Shkëlqim Hajno: ORA E PËLLUMBAVE
- Jun 28
- 5 min read

-Tregim-
-Nga Shkëlqim HAJNO -
I shtruar për operacion në spitalin Universitar të Janinës, në një orë marsi të paradites, i vetojnë ne mendje si currila gjithfarë ndjesish, teksa në derën gjysmëçeltë të ballkonit, ia kanë behur trumba e pëllumbave që me ecjen e tyre të paqtë dhe dritësimin koloristik, të duket se sjellin kumte optimizmi, në një dhomë me shtatë të sëmurë postoperatorë, shumica e të cilëve, me gjurmët e trishta në fytyrë nga kafshimi i dhimbjeve dhe frikës për të nesërmen.
Në ditën e dytë dhe të tretë pas operaiconit, mundi vetëm të këqyrë mjedisin e ri që e rrethonte. Vështrimi obsesiv i regjistroi rendin e disa gjërave përreth.
Pas sanitares së katit e cila mbaroi, mirë e mirë punën e saj, të dytët që shkelën në ballkon, ishin pëllumbat që shkelën brenda dhomës, në kërkim të ndonjë thërrimeje ushqimore mbi fashën e dritës së diellit që përkëdhelte tapetin gri të dyshmesë.
Mysafirët e paqtë, ndiqnin me rigorozitet ritualin e vet me gu-gutë e tyre dhe ecjen elegante e triumfale si lajmëtarë të dritës së ylbertë mëngjesore që çau tok me rrymën e freskët mëngjesore. Zbrisnin edhe të tjerë mysafirë kumtues drite nga parvazet përkundruall të vizitonin dhomën e tij. Herë, një nga një, herë dy nga dy.
"Është ora e pëllumbave..." tha me zë më tepër për vete sesa për njeriun e afërt që i qëndronte mbi krye në një karrige ku kish kaluar krejt natën e gjatë e të lodhshme ngarkuar me peshën e rëndë të merakut.
"Po. Është ora e pëllumbave".-tha gruaja me një buzëqeshje të butë ngarkuar me diell.
Në këtë spital kishte dëgjuar përveç greqishtes, edhe shqip, edhe vllahisht. Këto të fundit i kishte kapur në bisedat e shoqëruesve me të sëmurët.
Në miniaturë, edhe në dhomën ku gjendej i shtruar, fliteshin të tria gjuhët.
Është dita e katërt pasoperatore dhe ai ndjehej më mirë. Mësoi se pacienti majtas tij, është një polic i PKK Mavromat *(Qafë Botë) nga Igumenica e Thesprotisë. Është operuar nga një ndërhyrje e rëndë.
Polici, lëngoi gjithë natën nga dhimbjet por në orën e pëllumbave e më pas, nuk e jepte veten. Indiferent lexohej në fytyrë, por me bishtin e syrit, fqinji kundronte me instiktin e tij prej polici.
Djathtas, një plakë fisnike i qëndronte burrit mbi krye duke folur vllahisht. Burri ishte voskos* (bari) në një nga fshatrat diku në një zonë pranë Mecovos.
Pacienti shqiptar, një sy e një vesh nuk i hiqte nga ekrani i një TV të porositur në dhomë nga kushedi cili pacient. Nga një krevat më tej tani mbërrinin lajmet ditore që nuk dihet përse atij i dukehin se hynin nga dritarja dhe jo nga aparati televiziv në tavolinë.
Pas siglës televizive, në dhomë hyjnë lajmet .
”...Shtetet e Bashkuara të Amerikës po negociojnë me Iranin për një armëpushim për t’i dhënë fund luftës midis dy vendeve, tha sot presidenti amerikan, Donald Trump.“Ajo që thashë dje ishte pikërisht e saktë. Aktualisht, jemi në negociata”, tha presidenti amerikan...”
Ai specifikoi se i dërguari i tij Steve Witkoff, dhëndri i tij, Jared Kushner, zëvendëspresidenti, JD Vance dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio po merrnin pjesë në këto diskutime.Trump pretendoi se Irani u kishte dhënë Shteteve të Bashkuara “një dhuratë shumë të madhe” në lidhje me hidrokarburet, pa dhënë detaje.“Ishte një dhuratë shumë e madhe, ekuivalente me shumë para'”, u tha presidenti gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë....)
-Të shkuara,-iu drejtua greqisht fqinjit me plakën mbi kokë.
-Gjithashtu! Edhe juve, të shkuara!
Papritur, shqiptarit iu kujtua e vetmja fjalë që dinte nga gjuha amtare e fqinjit dhe e përsëriti ta dëgjonin fqinjët vllehë:
- Ku mesht?* ( Si jeni)
-Po ti me se merresh? -ia ktheu burri i moshuar.
- Eimai dhimosiografos*.(Jam gazetar.gr.)
I moshuari u kthye nga gruaja:
-Ziarist, ziarist* ( gazetar, vllahisht)-ia shuajti kureshtjen
-T’ju pyes për diçka zotiii –tha fqinji shqiptar si për ta ngarë bisedën
