeja bletë, për t’u marrë mjaltin, këtë dhuratë zoti, shumë të kërkuar dhe me shumё vlerë. Disa herë edhe kisha gjetur, po shumë pak. Më e shumta pesë kilogram. Bletët aty e kishin vendin të vogël dhe nuk kishte hapësirë ku të shtrinin hojet. Sidoqoftë, nga entuziazmi i arritjeve m’u shtua pasioni dhe mund të them se brenda një kohe të shkurtër u bëra specialist edhe për të prerë bletë. Kjo punë kishte epërsi e kënaqësi, se mund të bëhej edhe duke qenё vetëm dhe mua, në gjendjen e përbuzjes shoqërore si pasojë e “luftës së klasave”, vetmia më shëronte dhe relaksonte.
Kur ne fshat kishin nevojë për të zgjidhur probleme të vështira të mekanikës bujqësore, shpesh më flisnin për punë në ofiçinën e kooperativës. Unë, shkoja pa fjalë dhe as kundërshtoja apo tё bëja pazar se sa pikё duhej tё mё shtonin nё “ditën e punës”. Me fjalë të tjera edhe pse isha i mësuar të fitoja shumë para si brigadier nderti-montimi, fillova të ambientohesha me gjendjen e varfanjakut.
Një dite, kur punoja në Ofiçinë, një fshatar mё tha:
“Është një shkëmb i madh, diku thellë në mal, që populli e ka quajtur “Shkëmbi i bletës” dhe që besoj se është me interes për ty. Atje është një bletë shumë e vjetër dhe thonë që ka shumë mjaltë. Atë bletë të famshme janë përpjekur për ta prerë gjithfarë guximtarësh, po kanë dështuar dhe nuk kanë arritur rezultat”.
Mua më tërhoqi vëmendjen ky tregim i këndshëm dhe shfaqa interes të menjëhershëm:
-Kam dëshirë ta provoj edhe unë prerjen e asaj blete. Mund të ma tregosh, ku është ky shkëmb?- i thashё.
-Hajde dalim të ta tregoj,- më tha ai!
Dolëm jashtë, shkuam deri te vendi dhe ai më zbuloi ku ishte shkëmbi i bletës.
Shkëmbi ishte në rrugën pёr në malin e Tragjasit. Çobanët që venin në mal te dhëntë, uleshin dhe shlodheshin në hijen e atij shkëmbi.
Me zbulimin e shkëmbit fantastik, mua atje më ngeli mendja dhe të dielën e parë që erdhi, mora pajisjet e mia të gjahut dhe u nisa furtunë. Nuk ishte shumë larg dhe kohën se sa zgjaste nuk e mbaj mend. Po mbaj mend që u bëra mysafir i shpeshtё i shkëmbit tё bletës. E pashё bletën nga të gjitha anët dhe u binda që ishte çerdhe gjigande dhe përsosmërisht e organizuar. Ishte mëngjes dhe koha qe shumë e mirë. Ajo ishte favorizuese për gumëzhitje blete.
I rashë rreth e rrotull shkëmbit, formova bindjen se ishte bletë shekullore dhe ia bëra planin që në atë çast asaj, me bindjen se i kishte ardhur fundi.
Shkova në shtëpi dhe, si gjithnjë në jetë, kur ndërmarr veprime të rëndësishme, bëra një bisedë: I them babait që do tё pres bletën shekullore te “Shkëmbi i bletës”. Aibrofi nga çudia dhe më tha:
“ Mos, se ajo bletë kaqë në kohën e rinisё sonё qё ёshtё atje dhe nuk e ka prerë dot njeri! “
“Mirё, - i thashё unë, - po asnjë nga ata nuk ka qenë montator, si puna ime. Unë do ta pres!”
Të dielën që erdhi, mora me vete vёllanё, Tekiun, bashkё medy kushërinjtë e mi, Alemin dhe Luan Alemin dhe shkuam te shkëmbi qysh herët në magjes që të fillonim punë me fresk dhe ta kishim gjithë ditën përpara. Si fillim, premë disa degë lisi dhe ngritëm një skelё, nga toka deri afër grykës ku punonte bleta. Bëra dhe një shkallë litari që ta kisha për emergjencë dhe të hipnim e të zbrisnim shpejt. Kështu, mbaruam punën përgatitore, hëngrëm dhe bukë, pimë dhe ujë Izvori dhe ishim gati e fare të qetë e të vendosur për aksion. Duke qenë i sigurt për suksesin e pritur prej vitesh, u ngrita më këmbë dhe u thashë:” Dëgjoni vëllezër, e di që nuk keni besim të plotë se ne do e presim bletën sot, po unë jam gati ta heq me bast me ju të tre që kjo bletë shekullore do tё pritet sot!”
Mora pajisjet që më duheshin, vajta te shkalla dhe sa vura këmben e djathtë e thashё: “Na vaftё mbarё!”dhe u ngjita. Ndeza tymësen dhe vura kokoren mbrojtëse. M’u turrёn disa miza, po sapo i bëra me tym ato u larguan. Pastaj mora një daltë dhe çekanin dhe fillova të godas shkëmbin rreth e rrotull birës. Kur dëgjova se nga një anë zhurma ndryshonte, e mora me mend se nga ana ime shkëmbi ishte më i hollë. Punova pa ndërprerje, deri në orën 12, po konstatova se kisha avancuar shumë pak. U ula, hëngra bukë dhe u ngjita prapë me forca të shtuara. Atje mizat m’u turrёn. Atёhere ndeza llambën e benzinës dhe ndёrsa një pjesë e tyre u dogj, të tjerat menjëherë u larguan. Ndërkohë e ktheva flakën te ana e birës dhe e lashё ashtu nja 10 minuta, derisa guri u bë si gëlqere. U kërkva shokëve, që ishin poshtë, një tas me ujë dhe ia hodha gurit. Ai u plasarit në nja dy a tre vende, pastaj fillova me daltë e çekan derisa hoqa ca copa guri të mëdha dhe mbeta i kënaqur nga rezultati.