-Vangjel. Vangjel ma thonë.
-Ke patur ndonjë ditë apo natë shumë të vështirë si bari?
Tjetri, futi gishtat e dorës së djathtë si një krehër në flokët e shkurtër e të zbardhur krejt.
-Një ditë dhe një natë….Po, more djalë!... Ishte dhjetor. Kohë pjelljesh. Edhe pak dhe pjelljet përfundonin. U err. Dita ishte e shkurtër. Kolovo më humbi nga sytë. Nuk dëgjova asnjë të lehur të tij. Fishkëlleva e fishkëlleva aq sa u ngjira.
-Çfarë i ndodhi? E preu ujku?
-Jo. E gjetën pas dy ditëve. Një dele kishte mbetur pas shoqeve kur kopeja ime u largua për në stan. Sapo kishte pjellë. Kolovo, nuk u largua nga delja dhe qingji i sapodalë nga mëma. Lehte tërë kohën që ta ruante. Lehte të na njoftonte edhe neve. E gjetëm pas dy ditëve. Qava nga nga përgjërimi i Kolovos. E përkëdhela, si ta kisha pjesëtar të familjes. E putha në kokë si një fëmijë.
-Vërtet prekëse, zoti Vangjel!
Nga ekrani i TV vinin lajmet ditore nga vendi: Nisi gjyqi i katastrofes se Tempit...Vazhdojnë përgatiet për festën kombëtare të 25 Marsit...Rritje e re e çmimit të karboranteve nga pasojat e luftës në Iran... Kryneministri Mitsoitaqis viziton punimet për portin e ri të Selanikut...Sigla e lajmeve. Reklama.)
Pacienti shqiptar vuri re se Kristol, polici i Mavromatit, nuk bëzante. Vetëm dëgjonte.
-Keni dhimbje? Të shkuara!
Polici u përgjigj shkurt:
-Më pak. Faleminderit!
-Kaloj herë pas here në Pikën kufitare ku ju shërbeni, po nuk ju kam fiksuar...-tha pacienti shqiptar për ta cytyr tjetrin në bisedë.
Polici pacient nuk foli. U duk se nuk kishte dëshirë për biseda.
Pacienti shqiptar vendosi ndërkaq të mos hapte më tej asnjë bisedë.
“Tjetri ka dhimbje ti kërkon ksemolloira* (biseda boshe) -qortoi veten.
Por pas pak polici grek, tha:
-Nuk më ke parë se grupi jonë i specialistëve, punon pas godinës...andej nga shqyrtohen punët e pista...
-E pista?!-përsëriti i habitur tjetri.
-Eh, ti e kupton se je gazetar....Të pista, u themi trafiqeve të drogës, armëve etj.
-Tani kuptova. Falemindterit!
Kishte hyrë gruaja e policit që mbante në dorë një çantë grash dhe një laptop. Po bisedonin të dy.
-Juve ju mbaj mend se keni ardhur te zyra jonë një ditë me një grua plakë që dorëzoi një dokument.-tha polici i Mavromatit duke parë nga gruaja që shoqëronte bashkëbiseduesin e tij shqiptar.
Gruaja pohoi e habitur.
-Po. Kam qenë një ditë.
-Nëna plakë megjithëse nuk kishte asnjë detyrim financiar për dokumentin, nuk largohej nga zyra pa më lënë 20 euro bakshish. U detyrova t’i thosha:
“Nëne, këto nuk shkojnë këtu! Mbase jeni mësuar kështu, andej te vendi juaj. Futi çantë eurot se këtu, nuk pijnë ujë!”
-Kujtesë profesionale!-i buzëqeshi policit pacienti shqiptar.
Ndërkaq te dera e ballkonit të dhomës, kishin hyrë nga jashtë tre pëllumba që kërkonin me sqep, miqësor e të patrembur ndonjë thërrime në dysheme.
Polici zgjati dorën në komodinë. Mori nga sirtari dy biskota dhe ia zgjati gruas. Pas pak ajo i thërmoi në ballkonin e vogël jashtë dhomës dy biskotat.
Një trumbë me pëllumba ia behu si me komandë dhe ballkoni u mbush me gugatje dhe harenë e beftë të pëllumbave që çukisnin papushim.
-Është ora e pëllumbave, qirie astinome* (zoti polic.)-tha pacienti shqiptar.
Polici shikonte nga ballkoni i përqëndruar.
-Tamam si me orar!-shtoi bariu vllah nga krevati tjetër.
Atë çast, të gjithë ndiqnin skenën e pëllumbave në ballkon dhe pas pak lodrimet e tyre të magjishme drejt pullazeve përkarshi.


![Shpresa Fundi Gjergji: PENTAGRAM në BBR[1] – Ku arti flet me zë radiofonik](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.png/v1/fill/w_442,h_250,fp_0.50_0.50,q_35,blur_30,enc_avif,quality_auto/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.webp)
![Shpresa Fundi Gjergji: PENTAGRAM në BBR[1] – Ku arti flet me zë radiofonik](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.png/v1/fill/w_292,h_165,fp_0.50_0.50,q_95,enc_avif,quality_auto/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.webp)




Comments