“Eureka! - u thashë shokëve i gëzuar,- bleta shekullore është e sigurt që dotё pritet!”
Kaluan jo më shumë se dy orë pune intensive dhe unë e hapa birën sa duhej, aq sa i shikoja hojet, i prekja me dorë dhe mund t’i merrja. Edhe njëherë ato m’u turrën të dëshpëruara e të mundura në përpjekjen e fundit, po unë i largova sërish me tym .
I fola fitimtar Tekiut, të hipte lart, se do fillonim ta prisnim. Ai erdhi i gëzuar. Futa dorën dhe nxora një hoje ia dhashë atij në dorë dhe i thashë “Gёzuar e mbarё, Teki!!” Ai e mori, shkundi mizat dhe e përcolli tek shokët poshtë. Luani filloi ta shtrydhte hojen dhe mjalti nisi të rrjedhё në tenxhere.
Kur ishim në mes të punës me hojet erdhi aty rastësisht një çoban kureshtar, që kishte rrugën për në mal, ku ishin kullotat e dhenve. E quanin Skendo Brati . Ai ishte dhe kushëriri ynё dhe neve na erdhi mirë që do ishte ai degustuesi i parë i prodhimit. Mbushëm dhe i dhamë një tas plot me mjaltë bashkё me një lugë të madhe dhe i thamë:
-Haje!
Ai pyeti:
- Vetëm për mua është gjithë ky tas? ...
- O po haje me fund!- i tha Luani.
Skendua e mbaroi tasin, tha” Faleminderit!” dhe iku shpejt. Ne e kuptuam qё s’e zgjati ngaqё i shkoi ndër mënd se s’duhej ta shinte njeri që kishte ngrenë mjaltë nga ballistët. Se ne, të katër bij ballistësh ishim dhe gjendeshim si të internuar aty. Më vonë erdhi edhe dikush tjetër. Ne edhe atë, ndonese qemё bij ballistësh, e qerasёm po njësoj.
Deri afёr darkës gjithçka kish mbaruar. E pastruam vendin, hoqëm skelën dhe u kthyem në shtëpi. Nga ajo bletë morëm jo pak, po afërsisht 60 kg. mjaltë. Pёr ne kjo ishte një fitore, qё pёr vite tё tёra dukej vazhdimisht e pamundur. E vёrteta ёshtё se pavarёsisht nga suksesi, asnjё nga ne nuk mendoi se, pas kёsa,j shkёmbi, do tё merrte emrin qё ka sot.. Tё gёzuar, siç ishim, nxituam pёr në shtëpi , ku gratë dhe fëmijët ishin bërë merak por, kur na panë të qeshur e me duart plot, kuptuan fitoren dhe njëzëri bërtitën” Urraaaa!”...
Të nesërmen, si zakonisht, që në mëngjes u kthyem në monotoninë e punëve të përditshme. Gratë i dërguan të pastronin vathin, dhe tëndёn ku seleksionoheshin prodhimet. Sa mbërritën pranë vendit të punës ato u ulën të hanin mёngjesin si gjithnjё së bashku, duke ngrënë e duke folur. Në bisedë, njëra prej tyre, tha me zë të lartë:
-Moj gra, e morët vesh çfarë ndodhi dje?
- Jo,- thanë njëzëri të gjitha edhe pse s’kish asnjë grua në fshat të pa azhornuar edhe me lajmin më të fundit.
- Ata ballistët dje kishin prerë bletën atje te shkëmbi i bletes!.
Aq u desh dhe filluan thashethemet. Gruaja, që epërhapi e para këtë kryelajm dha edhe “vendimin”, qё pak a shumё arёsyetohej kёshtu: gjersa nuk ka më bletë te ai shkëmb dhe me që ata të katërt qё arritёn ta mbledhin mjaltin ishin bij ballistësh, ta quajmë “Shkëmbi i Ballistëve.”
Kaq duhej qё fillimisht nёn zё, pastaj edhe pa frikё, fjala tё përhapej shumë shpejt.
E kisha dëgjuar edhe para rikthimit tim nga mёrgimi disa herë toponimin “SHKËMBI BALLISTËVE’. Dikur, disa e shfrytёzonin atё edhe kur donin tё na shanin. Po kishin kaluar afro 50 vjet nga koha që unë isha larguar nga Tragjasi dhe pothuajse e kisha harruar. Veç, duket se vitet kanё bërë punën e vet dhe mendimi ka evoluar. Njё grua tragjasiote nё ditёt tona, nuk ndruhet mё t’i thotë natyrshёm e me zё tё lartё shoqes sё saj para nisjes pёr t’ i çuar bukën djalit lart, te stanet: “Do tё takohemi te “Shkëmbi i Ballistëve!”.
Nё njё prej ditёve u drodha dhe u trondita kur e dёgjova pёrsёri kёtё shprehje tashmё tё zakonshme, po nga kujtimi i kohës dhe i ngjarjes, ndjeva njё kënaqësi të pafundme, tё cilёn nuk rrija dot pa e ndarё sot me ju.
ÇIKAGO, 10 mars 2020
Comentários